Detonimet dhe shpërthimet e papritura tanimë janë bërë të rëndomta. Herë-herë granatat godasin edhe në vendbanime, në Pjetërshticë, në Krojmir apo në Zborc.
Sot, nga vendi i quajtur “Te Pishat”, në Shtime dhe nga baza artilerike e armikut në Qafë të Duhles, po granatohet Gryka e Carralevës, prej Qafës deri në afërsi të Belincit e të Shtimes. Përballë forcave të armikut në Bajrak të Luzhnicës është komandanti Ismet Jashari, i mbiquajturi Kumanova. Ai ka përforcuar edhe pikën strategjike të Bretenit.
Në Grykën e Carralevës, të Ura e Sahitit dhe te Lagja e Xhamisë, kanë zënë pozicione ushtarët tanë.
Atje janë luftëtarët tanë më të përkushtuar si: Jetë Hasani Sylë Qeriqi, Halil Olluri, Milaim Beha, Ramadan Behluli, Rrahman Tafa, Ramiz Qeriqi, Gafurr Dugolli, Hasan Qeriqi, Xhelal Hajdini, Ali Durmishi, Selatin Rizani, Naim Rizani, Ruzhdi Salihu e shumë të tjerë.
Në orët e mesditës, ushtarët tanë te lagja e Xhamisë, kanë shkatërruar një xhip të armikut, ndërsa një tjetri i kanë dhënë zjarr, pasi e kanë goditur me një shishe me benzol. Më pas kanë filluar luftimet dhe, sipas lajmeve që kanë sjellë ushtarët më vonë, forcat serbe kanë arritur ta tërheqin automjetin shkatërruar pas tri orë manovrimesh, duke u përballuar me breshërinë e armëve të ushtarëve të UÇK-së.
Pas largimit të forcave artilerike serbe, Carraleva sërish ka mbetur nën mbikëqyrje të ushtarëve tanë, të cilët kanë filluar të patrullojnë.
Edhe sot, sipas burimeve mjaft të besuara, ushtarët tanë kanë ndaluar automjetet dhe kanë arrestuar persona të panjohur. Nuk di se kush i ka kryer këto veprime, meqë ata i mbajnë fshehtas. Kjo dukuri po merr përmasa shqetësuese. Është punë me rrezik kundërvënia e tillë, meqë përnjëherë mund të gjendesh në shënjestër të etiketimeve të ndryshme. Urrejtja, që ushtarët tanë kanë kundër serbëve, të cilët po vrasin dhe po masakrojnë edhe fëmijë e gra, është urrejtje e papërmbajtur, por nuk duhet lejuar që ajo të derdhet mbi ata që shumë lehtë etiketohen si bashkëpunëtorë, pa u vërtetuar paraprakisht. Pavarësisht nga veprimet e bandave serbe, hakmarrja e tillë do t ia ulë imazhin e mirë luftës tonë për liri. Këto vepra i bëjnë disa ushtarë të papërgjegjshëm, edhe pse janë trima dhe tejet të vendosur. Ata, me këto raste mund të na sjellin dëme të paparashikueshme.
Në mbrëmje, te Selatin Qeriqi ka ardhur daja i tij Xhemshir Rashiti nga Petrova. Xhemshiri, duket sikur është i interesuar të inkuadrohet, por ende nuk i ka mënjanuar dyshimet, edhe pse ato nuk i shpreh haptas. Ai thotë se ka qenë edhe te Kumanova, por si duket as atje nuk ka gjetur ambient të pranueshëm. Me sa e kam kuptuar, ai është njëlloj pretendenti i ndonjë posti, por jo edhe i përkushtuar për ta marrë armën sikur të tjerët. (Tetë fjali të koduara)
Po sot kanë ardhur edhe Naim Imeri, një tezak i imi nga Gllogoci i Lipjanit me një të njohur të tij, të cilin e quajnë Vehbi Zeqiri, nga fshati Varigoc, i Blinajës. Kam biseduar gjerë e gjatë me Naimin dhe e kam këshilluar të mbajë lidhje me Hilmi Ramadanin në mënyrë që grumbullohen artikuj ushqimorë, barna dhe naftë.
Oda e kushëririt tim,Vehbiut, është e mbushur përplot me ushtarë dhe kalimtarë rasti.
Hyrje daljet nuk kanë të ndalur as për një çast.