Ahmet Qeriqi: Serbisë nuk i konvenon shkëmbimi i territoreve

Riaktualizimi i idesë për shkëmbimin e territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk është ide e re, por kësaj radhe është plasuar në opinion nga anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Dana Rohrabaker, i cili ka deklaruar se procesi i shpërbërjes së Jugosllavisë ka marrë fund. Duke iu referuar tensioneve që herë pas herë acarohen në komunat e Kosovës Lindore, të mbetura nën okupimin serb, të banuara kryesisht nga shqiptarët autoktonë, Rohrabaker, mendon se do të duhet të bëhej një shkëmbim i ndershëm territoresh mes Serbisë dhe Kosovës. Është e nevojshme të arrihet një mirëkuptim i përgjithshëm, një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës që të përfshijë një shkëmbim territoresh. Ato rajone që janë pranë kufirit dhe mbizotërohen nga një popullsi shqiptare, të bëhen pjesë e Kosovës. Ndërkohë, ato zona në Kosovë që ndodhen në veri të lumit Ibër dhe pranë kufirit me Serbinë, e që banohen kryesisht nga serbët, të bëhen pjesë e Serbisë.
Zotëriu Rohrabaker nuk ka thënë asgjë të re, por ka ngritur për shqyrtim një opsion shumë të diskutueshëm dhe parimisht më të drejtë, sesa shumë opsione të tjera, të cilat mund ta dëmtojnë të ardhmen e vendit, por edhe të kombit në përgjithësi.
Dihet tashmë fare mirë se shqiptarët dhe serbët nuk bashkëjetojnë dot, dhe, përderisa kanë 1300 vjet armiqësi dhe asnjë vit miqësi e fqinjësi të mirë, ( përveç bashkëjetesës së dhunshme në ish-Jugosllavinë e AVNOJ-it), atëherë logjikisht mundësia më e mirë për bashkëjetesë si fqinj është shkëmbimi i territoreve mbi baza të parimit etnik.
Në dukje kemi të bëjmë me një çështje të lehtë, por nuk është fjala këtu vetëm për këmbimin e territoreve të Kosovës Veriore me Kosovën Lindore. Duke luajtur në këtë kartë Serbia kërkon shumë më tepër sesa i takon, meqë janë shtetet e Evropës ato, të cilat dukur ia kishin bërë ‘tapi” Serbisë gjysmën e territoreve të Shqipërisë etnike. Janë po këto shtete të cilat e kanë “shfajësuar” po këtë Serbi madje edhe për krimet monstruoze të kryera në Srebernicë të Bosnjës, në Kroaci dhe në Kosovë. Serbia dëshiron ta mbajë Kosovën në tërësi, e nëse ofrohet shkëmbimi si opsion, Beogradi zyrtar kërkon 25 ose 30 për qind të territorit të sotëm të Kosovës.

