Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Segmente nga vazhdimësia e veprimtarisë çlirimtare nga viti 1945 deri në vitin 1998 I

Prej vitit 1945 e deri në vitin 1999 jemi ballafaquar me dy opsione, apo dy rrugë alternative për barazi në kuadër të Jugosllavisë, apo çlirim dhe bashkim me Shqipërinë.

Këto dy opsione, që mund të identifikohen si rruga paqësore për liri dhe barazi dhe rruga e armatosur herë- herë e kanë plotësuar njëra tjetrën, por në esencë kanë mbetur dy rrugë disa herë edhe kundërshtare.

Lëvizja Çlirimtare në Kosovë prej vitit 1945, kur më shumë se gjysma e trojeve shqiptare mbesin sërish  nën okupimin e Jugosllavisë, e deri në luftën heroike të UÇK-së, e cila u kurorëzua me sukses edhe me ndihmën e NATO-s, në qershor të vitit 1999, ka kaluar nëpër sfida të ndryshme, duke qenë vazhdimisht e sulmuar nga tërë aparati represiv i okupatorit, por asnjëherë e nënshtruar, apo e shpërbërë. Gjatë kësaj periudhe, forcat liridashëse shqiptare bënë përpjekje të pareshtura dhe vepruan në grupe e organizata të ndryshme, të fshehta dhe të hapura, me qëllim për ta demonstruar papajtueshmërinë lidhur me pozitën denigruese shtypëse, e shpeshherë edhe shfaronjëse  të shqiptarëve nën regjimin pushtues.

Një marrëveshje krejtësisht në dëm të interesit kombëtar të shqiptarëve ka nënshkruar në Prizren kreu politik, komunist, i Kosovës, në gusht të vitit 1945, kur kërkohet dhe pranohet që Kosova t’ i bashkohet Serbisë dhe Jugosllavisë. Nënshkruesit e kësaj pjese të palavdishme  të historisë sonë më të re, arritën të mbahen në pushtet deri në kohën kur shumicën prej tyre, i hodhi nga shërbimi, si limona të shtrydhur, krimineli despot serb, Milosheviq, në fillim të viteve 90-të të shekullit XX.

Në kuvendin e Prizrenit, i cili u mbajt më 8-10 korrik 1945, u hodh poshtë Rezoluta e Mbledhjes së Bujanit. Në këtë Kuvend morën pjesë 137 delegatë. Referatin e mbajti Xhavit Nimani. Ai tha: “Këshilli Popullor i Kosovës deklaron në mënyrë të njëzëshme se banorët e këtij qarku, po ashtu si gjithë popujt e Jugosllavisë, nuk kanë pranuar kurrë copëtimin e qarkut të vet, as të Jugosllavisë, të bërë nga okupatorët dhe se shpreh dëshirën që Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit t’i bashkohen Serbisë Federale”. Një nga organizatorët kryesorë të Konferencës së Bujanit dhe të Kuvendit të Prizrenit, Fadil Hoxha, asokohe është shprehur decidivisht: “Më 10 korrik 1945… ligjërisht dhe në mënyrë demokratike njëherësh anulohet dhe pjesa e gabueshme e Rezolutës, e miratuar në Konferencën e Bujanit.  Duke marrë parasysh vendimin e Kuvendit të Prizrenit, në Rezolutën e miratuar në seancën e parlamentit jugosllav (KANCJ), të mbajtur më 7-10 gusht 1945, thuhet: “Kosova dhe Dukagjini në mbledhjen e zhvilluar dhe 10 korrik 1945 në Prizren, kanë miratuar rezolutën, në të cilën territori i Kosovës dhe Dukagjinit i bashkohet Serbisë Federale”. ( Skënder DEMALIAJ: KONFERENCA E BUJANIT – NGJARJE E NDRITSHME NË HISTORINË E KOSOVËS).

Kongresi i Lypovicës, më 25 korrik 1946

Një vit më vonë, forcat e Lëvizjes Nacional-demokratike shqiptare riorganizohen me qëllim për të mos pranuar aneksimin e Kosovës nga Jugosllavia. Për këtë qëllim, ata  më 25 korrik të vitit 1946 u tubuan në  Kongresin e  Pestë të NDSH-së, në Blinajë (ish- Lypovicë) të Drenicës.

Shqiptarët atdhetarë e liridashës, të cilët nuk u pajtuan me mbetjen e Kosovës nën Jugosllavi  vendosin të veprojnë në një platformë të re çlirimtare. Ato forca,  tanimë kishin krijuar Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare, si dhe shtabet e disa zonave, duke bërë përpjekje për ta rikthyer në skenën e diplomacisë botërore çështjen e Kosovës.

Për këtë qëllim, me 25 korrik të vitit 1946, në trekëndëshin mes fshatrave, Krojmir, Shalë Risinoc të Drenicës jugore,  u mbajt Kongresi i Pestë i kësaj Lëvizjeje, i njohur si Kongresi i Lipovicës. (Dr. Muhamet Pirraku, Mulla Idrisi dhe mbrojtja kombëtare 1941-1951, Prishtinë 1995. f.346).

Në Blinajë, ishin tubuar pothuajse të gjithë delegatët dhe pjesëmarrësit e Kongresit, rreth 150-180 veta. Të gjitha vendkalimet rreth vendit ku mbahej Kongresi ishin nën vëzhgim të forcave, që kishin marrë përsipër sigurinë e terrenit.

Në ekspozenë e paraqitur nga Gjon Serreçi, dhe të mbështetur nga Ajet Gërguri ishin parashtruar dy teza:

Riorganizimi i Lëvizjes së Rezistencës përmes veprimit të komiteteve vendore, që ishin formuar nga LNDSH-ja në Kosovë, ose largimi i  përkohshëm  nga Kosova për në Shqipëri apo në Greqi, ashtu sikurse kishte vepruar grupi i Adem Gllavicës dhe Hysen Tërpezës një vit më parë.

( Dokumente arkivore të Partisë Nacional Demokratike Shqiptare në Kosovës, botuar në Vjetar XXV-XXVL, Prishtinë, 2001, f. 236).

Duke folur lidhur me vendimet e këtij kongresi, Gjon Serreçi gjatë hetimeve, para inspektorëve të OZN-së, më 10 prill 1947 ka deklaruar:

Kam thënë se duhet të formohet organizata dhe se kjo nuk është organizatë balliste, por është organizatë Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ka për qëllim luftën kundër rendit ekzistues shoqëror në Jugosllavinë e sotme dhe në Shqipërinë e sotme, për krijimin e Shqipërisë etnike duke e bashkuar Kosovën në kufijtë e saj etnikë, që do t’i bashkoheshin Shqipërisë së tillë me rendin që do ta krijonim ne. Ndërrimin e rendit shtetëror e kemi planifikuar ta zbatojmë me intervenimin e fuqive të mëdha, të jashtme siç janë Anglia dhe Amerika dhe me ndihmën e fuqive të armatosura, që ishin në male, të cilat do të ngriheshin për ta marrë pushtetin në duart e veta…. (Po aty… f. 156). Këto fjalë programatike, pse jo edhe parashikuese të Gjon Serreçit nuk kanë gjetur vendin e merituar në historinë e Lëvizjes sonë kombëtare. Ai, dhe bashkëmendimtarët e tij, qysh atëherë kishin parashikuar se me forcat e armatosura në male dhe me ndihmën e Anglisë e Amerikës, Kosova do të çlirohej nga robëria sllave. Kjo ndodhi në vitin 1999 me luftën e UÇK-së, në male dhe me intervenimin e NATO-s kundër makinerisë ushtarake dhe policore serbe. ( Ahmet Qeriqi: Luftëtarë të NDSH-së 1945-1950  II, Prishtinë 2016, f. 7.)

“Forcat nacionaliste shqiptare në Kosovë, Maqedoni e më gjerë, gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk patën bashkërendim dhe nuk arritën të bashkoheshin, as të konsolidohshin, sepse nuk kishin bërë një prerje të duhur mes forcave kuislinge shqiptare, në Shqipëri dhe forcave nacionaliste shqiptare në Kosovë, të cilat nuk ishin forca balliste por luftëtarë për mbrojtjen  e Shqipërisë Etnike, të cilat ishin rreshtuar në Lëvizjen Nacional-Demokratike Shqiptare. ( Po aty, f. 153)

Qysh nga ajo kohë shqiptarët e Kosovës dhe të trevave të tjera të mbetura nën regjimin pushtues jugosllav u ndanë në dy drejtime. Komunistët dhe pasuesit mbështeten Jugosllavinë dhe inkuadrohen në jetën politike, shoqërore, ushtarake e policore të vendit. Ata, do të bëhen pjesë e regjimit kundër shqiptarëve, vëllezërve të tyre, të cilët mbështesin aspiratën historike të çlirimit dhe bashkimit kombëtar.

Tërë Lëvizja e mëvonshme deri në qershor të vitit 1999 do të përshkohet po në këto dy opsione, por duke pësuar edhe ndërrime në kohë dhe hapësirë dhe në rrethana të caktuara.

Të gjithë shqiptarët liridashës që kërkonin më shumë të drejta, apo që insistonin në zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës u ndoqën, u persekutuan, u burgosën dhe u anatemuan si armiq të Jugosllavisë dhe armiq të “emancipimit të kombësisë shqiptare me bashkim vëllazërim dhe përbashkësi me kombet e kombësitë e Jugosllavisë”.

Periudha prej vitit 1945 e deri në vitin 1963 ishte përshkuar me një represion masiv kundër të gjithë shqiptarëve liridashës, por në anën tjetër pushteti jugosllav iu kishte dhënë pozita dhe favore të gjithë atyre shqiptarëve, të cilët jo vetëm kishin mbështetur regjimin komunist titist, por edhe ishin bërë pjesë e fuqishme e atij regjimi në luftë kundër,  sikur thuhej,  nacionalizmit shqiptar dhe indoktrinimit të shqiptarëve me ideologjinë e PPSH-së. Gjatë kësaj periudhe u burgosen shumë shqiptarë si përkrahës së Infrombyrosë, pastaj në vitet 1955- 1956 u ndërmor aksioni represiv barbar me pretekst për zbulimin e armëve, ku pësuan mijëra shqiptarë liridashës, dhjetëra të vrarë dhe qindra të vdekur nga pasojat e torturave dhe mbajtjes në dëborë me orë e ditë të tëra. Vazhdoi edhe më tej dëbimi i shqiptarëve për në Turqi. Po gjatë kësaj kohe u zbuluan disa organizata, që kishin për synim intensifikimin e veprimtarisë atdhetare. U dënuan me burg qindra shqiptarë në të gjitha trojet e pjesës së robëruar të Shqipërisë.

Periudha prej vitit 1963 deri në vitin 1989

Në shtator të vitit 1963, shkrimtari dhe intelektuali i mirënjohur,  Adem Demaçi, i cili në vitin 1958 qe dënuar pesë vite burg për shkak të bindjeve të tij politike çlirimtare, së bashku me disa  veprimtarë formuan në Prishtinë. “Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, Lëvizje kjo, e cila e orientoi luftën politike të masave dhe të inteligjencies përparimtare shqiptare të kohës në binarë politikë dhe strategjikë. Në mbledhjen themeluese të iniciuar nga Demaçi morën pjesë: Fazli Graiçevci Zeqir Gërvalla, Azem Beqiri dhe Avdyl Lahu e të tjerë.

Në këtë mbledhje historike, e cila u mbajt në një shtëpi përdhese, afër lumit Velusha, në Prishtinë, u vendos që Organizata të quhej Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve. Organizata kishte hartuar programin dhe kishte nxjerrë statutin si dhe kishte projektuar zgjerimin e veprimtarisë në fshatra e qytete përmes komiteteve. Kryetar i Organizatës u zgjodh Adem Demaçi.

Programi që kishte ideuar Adem Demaçi për nga përmbajtja ishte i përafërt me programin e NDSH-së, ndërkohë që bashkimi me Shqipërisë parashihej të bëhej po ashtu me luftë të armatosur dhe me ndihmë nga aleatët perëndimorë.

Ky formulim, i thjeshtë në pikëpamje prezantuese, do të bëhet shtylla qendrore edhe fondamenti i tërë lëvizjes çlirimtare deri në qershor të vitit 1999.

E tërë Lëvizja kombëtare, pavarësisht nga emërtimet e grupimeve bazën e vetë mbështetëse e kishte në dy format e veprimit me agjitacion, propagandë, frymëzim atdhetar përmes shtypit e literaturës dhe forma të tjera të rezistencës, me demonstrata dhe kryengritje të armatosur.

Organizata, të cilën e drejtonte Adem Demaçi, kishte shtrirë veprimtarinë në shumicën e qyteteve të Kosovës, në Shkup deri edhe në Stamboll në përpjekje për të kontaktuar ambasadën e Shqipërisë. Ky aktivitet u ndërpre më  8 qershor të vitit 1964, kur UDB-ja arreston kreun e lëvizjes dhe shumicën dërrmuese të veprimtarëve, të cilët edhe dënohen prej një deri në 15 vjet burg. Gjatë gjykimit në Prishtinë,  Adem Demaçi  mbrojti, me një qëndrim burrëror, tërë aktivitetin, duke mos treguar asnjë pikë pendimi dhe duke dhënë të kuptohet se puna e filluar nuk do të ndalonte, meqë ai me bashkëveprimtarët e tij i kishin dhënë shkëndijat e para  një lëvizjeje të përgjithshme, e cila mund të ndërronte emrin, formën dhe metodat e veprimit, por në esencë mbetej në kuadër të përmbajtjes,  që kishin projektuar forcat e vërteta demokratike atdhetare.

 

 Demonstratat e nëntorit të vitit 1968

Si rezultat i rritjes së vetëdijes çlirimtare  në rrugë strategjike për të fituar më shumë të drejta dhe barazi në kuadër të ish-Jugosllavisë, në nëntor të vitit 1968 në Prishtinë dhe në disa qytete të tjera të Kosovës, si dhe në Maqedoni u organizuan demonstrata me kërkesa për liri, barazi sociale, avancim në fushën e arsimit dhe edukimit dhe kërkesa për vetëvendosje. Duhet vërejtur një segment të rëndësishëm në këtë mes. Edhe pse platforma e Lëvizjes së Adem Demaçit mbështeste fuqishëm bashkimin e trojeve me Shqipërinë, kërkesat për arritjen e kësaj aspirate mendohej të arrihej në mënyrë strategjike, shkallë-shkallë.  Kështu që jo rastësisht disa nga pasuesit dhe bashkëveprimtarët e Demaçit, u mjaftuan me kërkesa për barazi dhe avancim të kushtetutës së Kosovës. Këto kërkesa strategjike ishin shfaqur legalisht nga rinia studentore, e cila u përkrah fuqishëm nga të gjitha shtresat atdhetare liridashëse të Kosovës e më gjerë.

Sado që demonstratat  u shtypen me dhunë policore e ushtarake dhe shumë pjesëmarrës u dënuan me burg, kërkesat për liri, drejtësi e barazi,  do të mbesin kërkesa fondamentale të grupeve dhe organizatave që vepronin fshehtas, gjithnjë në platformë të  kërkesave për përparim të pozitës kushtetuese, por me synim të çlirimit dhe bashkimit kombëtar si aspiratë e drejtë, e natyrshme dhe e patjetërsueshme e mbarë kombit shqiptar.

Më 27 Nëntor 1968  një grup i studentëve në krye me Osman Dumoshin, organizoi demonstrata gjithëpopullore në Prishtinë dhe në disa qytete tjera të Kosovës. Anëtarët e këtij  grupi, që veproi sipas programit të LRBSH-së, u arrestuan dhe pas katër muaj hetimesh, më 2, 3, 4 e 7 prill 1969, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë u mbajt një proces gjyqësorë kundër tyre.

Demonstrata u zhvilluan edhe në Ferizaj, Gjilan, Besianë, (ish Podujevë) dhe në Tetovë etj. ( Selatin Novosella: Organizata Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve. Internet)

Këto demonstrata patën jehonë të veçantë meqë prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët për herë të parë kishin manifestuar hapur dhe në mënyrë paqësore  kundër padrejtësive që vazhdonte t’ u bënte pushteti okupator i Jugosllavisë. Ishte kjo një frymëmarrje e re dhe kjo po tregonte se lëvizja e projektuar nga Adem Demaçi, i cili ndodhej në mbajtjen e dënimit 15 vjet burg kishte dhënë edhe fryte të tjera, më të arrira. Tani e tutje do të viheshin në veprim të dy opsionet, paqësore dhe jo paqësore, veprime të fshehta, që quheshin ilegale dhe veprime të hapura, si protesta e demonstrata.

Të arriturat nuk do mend se ishin edhe si rezultat i veprimtarisë së një segmenti të veprimtarëve politikë që ishin pjesë e regjimit. Ata, kishin shfrytëzuar demonstratat dhe kishin fituar më shumë vetëqeverisje. Oportunistët e këtij segmenti politik pranonin në parim të gjitha urdhrat nga Beogradi, por nuk tregonin shumë besnikëri për të zbatuar platformat, ashtu sikur klasa besnike projugosllave,  e cila bënte pjesë në UDB, polici, gjykata e prokurori. Megjithatë, në popull po fitohej bindja se ato pak të arritura ishin rezultat i veprimtarisë atdhetar të Adem Demaçit dhe të gjithë atyre patriotëve të vërtetë  që po mbaheshin dhe po torturoheshin  nëpër burgje, të katandisur në burgjet dhe kazematet e tërë Jugosllavisë, prej Maqedonisë deri në Slloveni.

Referencat:

  1. Skënder Demaliaj: KONFERENCA E BUJANIT, ngjarje e ndritshme në historinë e Kosovës.
  2. Dr. Muhamet Pirraku, Mulla Idrisi dhe mbrojtja kombëtare 1941-1951, Prishtinë 1995.
  3. Ahmet Qeriqi: Luftëtarë të NDSH-së 1945-1950 II, Prishtinë 2016.
  4. Selatin Novosella: Organizata Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve. Internet
  5. Dokumente arkivore të Partisë Nacional Demokratike Shqiptare në Kosovës, botuar në Vjetar XXV-XXVL, Prishtinë, 2001.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …