vitit 1981

Ahmet Qeriqi: Revoltat e protestat e Marsit dhe Prillit të 1981 shënuan epokën e rikthimit të shqiptarëve në identitet të mirëfilltë kombëtar

Demonstratat gjithë-popullore të Marsit dhe Prillit të viti 1981, shënuan kthesën vendimtare të ndarjes definitive të shqiptarëve të robëruar nga ish-RSFJ. Kërkesa për krijimin e një republike të shqiptarëve në Jugosllavi, shtrohej si nevojë strategjike e kohës, për të ruajtur identitetin kombëtar të shqiptarëve dhe për të krijuar parakushte për shkëputje nga Jugosllavia, që ishte bërë një burg i madh i popujve të Ballkanit.

Zhvillimet që pasuan më 26 mars të po atij viti, kur njësitë speciale të Jugosllavisë, me lejen me aprovimin e regjentëve besnikë të regjimit të Beogradit si: Azem vllasi, Mahmut Bakalli, Ali Shukriu, Mehmet Cikuli- Maliqi e të tjerë, sulmuan brutalisht demonstruesit duke vrarë dhe duke përgjakur qindra prej tyre, intervenimi i tillë brutal, nxori në sipërfaqe fytyrën e vërtetë të fashizmit jugosllav dhe atyre shqipfolësve bastardë, të cilët i shërbenin asaj politike shoviniste antishqiptare. Revolta gjithë popullore, që pasoi më 2 dhe 3 prill, ia çjerri përfundimisht maskën politikës së ”barazisë së kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë”. Shtypi perëndimor dhe ai i Tiranës zyrtare konstatonin se në Kosovë kishte ndodhur njëra ndër gjakderdhjet më të pashembullta në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore.

Kryesia e Jugosllavisë okupatore kishte shpallur gjendjen e shtetrrethimit. Qenë vendosur qindra postblloqe policore dhe ushtarake në tërë Kosovën. U vranë dhe u plagosën rëndë qindra demonstrues, u arrestuan rreth 5000 shqiptarë liridashës. Klasa politike projugosllave në krye me komunistët titistë filloi zbatimin e platformës për “çrrënjosjen e kundërrevolucionit”, të cilën me besnikëri skllave po e zbatonin: Azem Vllasi, Ali Shukriu, Mahmut Bakalli, Mehmet Maliqi, Kolë Shiroka, Fadil Hoxha, Xhavit Nimani dhe tërë një klasë politikanësh, që bënin përpjekje të panatyrshme ta përzienin gjakun e shqiptarëve me gjakun sllav, ashtu sikurse kishin përzier shumica e tyre edhe martesat me serbe, malazeze, etj.

Kryengritja e marsit dhe prillit e vitit 1981 shënon një epokë vendimtare në historinë më të re të popullit shqiptar, pavarësisht se kjo ngjarje nuk e ka gjetur vendin e merituar në tekstet ende gjysmake të historisë sonë. Prej asaj kohe kishte filluar ndarja e madhe dhe diferencimi historik i dy klasave shoqërore, kundërshtare. Klasa projugosllave që pranonte jugosllavizmin dhe asimilimin e qetë të shqiptarëve, duke i trajtuar ata si “kosovari”, dhe lëvizja ilegale çlirimtare, e cila çoi më në fund edhe në luftën e armatosur të UÇK-së, për t’ u çliruar nga robëria shekullore jugosllave.

Në këtë aspekt marsi dhe prilli i vitit 1981 shënojnë njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë. Po të mos ndodhte ajo që ndodhi asokohe, shqiptarët sot do të jetonin ashtu sikur se jetojnë hungarezët në Vojvodinë, myslimanët në Sanxhak, apo vllahet në krahinën e Timokut në Serbi. Mirëpo në kushte dhe rrethana të caktuara lëvizja nacionaliste shqiptare, e përkrahur fuqimisht edhe nga Tirana zyrtare, arriti të konsolidojë idealin e lirisë, arriti ta mbajë gjallë atë dhe në rrugën e gjatë e të mundimshme të historisë, arriti të realizojë me sukses tri luftëra çlirimtare, të cilat u përkrahën nga mbarë shqiptarët atdhedashës dhe nga forcat përparimtare botërore.

Titistët, projugosllavët dhe oportunistët edhe 25 vjet më pas po mundohen ta fshehin të vërtetën për kryengritjen shqiptare të vitit 1981

Duhet pranuar faktin se jeta e përbashkët e shqiptarëve me serbë dhe kombet e tjera të Jugosllavisë deri në vitin 1981, kishte dhënë shumë rezultate në afrimin e popujve, por jo në afrimin mbi principe të barazisë, por mbi shembullin e skllavit të nënshtruar ndaj padronit. Në Jugosllavinë e atëhershme shqiptarë të ndershëm, “poshteni shiptari” konsideroheshin vetëm ata që e donin pa lajka Jugosllavinë, si atdheun e tyre, ata që martoheshin me serbe, ata që rezervoheshin të flisnin shqip sapo futej në mesin e tyre një serb, dhe ata shqiptarë trutharë që nuk kishin as edhe ndjenjën më elementare të dashurisë për kombin e atdheun. Dhe, mjerisht, duhet pranuar faktin se të tillë në mesin e turmave të paarsimuara shqiptare pati me shumicë, ashtu sikurse pati me bollëk edhe nga ata që u shkolluan në Beograd, dhe prej andej sollën në Kosovë shumë nipa dhe mbesa të Serbisë. Mbi këtë shtresë të turmave shqiptare ngrihej klasa politike jugosllave, e cila kishte pranuar rezignatën tragjike të asimilimit të ngadalshëm, meqë arrinte të mbijetonte ekonomikisht dhe arrinte të vilte favore të shumta dobiprurëse duke u bërë pjesë e politikës jugosllave antishqiptare. Krijimi me sukses i një hibridi të tillë të çoroditur, çonte pa kthyeshëm në idenë e jugosllavizimit të shqiptarëve dhe të popujve të tjerë të federatës, e cila ishte përhapur sidomos në vitet 70 dhe 80 të shekullit të kaluar.

Është e natyrshme se periudha e tillë e rrojtjes bashkë, periudha mushke e bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me serbë, periudha e fillimit të një ngjizjeje të panatyrshme, mes dy popujve që kishin të përbashkët vetëm armiqësinë 13 shekullore, jepte rezultate të caktuara, ashtu sikurse kishte dhënë edhe në kohën e Romës, kur qenë romanizuar shumë popuj të Ballkanit, por edhe në kohën e Perandorisë Otomane kur u turqizuan po ashtu një pjesë e madhe e popujve të Ballkanit.

Mirëpo, në kushte dhe rrethana të zhvillimit shoqëror, arsimor, politik dhe ekonomik në Evropën e asaj kohe, në kohën e ndarjes së botës në dy blloqe të mëdha politike kundërshtare, proceset historike do të zhvilloheshin në akord me kohën, dhe nuk mund të ndodhte ndonjë asimilim i dhunshëm, apo ndonjë shfarosje kolektive e shqiptarëve, sikur më vonë pretendoi ta zbatonte regjimi i Milosheviqit.

Viti 1981, grushtin më të fortë ia dha idesë së jugosllavizimit të shqiptarëve dhe kjo është merita më e madhe historike që ndodhi në atë kohë, sepse filloi rruga e vetëdijesimit për liri, barazi dhe vetëvendosje të shqiptarëve. të cilët padrejtësisht dhe me bekimin e qarqeve politike evropiane kishin mbetur të okupuara nga Jugosllavia. Këtë ide e përforconte edhe procesi i diferencimit ideopolitik, proces të cilin e zbatonte me përpikëri klasa titiste-rankoviqiste shqipfolëse e Kosovës. Ishin këta partiakët e të gjitha niveleve nga LKJ, LSPPJ, LRJ, LANÇ, pastaj prokurorët, gjykatësit, porotët, milicët, sigurimi i shtetit i identifikuar si UDB si dhe një klasë e tërë denoncuesish, të cilët për shërbimet e tyre kundër nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptarë shpërbleheshin në shumë aspekte. Të rralla kanë qenë shtëpitë e shqiptarëve të trojeve të robëruara të atdheut asokohe ku nuk kishte të paktën një denoncues shqipfolës. Ky është një fakt i palavdishëm por mjerisht është një fakt historik, sepse të gjitha grupet ilegale, e tërë veprimtaria antijugosllave është zbuluar nga shqipfolësit, nga ata që ishin shumicë, sepse popullata serbe gjithnjë ka qenë pakicë në Kosovë dhe nuk ka arritur të shënojë ndonjë rezultat në këtë drejtim. Nuk kishte fshat në Kosovë, apo bashki në qytete, ku nuk njiheshin ata që bashkëpunonin me UDB-në, sepse ky bashkëpunim bëhej madje krejt hapur. Në çdo aksion për të shpartalluar shqiptarët liridashës kanë marrë pjesë milicët shqiptarë, ndërsa aksionet janë drejtuar nga policët serbë të UDB-së. Edhe në aksionin gjakatar kundër familjes së Tahir dhe Nebih Mehës në Prekaz, më 13 maj të vitit 1981, në ballë të forcave të rrethimit kanë qenë milicët shqiptarë. Të tillët, në mars dhe prill të vitit 1981, kanë vrarë dhjetëra demonstrues në Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë, Vushtri, Mitrovicë, Drenas e gjetkë. Nga milicët e tillë të Mehmet Maliqit, të Azem Vllasit e Rrahman Morinës janë vrarë në rrethim Nuhi Berisha, Rexhep Mala, Bedri Sokoli, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Ismet Krasniqi e dhjetëra të tjerë. Në të gjitha arrestimet e qindra grupeve të rezistencës në Kosovë gjatë viteve 80, në krye të aksioneve kanë qenë SUP-ovcat shqipfolës dhe pjesëtarë të milicisë vendore. I tillë ishte rezultati i politikës 30-vjeçare të bashkim vëllazërimit. Dhe sa më shumë që këta lakej të jugosllavizmit tregoheshin besnikë, aq më shumë kërkohej nga ata, zbatimi sa më i thellë i një politike të tillë, të egër, antikombëtare. Këto shërbime të panatyrshme që kryen bastardët e të gjitha ngjyrave, me kohë çuan në degradimin fatal të kësaj klase, e cila, edhe pse kishte shërbyer besnikërisht, pse të mos thuhet me këtë rast se kishte shërbyer qenqe, më në fund u detyra të largohet kokulur nga shërbimi, në fillim të viteve 90 të shekullit XX. Ishte kjo koha kur komunistët shqiptarë jugosllavë, të indinjuar në politikën e Beogradit bënë edhe atë “revolucionin e njohur” të hedhjes së triskave të partisë. Dashur pa dashur ata u gjenden të braktisur nga padroni, të cilit i kishin shërbyer plot 40 vjet. Të kota ishin edhe përpjekjet për të krijuar organizata gjithëjugosllave si UJDI i Veton Surroit, të kota u treguan edhe përpjekjet për ta varrosur dhunën, të kota u treguan edhe fikjet e dritave dhe trokitjet me lugë nëpër pjata , që ndërmorën të zhgënjyerit dhe braktisurit titistë, të kota ishin edhe shumë orvatje, që bënë skllevërit shpirtshitur, tashmë të braktisur nga padroni, të cilit deri dje i kishin kryer shërbime duke vrarë e duke denoncuar pabesisht vëllezërit e tyre të gjuhës dhe të gjakut. Të kota u treguan edhe brohoritjet për Stipe Shuvarin e Kaçusha Jasharin, të kota edhe apelet me nënshkrime të pseudointelektualëve, të cilët mendonin të ruanin as aq mund të ruhej në kohën e erozionit të madh, që kishte nisur me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë që në fillim të viteve 90.

Klasa e komunistëve kosovarë, e braktisur nga Beogradi, në kohën e lirimit të pluralizmit politik u rreshtua në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe në disa partijëza të tjera, të cilat u udhëhoqën nga ish-komisarët e LKJ-së dhe nga mbeturinat e fundërrinat e UDB-së, që gjetën strehë nëpër parti politike. Ky ishte rezultati që korrën komunistët shqiptaro-jugosllavë për shërbimet e tyre të verbra kundër kombit e atdheut.

Kjo klasë njerëzish, për të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur, ende fajëson kreatorët e kryengritjes së vitit 1981, sepse ata ua prishën ëndrrat dhe aspirata e tyre për përbashkësi dhe asimilim të qetë. Dhe, çuditërisht, edhe tani 25 vjet më pas, të tillët ende kanë mbetur po në ato pozicione, edhe pse Kosovën e liruan pikërisht ata që projektuan 11 marsin, 26 marsin dhe 1 e 2 prillin e vitit 1981 dhe që çuan përpara proceset çlirimtare duke i kurorëzuar me luftën heroike çlirimtare dhe fitimtare të UÇK-së. Ndodh kjo sepse lufta jonë nuk u zhvillua deri në fund dhe nuk i pastroi dot mbeturinat titiste, rankoviçiste e milosheviqiste, ose pastroi fare pak.

Pikërisht për këtë, në RTK, projektohet dhe realizohet një emision për kryengritjen e vitit 1981, duke u bazuar në deklaratat e ish UDB-ashëve, e titistëve me damkë dhe të disa oportunistëve, të cilët edhe pse kanë mbajtur vite të tëra nëpër burgje, kanë ndërruar sa e sa herë ngjyrat, duke u hedhur nga një parti në tjetrën dhe duke mos qenë asnjëherë konsekuentë, as atëherë kur ishin marksistë leninistë, as atëherë kur u bënë LDK-istë të përbetuar, as në kohën e UÇK-së kur ia mbathen për në Stankovec dhe as tani kur janë postuar nëpër poste të ndryshme qeveritare.

Bërthama e ideatorëve të kryengritjes së vitit 1981 u bë më vonë edhe bërthamë e UÇK-së

Kryengritja shqiptare kundër robërisë e vitit 1981, pas sulmit gjakatar, që mori në fillim nga ushtria dhe policia jugosllave, ajo së shpejti filloi të konsolidohet duke iu përshtatur rrethanave të reja të veprimit. Dhuna, brutaliteti i forcave policore, arrestimet, vrasjet, plagosjet zgjeruan edhe më shumë frontin e rezistencës. UDB-ja në bashkëpunim me kolaboracionistët nxori para gjyqit dhjetëra grupe studentësh, punëtorësh dhe intelektualësh, ndërkohë që në platformë të kërkesës Kosova Republikë angazhoheshin dhjetëra grupe të tjera, krejtësisht të pavarura nga njëra tjetra, por me synime dhe qëllime të njëjta.

Edhe pse në luftë për ta thyer “nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar” ishte inkuadruar tërë aparatura politike dhe aparatura e represionit fizik, edhe pse luftën kundër këtij “nacionalizmi” e përkrahen të gjitha shtetet e Evropës, me përjashtim të Shqipërisë, e cila kërkesat e rinisë shqiptare i mbështeti fuqishëm, edhe pse në këtë luftë në mënyrën më të paturpshme dhe më të panatyrshme, po merrnin pjesë edhe shumë shqiptarë besnikë të jugosllavizmit, lufta për realizimin e idealeve kombëtare u tregua shumë më e fortë dhe përballoi me sukses të gjitha sfidat në rrethanat e caktuara shoqërore dhe historike.

Ideatorët dhe përkrahësit e lëvizjes për çlirim dhe bashkim kombëtar, veprimtarinë e tyre atdhetare nuk e pushuan as nëpër burgje. Dhe sapo liroheshin nga burgjet, sërish riorganizoheshin dhe vazhdonin veprimtarinë atdhetare, duke kërkuar barazi dhe liri.

Në vitet 80 sipas informatave që sjell shtypi i huaj, por edhe ai jugosllav për vepra të cilësuara si antijugosllave, janë dënuar prej 2 muaj e deri në 20 vjet burg rreth 12,000 shqiptarë, të moshave të ndryshme, por mesatarja e moshës së tyre ishte prej 20 deri në 30 vjet. UDB-ja kishte hapur rreth 400.000 dosje për shumicën dërrmuese të intelektualëve shqiptarë, kryesisht të familjeve që ishin shquar për rezistencë kundër forcave okupatore serbe qysh prej vitit 1912. Vetëm në ushtrinë jugosllave qenë dënuar 1.200 shqiptarë, në mesin e tyre edhe ndonjë epror. Shtypi i kohës nuk i ka shënuar këto të dhëna, meqë nuk lejonte censura e kohës së totalitarizmit jugosllav.

Në luftë për ta “thyer” nacionalizmin shqiptar kishte filluar edhe aksioni i diferencimit ideopolitik, të cilit i printe ideologu famëkeq titist, Azem Vllasi dhe kompania e tij diferencuese. Në këtë luftë të panatyrshme, antishqiptare, morën pjesë në mënyra të ndryshme të gjitha republikat e Jugosllavisë e veçanërisht ajo e Maqedonisë, ku po ashtu luftohej nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar. Kjo luftë nxiti fuqishëm nacionalshovenizmin serb, i cili pasi supozonte se i kishte nënshtruar shqiptarët, filloi luftën për të nënshtruar edhe sllovenët, kroatët e myslimanët e Bosnjës.

Duke qenë se e ashtuquajtura Lëvizje paqësore kishte degjeneruar në një qyqari të neveritshme, duke qenë se po bëheshin përpjekje për të bindur turmat shqiptare se liria do të vinte e nënshkruar, po të bëheshin të durueshëm, shumë prej të burgosurve të vitit 1981, veprimtarinë e tyre atdhetare e kishin orientuar drejt përgatitjes së kryengritjes së armatosur. Luftës çlirimtare në Kroaci dhe më vonë në Bosnje iu kishin bashkuar shumë shqiptarë liridashës, që paraprakisht qenë përndjekur nga regjimi i Milosheviqit.

Me qëllim për të vepruar në drejtim të krijimit të një force kombëtare, kishin shkuar për t’ u stërvitur ushtarakisht në Shqipëri, në kohën e regjimit të Ramiz Alisë, dy grupe atdhetarësh, në mesin e tyre edhe komandanti i ardhshëm legjendar i UÇK-së Adem Jashari, e disa të tjerë. Po për këtë qëllim qenë organizuar edhe grupe të ndryshme ilegalësh që kryenin stërvitje ushtarake sidomos në Drenicë dhe në Llap. Në krijimin e celulave të para të UÇK-së, po thuajse në të gjitha ato celula kishte ish të burgosur dhe të përndjekur që veprimtarinë e tyre antijugosllave e kishin nisur në Mars Prill të vitit 1981. Një pjesë nga këta veprimtarë në kushte dhe rrethana të caktuara ishte inkuadruar në Lëvizjen Popullore të Kosovës, e cila përjetoi batica dhe zbatica të shumta, meqë në kuadër të saj supozohej me të drejtë se ishin futur edhe kuadro të ish UDB-së. Pavarësisht nga dobësitë, sektarizmi dhe bajraktarizmi, që mbretëroi në LPK, klasa e ish të përndjekurve kishte zgjeruar veprimtarinë në të gjitha vendet në Evropë, por edhe brenda në Kosovë, ku vepronin grupet e para guerile të armatosura, të cilat tashmë kishin kryer sa e sa aksione kundër stacioneve të policës serbe kundër milicëve dhe kolaboracionistëve.

Në Kohën e krijimit të strukturave të para organizative të UÇK-së brenda në Kosovë, në të gjitha nivelet komanduese ishin inkuadruar ish të përndjekurit dhe të dënuarit e vitit 1981. Ata tashmë drejtonin Shtabin e Përgjithshëm, shumicën e zonave Operative, sigurimin sekret, institucionet e para informative të UÇK-së. Përderisa shumica e të burgosurve të vitit 1981 qenë hedhur në ballin e luftës për liri, pati edhe mjaft oportunistë që i mbeten besnikë politikës pacifiste të Ibrahim Rugovës, apo të tillë që i përndoqi Rugova nga partia e tij dhe që u riorganizuan në LBD.

Për t’ u bindur se cila ishte veprimtaria atdhetarë e kreatorëve të kryengritjes shqiptare të vitit 1981, duhet të shfletohen biografitë e dëshmorëve në vëllimet e monografisë “Feniksët e lirisë” ku janë prezantuar dhe vazhdojnë të prezantohen biografitë e dëshmorëve të UÇK-së. Përmes këtyre biografive shpaloset e vërteta për luftën dhe rezistonin e armatosur dhe dalin në sipërfaqe, ata që me tërë qenien janë angazhuar për çlirimin e trojeve shqiptare nga robëria. Vepra e tyre dhe e bashkëluftëtarëve të tyre flet se kush e organizoi kryengritjen e marsit dhe prillit të vitit 1981, kush e vazhdoi luftën deri në vdekje, kur i bëri bisht asaj dhe kush po i vjelë sot frytet e asaj lufte dhe atij gjaku të derdhur për liri.

Ata që ende nuk e kanë kuptuar se cila ishte esenca çlirimtare e nacionaliste e kryengritjes shqiptare e Marsit dhe Prillit e vitit 1981, me siguri se një ditë kur Kosova do ta fitojë pavarësinë, do ta kuptojnë, ose do të detyrohen ta kuptojnë. Ata që kanë marrë pjesë në ato zhvillime dhe që në kushte dhe rrethana të caktuar janë larguar nga lufta, ( prej luftës veç ai largohet…) atyre mbase edhe iu ka hije “të ngrehin e të mos këputin dhe prore të ndërrojnë qëndrimet. Ndërsa kundërshtarët ende projugosllavë, ai Azem Vllasi, Shkëlzen Maliqi, Mahmut Bakalli, Migjen Kelmendi, Jusuf Buxhovi, Gani Mehmetaj, Baton Haxhiu e shumë të tjerë do të mbeten në fundërrina të historisë ashtu sikurse Esat Toptani, Ceno beg Kryeziu, Shefqet Vërlaci, Ali Shukriu, Mehmet Cikuli, Rrahman Morina dhe kolaboracionistët e neveritshëm që ikën nga Kosova së bashku me forcat serbe, në qershor të vitit 1999.

Kosova ende ka shumë militantë të Marsit dhe prillit të vitit 1981. Ata veprojnë, sogjetojnë dhe tashmë kanë mbetur garda më besnike e Kosovës, garda besnike e forca jo vetëm morale por edhe garancia më e fortë e të ardhmes së Kosovës dhe trojeve etnike shqiptare.

(Sqarim: Ky shkrim për herë të parë është lexuar në Simpoziumin e vitit 2001, (mbajtur në sallën e Institutit Albanologjik të Prishtinë), në 20-vjetorin e demonstratave dhe protestave revolucionare të vitit 1981. Është plotësuar në vitin 2006 dhe është afishuar disa herë në faqen zyrtare të Radios-Kosova e lirë dhe në disa medie të tjera. Shkrimi është përvetësuar nga shumë përvetësues e portale. Ka të tillë që e kanë nënshkruar me emrin e vetë dhe më vonë, pas reagimit tim, kanë kërkuar falje dhe në shenj respekti nuk i kam denoncuar publikisht. Ka të tillë që kanë lexuar e lexojnë nëpër tubime e përvjetorë duke shkëputur pjesë nga shkrimi dhe shumë të tillë  të cilët e afishojnë si tekst anonim. Autori falënderon të gjithë ata që janë shërbyer me shkrimin me qëllim të zbardhjes së vërtetës për vitin 1981 dhe nuk kanë pasur qëllim të përvetësimit edhe pse konsideron se në raste të tilla nuk është keq të paktën njëherë të citohet burimi, qoftë edhe pa emër të autorit, nëse dikë e ka bezdisur dhe e bezdis emri. Dukuria e përvetësimit, vjedhjes së shkrimeve, mos citimi i burimeve është bërë përditshmëri e shumë medieve e portaleve të papërgjegjshme, të cilat për të mbuluar hapësirë nuk kursejnë asgjë dhe nuk përfillin asnjë kriter shkencor as moral. 26 mars 2016)

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …