Ahmet Qeriqi: Serbët në Kosovë vazhdimisht të privilegjuar, asnjëherë të diskriminuar

 


“Raja” serbe në Kosovë,  gjatë shekujve ka mbijetuar në mesin e shqiptarëve, pavarësisht nga rastet e izoluara të keqtrajtimeve, të cilat nuk kanë munguar në momente të caktuara, por asnjëherë dhe në asnjë periudhë kohore shqiptarët nuk kanë kryer gjenocid kundër serbëve, nuk kanë vrarë fëmijë e gra serbe dhe nuk kanë dhunuar femra serbe, kuptohet përveç në raste të izoluara.


Kjo ka bërë që serbët e vjetër, të njohur në historinë serbe si  “starosedeoci”,  të vendosur të hershëm, gjithnjë të kenë qenë të pranishëm në Kosovë, që nga Mesjeta e deri në ditët e sotme. Prania e serbëve në Kosovë gjatë mesjetës, me rreth 20 për qind të numrit të përgjithshëm të banorëve,  dëshmohet edhe në librin studimor të dr. Muhamet Tërnavës: “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve 14-16”. Edhe sot e kësaj dite, kudo në Kosovë ruhen enklavat serbe, përveç në rastet ku ata kanë ikur nga frika e hakmarrjes, meqë pjesëtarët e tyre kishin kryer krime kundër shqiptarëve.


Me këtë rast është vërejtur edhe një dukuri për të cilën nuk është folur as është shkruar sa duhet. Pjesa dërrmuese e “starosedeocve”, të vendosurve të hershëm serbë, nuk kanë marrë pjesë vullnetarisht në luftë kundër shqiptarëve, përveç në rastet kur janë mobilizuar nga regjimi. Nuk janë të pakta rastet kur serbët u kanë ruajtur shtëpitë shqiptarëve gjatë luftës, ashtu sikur janë të shumta rastet, kur shqiptarët, pas luftës u kishin ruajtur pronat e shtëpitë, por edhe ua kishin blerë ato me çmime të larta, gjithnjë sipas marrëveshjeve.


Në ditët e mbarimit të luftës nga Kosova, në gjysmën e dytë të qershorit të vitit 1999, së bashku me forcat ushtarake e policore serbe, kanë ikur kolonët serbë, si ata që ishin vendosur në pronat e shqiptarëve prej vitit 1918 e deri në vitin 1939 ashtu dhe serbët e Kninit, dhe të viseve të Kroacisë, të cilët i kishte ngulitur  në Kosovë regjimi i Milosheviqit, me rastin e humbjes së luftës në Kroaci.


 


Politika sistematike luftënxitëse e Beogradit kundër shqiptarëve prej vitit 1912 e deri në qershor të vitit 1999, ka bërë që shumica e serbëve të instrumentalizohet në qëllimet politike ekspansioniste e hegjemoniste serbe, jo vetëm në Kosovë por në tërë Ballkanin. Kjo politikë luftënxitëse ka dëmtuar thellë marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve, ndërkohë që elementi serb, gjatë gjithë shekujve pakicë në Kosovë ka gjalluar  mes përplasjeve dhe ndeshjeve të pandërprera serbo-shqiptare.


 



 


Dihet se me rastin e pushtimit të Kosovës nga Serbia, në vitin 1912-1913, regjimi i Beogradit nuk ishte mjaftuar me numrin e vogël të serbëve të mbetur në Kosovë qysh nga Mesjeta, por me anë të programeve speciale shtetërore kishte ndërmarrë të gjitha masat, ndër më të kushtueshmet, me qëllim për ta serbizuar  Kosovën dhe viset e tjera shqiptare, që i kishte okupuar me bekimin e shteteve të Evropës dhe të Rusisë Cariste. Serbizimi, nënkuptonte  shfarosjen sistematike të shqiptareve duke i ndjekur për në Shqipëri dhe në Turqi dhe duke i serbizuar ata që do të mbeteshin përmes arsimimit  vetëm në gjuhën serbe. Se sa fashiste ka qenë ajo masë ndëshkimore e raciste, tregon fakti se për një abetare të gjetur  në gjuhën shqipe, poseduesi,  dënohej deri në 20 vjet burg.  Kanë qenë dhe janë të njohura programet e tilla fashiste e raciste të pushtetarëve serbë në zhdukjen e shqiptarëve  prej Nikolla Pashiqit e deri në ditët tona.


 


Serbët vendorë, apo” starosedeocet” kanë mbijetuar në Kosovë falë mbrojtjes që u kanë bërë shqiptarët, gjatë kohës së pushtimit turk e sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në kohën e depërtimit të forcave italo-shqiptare në Kosovë dhe në viset e Maqedonisë, në vitin 1941, serbët kishin qenë në shënjestër të hakmarrjes nga shqiptarët, meqë mbretëria serbe kishte kryer krime të pashembullta kundër tyre. Regjimi i kohës kishte ndërmarrë të gjitha masat që “raja” serbe të ruhej nga keqbërësit. Dihet se të gjithë kryetarët shqiptarë të komunave në Kosovë e më gjerë kishin marrë urdhër, nga kryeministri, Ilaz Agushi,  që në çdo fshat serb të vendosnin roje mbrojtëse ditën e natën, me qëllim që të mos lejohej keqtrajtimi apo plaçkitja e tyre. Edhe me këtë rast nuk kanë bërë përjashtim  incidentet e izoluara abuzive. Regjimi profashist i kohës kishte ndjekur komunistët pa dallim,  si ata serbë ashtu edhe ata shqiptarë e malazez, të cilët i kishte burgosur i kishte dënuar e pushkatuar.  Asnjë serb në Kosovë nuk është vrarë vetëm sepse ishte serb. Nuk janë shënuar raste të dhunimit të femrave serbe, edhe pse propaganda e tillë e përhapur nga Kisha serbe dhe nga Beogradi zyrtar nuk ka pushuar as pushon edhe sot e kësaj dite. Nuk janë vrarë fëmijët serbë, madje nuk është shënuar as edhe një rast e tillë, përderisa në luftën e fundit në Kosovë, serbët kanë vrarë e kanë masakruar më shumë se 800 shqiptarë të mitur prej 2 deri në 14 vjet.


 


Pas luftës në Kosovë, për të gjitha sulmet, që shqiptarët e caktuar kanë kryer kundër serbëve, fajtorë janë vetëm forcat paqeruajtëse, të cilët nuk i kanë marrë në mbrojtje, as u kanë lejuar shqiptarëve të merren vetë ata me mbrojtjen e serbëve. Edhe pse në vitet e para pas luftës, mbretëronte një anarki e plotë në mungesë të veprimit të institucioneve, nuk është  shënuar  asnjë mizori e shqiptarëve kundër serbëve, e tillë çfarë kishte ndodhur me popullatën shqiptare gjatë luftës. Për rastet e izoluara, sidomos me rastin e vrasjes së 14 serbëve në Grackë, në verë të vitit 1999,  shumica syresh pjesëtarë të milicisë serbe, që kishin kryer krime kundër popullatës civile shqiptare, u ngrit aq shumë pluhur sa publicisti, Veton Surroi, sulmin e tillë e  kualifikoi  si  akt fashist të shqiptarëve kundër serbëve, pa ditur mirë dhe pa pasur as edhe një dëshmi të vetme relevante se kush i kishte vrarë serbët, milicë dhe fshatarë. Çuditërisht shkrimi i tij u botua në tërë botën, me tituj bombastikë, por nuk u gjet as edhe një publicist tjetër shqiptar, i cili do të kishte mbështetur Surroin, madje as nga mesi i atyre, që kishin bashkëpunuar me milicinë serbe kundër bashkëkombësve të tyre shqiptarë.


 


Sot, serbët në Kosovë janë shtresa më e privilegjuar e shoqërisë. Për më tepër Plani i Ahisarit, të cilin e ka pranuar unanimisht klasa politike dhe institucionale shqiptare  e Kosovës, u ofron aq shumë favore, sa për hir të mbijetesës së tyre, është pranuar edhe serbizimi i gjeografisë së Kosovës, autonomia e plotë e Kishës serbe, decentralizmi në baza etnike dhe lidhja vertikale e horizontale e serbëve me Beogradin. Serbët kanë të rezervuara edhe dhjetë ulëse të deputetëve në Kuvend. Në institucionet e Kosovës pranohet çdo serb i cili ka shfaq vullnet për punë dhe aktivitet. Shumica e serbëve që jetojnë në Kosovë marrin paga të dyfishta nga buxheti i Kosovës dhe nga institucionet e Serbisë. Serbia por edhe Kosova ndajnë shuma të mëdha parash për kthimin e serbëve të ikur nga Kosova.


Lëshimi pe ndaj serbëve dhe majorizimi i tyre në Kosovë ka bërë që Beogradi zyrtar të insistojë në sovranitet mbi Kosovën dhe në ndarjen e komunave të veriut.


Pozita sociale e serbëve të kthyer në Kosovë është e shkëlqyeshme. Ata, sa e sa herë kanë shitur shtëpitë e tyre, dhe sërish janë kthyer në shtëpitë të reja, të cilat ua kanë ndërtuar organizatat ndërkombëtare dhe një pjesë është ndarë edhe nga buxheti i Kosovës.


 


Frika, që kanë serbët nga shqiptarët është e shpifur dhe ka prapavijë politike. Serbët e Kosovës, e kanë vështirë të mësohen që të jetojnë në një shtet ku qeveris shumica shqiptare, sepse ata janë mësuar që për afër 100 vjet, edhe pse numerikisht pakicë, t’i sundojnë shqiptarët si shumicë dërrmuese e popullsisë në Kosovë.


Bashkëjetesa e shqiptarëve me fqinjët serbë është e mundshme, vetëm nëse serbët e kuptojnë dhe e pranojnë realitetin e ri, të cilin e solli lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe intervenimi i NATO-s. Ata serbë, të cilët e pranojnë Kosovën edhe si shtetin tyre, i kanë të hapura dyert kudo në jetën shoqërore, politike, ekonomike. Për më tepër, ata gëzojnë favore të veçanta, të cilat nuk i gëzon askund në botë një pakicë kombëtare.


 


Qëndrimi i shqiptarëve ndaj fqinjëve serbë gjithnjë ka qenë i matur dhe dinjitoz, meqë shumica ka obligim moral dhe njerëzor të kujdeset për pakicën. Mbijetesa 600-vjeçare e pakicës serbe në Kosovë, nuk do të kishte qenë e mundur pa ndihmën solidare, fqinjësore  të shqiptarëve. Dihet se shqiptarët i kanë ruajtur edhe kishat e manastiret, të cilët i kanë pasur të përbashkëta, deri në pranimin e islamit nga shqiptarët. Edhe pas pranimit të islamit, shqiptarët e ruajtën një pjesë kulturore të traditës së krishterë, bashkë me shumë kisha e manastire. Nuk mohohet fakti se shumë kisha ortodokse shqiptare, u shndërruan në xhami, por u ruajtën ato kisha e manastire edhe atje ku të krishterët serbë nuk përbënin shumicën e popullsisë. Po ashtu, pakica serbe në Kosovë, e cila është helmuar me ideologjinë mitologjike për “Kosovën si djep i Serbisë” apo për “Kosovën si Jerusalemin serb”, duhet të heq dorë  nga botëkuptimet e mykura të së kaluarës, sepse po të kthehemi aq prapa në histori, atëherë sllavët e serbët do të duhej  të ktheheshin përtej Karpateve e Dnjeprit, nga ku janë dyndur në mënyrë masive drejt Ballkanit në shekujt 7 e 8 pas Krishtit.


E kaluara nuk mund të përmirësohet, por nga ajo vazhdimisht duhet të nxjerrim mësime. Jeta në paqe e harmoni fqinjësore është e drejtë e natyrshme njerëzore, është akt civilizues dhe emancipues, por një bashkëjetesë e tillë nuk mund të ketë sukses duke e sunduar pakica shumicën, por as duke e diskredituar shumica pakicën.

Kontrolloni gjithashtu

Rashit Qalaj

Rashit Qalaj: Qytetarët të lodhur nga skenat në kuvend – Kurti po shijon privilegjet e kryeministrit pa marrë përgjegjësi

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka kritikuar ashpër situatën politike në vend dhe dështimet e …