Naim Imeri sot herët është larguar në rrugëtimin e tij të përhershëm nëpër Blinajë. Elezi ia ka dhënë shkrimin për Jetë Hasanin si dhe një fotografi, me qëllim që t`i dërgojë në redaksinë e Botës së Re, për t`i botuar.
Për të biseduar lidhur me disa probleme të përditshmërisë nga Pjetërshtica kanë ardhur Sejdi Elez Kelmedi, Naim Ismajli dhe Besim Gashi. Ata, kanë shfaqur shqetësimet e tyre për ndihmat të cilat tani për tani për shkak të borës nuk mund të depërtojnë. Naim Ismajli komandanti i pikës ushtarake në Caralevë mendon se duhet bërë çmos që rrugën nëpër Blinajë të hapen nga bora meqë vetëm nëpër këto ecejake mund të komunikojmë në këtë periudhë dimri. Ai mendon se në këtë drejtim duhet angazhuar edhe popullatën civile meqë ushtarët edhe ashtu i kanë hapur shtigjet e veta. Megjithatë ata do të ndihmojnë dhe do ta sigurojnë terrenin.
Sërish është kthyer për diskutim çështja e policisë ushtarake. Ushtarët dhe komandantët e pikave kanë kërkuar që në struktura të policisë të emërohen edhe një polic nga Caraleva dhe një nga Zborci. Mendoj se ka qenë një propozim me vend. Këtë e kanë pranuar edhe Elez Durmishi dhe Ramiz Qeriqi.
Për të drekuar së bashku me Berat Luzhën dhe Isë Krasniqin kemi shkuar në kuzhinë ushtarake. Atje ndihet gjallëri, lëvizje, vajtje ardhje, por edhe rregull. Secili që ushqehet kthehet sa më parë në punën e tij. Një punë meritore në mbarëvajtjen e kuzhinës e bëjnë Shyqri Iballi, Salih Rizani, Idriz Rexhep Idrizi, Heset Hamdiu, Ramadan Rizani, Vehbi Qeriqi e të tjerë. Ata përkujdesën për të gjitha nevojat si për furnizim, drunj, pastërti e të tjera.
Pas dite sërish ka filluar të bjerë borë. Rrugët në relacion Shalë Magure janë bllokuar. Bora po iu shkakton kokëçarje edhe forcave policore dhe ushtarake serbe. Ata tanimë nuk po kanë mundësi të largohen nga pikë pozicionet.
Ramë Buja ka biseduar me Berat Luzhën dhe i ka treguar për disa riemërime që janë bërë dhe që pritet të bëhen në struktura të caktuara. Ai po ashtu ka emëruar në policinë ushtarake edhe dy vëllezërit e vet, ndërsa Shukriu është komandant zone në Neredime. Kjo po shkakton huti dhe po ngjallë reagime te ushtarët e kësaj ane. Berati mendon se është në pyetje një segment i imponimit nga ana e LPK-së. Mendoj që ai e ka vërejtur mirë problemin, por nuk e kuptoj dot çfarë roli mund të ketë këtu LPK-ja apo cilado parti tjetër. Ne me fillimin e luftës e kemi stopuar organizimin dhe aktivitetin partiak.
Mendoj se strukturat e tanishme komanduese politike dhe ushtarake kanë shumë mangësi dhe nuk kanë bërë një përfaqësim cilësor në resore dhe vende të caktuara. Çelësi i vetëm ka qenë akraballëku, klani, ana e krahina.
Është fat i madh që ushtarët nuk i dinë të gjitha këto. Është fat edhe më i madh që shumicës nuk iu interesojnë fare këto probleme. Dhe, pikërisht kjo më jep zemër dhe më bind se luftën do ta fitojmë. Është mbështetja e fuqishme e liridashësve për të luftuar për lirinë e atdheut, ndërsa këto farë emërime, postime, shpostime nuk kanë ndikim në mesin e ushtarëve, madje as kur bëhen shkelje evidente. Mirëpo kjo e stërkeq politikën e UÇK-së dhe e zbeh besimin e ushtarëve. Unë për vetën time pak iu besoj këtyre njerëzve. Këta, kur luftohet, kur është ngushtë, përveç në raste të veçanta, shkojnë në Shqipëri, ose kur luftohet në një anë dalin nga ana tjetër me arsyetim se kjo qenka taktika e armikut, sulmojnë këndej për të hyrë nga prapa. Këtë nuk e kontestoj, por diçka e tillë ende nuk ka ndodhur.
Më pengojnë animet partiake në organizim dhe riorganizim, mirëpo këtë frymë dhe praktikë të keqe nuk e eleminojnë dot ata, të cilët tërë jetën janë marrë me organizime të tilla.
Në kushtet aktuale më mirë është të ketë çfarëdo organizimi, edhe pse nuk mund të jesh indiferent kur e sheh një ushtar që ka stërvitur në Shqipëri qysh në vitin 1991, ka marrë pjesë në aksione, ka qenë syçelë dhe nuk është dekonspiruar, i tilli mbetet në vendroje, ose si gjithnjë atje ku është pika më e rrezikshme, ndërsa ky tjetri vëllai i filanit dhe i fistekut, i cili nuk ka pasur haber për asgjë, sot e komandon atë tjetrin. Këto gjëra më brengosin, por duhet të durojmë për hir të çështjes. Me rëndësi është se populli dhe ushtarët po i shohin të gjitha, kjo më jep kurajo. Ka kohë për t`u provuar se kush do të qëndrojë dhe kush do të kërkojë ta shpëtojë kokën në forma dhe metoda tanimë të njohura. Koha do ta tregojë vlerën, trimërinë por edhe qyqarinë e secilit.