Opsioni i ndarjes gjithsesi se nuk e josh Beogradin zyrtar, me faktin se Serbia ka shumë për të dhënë e krejt pak për të marrë. Ajo ka probleme të pazgjidhura në Sanxhak e Peshter krahinë kjo e banuar me shqiptarë dhe myslimanë, pastaj në Timok, që është krahinë etnike rumune, apo në Vojvodinë e cila kurrë nuk ka qenë tokë serbe, por iu ka marrë forcërisht Hungarisë.
Hapja e “kutisë” për shkëmbin territoresh, Serbinë do ta mbyllte në territorin e vet etnik, në Pashallëkun e dikurshëm të Beogradit, duke lënë brenda këtij territori trevat e dikurshme shqiptare të pushtuara dhunshëm, në fund të shekullit 19-të, treva këto që asokohe shtriheshin prej Prokupjes deri në Nish, Toplicë e më tutje. Çështjen e këtyre tokave, të ngjashme me çështjen e pronave të çamëve, e kanë ngritur sa e sa herë “muhaxhirët” e Kosovës, por kërkesa e tyre nuk është marrë seriozisht nga asnjë institucion i vendit.
Duke pasur para sysh këto fakte, Serbia askurrë nuk do të kërkojë shkëmbim territoresh, sepse shkëmbimi i tillë, në parim nuk mund të bëhet vetëm në mes të shqiptarëve dhe serbëve, por, në një proces të tillë do të duhej të merrnin pjesë pashmangshëm edhe hungarezët, bunjevasit, rumunët, sanxhaksait, peshterasit e shumë të tjerë. Mirëpo kjo çështje, do të duhej të përkrahej dhe të hapej pikërisht nga shqiptarët, sepse komunat në veri të Kosovës edhe ashtu janë aneksuar nga Serbia, me mbështetjen e UNMIK-ut dhe tani të EULEX-it. Realisht për veç veriut të Mitrovicës, komunat e Zubin Potokut, të Leposaviqit dhe të Zveçanit janë komuna me shumicë serbe, të cilat iu bashkuan Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore, por në të njëjtën kohë, komunat me shumicë shqiptare si Presheva, Bujanoci e Medvegja iu bënë “tapi” Serbisë. Ky shkëmbin i qetë territoresh në kohën e regjimit titist-ranokoviqist, u bë për të ngritur artificialisht numrin e përgjithshëm të serbëve në Kosovë, të cilët qysh nga Mesjeta, kur erdhën si hordhi pushtuesish në vendin tonë e deri tani, kanë qenë dhe kanë mbetur një pakicë etnike, e cila numerikisht nuk ka shënuar më shumë se 15 për qind të numrit të përgjithshëm të banorëve të Kosovës. Po ashtu shkëmbimi i asaj kohe nuk rrezikonte dot Serbinë, e cila e kishte riokupuar Kosovën dhe e mbante nën pushtim klasik, duke ushtruar dhunë e mizori kundër shqiptarëve liridashës dhe duke përkrahur e ndihmuar shqiptarët pacifistë, të cilët iu kishin nënshtruar regjimit dhe ishin bërë pjesë e institucioneve të pushtuesit.

Por tani kohët kanë ndryshuar.
Kosova ka shpallur pavarësinë dhe pa dashje të Serbisë po bëhet shtet, në parim, shtet i qytetarëve të barabartë, por gjithsesi shtet i shumicës shqiptare, që përbën 93 për qind të numrit të përgjithshëm të banorëve. Konstituimi i Kosovës si shtet, nga bashkësia ndërkombëtare është bërë me kompromis, me qëllim që të mos injorohen në tërësi orekset e Serbisë dhe në asnjë mënyrë të mos përfillen aspiratat e ligjshme dhe të natyrshme të Shqipërisë, e cila edhe pse kishte dhe ka të drejtë të kërkojë bashkimin e trojeve shqiptare, mbi po atë parim mbi të cilin janë krijuar dhe janë bashkuar popujt në shtetet e tjera të Ballkanit si Greqia, Bullgaria, Serbia, e shtete të tjera, Tirana zyrtare asnjëherë nuk e ngriti këtë çështje për shqyrtim në planin ndërkombëtar.
Beogradi zyrtar nuk do ta mbështesë idenë e shkëmbimit të territoreve, edhe pse nuk do ta përjashtonte nga ndonjë tavolinë e mundshme e bisedimeve. Në rast të tillë, Serbia do të përjashtonte mundësinë që ky opsion të përfshinte vendin apo rajonin, sepse Serbia u ka borxh të gjitha shteteve fqinje. Serbisë nuk i ka borxh askush.

Kontrolloni gjithashtu

A. Vuçiq: Kryeministri Kurti, u detyra nga Gjermania e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për lejimin e mallrave serbe

Për heqjen e ndalesës së mallrave serbe në vetëm një pikëkalim kufitar në Merdare, presidenti …