Ahmet Qeriqi: Rikthehet çështja e arrestimit të Faruk Gashit (E enjte 2 korrik, 1998)

Ahmet Qeriqi: Rikthehet çështja e arrestimit të Faruk Gashit (E enjte 2 korrik, 1998)

Mbrëmë, në orët e vona të natës, edhe pse i dërrmuar nga rruga, kam shkruar në ditarin tim kronologjik, përshtypjet  gjatë qëndrimit në Likoc. Detyra, që i kam vënë vetes për të shkruar kronikën është një barrë tjetër, e cila më humb edhe atë pak pushim dhe gjumë të natës.

Mirëpo kam vendosur, që pavarësisht nga rrethanat, çdo ditë të kësaj historie që po zhvillohet tani dhe në të cilën edhe vet po marr pjesë, ta shënoj dhe do të përpiqem ta ruaj si sytë e ballit. Të paktën të mbeten këto dëshmi në rast se vritem.  Për këtë punë është i njoftuar Elez Durmishi.

Për shënimet e mia di edhe Arbana, bija ime, e cila qysh në fillim të luftës iu ka bashkuar radhëve çlirimtare.

Në odë të Vehbiut i takoj tre veta që kanë ardhur  nga Gramaçeli. Ata kanë depërtuar në anën tonë, nëpër Blinajë, me qëllim që  të depërtojnë në Dukagjin, nëpër zonat që i mbanë nën kontroll Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Duket se kanë rënë në sy të policisë serbe, dhe nuk rrezikojnë të udhëtojnë nëpër postblloqe të policisë. Kanë pritur gjatë ditës, mos po lëvizë ndonjë grup në drejtim të Dukagjinit. I udhëzoj që të depërtojnë në Shalë, e prej andej të kalojnë në Kleçkë, në mënyrë që nga atje, të marrin ndonjë lidhje për të depërtuar në fshatin e tyre, i cili është dëmtuar rëndë nga lufta.

Sot këtu ka ardhur edhe Reshat Gashi, i brengosur për Farukun, të cilin  ka dhjetë ditë që e mbajnë në arrest. Ai më bën me dije se qysh nga fillimi i qershorit, nuk dihet gjë as për  Hysen Zogianin nga Harilaqi, nip i Azem Sylës.

Çështja e mbajtjes në arrest e Farukut, ka të bëjë në radhë të parë me eksponimin e tij në mesin e policisë vendose serbe në Shtime. Po ashtu me rastin e përpjekjeve të studentëve për ta mbajtur një demonstratë në Shtime, Faruku i mbështetë ata dhe bie në konflikt me anëtarët e Degës së LDK-se, e sidomos me Ali Sadriun, i cili thuhet se nuk ka pranuar që në Shtime të organizohet demonstratë në përkrahje të UÇK-së.

Një vendës nga Shtimja, me qëllim e provokon Farukun para shtëpisë së tij dhe në prani të familjes, duke e kërcënuar për një punë tregtie. Faruku nxjerrë revolverin dhe e qëllon automjetin e të riut nga Petrova. Policia intervenon me shpejtësi në mesin e popullatës dhe krijohet rrëmujë. Faruku arrestohet, por lirohet pas tri orëve. Atij i marrin revolverin, për të cilin të gjithë mendojnë se e ka mbajtur me leje.

Kryesuesi i LDK-së në Shtime lajmëron QIK-un, se Faruk Gashi ka goditur me armë zjarri demonstruesit. Aksidenti i cili i ndodhë atë ditë maji Faruk Gashit, keqinterpretohet nga persona për qëllime të caktuara.

Asokohe, po thuajse të gjithë banorët e Shtimes me rrethinë, kishin fituar  përshtypjen se Faruku bashkëpunonte me policinë.

Unë nga ana ime e kam ditur se ai mbanë lidhje të ngushta me Azem Sylën, përmes Kadrie Gashit, dhe Sheqir Zenelit. Madje Sheqës qysh në prill i kam shprehur rezervat te disa shokë që paraqiten në emër të Azemit, por nuk kam biseduar asnjëherë me Azemin për të vërtetuar çështjen e tij.

Faruku qysh moti më ka treguar se për të gjitha veprimet e tij është në njohuri, Azem Syla dhe shokët e tij. Ai, për të vërtetuar veprimet e tij më ka njoftuar për angazhimet e tij të veçanta, edhe pse të gjitha  rrëfimet  e tij i kam marrë me rezervë.

Reshati më ka sjellë një numër telefoni të Azem Sylës, me qëllim që të kontaktoj me të dhe të bisedoj lidhur me fatin e Farukut, meqë, sipas tij çështja është tejet e ndërlikuar dhe mund të ketë pasoja të rënda. Arrestimi i Farukut në njëfarë mënyre e zbeh edhe angazhimin e Reshatit, i cili është kushëri i afërt me të. Çështja e Farukut ka zënë të përflitet dhe i druhem ndonjë veprimi të  pamatur të ndonjë personi, me qëllim të caktuar.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …