Kronologjia e disa zhvillimeve në mars, prill, maj 1981
Natyrisht se kanë kaluar 40 vjet nga ajo kohë dhe ”koha e bën të veten”. Edhe me këtë rast koha e ka bërë të veten, duke i dhënë të drejtë kërkesave të protestave e demonstratave të asaj kohe të cilat, filluan paqësisht por kulmuan me një përpjekje për kryengritje të armatosur, që u manifestua me një lëvizje të përgjithshme, e cila nuk ndaloi deri në luftën e armatosur të UÇK-së, çlirimin e Kosovës nga regjimi kolonialist e hegjemonist, Jugosllav e serb, në qershor të vitit 1999 dhe që u kurorëzua me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.
11 marsi i vitit 1981 ishte shkëndija që paralajmëronte fillimin e zbrazjes së zemërimit popullor kundër padrejtësive, kundër shtypjes e shfrytëzimit nga Serbia e përgjithësisht nga RSFJ, kundër idesë së përshtatjes, kundër pretendimeve për krijimin e një kombi hibrid kosovar, kundër jugosllavizimit të qetë dhe përbashkësisë me popujt sllavë.
Kërkesat sociale që u manifestuan në mbrëmjen e 11 marsit, në “Mensën e Studentëve”, në Prishtinë për kushte më të mira jete, nuk ishin spontane por kulmim i natyrshëm i një zemërimi, i cili nuk mund të përmbahej më tej. Defilimi i qindra studentëve në orët e mbrëmjes të asaj dite, u pasua me solidarizimin e mijëra qytetarëve, të cilët për afër katër orë rresht protestuan paqësisht nëpër sheshet e Prishtinës.
Alarmi i fillimit të manifestimit të zemërimit popullor kundër pabarazisë dhe padrejtësive tashmë ishte dhënë. Lëvizja e fshehtë e Rezistencës, e njohur në kuptimin përgjithësues si Lëvizje ilegale kishte filluar të mobilizonte radhët dhe të artikulonte përveç kërkesave sociale edhe kërkesa politike, meqë me të drejtë konstatohej se barazia e plotë e shqiptarëve në Kosovë e më gjerë nën okupimin jugosllav, do të arrihej me krijimin e një Republike të barabartë me republikat e tjera të Federatës jugosllave, si hap politik strategjik për kohën.
Zhvillimet që pasuan më 26 mars, të po atij viti, në kohën kur nëpër qendër të Prishtinës po defilonte Stafeta e Titos, (një manifestim i kultit politik gjithë-jugosllav edhe pas vdekjes së Titos), Njësitë speciale të Jugosllavisë, me lejen me aprovimin e më besnikëve të regjimit të Beogradit si: Azem vllasi, Xhavit Nimani, Mahmut Bakalli, Ali Shukriu, Fadil Hoxha Mehmet Cikuli- Maliqi e të tjerë, sulmuan brutalisht demonstruesit, duke përgjakur qindra prej tyre. Intervenimi brutal, më 1, 2 dhe 3 prill 1981, nxori në sipërfaqe fytyrën e vërtetë të fashizmit jugosllav dhe të bashkëpunëtorëve, të cilët i shërbenin asaj politike shoviniste antishqiptare. Revolta gjithë popullore, që pasoi më 2 dhe 3 prill, ia çjerri përfundimisht maskën politikës së ” përbashkësisë e barazisë së kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë”.
Me dy prill në qendër të Prishtinës, “u legalizua” edhe zëri i Lëvizjes së fshehtë atdhetare. Atë ditë protestuesve përmes një megafoni, iu drejtua i përndjekuri politik, që asokohe ndodhej në arrati, Hydajet Hyseni. Ai rishpalosi programin e Lëvizjes Kombëtare për çlirim dhe bashkim kombëtar, duke mbështetur fuqimisht protestat dhe duke kërkuar mobilizim gjithpopullor për t i realizuar ato.
Kulmimi i protestave në Besi, lokalitet mes Prishtinës dhe Besianës, rrëmbimi i armëve dhe i municionit nga forcat rezerviste që po hynin në Kosovë nga Serbia dhe çarmatosja e shumë prej tyre, shënoi fillimin e kryengritjes. Atë ditë Protestuesit kishin rrëmbyer rreth 130 armë automatike dhe mitralozë, mijëra fishekë e pajisje luftarake. Pak muaj më vonë ishin dënuar me burg të rëndë, prej 1 deri në 15 vjet, 38 pjesëmarrës, nxënës, studentë, punëtorë, mësues e fshatarë.
Shtypi perëndimor dhe ai i Tiranës zyrtare konstatonin me të drejtë se në Kosovë kishte ndodhur njëra ndër gjakderdhjet më të pashembullta në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore.
Kryengritja shqiptare kundër robërisë e vitit 1981, pas sulmit gjakatar, që mori në fillim nga ushtria dhe policia jugosllave, së shpejti filloi të konsolidohet duke iu përshtatur rrethanave të reja të veprimit. Dhuna, brutaliteti i forcave policore, arrestimet, vrasjet, plagosjet zgjeruan edhe më shumë frontin e rezistencës. UDB-ja në bashkëpunim me kolaboracionistët, milicët, inspektorët e UDB-së, prokurorët, gjyqtarët, nxori para gjyqeve qindra grupe nxënësish, studentësh, punëtorësh dhe intelektualësh, ndërkohë që në platformë të kërkesës Kosova Republikë angazhoheshin shumë grupe të tjera, krejtësisht të pavarura nga njëra tjetra, por me synime dhe qëllime të njëjta.
Ideatorët dhe përkrahësit e lëvizjes për çlirim dhe bashkim kombëtar, veprimtarinë e tyre atdhetare nuk e pushuan as nëpër burgje. Dhe sapo liroheshin nga burgjet, sërish riorganizoheshin dhe vazhdonin veprimtarinë atdhetare, duke kërkuar barazi dhe liri.
Në vitet 80 sipas informatave që sjell shtypi i huaj, por edhe ai jugosllav, për vepra të cilësuara si antijugosllave, janë dënuar prej 2 muaj e deri në 20 vjet burg rreth 12.000 shqiptarë, të moshave të ndryshme, por mesatarja e moshës së tyre ishte prej 20 deri në 30 vjet. UDB-ja kishte hapur rreth 400.000 dosje për shumicën dërrmuese të intelektualëve shqiptarë, kryesisht të familjeve që ishin shquar për rezistencë kundër forcave okupatore serbe qysh prej vitit 1912. Vetëm në ushtrinë jugosllave qenë dënuar 1.200 shqiptarë, në mesin e tyre edhe ndonjë epror. Shtypi i kohës nuk i ka shënuar këto të dhëna, meqë nuk lejonte censura e kohës së totalitarizmit jugosllav.
Viti 1981, grushtin më të fortë ia dha idesë së jugosllavizimit të shqiptarëve
Viti 1981, grushtin më të fortë ia dha idesë së jugosllavizimit të shqiptarëve dhe kjo është merita më e madhe historike, që ndodhi në atë kohë, sepse filloi rruga e vetëdijesimit për liri, barazi dhe vetëvendosje të shqiptarëve, të cilët padrejtësisht dhe me bekimin e qarqeve politike evropiane kishin mbetur të okupuara nga Jugosllavia.
Këtë ide e përforconte edhe procesi i diferencimit ideopolitik, proces të cilin e zbatonte me përpikëri klasa titiste-rankoviqiste, shqipfolëse e Kosovës. Ishin këta partiakët e të gjitha niveleve nga LKJ, LSPPJ, LRJ, LANÇ, pastaj prokurorët, gjykatësit, porotët, milicët, sigurimi i shtetit i identifikuar si UDB si dhe një klasë e tërë denoncuesish, të cilët për shërbimet e tyre kundër nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptarë shpërbleheshin në shumë aspekte. Të rralla kanë qenë shtëpitë e shqiptarëve të trojeve të robëruara të atdheut asokohe ku nuk kishte të paktën një denoncues shqipfolës. Ky është një fakt i palavdishëm, por mjerisht është një fakt historik, sepse të gjitha grupet ilegale, e tërë veprimtaria anti jugosllave është zbuluar nga shqipfolësit, nga ata që ishin shumicë, sepse popullata serbe gjithnjë ka qenë pakicë në Kosovë dhe nuk ka arritur të integrohet mes shqiptarëve.
Nuk kishte fshat në Kosovë, apo lagje në qytete, ku nuk njiheshin ata që bashkëpunonin me UDB-në, sepse ky bashkëpunim bëhej madje krejt hapur. Në çdo aksion për të shpartalluar shqiptarët liridashës kanë marrë pjesë milicët shqiptarë, ndërsa aksionet janë drejtuar nga policët serbë të UDB-së.
Edhe në aksionin gjakatar kundër familjes së Tahir dhe Nebih Mehës në Prekaz, më 13 maj të vitit 1981, në ballë të forcave të rrethimit kanë qenë milicët shqiptarë. Prej vitit 1981 e deri në vitin 1989, UDB-ja dhe besnikët shqipfolës kanë vrarë dhjetëra demonstrues në Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë, Vushtri, Mitrovicë, Drenas, Gjermani e gjetkë. Gjatë protestave të marsit e prillit janë martirizuar:
Asllan Pireva, Naser Hajrizi, Xhelal Maliqi, Salih Abazi, Salih Mulaku, Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi, Sherif Frangu, Nesimi Dervishdana, Ibrahim Krasniqi, Afrim Abazi,
Më vonë në intervale të ndryshme kohore nda dora mizore e UDB-së, janë martirizuar: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, Bedri Sokoli, Ismet Krasniqi, Xhemaili Berisha, etj.
Në të gjitha arrestimet e qindra grupeve të rezistencës në Kosovë gjatë viteve 80, në krye të aksioneve kanë qenë SUP-ovcat shqipfolës dhe pjesëtarë të milicisë vendore. I tillë ishte rezultati i politikës 30-vjeçare të bashkim vëllazërimit. Dhe sa më shumë që këta lakej të jugosllavizmit tregoheshin besnikë, aq më shumë kërkohej nga ata, zbatimi sa më i thellë i një politike të tillë, të egër, antikombëtare.
Këto shërbime të panatyrshme që kryen bashkëpunëtorët e të gjitha ngjyrave, me kohë çuan në degradimin fatal të kësaj klase, e cila, edhe pse kishte shërbyer besnikërisht, më në fund u detyra të largohet kokulur nga shërbimi, në fillim të viteve 90 të shekullit XX. Ishte kjo koha kur komunistët shqiptarë jugosllavë, të indinjuar dhe të zhgënjyer në politikën e Beogradit bënë edhe atë “revolucionin e njohur” të hedhjes trimërore të triskave të partisë. Dashur pa dashur ata u gjenden të braktisur nga padroni, të cilit i kishin shërbyer plot 40 vjet.