Gjithësia është si një rreth mbi përmasën gjigante, që deri diku mund ta përkufizojmë me perceptimin tonë, por gjithnjë të vetëdijshëm në kufizueshmërinë tonë të perceptimit të totalitetit të pakufishëm.
Gjithçka ekziston, dhe, është universale në universalen e vet pa fillim e pa mbarim. Ajo nuk mund të përkufizohet saktë, sepse është program universal, jashtë nesh, pse jo edhe hyjnor, në kuptimin fetar të fjalës, sepse gjithësia, pra Hyji, të cilit i beson raca njerëzore, nuk ka fillim as mbarim, nuk është i lindur as vdes, është i përjetshëm dhe i gjithëfuqishëm. Ky është përafërsisht projeksioni mendor lidhur me përkufizimin e Hyjit, i cili përveç disa modaliteteve është i njëjtë për të gjitha fetë monoteiste.
Njohja njerëzore e mendjeve të ndritura në dije, shkencë, ka arritur të japë një mori shpjegimesh utilitare në drejtim të ekzistencës, lëvizjes, kohës, hapësirës, gravitacionit, shpejtësisë së dritës dhe arritjes së shpejtësive kozmike. Këto dhe të arritura të tjera gjithnjë janë në kuadër të rrethit tonë njerëzor, aftësisë dhe zbulimeve epokale të mendimtarëve e shkencëtarëve të caktuar, të cilët dijen e tyre e kanë manifestuar duke u mbështetur në fakte të qëndrueshme shkencore, dhe duke provuar shkencërisht zbulimet e tyre që kanë përparuar marramendshëm, sidomos në 150 vitet e fundit, në botën tonë.
Rrethi gjeometrik dhe rrethi jetësor
“Rrethi është figura gjeometrike e përbërë nga të gjitha pikat e planit, që kanë të njëjtën largesë (të dhënë) nga një pikë e dhënë fikse”. Pika fikse e dhënë quhet qendër e rrethit. Segmenti që bashkon qendrën e rrethit me ndonjë pikë të rrethit quhet rreze e rrethit. Segmenti OM është rreze e rrethit. Nga përkufizimi rrjedh që të gjitha rrezet e rrethit kanë të njëjtën gjatësi. Segmenti që bashkon dy pika të rrethit quhet kordë e tij. Korda që kalon nëpër qendër quhet diametër.
Filozofi i madh grek, Arkimedi, më shumë se para dy mijë vjetësh ka zbuluar se perimetri i rrethit i pjesëtuar me diametrin e rrethit është gjithmonë konstant, pa marrë parasysh madhësinë e tij.
Ky është përkufizimi shkencor i rrethit si figurë gjeometrike.
Si jetojmë ne, në këtë rreth që e quajmë tokë, ndërsa gjithësinë, rruzull, mbase deri atje ku “rruzullon” apo rrezaton drita, por jo vetëm drita e diellit tonë…
Edhe jeta e llojit njerëzor dhe jeta e çdo gjallese lind, zhvillohet dhe vdes në kuadër të rrethit të vet, që nuk ka fillim as mbarim, sepse “perimetri i rrethit pjesëtuar me diametrin e rrethit është gjithmonë konstant”. Ne lindim nga ata që kanë lindur para nesh, jetojmë në rrethin tonë, lëmë trashëgimtarë, që do të jetojnë pas nesh dhe kështu gjithnjë në rrethin tonë pa fillim e pa mbarim, sepse nuk e dimë, as do ta dimë kurrë se cili ishte ati ynë apo mamaja jonë e parë, dhe cili do të jetë trashëgimtari ynë i fundit, meqë në rrethin tonë të jetës, ne gjallojmë sekondat tanë të jetës kozmike, pa e kapur kurrë fillin, por duke qenë pjesë e atij filli, secili në kohën dhe hapësirën e vet.
Sipas librave fetarë, edhe Adami e Eva ishin të krijuar, nga Hyji, ata nuk lindën vetvetiu, ata lanë trashëgimtarë në rrethin e pa fund të jetës së llojit të qenieve që quhej njerëz.
Feja pretendon se ka zbuluar fillin e jetës, përndryshe nuk do ishte fe, por të mos përkufizonte “ligjet” e veta fetare, por jo shkencore.
“Njeriu lind, jeton, lë trashëgimtarë ( në raste të veçanta ai nuk lë vetë, por ata trashëgohen nga rrethi i paraardhësve) dhe pastaj kur të marrë fund jeta në tokë, të gjithë njerëzit që kanë jetuar njëherë do të ringjallen, kështu na mëson feja.
Ringjallja, është shpikja gjeniale e njerëzve të fesë, me qëllim për të mbijetuar nëpër shekuj. Po të mos ishte kjo shpikje e ngjizur me frikën nga krijuesi i gjithëdijshëm, (HYji) ashtu sikur është edhe frika nga vdekja, njeriu nuk do të përqafonte asnjë fe, ashtu sikur kanë qenë paganët me shumëllojshmërinë e zotave dhe sikur janë ateistët, të cilët mbështeten në ligjet e dialektikës.
Njeriu në historinë e vet të zhvillimit, ka shpikur mjete dhe forma të ekzistencës dhe ka mbijetuar falë dhuntive, prirjeve, inteligjencies për ta shfrytëzuar natyrën me qëllim për të jetuar dhe për të mbijetuar nga brezi në brez, gjithnjë duke u përpjekur ta bëjë më të lehtë jetën dhe mjetet për jetesë.