Ahmet Qeriqi: Rikthehet ritmi i jetës në Krojmir (E mërkurë 21 tetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Rikthehet ritmi i jetës në Krojmir (E mërkurë 21 tetor, 1998)

Edhe gjatë natës së mbrëmshme ka pasur shkrehje sporadike armësh. Ato tanimë janë bërë të zakonshme.

Gjatë ditës së sotme ka rënë shi pandërprerë. Moti është ftohur tejmase. Qëndrimi i mëtejmë nëpër tenda është vështirësuar skajshmërisht.

Në fshat tanimë ka ardhur edhe familja e Ali Kelmendit e fundit nga Gryka e Shpëtimit. Atje tani ka mbetur vetëm edhe familja e Adem Karaçicës dhe ushtarët që ende po qëndrojnë në roje dhe në vëzhgim.

Jakup Krasniqi sot është larguar që në mëngjes, së bashku me një ushtar të Kleçkës, vozitës.

Në orët e paraditës kemi biseduar gjerë e gjatë me Berat Luzhën, për probleme të caktuara. Nga dita në ditë presim kur të krijohen kushtet për të filluar informimin, mirëpo punët po na shkojnë zvarrë, ashtu si gjithmonë gjatë historisë sonë aritmike, të ngadalshme dhe të vonshme.

Jeta në fshat edhe pse në kushte dhe rrethana lufte po normalizohet. Shumica e banorëve janë kthyer. Nuk ka asnjë shtëpi të zbrazët. Për më tepër në shumë shtëpi janë dyfishuar banorët, meqë këtu janë vendosur edhe shumë familje ushtarësh nga Zborci, Godanci, Caraleva, Reçaku, Duka e Karaçica.

Fshati zien nga vajtje ardhjet, sidomos të shtunën dhe të dielën kur vijnë shumë pjesëtarë familjesh të ushtarëve në vizitë. Ata zakonisht udhëtojnë me vetura ose me autobusë. Tani për tani policia serbe nuk i ndalon, për veç në ndonjë rast të veçantë. Në fshat janë kthyer edhe pjesëtarë të disa familjeve për të cilët kemi fakte se kanë bashkëpunuar dhe aktualisht bashkëpunojnë me okupatorin. Ata, janë strukur nëpër shtëpi dhe gjatë ditës nuk i sheh gjëkundi. Edhe gjatë natës lëvizjet i bëjnë tinëz. Nuk ka mjaftuar lufta e deritanishme, vrasjet dhe masakrat e serbëve, djegiet e shkatërrimet e shtëpive që të tillët të vetëdijësohen. Ata, përfaqësojnë alternativën e bashkëjetesës me serbë edhe në këtë kohë të dhunës më barbare e më të çmeritur. Si nuk i vret Zoti, si nuk i lëshon toka?

Në mbrëmje së bashku me Beratin kemi shkuar në odë të Elez Durmishit.

Jemi takuar me shumë ushtarë dhe si zakonisht me Elezin, Luanin, Sylën, Aliun, Dalipin, Azem Kastratin e të tjerë.

Në qenien e këtyre liridashësve të cilët po i dalin zot atdheut, vërehet trimëria, vetëmohimi dhe gatishmëria për vetëflijim. Derisa flasim e bisedojmë më shumë se vëllazërisht, në mendje më sillen mendime të liga…

Natën vonë kthehemi në vendqëndrimin tonë.

Epiri më bën me dije se te shtëpia e mixhës Mehë, kanë ardhur drejtoresha Hilmie Plakiqi dhe Fehmi Haradini, i cili ka punë me Jakupin dhe sonte do të qëndrojë te ne.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Ndodhi të ndryshme dhe të papritura gjatë ditës. (E enjte 15 tetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi të ndryshme dhe të papritura gjatë ditës. (E enjte 15 tetor, 1998)

Sot po bën një ditë e vërtetë vjeshte. Qielli është kthjellur. Moti si duket do …