Ahmet Qeriqi: Rrëfimi i një dëshmitari që ka mbijetuar tragjedinë në Kabash (E shtunë 15 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Rrëfimi i një dëshmitari që ka mbijetuar tragjedinë në Kabash (E shtunë 15 maj, 1999)

Herët në mëngjes Nezir Myrtaj është zgjuar dhe ka dalë për ta vëzhguar terrenin meqë prania e shtuar e forcave serbe në Kizharekë mund të na befasojë nga çasti në çast.

Sot nga Drenica Qendrore është kthyer edhe Martin Çuni. Ai duket tejet i lodhur nga rruga e gjatë nëpër frontet e luftimeve. Martini më tregon se letrën time ia ka dorëzuar Shaban Shalës, ndërsa ka biseduar edhe me Sami Lushtakun, Ilaz Dërgutin, Ahmet Zabelin, Gani Kocin e shumë të tjerë. Ai po ashtu tregon se gjendja atje është tejet e rëndë, meqë forcat armike e kanë shpartalluar popullatën civile dhe nuk dihet se ç po ndodh me të zhvendosurit të  cilët iu ka dorëzuar fatit. Flitet për varreza të shumta masive, flitet se serbët kanë djegur kufoma shqiptarësh në Shkritoren e Trepçës, në Ferronikel etj. Kudo lajme të hidhura dhe të tmerrshme.

Ende pa pushuar mirë nga rruga, Martin Çuni së bashku me Fatmir Dugollin dhe Behxhet Hotin kanë shkuar në Grykë të Shalës, ku ditë më parë Naim Imeri ka lënë disa artikuj ushqimorë për stafin e Radios. Pasi që ka krizë urie nuk besoj se do të ketë mbetur asgjë, por ata janë nisur në atë drejtim.

Në lajmet e sotme, disa media kanë dhënë deponimet e një dëshmitari, i cili e ka mbijetuar tragjedinë në Kabash. Ai ka bërë të ditur se forcat serbe fillimisht e kanë ndaluar një kolonë të dëbuarish, që ishin nisur në drejtim të Shqipërisë dhe të gjithë i kanë mbyllur në një depo të vjetër ushtarake në hyrje të Kabashit. Policët madje iu kanë bërë të ditur civilëve shqiptarë se sonte do ta provojnë fuqinë e NATO-s pasi që ata vetë e kanë kërkuar intervenimin e saj. Dëshmitari anonim, ka bërë të ditur se në mesin e popullatës ka pasur shumë gra dhe fëmijë. Nuk dihet për numrin e saktë të të viktimizuarve.

Tani po shihet sheshit se serbët e kanë kurdisur masakrën dhe si duket përmes shërbimeve të tyre sekrete kanë dhënë ndonjë lajm të rrejshëm se në vendin e caktuar janë vendosur forcat e tyre me qëllim mashtrimi djallëzor.

Në Zonën Operative të Drenicës edhe sot janë zhvilluar luftime të ashpra në fshatrat Likoc, Tushillë, Arbri, Rezallë e të tjerë. Nuk kemi informacione për të rënët në altarin e atdheut. Luftime sporadike janë zhvilluar edhe në vijën e luftimeve Arllat, Terpezë Lladroc.

Forcat serbe gjatë tërë ditës kanë bërë lëvizje taktike. Ata kanë informacione se gjatë vëzhgimit ushtarët tanë i denoncojnë pozicionet tyre dhe si duket nga frika e goditjeve të aeroplanëve të NATO-s ikin nga një vend në tjetrin. Në rast sulmi ata e lënë armatimin dhe futen në bunkerë sa më larg teknikës dhe pikërisht në raste të tilla goditen nga ushtarët tanë.

Emisionin ditor të Radios e kemi përgatitur me kohë. Ashtu si gjithnjë Nusret Pllana emisionin e lajmeve e lexon drejtpërdrejt, pastaj emetojmë ndonjë emision të përgatitur më parë. Në kushtet dhe rrethanat e tanishme nuk mund të bëjmë më shumë. Mjafton që prej ditës së rifillimit më 8 prill, pas një javë pauze, asnjë ditë nuk e kemi ndalur transmetimin.

..

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …