Ka filluar të përmirësohet moti. Një erë e fortë e shkundërmuar po jehon nëpër lugjet e Rrafshnaltës. Aeroplanët e NATO-s që na kanë munguar tri ditë të plota, sot janë nisur në veprim. Serbët janë strukur nëpër biruca. Në raste të tilla ata ikin si minjtë dhe futen nëpër bunkerë. Në arenë mbesin vetëm njësitë raketore kundërajrore, të cilat vazhdimisht gjuajnë në drejtim të aeroplanëve edhe pse deri tani nuk kanë goditur asnjë, meqë aeroplanët fluturojnë pak më lart se deri ku arrin zjarri i armës serbe.
Një raketë tokë-tokë e armikut ka goditur në oborrin e shtëpisë së Rizah Berishës. Një tjetër ka shembur kulmin e një shtëpie aty afër.
Në orët e pas ditës në tendë kanë ardhur dy ushtarë, të cilët i ka dërguar komandant Sylejman Selimi. Ata kanë kërkuar telefonin satelitor të cilin ditë më parë e ka marrë Nusret Pllana në Agjenci. Mirëpo, para se të na japin telefonin e kanë bllokuar kodin dhe nuk kemi arritur ta lëshojmë në veprim. Ushtarët e kanë marrë telefonin, gjoja për ta rregulluar dhe janë larguar në drejtim të Fshatit të Ri.
Gjatë tërë para ditës kemi përgatitur lajmet të cilat si zakonisht i sajojmë duke i dëgjuar radiostacionet e huaja si BBC, DW, Zëri i Amerikës si dhe lajmet që i marrim nga terreni. E përcjellim rregullisht edhe Radio Tiranën e cila këtu në Berishë dëgjohet pa kurrë farë pengesash. Pavarësisht nga injorimi dhe mbrapshtitë e disa anëtarëve të Agjencisë, ne vazhdimisht i marrim ato pak informata të cilat sajohen atje dhe pasi i riformulojmë i redaktojmë dhe i lekturojmë emetojmë në Radio. Të gjitha emisionet e deritanishme i kemi incizuar dhe i ruajmë në arkiv. Gjatë ditës Nusret Pllana po bën përpjekje për t`i dyfishuar meqë kemi frikë që në rrethana të caktuara mund të na humb arkivi.
Teknika transmetuese dhe gjeneratori deri tani kanë punuar pa asnjë defekt. Kemi fat në fatkeqësi sepse mjafton një defekt sado i vogël dhe mbesim pa transmetim. Rizah Berisha i rri gati gjeneratorit me karburante.
Shpeshherë atë e aktivizojmë para kohe kur duhet të përgatisim ndonjë emision.
Puna jonë e deritanishme ka qenë tejet e suksesshme edhe pse me mjete minimale dhe në mungesë fatale të mirëkuptimit nga ata që janë përgjegjës për mbarëvajtjen e këtij zëri të luftës, e vetmja radio në gjuhën shqipe në Kosovë.
Në orët e mbrëmjes në tendë zakonisht mbesim unë dhe Nezir Myrtaj. Të gjithë të tjerët largohen. Martini shkon në Shtab dhe realizon ndonjë intervistë, Nusreti zakonisht shkon te Rizah Berisha apo takohet me ushtarë. Edhe të tjerët shkojnë te të njohurit e tyre, për të marrë ndonjë informatë për familjet, farefisin apo miqtë.
Kaloi edhe një ditë tjetër e rëndë dhe e mundimshme për të gjithë e veçmas për popullatën e zhvendosur nëpër gryka. Ata janë nën kërcënim të vazhdueshëm të predhave të armikut por edhe të urisë, nëse lufta zgjat më tej.