leoni

Ahmet Qeriqi: Rrethi, jeta, feja, universalja III

Ahmet Qeriqi: Rrethi, jeta, feja, universalja III

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Te tri fetë monoteiste e gjeta Hyjin, por jo atë që kërkoja

 Te tri fetë monoteiste nuk

e gjeta  Zotin që kërkoja, sepse ata që e predikonin me tërë përkushtim, kurrë nuk iu kanë përmbajtur as iu përmbahen mësimeve të tij (përveç në raste të veçanta, kur  kanë interesin e tyre). Ata, në mënyrë të palejueshme realizojnë qëllimet e tyre, në emër të Zotit dhe principeve të fesë së tyre, sepse me kohë kanë krijuar rendin dhe hierarkinë e tyre sunduese mbi njerëzit në emër të Zotit, pa e pyetur atë, pa e marrë bekimin e tij, por duke u paracaktuar vetë për të.

 Ata në shumicë janë hipokritë, janë një klasë e gjerë dhe shumë e madhe e parazitëve, që nuk jetojnë nga djersa dhe puna e tyre, por duke na frikësuar nga ndëshkimi i Hyjit, kërkojnë t’ iu bindemi, sepse predikojnë, që  ata janë të zgjedhurit e Zotit, se kanë bekimin e tij, se janë në rrugë të drejtë e të vërtetë, se duhet t’ iu bindemi, t’iu nënshtrohemi, t’i mbajmë me punën e djersën tonë, gjithnjë duke na frikësuar për çdo gabim që bëjmë, ata nuk do të na falin, derisa nuk e shlyejmë me pendesë, por duke e përsëritur në vazhdimësi…

 Ata e kanë shpikur mëkatin, për të cilin gjithnjë duhet të pendohemi, dhe gjithnjë sa herë rrëfehemi, na e falin dhe na përsërisin të mos e bëjmë më. Po ata, kujt ia rrëfejnë apo a i rrëfejnë fare mëkatet e tyre?.

 Zoti, ka qenë, është dhe do të jetë, sepse ai është tërësia ekzistenciale e çdo gjëje në Univers, është tërësia e përkryer  harmonike, gjithnjë në lëvizje, gjithnjë duke u zhvilluar në kohë dhe hapësirë, gjithnjë super-inteligjente në vetvete, me mistere, të cilat nuk i zbërthen do mendja jonë e kufizuar, apo i zbërthen fare pak.

 Duke qenë të kufizuar në kohë dhe hapësirë, ne jemi pjesë e programit hyjnor, të cilin nuk e ndryshojmë dot, sepse nuk e kemi krijuar vetë, sepse jemi të krijuar dhe kemi  ardhur në jetë nga paraardhësit, ashtu sikur do ta vazhdojnë jetën, gjithnjë tutje e më tutje pasardhësit tanë deri në pambarim, pavarësisht kataklizmave imagjinare, apo tragjedive të përditshme, që janë pjesë e universalitetit dhe lëvizjes  së tij të pakufishme.

 Fetë aktuale me kohë kanë qenë dhe janë bërë  pjesë e politikave të sundimtarëve. Zhvillimi i shkencës, teknologjisë, komunikimit masiv, ka zbehur dogmën, ka liruar njeriun nga besimet e kota, por edhe e ka tjetërsuar atë, duke ia nënshkruar shfrytëzimit të pamëshirshëm të njeriut nga njeriu, duke pranuar ligjin e vrazhdë të peshkut të madh që ha të voglin, si parim imediat të botës kapitaliste, e cila mbron, legjitimon fetë, por për vete nuk beson.

Zoti nuk i ka krijuar fetë, por njerëzit i kanë krijuar ato  nga frika prej Zotit, duke u thirrur në  fuqinë e madhështinë e tij, duke u identifikuar si besnikë dhe pasues të rrugës së tij me qëllim për të mbajtur të tjerët nën pushtim duke u thirrur në emrin veprën, fuqinë, drejtësinë, begatinë, mëshirën e të mirat por edhe ndëshkimet që vijnë nga Ai.

Zoti nuk ka kurrë farë nevoje për njeriun, pavarësisht se atë e ka krijuar si lloj gjallese në programin e tij  hyjnor. Ai nuk i detyrohet asnjë njeriu, asnjë sundimtari, të mirë apo të keq, asnjë vepre të njeriut të mirë apo të keqe.  Ai është vetvetja, totalja  në mbarëvajtjen e sistemit të tij universal, është lëvizja e përjetshme, e përhershme e gjithësisë të pakufishme, e cila nuk perceptohet dot nga mendja e njeriut sado i zgjuar dhe sado inteligjent që të jetë, sepse njeriu dhe çdo gjallesë e krijuar prej tij është i kufizuar në kohë dhe hapësirë  dhe nuk i disponon aftësitë e kuptimit dhe rezonimit universal.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …