Ahmet Qeriqi: Selinë tonë në Berishë e vizitojnë pareshtur ushtarët por edhe vizitorë të tjerë, 26 janar, 1999

Ahmet Qeriqi: Selinë tonë në Berishë e vizitojnë pareshtur ushtarët por edhe vizitorë të tjerë, 26 janar, 1999

Nga Krojmiri sot kanë ardhur Nezir Myrtaj dhe Nusret Pllana. Me ta ka ardhur edhe Faruk Gashi, me qëllim për të shkuar në Divjakë dhe për ta  takuar Azem Sylën.

Edhe sot kemi punuar pandërprerë për sajimin e informatave dhe materiale të tjera të cilat i kemi transmetuar me kohë dhe  deri tani pa asnjë pengesë.

Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapres janë bërë institucione të vërteta informative  dhe jehonë lavdiplote e luftës tonë çlirimtare.

Në orët e pas ditës nga Ferizaj kanë ardhur Agim Berisha dhe Besnik Berisha, kushërinj të Rizah Berishës, të cilët aktualisht jetojnë në Ferizaj. Agimi është profesor i gjuhës shqipe dhe poet. Ai e ka mirëpritur hapjen e institucioneve tona informative  dhe ka shfaqur gatishmëri për të na ndihmuar. Po ashtu gatishmëri për t`u kyçur në radhët tona ka shprehur edhe Besnik Berisha, i cili aktualisht merret me produkcion muzikor  dhe ka njohuri për teknikën emetuese.

Selinë tonë në Berishë e vizitojnë edhe shumë ushtarë të Brigadës 121, “Ismet Jashari”- Kumanova, në shtrirjen ushtarake të  së cilës jemi edhe ne. Një ndihmesë të veçantë në mbartjen e teknikës transmetuese na japin ushtarët e togut të Fadil Berishës. Fadili është ushtar i përkushtuar dhe i palodhshëm. Ai është kurdoherë në lëvizje dhe është në dispozicion gjendje të na ndihmojë në çdo çast.

Pas transmetimit të emisionit, me Martin Çunin dhe Faruk Gashin lëshohemi Grykës teposhtë drejt Kizharekës. Prej andej si zakonisht në Krojmir, ku është selia jonë e përhershme, meqë asnjëri prej nesh nuk mund të qëndrojë qoftë vetëm dy apo tri ditë në Berishë pa shkuar njëherë në shoqërinë e vjetër në Krojmir.

Martini ka marrë përsipër të bëjë intervistë me dy nga ushtarët e liruar nga burgu, të cilët janë shkëmbyer me oficerët serbë. Ata aktualisht ndodhen në shërim intensiv në Spitalin e Krojmirit.

Në shtëpinë tonë në Krojmir takoj vetëm bashkëshorten time, Zymryten dhe djalin, Zamirin. Të tjerët  kanë shkuar te Selatin Qeriqi, meqë Dritoni, djali i madh i Selatinit është martuar të dielën, me një vajzë të fshatit Shalë. Nuk është kjo martesa e parë në luftë. Prej fillimit të luftës vetëm në Krojmir janë martuar edhe disa ushtarë të tjerë.

Jeta megjithatë vazhdon.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …