Ahmet Qeriqi: Serbët po bëjnë përpjekje që shpifjen ta bëjnë fakt. Ata po i fshehin krimet kundër popullatës civile. (E diel 30 gusht, 1998

Ahmet Qeriqi: Serbët po bëjnë përpjekje që shpifjen ta bëjnë fakt. Ata po i fshehin krimet kundër popullatës civile. (E diel 30 gusht, 1998

Shiu që ka rënë gjatë dy netëve të kaluara ka ndikuar në zbritjen e temperaturës, sidomos në orët e mëngjesit. Pas sulmit të kriminelëve serbë mbi popullatën civile në Grykë të Shalës të gjithë banorët janë larguar nga Gryka. Disa kanë ardhur këtu në Krojmir, disa të tjerë kanë depërtuar në fshatrat e Rrafshit. Në fshat ka mbetur tek tuk ndonjë kryefamiljar.

Sot i kam thënë Zymrytit që së bashku me Arbanën, mixhën  Mehë dhe me Epirin të shkojnë në Shalë. Arbanës i kam thënë që të mos i tregojë, Zymrytit  derisa të hyjë në shtëpi. Ajo paraprakisht i ka dhënë një bar qetësues duke i thënë se është  kundër dhembjeve në kurriz. Ata kanë shkuar  në Shalë me qerren e kalit të Përparim Isë  Qeriqit.

Vendqëndrimi gjatë ditës po gjallërohet. Sërish janë kthyer zërat gazmorë të fëmijëve, të cilët nuk duan të dinë për luftën. Për më tepër ata kanë krijuar edhe njësitet e tyre ushtarake dhe po rregullojnë bunkerë. Kanë rregulluar automatikë të drurit dhe  secili ka nga një copë të uniformës apo nga një UÇK të ngjyrosur diku në rroba. Në mesin e tyre shquhen binjakët e Idriz Qeriqit, Dardani dhe Ardiani, pastaj Zamiri, Elmiu i Sylës dhe shumë të tjerë. Përveç improvizimeve ata bartin edhe dru të thata nga mali ose bartin barishte,  për lopët.

RTS-ja vjell vrerë kundër UÇK-së. Lajmet e tyre i përshkon histeria fashiste. “Gasne komore”,  furra speciale ku janë djegur serbët, edhe pse nuk jepet konkretisht as një emër apo mbiemër serb, qoftë edhe i shpifur. UÇK-ja, vazhdimisht etiketohet si terroriste dhe sa e sa kualifikime të tilla monstruoze. Ata kanë kapur në befasi edhe dy shqiptarë, vëllezër dhe i kanë detyruar të pranojnë se kanë pushkatuar serbët dhe kanë kryer  skena të tjera makabre.

Në krye të kësaj lodre fashiste është gjyqtarja, Danica Marinkoviq dhe fashistë të tjerë serbë.

Pikat e pozicioneve të rojës dhe të vëzhgimit janë përforcuar. Serbët kanë depërtuar te Maje e Bretenit te Godenët, Një pikë strategjike nga e cila mund të vëzhgohet gati tërë Rrafshnalta. Fshatrat, Pjetërshticë, Dukë, Karaqicë, Luzhnicë, Javor, Kleçkë,  janë djegur  nga piromanët serbë. Kanë pësuar edhe shumë fshatra të tjera si Bllaca, Temeqina, Duhla, Baja, dhe shumë fshatra të tjera të Malishevës. Ka pësuar edhe popullata civile. Në të njëjtën ditë që kriminelët kanë goditur Shalën më 28 gusht po atë ditë kanë goditur edhe në mesin e popullatës së zhvendosur në Senik ku janë martirizuar 17 civilë. Pesë të tjerë në Nekoc dhe kizharekë. Kanë pësuar dy familje të Rancës me 11 anëtarë. Vetëm në Bajrak kanë rënë pesë dëshmorë. Nuk kam të dhëna për dëshmorët e rënë në Bllacë apo në zonat tjera afër nesh….

Rreziku për popullatën civile është permanent.

Syla, Elezi, Luani, Naimi, Hasani, Halili, Agroni, Selatin Rizani, Adnani Imeri, Milaim Beha, Jetë Hasani e shumë ushtarë të tjerë janë vënë nëpër pozicionet e reja. Ata po e përcjellin me vëmendje rrjedhën e lëvizjeve të ushtarëve serbë, të cilët si duket ose kanë informacione për vendndodhjen tonë ose për shkaqe sigurie ruhen dhe në mbrëmje mbyllen nëpër çadrat e tyre. Për t`u trimëruar apo për të shkaktuar panik gjatë natës granatojnë pa cak të caktuar. Nga frika që kemi për popullatën civile, edhe ushtarët tanë ruhen të mos ekspozohen. Mundësia për t`iu afruar gjatë natës është reale, por tani për tani ndodhemi në pat pozicion.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …