Gjatë bisedimeve me flamurtarë të parë të Republikës së Kosovës, fitohet përshtypja se të gjithë kanë synuar organizimin e rezistencës së armatosur. Ruzhdi Hajdini, Sami Leci, Zijadin Hoxha, Agim Leci, Ibush Kelmendi, Vehbi Leci dhe të tjerët rrëfejnë në imtësi të gjitha zhvillimet e atyre ditëve heroike, kur ata si të rinj ishin përleshur me milicinë serbe, e cila nga Beogradi po vinte në Kosovë për të shtypur demonstruesit.
Atmosfera e krijuar me 2 dhe 3 prill të vitit 1981, kur pothuajse tërë Kosova ishte ngritur në këmbë dhe po protestonte, kishte marrë përmasa të një kryengritjeje të përgjithshme popullore. Pikërisht për shkak të përmasave që kishte marrë revolta, Komiteti Krahinor me urdhër të Beogradit, më 3 prill përmes zëdhënësit besnik, Xhavit Nimani kishte marrë vendim për shpalljen e gjendjes së Jashtëzakonshme dhe vënien e Kosovës nën administrim ushtarak, prej 3 deri më 18 prill të vitit 1981.
Këta flamurtarë të parë të Republikës së Kosovës, shkuan më larg se protestuesit paqësorë në Prishtinë dhe në qytete të tjera të vendit. Këtyre iu takon merita që kishin ndërmarrë një hap historik, hapin e parë në atë kohë, meqë kishin rrëmbyer armët me qëllim për të krijuar grupe të armatosura dhe për të ngritur barrikada të kundërvënies. Barrikadat i kishin ngritur. Ata kishin ndërprerë qarkullimin në rrugën Prishtinë-Besianë, kishin çarmatosur disa rezervistë serbë, që vinin nga Serbia dhe ua kishin rrëmbyer armët, por nuk i kishin vrarë, meqë ishin përcaktuar për t’ u vetëmbrojtur nga kriminelët. Ata kishin filluar patrullimin e rrugëve dhe kishin ndaluar çdo njeri te i cili dyshonin.
Merita e tyre është e jashtëzakonshme pikërisht me faktin se arritën të përshkallëzojnë protestat dhe me veprat e tyre të drejtpërdrejta kundër milicisë serbe dhe kundër tërë aparaturës shtypëse, ata hapën një kapitull të ri në historinë tonë të re. Kjo, dhe revolta të tjera të ngjashme bënë që kryengritja të shpallet si kundërrevolucion, me çka edhe fillon rruga përfundimtare e shkëputjes së Kosovës nga kthetrat e robërisë serbe. Këta prijatarë të Republikës së Kosovës me heroizmin e tyre të treguar më 2 dhe 3 prill të vitit 1981 shënuan një faqe të ndritur të historisë sonë të rezistencës aktive, e cila, falë përkushtimit të gjeneratës revolucionare të vitit 1981, nuk e ndaloi veprimtarinë atdhetare dhe mori pjesë në tërë procesin e çlirimit nga robëria okupatore serbe.
Këta flamurtarë të lirisë nuk i përkisnin asnjë grupi ideologjik. Ata, mbështeten fuqishëm aspiratat për liri, drejtësi dhe barazi, duke bërë një hap më tej.
Edhe gjatë kohës së mbajtjes në burg, kundër këtyre flakadanëve të parë të Republikës së Kosovës, regjimi serb ushtroi dhunë sistematike. Të gjithë, madje edhe disa nga të miturit u dërguan në vuajtje të dënimit nëpër kazamatet jugosllave si në Novi Sad, Zrenjanin, Suboticë e deri në Goli Otokun famëkeq në Kroaci. Asnjëri prej këtyre të rinjve nuk arriti të shkollohet pas daljes nga burgu, qoftë për shkak të kohëzgjatjes së burgut deri në 10 vjet, qoftë sepse ishin të etiketuar si armiq të Jugosllavisë, sepse shoqëria e ideologjizuar e bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me sllavë, që e përfaqësonin fuqishëm Azem Vllasi, Ali Shukriu, Rrahman Morina dhe tërë politika pro serbe, ua mbylli të gjitha rrugët për dije përparim, por edhe për ekzistencë. Ata mbeten luftëtarë të përhershëm dhe të përjetshëm të Republikës së Kosovës, mbetën nën mëshirën e kohës edhe pas luftës fitimtare dhe çlirimtare të UÇK-së e deri në ditët tona, deri në 27-vjetorin e fillimit të veprimtarisë së tyre çlirimtare.
Disa nga këta flamurtarë të parë të lirisë, u dënuan për të njëjtat vepra penale gjatë kohës sa ishin duke vuajtur dënimin
Duhet veçuar me këtë rast një ndëshkim tjetër djallëzor, i cili iu shqiptua prijësit të këtij grupi, Zymer Krasniqit, i cili së bashku me dy të dënuar të tjerë, Abedin Bala nga Korratica e Drenicës dhe Bajrush Murati nga Prekazi, të cilët ndodheshin në vuajtje të dënimit në Novo Mesto të Sllovenisë, u ridënuan për shkak se nuk i kishin ndërruar bindjet dhe kishin vazhduar ta afishonin kërkesën “Kosova Republikë”, nëpër lokalet e burgut.
Gjykata themelore në Novo Mesto, Njësia në Trebinje, Nr. K 55/85-34, në bazë të nenit 45/II pika 3 e Ligjit Penal të vendit dhe në bazë të nenit 22 të LKP u ngrit aktakuza kundër Zymer Krasniqit nga fshati Besi, Bajrush Muratit nga fshati Prekaz dhe Abedin Balës nga fshati Karraticë e Epërme. Në këtë aktakuzë shkruan se Zymer Krasniqi, Bajrush Murati dhe Abedin Bala me anë vizatimesh kanë ftuar dhe nxitur për ndryshimin kundër-kushtetues të sistemit shoqëror socialist, gjatë kohës sa ishin duke vuajtur dënimin në KPD (Shtëpia Ndëshkuese Korrektuese) pranë Mirnës në Novo Mesto të Sllovenisë, Zymer Krasniqi dhe Bajrush Murati kanë shkruar në një fletë të bardhë tekstin “Kosova Republikë” dhe e kanë varur në murin e korridorit, përpara dhomave të të burgosurve. Abedin Bala ka vizatuar në një fletë letre stemën, e cila përfaqëson stemën e Republikës së Kosovës, kurse në letër ka shkruar “Kosova Republikë” dhe të dy letrat i ka varur në korridor, përpara domave të të burgosurve. Prokurori publik themelor, slloveni, Niko Bricelj, si rrethanë rënduese kishte marrë faktin se këto afishime ishin bërë më 29 nëntor 1983, pikërisht në Ditën e Republikës së Jugosllavisë, andaj këto veprime i kishte trajtuar si provokim të llojit të vet. Si rrethanë tjetër rënduese për Abedin Balën kishte marrë edhe faktin se vazhdonte edhe më tej ta përkrahte qëndrimin për shpalljen e Republikës së Kosovës.
Më 30.1.1986, Gjykata Themelore e Trebinjes, me kryetar të trupit gjykues: Anton Zhitka dhe gjyqtarët: Andreja Hrovat e Anton Remsa, shpallin fajtor dhe dënojnë tre të akuzuarit: Zymer Krasniqin, Bajrush Muratin dhe Abedin Balën. Në gjithëve iu kishte ngritur shkalla e dënimit edhe për një vit, ndërkohë që Abedin Bala mbytet mizorisht në tortura në Burgun Qendror të Beogradit.
Ahmet Qeriqi
Prishtinë, 11. III. 2008
Ku janë tani dhe si jetojnë në Kosovën e pavarur: hetuesit, gjykatësit, prokurorët, porotët dhe të dënuarit?
Opinion ynë e di se të gjithë prokurorët, porotët, gjyqtarët dhe disa nga inspektorët, përveç atyre që ndërkohë kanë vdekur ose janë pensionuar, të tjerët janë në punë, dhe kryejnë detyra po ashtu zyrtare, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Ata punojnë aktivisht pa asnjë brejtje të ndërgjegjes, madje pa iu kërkuar falje publike të dënuarve dhe familjeve të tyre, as tani pas 40 vitesh as pas shpalljes së Republikës së Kosovës dhe fillimit të njohjes ndërkombëtare të saj. Përderisa nuk do të “denoncojmë” sesi jetojnë në mirëqenie e pasuri gjyqtarët, hetuesit, prokurorët, inspektorët, hafijet, bashkëpunëtorët, dëshmitarët, policët e milicët të cilët dënuan dhe sakatuan rininë shqiptare, sidomos duke filluar prej pranverës së vitit 1981, ne do t’ i bëjmë të ditur opinionin tonë se ku gjenden tani dhe si jetojnë militantët e parë, ata më të hershmit të Republikës së Kosovës, ata më meritorët, që të parët kishin rrëmbyer armët për ta bërë republikën dhe më vonë, kur u krijuan kushte, po me ato armë luftuan në radhët e UÇK-së.
E kemi thënë edhe më parë, madje publikisht se 2 prilli i vitit 1981 shënon fillet e kryengritjes së përgjithshme shqiptare në Kosovë kundër okupimit jugosllav. Lëvizja pacifiste në Kosovë, e afishuar me rastin e fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë, në vitin 1989, ngjarjet e vitit 1981 nuk i trajtoi meritorisht. Ato zhvillime u paraqiten si demonstrata paqësore të studentëve me kërkesa për kushte dhe barazi shoqërore e sociale, duke prezantuar dhe duke përforcuar idenë se protestat nuk kishin për qëllim rrënimin e Jugosllavisë, por vetëm avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës. Mjerisht, kjo qasje u përkrah edhe nga tërë klasa e historianëve të vendit tonë dhe disa nga momentet kyçe të kësaj kryengritjeje u heshtën dhe kurrë nuk u morën në shqyrtim, edhe pse për ta rikthyer këtë datë me rëndësi në kalendarin tonë historik ende nuk është vonë dhe kurrë nuk do të bëhet vonë.
Më 2 dhe 3 prill të vitit 1981, këto grupe të rinjsh, kryesisht nxënës dhe studentë, të cilët kishin protestuar në rrugët në dalje të Prishtinës në drejtim të Besianës, ish Podujevë, të rinj nga fshatrat: Barilevë, Miroc, Besi, Prugoc, Rimanishtë, Lupç, Vranidoll e fshatra të tjera, kanë shkruar faqen ndër më të ndriturat të historisë sonë të rezistencës aktive, meqë ata jo vetëm protestuan por edhe ua rrëmbyen armët milicëve serbë, me qëllim për t’ u mbrojtur nga ushtria dhe policia, e cila po vriste të rinj shqiptarë nëpër rrugët e Prishtinës. Më së lehti do të ishte që këtë “anashkalim” të deritanishëm t ia lëmë indolencës sonë, e cila nuk ka munguar dhe mjerisht nuk na mungon as sot. Për këta trimat e parë të Republikës së Kosovës, opinioni ynë di fare pak dhe shkaqet janë të shumta. Shkaku kryesor është se në mesin e tyre nuk ka “veprimtarë” që rrahin gjoks dhe që shtyhen me bërryla. Këta që kanë përjetuar tmerrin e ditëve të para të prillit të vitit 1981, të cilët kanë pasur guximin të marrin armët policëve serbe e shqiptarë, veprat e tyre nuk i kanë bërë për t’ i kthyer pastaj në kapital politik dhe ekonomik, sikur ndodhi me disa “patriotë” që nga Shqipëria dhe mërgimi erdhën fitimtarë pas luftës së UÇK-së dhe i zunë vendet nëpër institucionet e Kosovës, duke krijuar pasuri përrallore, nganjëherë edhe brenda një nate. Për veprat e këtyre prijatarëve të Republikës së Kosovës, deri tani ka folur vetëm “Kosova e lirë”, ka shkruar ndonjë shkrim, ndonjë gazetar.
Flamurtarët e gjallë të Pranverës së përgjakshme shqiptare të vitit 1981, shumica dërrmuese e tyre nuk flasin për vetveten, nuk imponohen në debate të TV-ve, madje nuk kanë qenë kurrë të ftuar për të folur për kryengritjen e vitit 1981, nuk japin intervista, meqë as edhe iu ka ofruar ndokush për t’i intervistuar. Megjithatë këta dhe shumë e shumë të tillë si këta kanë qenë dhe mbeten atje ku e kërkon atdheu, gjithnjë sogjetarë të lirisë dhe pavarësisë. Shumica dërrmuese e tyre janë të papunë dhe jetojnë në gjendje të rëndësuar ekonomike. Disa prej tyre bëjnë punë fizike. Disa janë sëmurë nga pasojat e viteve nëpër burgje. Disa jetojnë në mërgim. Dhe, nuk janë vetëm këta në një gjendje të tillë. Të tillë ka kudo të Kosovë.
Çuditërisht, inspektorët, porotët, gjykatësit hetues, milicët e policët, dëshmitarët dhe ata që iu kanë shërbyer të gjitha regjimeve, të gjithë janë në punë, nëpër prokurori, nëpër gjykata, në SHPK, nëpër ministri dhe në të gjitha institucione të tjera të vendit. A thua a nuk dinë gjë për këtë histori, dhe për shumë histori të këtilla, kryetari Sejdiu, kryeministri, Thaçi dhe kryesuesit e institucioneve të Kosovës, apo ndoshta ata kanë punë të tjera shumë më të rëndësishme. Të paktën ndonjë këshilltar i tyre duhet të ketë dijeni për veprat e këtyre flamurtarëve të parë të Republikës së Kosovës, ndonjë prej atyre këshilltarëve, që nuk ka derdhur helm e vrerë kundër këtyre dinjitarëve gjatë shumë viteve të kaluara. A thua a nuk do të mallkojë historia, Kosova, Atdheu, nëse edhe pas 27 viteve sërish vazhdon të mungojë mbështetja institucionale për më meritorët e lirisë
Burimet
– Aktgjykimi në gjuhën shqipe i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë K. 147/ 81, më 13. 8. 1981.
– Aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, kundër grupit të të miturve, Pm-nr. 37/81, pas seancave të mbyllura, të mbajtura më 20, 21, 22 korrik të vitit 1981.
– Aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, PP nr. 84/81, K 110/81.
– Aktgjykimi i Gjykatës Supreme të Kosovës më 14 janar 1982, Ap-nr.453/81.
– Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Novo Mesto të Sllovenisë, në gjuhën sllovene, më 30.1.1986, K 55/85-70.
– Zijadin Hoxha, Sami Leci, Ibush Kelmendi, Agim Leci, intervista dhënë Radios-Kosova e lirë, mars 2005 dhe shkurt 2008.