Ahmet Qeriqi: Rezoluta kërkon rikthimin në gjendjen e para fillimit të luftimeve. Ajo nuk është e favorshme për forcat çlirimtare (E mërkurë 14 tetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Rezoluta kërkon rikthimin në gjendjen e para fillimit të luftimeve. Ajo nuk është e favorshme për forcat çlirimtare (E mërkurë 14 tetor, 1998)

I ndodhur përballë kërcënimit tejet serioz nga NATO-ja dhe nga mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, kryekrimineli serb Milosheviq ka pranuar realizimin të tërësi të rezolutës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të datës 24 shtator. Po ashtu ai i ka pranuar edhe kërkesat e Grupit të Kontaktit. Punën rreth realizimit të këtyre kërkesave do ta përcjellin autoritete të caktuara të Misionit të Organizatës Evropiane për Siguri dhe Bashkëpunim.

Të gjitha kërkesat e rezolutës janë të natyrës që jo vetëm e mundësojnë praninë serbe në Kosovë, por në asnjë segment nuk ia kontestojnë të drejtat e Serbisë  mbi Kosovën. Në asnjë segment nuk parashihet ndëshkimi i politikës së kriminelit, por ndërprerja e ofensivave dhe fillimi i dialogut për zgjidhje politike të problemit.

Në këtë mënyrë çështja është kthyer në pozitë të para fillimit të luftës.

Po të analizohet në tërësi Rezoluta, e cila edhe pse zbatohet në përpikmëri nga ana e Serbisë, ne jemi humbësit si gjithnjë, ndërsa serbët i përforcojnë pozicionet e tyre hegjemoniste dhe kolonialiste. Marrëveshja më tepër duket sikur ka karakter humanitar, nga frika sikur thuhet e katastrofës humanitare, edhe pse ajo në shumë segmente ka qenë më shumë se katastrofale. Me anën e kësaj rezoluteje përforcohet  edhe klasa vasale pacifiste e cila kërkon barazi në kuadër të Jugosllavisë, duke mos e përkrahur luftën çlirimtare si të drejtë legjitime të popullit shqiptar për liri dhe shkëputje nga kolonializmi.

Këto dy kënde të së njëjtës politikë e përjashtojnë krejtësisht luftën e deritanishme gati njëvjeçare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila nuk do të pranojë kurrfarë zgjidhjeje politike që nënkupton mbetjen e Kosovës në vargonj të hegjemonisë serbe.

Anashkalimi i UÇK-së me këtë rast nga faktori ndërkombëtar,  do të thotë thellim i mëtejmë i krizës. Ne mund të përfitojmë nga rasti i armëpushimit për t`i konsoliduar radhët dhe për të mos lejuar në asnjë mënyrë pajtimin me gjendjen ekzistuese, meqë tani klasa pacifiste fillon të ngrihet nga bataku i qyqarisë për të përfituar nga rrethanat.

Duhet pasur kujdes nga infiltrimi i mundshëm i misionarëve të caktuar, të cilët do të mundohen që në forma perfide ta degjenreojnë situatën në radhët tona.

Koha do të na ballafaqojë me sfida edhe më të rrezikshme sepse tërheqja nga lufta për të gjithë ne do të thotë fund fatal.

Sot në mëngjes Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçi janë nisur në drejtim-Shalë Nekoc. Nuk e di se ku shkojnë as i pyes fare. E di vetëm se derisa serbët janë në Kleçkë, nuk mund të bëjmë ndonjë punë të madhe në drejtim të ristrukturimit. Pasi janë larguar Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçi, me porosi të Idriz Hysenit kanë ardhur Ilir dhe Gafurr Dugolli, me qëllim për ta lajmëruar Jakup Krasniqin për një intervistë me një gazetar të huaj, i cili  pret në fshatin Nekoc.

Në orët e mbrëmjes si zakonisht depërtojmë te shtëpia e Aziz Hamdiut, në ambulancë për të përcjellë ditarin televiziv. Atje takohemi edhe me ushtarë dhe eprorë të tjerë dhe zakonisht bisedojmë për problemet aktuale por edhe për armëpushimin e rrejshëm dhe aspak të qëndrueshëm meqë të shtëna dhe granatime sado që të një intensiteti të ulët dëgjohen në shumë vende.

Berati ka filluar të përmirësohet dukshëm. Duhet të merr edhe shumë inxhekcione dhe terapinë tjetër ndihmëse.

Rreth orës 20.30, ka filluar një sulm i akorduar i forcave tona kundër pozicioneve serbe në shumë vend-pozicione. Sulmi ka qenë i akorduar dhe është bërë me qëllim të provokimit të forcave serbe, të cilat kanë deklaruar se lufta ka marrë fund dhe UÇK-ja është shpartalluar.

Më vonë jemi kthyer në odë të Sylë Qeriqit ku kemi qëndruar deri vonë.

Janë dëgjuar shkrehje armësh në Caralevë, te Godenët, në Kleçkë e në Llapushë. Ushtarët tanë gjatë natës depërtojnë afër pozicioneve serbe dhe i sulmojnë befasisht, në mënyrë që t` iu vështirësohet qëndrimi dhe të mos ndihen të qetë.

I kënaqur tejmase me sulmin kundër pozicioneve serbe, Jetë Hasani me Sylën dhe Elezin ka ardhur për të ndejtur në orët e vona të natës. Jeta i cili zakonisht nuk flet, duket sikur e ka thyer pengesën dhe jep disa mendime interesante për mënyrën taktike të sulmeve kundër serbëve, sidomos gjatë tërheqjes. Ndihet i ngazëllyer dhe tejet me disponim.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Naim Imeri sot herët është larguar në rrugëtimin e tij të përhershëm nëpër Blinajë. Elezi …