Ahmet Qeriqi: Rifreskuesit e begatuesit e këngëve burimore shqiptare: Asim Gashi, Albina Kelmendi II

Ahmet Qeriqi: Rifreskuesit e begatuesit e këngëve burimore shqiptare: Asim Gashi, Albina Kelmendi II

Në botën  “magjepse” së këngës shqipe ka shumë emra të njohur e jo aq të njohur, ka shumë grupe këngëtarësh e këngëtaresh, ka emra ndër  më të njohurit e këngës, si të muzikës burimore, folklorike shqiptare, asaj  popullore, të përpunuar,  deri te muzika simfonike e operistike.

Po kështu në botën e kësaj kënge ka edhe emra të përveçëm, emra që kanë hyrë në muzikën shqiptare me kujdes, profesionalizëm, me qëllim për ta begatuar atë, me qëllim për t’ ia ngritur vlerat dhe për ta perfeksionuar deri në maksimum,  deri atje   ku depërton bota e tingujve  dhe e fjalëve  bashkë, në universin e pa fund dhe të pa skaj të saj.

Në këtë botë komplekse, heterogjene dhe homogjene shquhen dhe mbijetojnë  më profesionistët, më meritorët,  të cilët shfaqen me origjinalitet  edhe atëherë kur duket se kanë emituar e improvizuar, edhe atëherë kur nuk arrijnë të depërtojnë në botën pa kritere dhe kaotike të konkurrencës,  ata janë vetvetja, janë brumi dhe nektari i këngës, të dalë po nga brumi dhe nektari për të përparuar më tej, jo vetëm për veten dhe për afirmimin e tyre individual, apo grupor,  por për botën e muzikës në përgjithësi  dhe asaj shqiptare në veçanti.

Në mesin e këngëtarëve të kësaj kategorie profesionistësh, qoftë me arsimim adekuat ose fare pa të,  por me talent të lindur, me dashuri të papërmbajtur për këngën, e cila i referohet shpirtit dhe del nga shpirti, shquhen në Kosovë këngëtarë e këngëtare si Asim Gashi, Albina Kelmendi, Hysni Klinaku, Nazmije Prokshi, Gresa Behluli e pak të tjerë, të cilët nxjerrin këngë nga këngët, që marrin “nektar” nga muzika popullore dhe e begatojnë me elemente të muzikës, në akord me kohën, por duke e ruajtur me fanatizëm, burimin, origjinën, brumin, nektarin riprodhues. Në mesin e këtyre këngëtarëve emblematikë, kryesisht të rinj e të reja, kësaj radhe kemi marrë për analizë kalimthi,  veçmas: Asim Gashin, Albina Kelmendin si dhe grupet e tyre muzikore, jashtëzakonisht profesionale dhe me talent të lindur për muzikën, nënën e arteve.

Karakteristikat e përgjithshme

Serioziteti i këndimit dhe i paraqitjes dinjitoze para publikut, maturia dhe vetëpërmbajtja në kufi të entuziazmit, pedanteria në veshje e në sjellje gjatë këndimet,  qëndrimi serioz dhe orkestrimi profesional me vokacion të lartë interpretues e artistik, janë disa nga veçantitë e këtyre këngëtarëve, rifreskuesve të këngës burimore shqiptare.

Kënga e Asim Gashit, e afirmon këngën burimore shqipe jo me improvizim kopjues, por me afinitet dhe origjinalitet riprodhues, me shkrirjen kuptimplote në këngë, me përparim të moderuar të saj, duke i qëndruar besnik tekstit të këngës, duke e pasuruar me një fonetikë të pasur e të pastër të tingujve, rrokjeve, fjalëve, sintagmave duke krijuar një qasje origjinale, e cila e zapton këngën, jo për t ia marrë shpirtin, sepse shpirti i këngës nuk pushtohet, por për t’ i dhënë një hov të ri, për ta ngritur më tej, për ta begatuar me tharmin e saj, pa e cenuar origjinalin, por duke e lartësuar deri atje ku vjen të shprehje talenti i veçantë, inventiv e produktiv.

Asim Gashi, është në gjendje të këndojë këngën e secilit këngëtar, që nga më të moshuarit,  që tani nuk janë më e deri te këta të sotmit, meqë disponon të gjitha elementet që përbëjnë dhe nënkuptojnë një këngë të “rifreskuar” artistikisht, duke e ndjerë thellë në shpirt vokacionin krijues, botën e pasur të perceptimit të muzikës, jo duke vënë në pikëpyetje origjinalin, apo këngëtarin e parë e të dytë, por duke i dhënë një hov të ri e të ngritur peshë, sikur do të thoshte Migjeni, apo sikur bënte me poezinë popullore, Lasgush Poradeci.

Zëri, dhe vokacioni artistik  i tij disponon të gjitha komponentët e duhura e më shumë, për ta përthekuar këngën nga të gjitha segmentet e saj, meqë këndon lirshëm, e ndien mesazhin e saj, të cilin e shpreh me emocione të matura, duke i thonë formatin origjinal, në një rifreskim që i fascinon dëgjuesit, jo për të sfiduar  këngëtarët e tjerë, por për të shprehur botën e tij autentike, në qasje ndaj këngës së caktuar.

Ky afinitet e talent për të bërë këngë nga kënga nuk do të arrihej deri të ky nivel sikur të mos ishte edhe ekzekutimi me instrumente të caktuara muzikore ku dominon kitara, e cila i ka të pashtershme mundësitë e interpretimit.

Asim Gashi ka sjellë jo vetëm freski e rifreksi në këngë, por edhe përkushtimin e dashurinë që nden ndaj saj. Ai ka krijuar me sukses stilin e tij origjinal të këndimit, një format të moderuar, shumë të pëlqyeshëm nga dëgjuesit e shikuesit, që krahas freskisë artistike, jehon edhe origjinali, të cilit nuk i ka kaluar koha, por fitohet përshtypja se ajo vetë e ka riprodhuar, për mos e lënë në harresë dhe për ta rikthyer në riinterpretim.

Ky këngëtar zotëron të gjitha aftësitë për interpretim të jashtëzakonshëm dhe kjo më së miri vërehet në duet, me cilindo këngëtar apo këngëtare. Në raste të tilla ai është tejet i sigurt në vete, madje nuk e fsheh vetveten, edhe pse këtë nuk e bën për të treguar epërsi, por ky manifestim i del vetvetiu, sepse i buron nga përkushtimi dhe dashuria që ka për këndimin dhe këngën e caktuar.

Këngët e këtij vokacioni artistik të Asim Gashit dhe këngëtarëve të tjerë të këtij zhanri specifik pa dyshim se janë risi në muzikën tonë dhe paraqesin një begati të veçantë të  saj një mbëltim që premton…

Edhe Albina Kelmendi,  e lindur dhe e rritur me muzikë e këngë, vokacionin e saj artistik e ka orientuar në rifreskimin e këngës, duke i dhënë impulse nga zëri i fuqishëm, shpërthyes, kumbues  me segmentet epike-lirike, por edhe me kontrapunkte të muzikës së lehtë.

Kjo këngëtare, bijë e këngëtares, tashmë e  afirmuar, ka një repertor të pasur të këngëve solo dhe duet. Mbi të  gjitha shquhet për një qasje të përkushtuar ndaj këngës, të cilën herë-herë  e manifeston me kapërcime heterogjene dhe njëzim me këngën, por gjithnjë ia del me sukses, sepse edhe kjo e zotëron këndimin në radhë të parë, i zotëron finesat, detalet, qasjen origjinale në ritëm e gradacion, gjatë interpretimit.

Ajo ka një paraqitje shpërthyese para publikut, në disa raste edhe imponuese por kurdoherë të papërmbajtur, me një ritmikë moderne në orkestrimin muzikor, e cila shpesh edhe ia imponon ritmin, por duke qenë se i zotëron mirë të gjitha notat e pikat e këndimit, përmbahet me vëmendje, duke lënë të kuptohet se është vetvetja dhe se e zotëron çdo situatë, të cilin nuk e arrijnë dot të gjithë këngëtarët.

Albina Kelmendi është këngëtare e apasionuar, e lindur dhe e rritur në muzikë e këngë, në hare e ngazëllim, në entuziazëm e dashuri për këngët e të gjitha zhanreve. Në këtë mënyrë qasja e saj ndaj cilësdo këngë i ka edhe veçantitë e finesat, të cilat i zotëron dhe i manifeston edhe me lëvizje ritmike në harmoninë e ekzekutimit e të këndimit…

Kontrolloni gjithashtu

Prof. Dr. Hivzi MUHARREMI: In Memoriam-Impresion  mbi jetën dhe veprat e piktorit profesorit, akademikut Tahir Emra

Piktor kolorist i figuracionit, peizazheve, enteriereve dhe natyrave të qeta Me ndarjen nga jeta të …