Si rëndom para dite kemi filluar t`i sajojmë informacionet për emisionin e lajmeve. Dita ditës kemi përgatitur edhe emisionet tematike dokumentare.
Ismet Sopi ka realizuar një anketë me nxënës dhe familjarë në disa fshatra të Drenicës, me rastin e fillimit të punës në Radio dhe në Agjenci.
Tani për tani kemi një skemë programore dhe si duket për shumë kohë kështu do të jetë, meqë kështu dedikojnë edhe kushtet. Është me rëndësi se ne përfaqësojmë konceptin militant të luftës çlirimtare dhe kuptohet vijën politike e ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm, të Ushtrisë sonë Çlirimtare.
Sot kanë ardhur për të na vizituar, zëdhënësi i Shtabit, Jakup Krasniqi dhe një përcjellës i tij, i cili quhet Adem Grabovci. Gjatë kohës sa kanë qëndruar në seli, Martin Çuni i ka sajuar pyetjet për Jakup Krasniqin me të cilin ka bërë një intervistë, që është transmetuar në programin tonë të rregullt.
Pas përgatitjes së emisionit, me Nezir Myrtajn jemi nisur në relacionin tonë të zakonshëm Berishë-Kizharekë-Krojmir. Te vendi i caktuar, gjithmonë me kohë të caktuar, na pret Ali Gashi i Pjetërshticës, të cilin e mbiquajnë Ali “Mullini”.
Neziri është ndalur në Pikën shëndetësore te Reshat Gashi, ndërsa unë kam shkuar në shtëpi. Epiri po përkujdeset edhe për punët në shtëpi Rrezja dhe Labja po e ndihmojnë bashkëshorten time, Zymryten. Arbana gjithnjë e angazhuar në ambulancën e Krojmirit, por edhe në stafin e Radios në Krojmir…
Në mbrëmje ka ardhur për të ndenjur dhe për të biseduar Heset Sahiti. Ai ka marrë me vete bashkëshorten dhe fëmijët, të cilët i ka tërhequr nga fshati Poturovc dhe me ta tani jeton në një shtëpi, në fshatin Shalë.
Me Heset Sahitin, Selatin Qeriqin dhe Elez Durmishin kemi biseduar për disa probleme mjaft të rënda në arsim. Sapo është marrë vendim për ta hapur paralelen e ndarë të shkollës së mesme në Shalë, ka ardhur drejtori, Hazir Rizani, i cili qysh prej fillimit të luftës me krejt familjen ka ikur dhe jeton në një fshat të Rrafshit. Ai, asnjëherë nuk është parë në mesin e ushtarëve.
( 16 rreshta të koduar në vazhdim)
Ka filluar të flitet se oficeri, Shaban Draga, zakonisht shoqërohet me ish strukturat titiste. Ata e përjashtojnë mundësinë që ai të jetë futur në mesin e tyre për ndonjë zbulim. Ai, me disa të tjerë po i mbështesin të tillët. Ndoshta kanë ndonjë lidhje miqësore apo nuk kanë informata lidhur me të kaluarën e këtyre bashkëpunëtorëve.
Gjatë bisedës që kam pasur me të, jam bindur përfundimisht se ai është një oficer i dalluar, por kapela që mbanë me yllin mbretërisë së Shqipërisë, ka shkaktuar huti.
Çështja e pozicionit politik të Shaban Dragës duhet të vëmendësohet, meqë ai nuk i njeh njerëzit në këto anë, por dikush duhet të kërkojë nga ai shpjegim për faktin se gjithnjë është në mesin e tyre. Luani është nisur për në Shqipëri. Ai nuk na ka paralajmëruar as është përshëndetur me ne.