Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Segmente nga vazhdimësia e veprimtarisë çlirimtare nga viti 1945 deri në vitin 1998 XII

Kanë kaluar 40 vjet nga Kryengritja e vitit 1981 dhe nuk thuhet kot se,  ”koha e bën të veten”. Edhe me këtë rast koha e ka bërë të veten, duke i dhënë të drejtë kërkesave të protestave e demonstratave të asaj kohe të cilat, filluan paqësisht por kulmuan me përgatitje për kryengritje të armatosur, që u manifestua me një lëvizje të përgjithshme, e cila nuk ndaloi deri në luftën e armatosur të UÇK-së, çlirimin e vendit  nga regjimi kolonialist e hegjemonist, Jugosllav e serb, në qershor të vitit 1999 dhe që u kurorëzua me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës,  më 17 shkurt të vitit 2008.

11 marsi i vitit 1981 ishte shkëndija që paralajmëronte fillimin e zbrazjes së zemërimit popullor kundër padrejtësive, kundër shtypjes e shfrytëzimit nga Serbia e përgjithësisht nga RSFJ, kundër idesë së përshtatjes, kundër pretendimeve për krijimin e një kombi hibrid kosovar, kundër jugosllavizimit të qetë dhe përbashkësisë me popujt sllavë.

Kërkesat sociale që u manifestuan në mbrëmjen e 11 marsit, në “Mensën e Studentëve”, në Prishtinë për kushte më të mira jete, nuk ishin spontane por kulmim i natyrshëm i një zemërimi, i cili nuk mund të përmbahej më tej. Defilimi i qindra e mijëra studentëve në orët e mbrëmjes, u pasua me solidarizimin e mijëra qytetarëve, të cilët për afër katër orë rresht protestuan paqësisht nëpër sheshet e Prishtinës.

Alarmi i fillimit të manifestimit të zemërimit popullor kundër pabarazisë dhe padrejtësive tashmë ishte dhënë. Lëvizja e fshehtë e Rezistencës, e njohur në kuptimin përgjithësues si “Lëvizje ilegale” kishte filluar të mobilizonte radhët dhe të artikulonte përveç kërkesave sociale edhe kërkesa politike, meqë me të drejtë konstatohej se barazia e plotë e shqiptarëve në Kosovë e më gjerë nën okupimin jugosllav, do të arrihej me krijimin e një Republike të barabartë me republikat e tjera të Federatës jugosllave, si hap politik strategjik për kohën.

Zhvillimet që pasuan më 26 mars, të po atij viti, në kohën kur nëpër qendër të Prishtinës po defilonte Stafeta e Titos, (një manifestim i kultit politik gjithë-jugosllav edhe pas vdekjes së Titos), pastaj në Kosovës ishin dislokuar edhe Njësitë speciale të Jugosllavisë, me lejen me aprovimin e më besnikëve të regjimit të Beogradit si: Azem vllasi, Xhavit Nimani, Mahmut Bakalli, Ali Shukriu, Fadil Hoxha Mehmet Cikuli- Maliqi e të tjerë, Ato forca  sulmuan brutalisht demonstruesit, duke përgjakur qindra prej tyre.

Intervenimi brutal, më 1, 2 dhe 3 prill 1981, nxori në sipërfaqe fytyrën e vërtetë të shovinizmit  jugosllav dhe të bashkëpunëtorëve, të cilët i shërbenin asaj politike antishqiptare. Revolta gjithë popullore, që pasoi më 1, 2 dhe 3 prill, ia çjerri përfundimisht maskën politikës së ” përbashkësisë e barazisë së kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë”.

Me dy prill në qendër të Prishtinës, “u legalizua” edhe zëri  i Lëvizjes së fshehtë atdhetare. Atë ditë protestuesve përmes një megafoni, iu drejtua i përndjekuri politik, që asokohe ndodhej në arrati, Hydajet Hyseni. Ai rishpalosi programin e Lëvizjes Kombëtare për çlirim dhe bashkim kombëtar, duke  mbështetur fuqimisht protestat dhe duke kërkuar mobilizim gjithë popullor për t i realizuar ato.

Kulmimi i protestave arriti në Besi, lokalitet mes Prishtinës dhe Besianës, me rrëmbimin e  armëve dhe municionit nga forcat rezerviste që po hynin në Kosovë nga Serbia dhe çarmatosja e shumë prej tyre. Këto veprime kundërvënëse shënuan fillimin e kryengritjes.

Atë ditë Protestuesit  në Besi, kishin rrëmbyer rreth 130 armë automatike dhe mitralozë, mijëra fishekë e pajisje luftarake. Pak muaj më vonë ishin dënuar me burg të rëndë, prej 1 deri në 15 vjet, 38 pjesëmarrës, nxënës, studentë, punëtorë, mësues e fshatarë.

Shtypi perëndimor dhe ai i Tiranës zyrtare konstatonin me të drejtë se në Kosovë kishte ndodhur njëra ndër gjakderdhjet më të pashembullta në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore.

Kryengritja shqiptare kundër robërisë e vitit 1981, pas sulmit gjakatar, që mori në fillim nga ushtria dhe policia jugosllave, së shpejti filloi të konsolidohet duke iu përshtatur rrethanave të reja të veprimit. Dhuna, brutaliteti i forcave policore, arrestimet, vrasjet, plagosjet zgjeruan edhe më shumë frontin e rezistencës. UDB-ja në bashkëpunim me kolaboracionistët, milicët, inspektorët e UDB-së, prokurorët, gjyqtarët, nxori para gjyqeve qindra grupe nxënësish, studentësh, punëtorësh dhe intelektualësh, ndërkohë që në platformë të kërkesës Kosova Republikë angazhoheshin shumë grupe të tjera, krejtësisht të pavarura nga njëra tjetra, por me synime dhe qëllime të njëjta.

Ideatorët dhe përkrahësit e lëvizjes për çlirim dhe bashkim kombëtar, veprimtarinë e tyre atdhetare nuk e pushuan as nëpër burgje. Dhe sapo liroheshin nga burgjet, sërish riorganizoheshin dhe vazhdonin veprimtarinë atdhetare, duke kërkuar, drejtësi, barazi dhe liri.

Në vitet 80 sipas informatave që sjell shtypi i huaj, por edhe ai jugosllav, për vepra të cilësuara si antijugosllave, janë dënuar prej 2 muaj e deri në 20 vjet burg rreth 12.000 shqiptarë, të moshave të ndryshme, por mesatarja e moshës së tyre ishte prej 20 deri në 30 vjet. UDB-ja kishte hapur rreth 400.000 dosje për shumicën dërrmuese të intelektualëve shqiptarë, kryesisht të familjeve që ishin shquar për rezistencë kundër forcave okupatore serbe qysh prej vitit 1912. Vetëm në ushtrinë jugosllave qenë dënuar 1.200 shqiptarë, në mesin e tyre edhe ndonjë epror. Shtypi i kohës nuk i ka shënuar këto të dhëna, meqë nuk lejonte censura e kohës së totalitarizmit jugosllav.

Viti 1981, grushtin më të fortë ia dha idesë së jugosllavizimit të shqiptarëve

Viti 1981, grushtin më të fortë ia dha idesë së jugosllavizimit të shqiptarëve dhe kjo është merita më e madhe historike, që ndodhi në atë kohë, sepse filloi rruga e vetëdijesimit për liri, barazi dhe vetëvendosje të shqiptarëve, të cilët padrejtësisht dhe me bekimin e qarqeve politike evropiane kishin mbetur të okupuara nga Jugosllavia.

Këtë ide e përforconte edhe procesi i diferencimit ideopolitik, proces të cilin e zbatonte me përpikëri klasa titiste-rankoviqiste, shqipfolëse e Kosovës. Ishin këta partiakët e të gjitha niveleve nga LKJ, LSPPJ, LRJ, LANÇ, pastaj prokurorët, gjykatësit, porotët, milicët, sigurimi i shtetit i identifikuar si UDB si dhe një klasë e tërë denoncuesish, të cilët për shërbimet e tyre kundër nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptarë shpërbleheshin në shumë aspekte. Të rralla kanë qenë shtëpitë e shqiptarëve të trojeve të robëruara të atdheut asokohe ku nuk kishte të paktën një denoncues shqipfolës. Ky është një fakt i palavdishëm, por mjerisht është një fakt historik, sepse të gjitha grupet ilegale, e tërë veprimtaria anti jugosllave është zbuluar nga shqipfolësit, nga ata që ishin shumicë, sepse popullata serbe gjithnjë ka qenë pakicë në Kosovë dhe nuk ka arritur të integrohet mes shqiptarëve.

