Romani Ulku dhe Uilli i Vath Koreshit, është një vepër e llojit të veçantë, sidomos sa i përket gjuhës, sajimit me shumë mjeshtëri të situatave të veçanta nga e kaluara dhe ndërtimit të përshtresuar kompozicional.
Në këtë vepër kemi të pasqyruar një botë, e cila në dukje të parë vjen nga thellësitë e shekujve të mesjetës, një botë e mitizuar realisht, ku ka humbur kuptimi i vlerave morale dhe ku varfëria pason me shthurjen dhe katandisjen e përgjithshme sociale të jetës së shqiptarit, të periudhës së fillimit të pushtimit nga Perandoria Osmane.
Është një roman i shkruar me një gjuhë arkaike, por mjaft të lëvizshme e të begatshme, me frazeologji të pasur e mbi të gjitha me përshkrime autentike të realitetit të fiksionit, të cilin Vath Koreshi, e ka pasqyruar në këtë vepër.
Me gjithë veçantitë dhe përshkrimin fenomenal të një ambienti realist, por të mitizuar me shumë mjeshtëri, me gjithë invencionin tejet të begatshëm për të ballafaquar situatat dhe ndeshjet morale të njerëzve, me gjithë hulumtimin e suksesshëm për të pasqyruar një realitet të caktuar, ky roman vuan vetëm në teprinë e dukurisë, apo afishimit të fiksionit të prishjes morale të priftërinjve, famullitarëve dhe të parëve të fesë.
I prirë për të përshkruar një realitet “Bokaçian”, në një cep të Shqipërisë së katandisur të asaj kohe, i prirë për të përshkruar shthurjen morale të botës së krishtere dhe tejet të varfër shqiptare të shekullit 15-të, Vath Koreshi rrëshqet mbase me dashje në një stigmatizim, jo aq të motivuar nga aspekti historik dhe nga realiteti faktik, për të cilin gjykon dhe të cilin e godet me aq ashpërsi.
I ndikuar mbase edhe nga veprat e shkrimtarit Herman Hes, të Kafkës apo të shkrimtarëve të tjerë, Koreshi që është i njohur sidomos në shtjellimin e përkryer të skenarëve të filmave, në këtë vepër ka nxjerrë në sipërfaqe disa fragmente të rrëqethshme, tejet dramatike të së kaluarës shqiptare, një realitet lakuriq, që mjerisht i ka korresponduar disa periudhave të caktuara historike të përmbytjeve dhe degjenerimeve morale në Shqipëri e më gjerë, që kanë ndodhur deri në vitet 90 të shekullit të kaluar, në kohën e rrënimit të gjithë asaj që ishte ndërtuar për rreth 50 vjet.
Gjuha e përshkrimit dhe komunikimit
E veçanta fenomenale e këtij romani është gjuha. Një gjuhë e begatshme rrëfimtare, e latuar me shumë kujdes, e shkrirë harmonishëm në tërësinë shprehëse të dy dialekteve shqiptare, një gjuhë që gurgullon si valët e Drinit, dhe herë-herë paraqitet e qetë dhe e pastër, si syprina e liqenit malor. Frazeologjia tejet e pasur, sintaksa arkaike e kohës së Buzukut dhe Budit, diskursi fenomenal dialektor i veriut dhe i jugut, janë shkrirë në një tërësi të ngjizur mjeshtërisht, në një amalgam të begatuar me figuracion dhe fjalor tërheqës e magjeps në të njëjtën kohë. Në këtë aspekt ky roman i Vath Koreshit është paraqitje gjuhësore krejtësisht e veçantë në romanin shqiptar, e afërt me Lulen e Kripës të Jakov Xoxës.
Realiteti universal, fantazmagorik, i njeriut ujk
Romani Ulku dhe Uilli trajton një temë universale të qytetërimit, një temë autentike të qenies dhe të racës njerëzore. Në çdo njeri, të çdo epoke të zhvillimit të deritanishëm njerëzor, ka ekzistuar dhe ekziston egërsia e brendshme, e keqja e lindur me mëkat, që njëzohet me vesin e ujkut rrëmbyes, dhe në anën tjetër antipodi, yllësia, hyjnorja, butësia e mira dhe harmonia njerëzore. Më shumë se 200 vjet më parë sundimtari i Prusisë, Frederiku i Madh në një letër që i ka dërguar Volterit, ndër të tjera ka saktësuar: “Çdo qenie njerëzore në vetvete e mban të njëzuar egërsirën e vet, dhe janë të rrallë ata, të cilët barbarinë e tyre e mbajnë lidhur në zinxhirë”. Sipas tij, çdo njeri disponon në gjene egërsinë e vet, paganizmin, majmunërinë, të stisur thellë në lëkurën njerëzore, E këtillë ka qenë dhe është bota, të cilën e përshkruan me mjeshtëri dhe pedanderi krijuese, shkrimtari dhe skenaristi i njohur shqiptar, Vath Koreshi.
Realiteti i mitizuar, të cilin e përshkruan dhe e zbërthen mjeshtërisht në kohë dhe hapësirë, është një realitet fatal, një realitet që rrëqeth, nëpër të cilin ka kaluar jo vetëm bota dhe e kaluara shqiptare, por nëpër të cilin ka kaluar dhe mjerisht do të kalojë përgjithmonë jeta njerëzore. Nëse dikur një Monshinur Agushtin mundohet të përballojë egërsirën brenda vetvetes, dhe për një çast e tradhton ujku në veten e tij, ai megjithatë arrin të kalojë nëpër kalvarin e vuajtjeve, për të përmirësuar vesin ujkut dhe në fund ia arrin.
Por është bota tjetër e njerëzve ujqër, që zhvasin dhe rrëmbejnë gjithë çka që gjejnë përpara. Një botë e tillë e degjeneruar, një botë e ndragur e fëlligështirës lakuriqe, amorale, është tejet më e shprehur, sidomos në kohën tonë, kur pastërtia e vërtetë morale njerëzore ditë e më tepër po i nënshtrohet profiterisë së të gjitha ngjyrimeve të botës shfrytëzuese kapitaliste, e shprehur në lulëzimin marramendës të trafiqeve të llojllojshme të industrisë së seksit dhe keqtrajtimit në të gjitha mënyrat të botës njerëzore, varfanjake. Nëse në Mesjetë ngacmimi seksual i një femre, apo dhunimi i saj nga një abat apo famullitar trajtohej vepër tejet tejet e dënuar nga aspekti moral dhe fetar, sot famullitari apo prifti, në vende të caktuara të botës mund të jetë edhe homoseksual, madje mund të martohet ligjërisht me një homoseksual tjetër, madje këtyre dy, pse jo edhe priftërinjve homoseksualë, iu lejohet edhe përvetësimi i fëmijës.
Ulku dhe Uilli kanë bashkëjetuar dhe bashkëjetojnë në qenien njerëzore
Ulku dhe Uilli kanë bashkëjetuar dhe bashkëjetojnë në qenien njerëzore si nata me ditën, si e keqja e lidhur tok me të mirën, si drita me terrin, si të gjitha të kundërtat që bashkëjetojnë mbi principet e të cilave ekziston edhe jeta njerëzore, edhe universi. Ulku është më i fortë se Uilli, sepse prihet nga instinkti, nga e prekshmja, e jo nga arsyeja, e paprekshmja, idealja, e cila as ka qenë as është shumë e fortë te njerëzit, te këto qenie t`i quajmë shumë inteligjente, në mesin e krijesave të egra dhe të zbutura në të njëjtën kohë, sikur është vetë njeriu, gjithnjë Ujk dhe Uill, apo yll në të njëjtën kohë…
Romani Ulku dhe Uilli lexohet me një frymë. Ngjarjet në dukje të jashtëzakonshme, dramaticiteti, ndërthurjet dhe ndërlidhjet e situatave, fragmentarizmi i shtrirë mjaft mirë në tërë materien, e mbi të gjitha gjuha tejet e latuar dhe e begatuar me idioma të veçanta shprehëse, e bëjnë këtë roman një tërësi shkrimore unike, që të ngel në kujtesë për shumë kohë.
17.2.2005