Nga lajmet e hershme të mëngjesit bëhet e ditur se është nënshkruar marrëveshja teknike në mes të gjeneralëve të NATO-s dhe atyre serbë, e cila parasheh largimin e të gjitha forcave policore dhe ushtarake serbe nga Kosova deri më 21 qershor 1999. Në marrëveshje janë precizuar edhe modalitetet e tërheqjes së forcave, të cilat do të nisen qysh sot në drejtim të Serbisë.
Në orën 6.45 minuta në tendë ka ardhur Mehdi Beha, babai i Milaimit dhe Fatmir Dugolli. Pa vonuar jemi nisur në drejtim të Kleçkës, për të takuar ushtarin e plagosur dhe për të mësuar diçka më shumë për fatin e Milaimit. Mehdiu po qëndron i fortë, i vetëdijshëm se djali edhe ka mundur të ketë rënë, por edhe insistues që mundësisht të zbardhet sa më parë fati i tij.
Në kohën kur kemi depërtuar në kodrën e Javurit, kemi dëgjuar shkrehje armësh në Blinajë dhe po në të njëjtën kohë, nga drejtimi bazës serbe në Krenë, ka filluar të granatohet Krojmiri.
Te shtabi në Kleçkë kemi takuar disa bashkëluftëtarë të Milaim Behës, e në mesin e tyre edhe vëllai, Milazimi po ashtu luftëtar, pastaj Adnan Muharremi nga Zborci, luftëtar i pandashëm me Milaimin.
Nuk ka lajme të reja, por Adnani dhe Milazimi kanë marrë përsipër që sapo të marrin leje nga Shtabi të nisen në drejtim të vendit ku supozohet se mund të jetë trupi i tij nëse ka rënë dëshmor.
Përshëndetemi me Mehdi Behën, i cili edhe pse po mbahet zien nga dhembja për djalin, por është fat e ngushëllim se i ka edhe tre bij e dy bija. Në këtë luftë ka ndodhur që është shuar tërë familja, apo kanë rëndë dëshmorë tre vëllezër. Por dhembje e secilit është më e papërballueshme për më të afërmin.
Mehdiu kthehet në drejtim të Javurit ndërsa unë dhe Fatmir Dugolli nisemi drejt maleve të Berishës. Rrugës kam takuar Ilir Dugollin i cili më tregon se babai i tij Adili është sëmurë rëndë. Të lodhur dhe të rraskapitur pas pesë orë rrugëtimi arrijmë në tendë. Neziri ka përgatitur disa informacione, ndërsa informacioni i ditës është nënshkrimi i marrëveshjes apo i kapitullimit. Nezir Myrtaj ka vërejtur disa paqartësi dhe dobësi të marrëveshjes dhe mu për këtë do të shkruajë edhe një koment.
Nusret Pllana është shend e verë. Edhe të tjerët duken të ngazëllyer por të rezervuar. Serbët edhe gjatë tërheqjes mund të na shkaktojnë tragjedi.
Martin Çuni na bën me dije se sonte në orën dy ose në tre pas mesnatës, në Rrafshnaltë zbarkon një helikopter i NATO-s me oficerë të Aleancës, të cilët vijnë për të përcjellë tërheqjen e forcave serbe nga brendësia e territoreve të luftimeve në Kosovë.
Ky është një lajm tjetër shpresëdhënës. Helikopteri i parë i NATO-s zbarkon në selinë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Atje është gjeneral Agim Çeku dhe disa nga komandantët.
Martini po ashtu na bën me dije se sot apo nesër pritet edhe ushqimi nga aeroplanët humanitarë.
Lajmet e Agjencive të huaja bëjnë të ditur se nesër apo pasnesër nga Maqedonia fillon depërtimi i forcave paqësore tokësore të NATO-s. Të gjitha këto informata brenda ditës, dhe ne ende nuk besojmë se ka mbaruar lufta, meqë shkrehja e armëve nuk pushon.
Mirëpo kështu nisin ngjarjet e mëdha.
Emisioni e kemi transmetuar me kohë.
Zëri i Nusretit sot është më kumbues, edhe pse ne kemi pasur kujdes në sajimin e informatave dhe jemi rezervuar për fillim. Zëri i Radios Kosova e Lirë, sot është më kuptimplotë se asnjëherë më parë. Po e mbijetojmë luftën, qysh nesër fillon një epokë e re, epoka e fitores vendimtare.