Nuk kishte fshat në Kosovë, apo lagje në qytete, ku nuk njiheshin ata që bashkëpunonin me UDB-në, sepse ky bashkëpunim bëhej madje krejt hapur. Në çdo aksion për të shpartalluar shqiptarët liridashës kanë marrë pjesë milicët shqiptarë, ndërsa aksionet janë drejtuar nga policët serbë të UDB-së.

Edhe në aksionin gjakatar kundër familjes së Tahir dhe Nebih Mehës në Prekaz, më 13 maj të vitit 1981, në ballë të forcave të rrethimit kanë qenë milicët shqiptarë. Prej vitit 1981 e deri në vitin 1989, UDB-ja dhe besnikët shqipfolës kanë vrarë dhjetëra demonstrues në Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë, Vushtri, Mitrovicë, Drenas, Gjermani e gjetkë. Gjatë protestave të marsit e prillit janë martirizuar:

Asllan Pireva, Naser Hajrizi, Xhelal Maliqi, Salih Abazi, Salih Mulaku, Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi, Sherif Frangu, Nesimi Dervishdana, Sinan Sokol Bajrami. Më vonë në intervale të ndryshme kohore nga dora mizore e UDB-së, në vitin 1982  janë martirizuar: edhe Afrim Zeka, Ibrahim Krasniqi, pastaj  Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla,  Zija Shemsiu,  Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, Bedri Sokoli, Ismet Krasniqi, Xhemaili Berisha, etj.

Në të gjitha arrestimet e qindra grupeve të rezistencës në Kosovë gjatë viteve 80, në krye të aksioneve kanë qenë SUP-ovcat shqipfolës dhe pjesëtarë të milicisë vendore. I tillë ishte rezultati i politikës 30-vjeçare të bashkim vëllazërimit. Dhe sa më shumë që këta lakej të jugosllavizmit tregoheshin besnikë, aq më shumë kërkohej nga ata, zbatimi sa më i thellë i një politike të tillë, të egër, antikombëtare.

Këto shërbime të panatyrshme që kryen bashkëpunëtorët e të gjitha ngjyrave, me kohë çuan në degradimin fatal të kësaj klase, e cila, edhe pse kishte shërbyer besnikërisht, më në fund u detyra të largohet kokulur nga shërbimi, në fillim të viteve 90 të shekullit XX. Ishte kjo koha kur komunistët shqiptarë jugosllavë, të indinjuar dhe të zhgënjyer në politikën e Beogradit bënë edhe atë “revolucionin e njohur” të hedhjes trimërore të triskave të partisë. Dashur pa dashur ata u gjenden të braktisur nga padroni, të cilit i kishin shërbyer plot 40 vjet.

Disa nga organizatat kryesore atdhetare  në Kosovës që nga LNDSH-ja e deri te LPK-ja

Prej LNDSH-së e deri te LPK-ja në Kosovës e më gjerë, pastaj edhe në mërgatë kanë vepruar shumë organizata e grupe atdhetare, të cilat në vazhdimësi kanë ruajtur esencën e platformës të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare në një Shqipëri. Kjo vertebër e programit kombëtar të shqiptarëve ka qenë dhe ka mbatur synimi aspirata ende e ralealizuar e shqiptarëve tani për tani të ndarë në dy shtete shqiptare, Shqipëri-Kosovë dhe pjesa e tokave shqiptare në Greqi, Maqedoni, Serbi dhe në Mal të Zi.

Organizata që lidh segmentet më të rëndësishme të zhvillimeve revolucionare, prej NDSH-së  e deri te vitit 1981,  ishte “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” në vitin 1963 në krye me Adem Demaçin. Në këtë platformë kanë vepruar edhe shumë organizata të tjera si Lëvizja Kombëtare për Çlirimin dhe Bashkimin e Trojeve Shqiptare e të tjera dhe “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë” e Metush Krasniqit e të tjera.

Dy organizata atdhetare që patën rol dhe ndikim të madh në protestat e demonstratat e marsit, prillit e majit të vitit 1981 kanë qenë Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës (OMLK) dhe Partia Komuniste Marksiste Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi (PKMLSHJ). Shumë nga pjesëtarët e këtyre organizatave që kishin vepruar dhe vepronin fshehtas, kishin marrë pjesë në demonstrata e protesta, madje edhe kishin shkruar, kishin bartur pankarta dhe kishin brohoritur parulla kundër padrejtësisë që iu kishte bërë dhe vazhdonte të bëhej Kosovës dhe shqiptarëve përgjithësisht nën regjimin e RSFJ-së. Segmente të caktuara të veprimtarëve të këtyre organizatave atdhetare kanë plasuar edhe programet e tyre, me qëllim që Lëvizja të merrte hov, të zhvillohej më tej dhe të konsolidohej deri në arritje e qëllimeve për krijimin e Republikës së Kosovës, si hap i parë politik  e strategjik drejt çlirimit nga Jugosllavia dhe bashkimit me Shqipërinë.

OMLK

Në vitet 70 të shekullit 20, Lëvizja Çlirimtare veproi në platformën ideologjike të marksizëm-leninizmit, ideologji sunduese si në Jugosllavi ashtu edhe në Shqipëri dhe në shumë vende të tjera të botës. Kjo lëvizje thirrej në të “drejtën e popujve për vetëvendosje”, që ishte edhe alfa e propagandës komuniste në luftë kundër borgjezisë kapitaliste. Edhe pse e emëruar në aspektin ideologjik politik, Organizata Marksiste-Leniniste në Kosovë kishte synim çlirimin kombëtar dhe bashkimin e Kosovës e viseve të tjera shqiptare me Shqipërinë.

Në mars, prill të vitit 1981, në Prishtinë dhe në mbarë Kosovën u organizuan demonstrata masive me kërkesë për krijimin e Republikës së Kosovës, si njësi e barabartë shtetërore në Federatën e Jugosllavisë ( RSFJ ). Edhe pse nuk ishin nxjerrë në sipërfaqe aq sa  duhet kërkesat për bashkim kombëtar, kreu politik komunist i Jugosllavisë, në pajtim edhe me kreun komunist të Kosovës demonstratat i vlerësoi si armiqësore, të orientuara në platformë të “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”. Kërkesat e liridashësve shqiptarë për Republikë i përkrahu fuqishëm edhe kreu politik dhe shtetëror i Shqipërisë dhe  forcat përparimtare të botës demokratike.

Kërkesa për drejtësi, liri dhe barazi kishte bazë të fortë emancipuese, dhe thirrej në të drejtën për vetëvendosje. Në këtë platformë do të vepronin po thuajse të gjitha grupet e organizuara në vend. Kreu komunist jugosllav, në pajtim të plotë me kreun politik, pro-jugosllav të Kosovës,  mori të gjitha masat për ta shtypur kërkesën për krijimin e Republikës së Kosovës, ndërsa Serbia duke shfrytëzuar lojalitetin e neveritshëm të kësaj klase në vendin tonë, filloi diferencimin ideo-politik nën platformë të fuqizimit të bashkim vëllazërimit dhe përbashkësisë së shqiptarëve me serbët dhe kombet e tjera sllave.

Lëvizja revolucionare  e vitit 1981, krahas grupeve militante të studentëve,  kishte nxjerrë në sipërfaqe edhe dy liderë, të dy kaheve, apo të dy platformave, që i bashkonte interesi i njëjtë kombëtar, Hydajet Hysenin që vinte nga organizimi i fshehtë i Ilegales patriotike dhe Ukshin Hotin, i cili formalisht vinte nga Lidhja komuniste e Jugosllavisë, por  kritikonte  vijën institucionale politike të Kosovës, që nuk kishte mbështetur kërkesën për Kosovën  Republikë. Ukshin Hoti mbështeste fuqishëm kërkesat e rinisë revolucionare të vitit 1981. Këto dy figura do të jenë më vonë bartës kryesorë të dy platformave që çonin në një koncept të unifikuar, krijimin e republikës së Kosovës, si hap drejt çlirimit dhe bashkimit me Shqipërinë.

Mbrojtja para gjyqit  e Hydajet Hysenit, i cili i përkiste Grupit Marksist leninist të Kosovës, ishte burrërore dhe revolucionare, ashtu sikur edhe e shumicës së këtyre veprimtarëve të kësaj organizate, një pjesë e të cilëve edhe themelues dhe personalitete me shumë ndikim  në UÇK si: Jakup Krasniqi, Azem Syla, Nezir Myrtaj, Gani Syla, Berat Luzha  e të tjerë.

Në platformë të kësaj organizate janë dënuar dhjetëra grupe veprimtarësh militantë, në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj prej vitit 1981 e deri në vitin 1989. Në vitin 1985 në platformë të Organizatës Marksiste Leniniste ishte dënuar edhe një grup i madh veprimtarësh:  Fehmi Lladrovci, Shaban Shala, Ramë Buja e të tjerë, po ashtu kuadro të lartë të luftës së UÇK-së.

PKMLSHJ

Gjatë gjysmës së dytë të viteve ’70-të të shekullit XX ka vepruar në Kosovës  edhe  organizata e quajtur, Parti Komuniste, Marksiste Leniniste e shqiptarëve në Jugosllavi. Kreu i kësaj organizate, Abdullah Prapashtica ishte punëtor i sigurimit jugosllav në Prishtinë. Ai krahas veprimtarisë legale në UDB, del se kishte krijuar edhe një organizatë të fshehtë në platformë të lidhjes Komuniste, të ideuar  si Parti Komuniste, Marksiste Leniniste e shqiptarëve në Jugosllavi. Kjo organizatë pas demonstratave të vitit 1981 mori përsipër edhe organizimin e një segmenti demonstratave si dhe lansimin e kërkesës për krijimin e Republikës së Kosovës në kuadër të Jugosllavisë. Pas arratisjes  nga Kosova të kreut të kësaj organizate, u zbuluan disa grupe, që kishin vepruar në këtë platformë në Prishtinë, Ferizaj, Shtime e Viti.

Gjatë gjykimit të tri grupeve të kësaj organizate  në shkurt të vitit 1983, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë,  mbrojtjes së kësaj platforme politike  i mungoi kreu dhe nuk arriti ta demonstrojë qëllimin e vërtetë të themelimit dhe veprimtarisë. Megjithatë, shumica e këtyre pjesëtarëve mbeti besnikë në përkrahje të kërkesës për Kosovën Republikë në kuadër të Jugosllavisë.

Duhet theksuar me këtë rast se për shkak se platforma e kësaj organizate dukej e dyshimtë, me faktin se disa të burgosur kishin qenë edhe policë dhe disa të tjerë, për shkaqe strategjike nuk e pranuan aktivitetit,  kjo organizatë nuk gjeti shtrirje të duhur në Kosovë.  Pavarësisht kësaj,  shumica  e të burgosurve nga kjo organizatë kishin marrë pjesë në demonstrata, ishin treguar atdhetarë të pathyeshëm  dhe ishin dënuar si pjesëmarrës dhe si organizatorë të grupeve të demonstratave në Prishtinë e më gjerë.

Njëri prej themeluesve të kësaj organizate, veprimtari, Osman Osmani, shkruan se “Në demonstratat 11 dhe 26 marsit, si dhe ato  të 1,2 e 3 prillit të vitit 1981 pjesëtarët e PKMLSH morën pjesë aktive në organizimin e tyre dhe plasimin e platformës dhe kërkesave të PKMLSHJ-ës. PKMLSHJ ishte e vetmja organizatë politike që përmes programit të saj shtronte çështjen e republikës. Programi i saj partiak u përkrah nga populli dhe u shndërrua në kërkesë gjithë popullore. Me 14 prill 1981 PKMLSH i dërgon një Notë KQ të LKJ-së dhe Qeverisë jugosllave me ç‘ rast mori përsipër  përgjegjësinë për organizimin e demonstratave. Me 14 gusht 1981  PKMLSHJ i dërgoi një letër KQ LKJ-ës dhe qeverisë jugosllave duke ftuar LKJ-ën për bisedime si partner dhe parti të barabarta. Ajo publikoi shumë materiale propagandistike si „Teoria dhe praktika e revolucionit“, „Instruksione për veprim praktik“, Revistat “Revolucioni” dhe “Zëri i Atdheut”, etj.

Grupet revolucionare, jo ideologjike,  të studentëve

Një rol të veçantë në protestat e demonstratat e marsit, prillit e majit të vitit 1981, kanë luajtur qindra e mijëra studentë jo vetëm të Kosovës por edhe studentë nga Maqedonia që studionin në Kosovës, pastaj nga tri Komunat e Kosovës Lindore dhe nga Mali i Zi. Në protesta kanë marrë pjesë edhe mijëra  nxënës, kryesisht të shkollave të mesme, punëtorë e qytetarë liridashës, të cilët ose kanë vepruar paraprakisht në grupe, ose janë njohur dhe kanë mbetur shokë besnikë të idealit gjatë protestave.

Studentët protestues, shumica prej tyre, pavarësisht ndonjë lidhjeje spontane me dy Organizatat,  OMLK,  PKLMSHJ, apo edhe me organizata të tjera nuk  janë prezantuar ideologjikisht në pikëpamjet e tyre politike, gjatë demonstratave,  edhe pse nuk janë shprehur kundër, as kanë pretenduar të paraqiten si organizatorë me një platformë të caktuar ideologjike e partiake. Ata, në platformën e tyre të veprimit në fillim kishin kërkuar kushte më të mira, në mensë dhe në konvikte,  pastaj kishin shtruar edhe kërkesa të tjera sociale, si “Trepça punon Beogradi Fiton”, “Duam liri e Vetëvendosje”, Bashkim-bashkim duke i ndajshtuar  ndonjëherë edhe: “Kush nuk bashkohet është tradhtar” si dhe duke mbështetur fuqishëm e njëzëri kërkesën plebishitare: “Republikë-Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”.

Kryengritja dhe rrëmbimi i armëve në Besi nga grupet atdhetare, nxënës, studentë, punëtorë e fshatarë

Fillimin e një kryengritjeje gjithë popullore që u manifestua më  1. 2 dhe 3 prill të vitit 1981 që kulmoi në fshatin, Besi të Prishtinës me çarmatosjen e njësive rezerviste serbe nga protestuesit e organizuar, të cilët kishin bllokuar hyrjen e forcave ushtarake e policore dhe që  gjatë tërë asaj dite kishin pamundësuar qarkullimin e tyre, në drejtim të Prishtinës.

Po ashtu ata kishin çarmatosur njësitë rezerviste dhe u kishin rrëmbyer qindra armë automatike, municion dhe pajisje të tjera luftarake. Pjesëtarë të grupeve të armatosura në Besi më 3 prill kishin zbrazur rafalë kundër një helikopteri ushtarak, i cili përcillte zhvillimin e situatës, pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Nga shpërthimi i tillë i kryengritjes, Federata Jugosllave kishte shpallur shtetrrethimin në tërë territorin e Kosovës prej 2 deri më 18 prill, me ç’ rast kishte dislokuar forca të shumta ushtarake e policore dhe kishte filluar represionin masiv mbi popullatën liridashëse.

Federata kishte arritur në përfundim se në Kosovë kishte ndodhur një kundërrevolucion, që do të thoshte një kryengritje popullore e shqiptarëve, të cilët kërkonin edhe ndërrimin e Kushtetutës së ish-RSFJ-së me shpalljen e Kosovës Republikë të shtatë, në të cilën do të përfshiheshin të gjithë shqiptarët e Kosovës, Kosovës Lindore, Maqedonisë e Malit të Zi, të cilët ishin të shpërndarë në tri republika dhe një krahinë autonome…

 

Referencat:

  1. Aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut të Prishtinë,PP. nr. 139/96 nga data 4. 10.1996 me datë 6.10. 1996).
  2. Lëvizja Popullore e Kosovës, historiku, internet.
  3. Jakup Krasniqi: Kthesa e Madhe, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
  4. Feniksët e lirisë 2-14. Prishtinë, 2002-2012.
  5. Arkivi i luftës i Radios-Kosova e Lirë I II III. Prishtinë, 2009.
  6. Selatin Novosella, Kosova 1964. Prishtinë, 1994.
  7. Skënder Zhitia, UÇK- Zona Operative e Llapit, Prishtinë, 2008.
  8. Hasan Hasani, Të pavdekshmit e Dukagjinit, Pejë, 2002.

9 Hajrush Kurtaj: Lufta e UÇK-së në Zonën Operative të Neredimes, Prishtinë, 2012.

10 D. Muhamet Pirraku: Lëvizja Gjithë popullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve 1990 – 1992.

  1. Aktakuza ( PP. nr. 139/96 nga data 4. 10.1996 me datën 6.10. 1996)
  2. Radio-Kosova e Lirë, dokumente dëshmi, 1999-2021.
  3. Aktgjykimi në gjuhën shqipe i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë K. 147/ 81, më 13. 8. 1981.
  4. Aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, kundër grupit të të miturve, Pm-nr. 37/81, pas seancave të mbyllura, të mbajtura më 20, 21, 22 korrik të vitit 1981.
  5. Aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, PP nr. 84/81, K 110/81.
  6. Aktgjykimi i Gjykatës Supreme të Kosovës më 14 janar 1982, Ap-nr.453/81.
  7. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Novo Mesto të Sllovenisë, në gjuhën sllovene, më 30.1.1986, K 55/85-70.
  8. Zijadin Hoxha, Sami Leci, Ibush Kelmendi, Agim Leci, intervista dhënë Radios-Kosova e lirë, mars 2005 dhe shkurt 2008.
  9. Ahmet Qeriqi: Kosova e rizgjuar kombëtarisht, fejton, 19-23 mars 1996.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …