(Vështrim për librin: “Kujtim i ngrirë”, i autorit, Ibrahim Skënderi)
Krijuesi, veterani i arsimit dhe veprimtari, Ibrahim Skënderi, në romanin e tij të personazhit, apo sikur thuhet rëndom, në romanin autobiografik, ka segmentuar momente nga jeta e tij prej fëmijërisë e deri tani në moshën e pleqërisë. Kjo “Kronikë e një jete të trazuar”, ka të bëjë me përjetimet e tij individuale, por të materializuara me emrin e imagjinuar të një personazhi të caktuar, sikur është Bardh Sharri, me qëllim që vepra të ngrihet nga niveli dokumentar në nivelin artistik, për disa kujtime të pashlyeshme nga kujtesa të një jetë e tërë, rrëfyer në vetën e tretë.
Letërsia e kohës sonë, ashtu sikur ajo bashkëkohore kudo në botë, me kohë është çliruar nga vargonjtë e teorive dhe e teoretizimeve letrare, meqë jeta dhe hapërimi i shoqërisë njerëzore iu paraprin proceseve të përgjithshme zhvillimore, duke zbuluar forma e metoda të reja të shkrimit e të komunikimit, pa mohuar traditën, por duke e pasuruar dhe begatuar atë.
Ky roman i personazhit e ka të plotë strukturën ndërtuese, kompozicionin dhe disa nga njësitë me të cilat është ndërtuar romani tradicional.
Xha Bardhi, tani i zbardhur si dëbora në Malet e Sharrit, shikon fotot, albumet dhe riciklon kujtimet e së kaluarës, në përpjekje për të sjellë në kujtesë, ndodhitë, ngjarjet, momentet dramatike të jetës, por edhe ato të hirshmet, me mbresa e kujtime të paharrueshme.
Me qëllim për ta ndërtuar sa më mirë “piramidën e kujtimeve” në një roman, atij nuk i mungon imagjinata krijuese, meqë atë e ka dëshmuar me sa e sa vepra të shkruara e të botuara.
Ai nuk i ka harruar kujtimet e shumta që nga fëmijëria kur nën kujdesin e gjyshit ishte rritur në një botë plot me të papritura si nga natyra, ashtu edhe nga njeriu, pse jo edhe nga egërsirat. Por kujtimi për gjyshin e keqtrajtuar mizorisht nga regjimi okupator, serb, ka mbetur disi i ngrirë, meqë nuk e disponon një foto të tij, një foto autentike, ku aparati fotografik ka stopuar kohën, me qëllim për ta shikuar se si ka qenë ai për së gjalli, i ngulitur thellë në kujtimet e tij të paharrueshme të fëmijërisë. Mungesën e fotos së gjyshit e ndien thellë si një humbje të pazëvendësueshme, edhe pse disponon shumë foto të tjera, që ia cytin imagjinatën krijuese dhe janë lënda jo vetëm e frymëzimit por edhe e përmbajtjes së rrëfimeve në këtë vepër.
Bardh Sharri nuk është e thënë të jetë vetëm autori, vetëm ai i cili rrëfen dromca nga biografia e tij, në vetën e tretë. Ai mund të jetë edhe çdo personazh tjetër, sidomos mësues e mësimdhënës që ka kaluar nëpër rravgime të tilla të jetës, jo në përpikërinë e ngjarjeve dhe ndodhive, por në tërësinë e kuptimit të realitetit objektiv, shikuar nga këndi subjektiv i kohës dhe hapësirës ku ka jetuar dhe jeton autori i romanit dhe bashkatdhetarët e tij.
Ibrahim Skënderi, tani për nga mosha i takon gjeneratave të para të pas Luftës së Dytë Botërore, të cilët filluan të arsimohen në kushte tejet të rënda, si të gjithë të rinjtë shqiptarë, sidomos ata në viset malore, të cilët duhej të rrugëtonin këmbë me orë të tëra për vajtje-ardhjet nga shtëpia në shkollë e anasjelltas. Atyre u mungonte gjithçka, përveç dëshirës së zjarrtë për të mësuar, pavarësisht pengesave dhe kushteve elementare për jetë.
Ata mbijetuan falë vullnetit për t’ u arsimuar dhe përkrahjes nga prindërit të afërmit e arsimtarët e tyre, por edhe shoqërisë së organizuar, e cila luftonte analfabetizmin dhe të kaluarën, prapambetjen regresive, që kishte sunduar me shekuj të tërë, sidomos ndër shqiptarët e robëruar, të ndarë e të katandisur në trojet e tyre të lashta, që kishin qenë dhe po mbesin aranë e mujsharëve të botës.
Romani është i mbushur me ngjarje, rrëfime nga jeta e autorit, kacafytjet me jetën, luftën kundër errësirës, ndjenjën e shtypur dhe të nëpërkëmbur të lirisë nga regjimi pushtues, por edhe qëndresën individuale dhe kolektive të shqiptarëve në përballje me pushtetin represiv, jugosllav, i cili shqiptarët e trajtonte si pakicë kombëtare, edhe pse ata numerikisht ishin popullata e tretë për nga numri i banorëve, në Jugosllavi, por nuk kishin status të barabartë shoqërore e politik, në Federatë.
Bardh Sharri personifikon mësuesin dhe veprimtarin e kohës, në rrugëtimin e tij drejt arsimimit dhe emancipimit kombëtar, mësuesin e idealeve iluministe, në përpjekjet e pareshtura për afirmimin e kombit të shtypur e të shfrytëzuar në të gjitha segmentet, për begatimin e jetës shpirtërore, për realizimin e synimeve shekullore për liri, drejtësi e barazi.
Në këtë rrugëtim ai ka pasur dhe ka shokë të shumtë të idealit, në mesin e tyre edhe të tillë që i kishte ndjekur e persekutuar regjimi, por edhe të tjerë të cilët vepronin, militonin në rrugëtimin e tyre, duke iu përmbajtur fortë urtësisë popullore: “Një kokërr nuk e mbush dot hambarin, po bëhet bashkë me kokrrat e tjera për ta mbushur atë”, i vetëdijshëm se në hambarin e madh të kombit ka edhe fara e kokrra të liga, që sëmurin e dëmtojnë ato të shëndoshat…
Përballja me sfidat, të pritura e të papritura, ballafaqimi me forcat e errësirës, me lajkatarët e servilët, me mujsharët e regjimit dhe veglat e tyre, në periudhën kohore për të cilën shkruan, Ibrahim Skënderi, ishte lufta e hapur e përditshme me të cilën janë ballafaquar, jo vetëm Bardh Sharri, por shumica dërrmuese e intelektualëve shqiptarë dhe të cilët ia kanë dalë, gjithnjë të bashkuar rreth një ideali, pavarësisht veprimeve e përcaktimeve politike. Bardh Sharri, është paraqitur në roman me thjeshtësinë e dashurinë e tij për familjen, të afërmit, shokët, miqtë, kurdoherë i gatshëm për bashkëpunim, por edhe qëndrestar, i cili në momentet e caktuara, në rastet e dilemave hamletiane, nuk është përkulur, nuk është thyer, por ka qëndruar pa i marrë parasysh pasojat.
Nuk ka asgjë më të vështirë në botë sesa të lindësh, të rritesh dhe të jetosh si njeri i drejtë i vetëpërmbajtur dhe i lirë. Dhe, janë krejt pak ata që arrijnë të qëndrojnë vertikalisht tërë jetën, edhe kur ajo u kërrus shtatin, edhe pa arritur në moshën e pleqërisë.
Romani, “Kujtim i ngrirë” ka në brendinë e vet shumë rrëfime, ndodhi, trajton shumë ngjarje, të shkëputura e të shkapërderdhura në dukje, por të lidhura e të sistemuara në tërësinë e vet. Gjuha e autorit është e kuptueshme për çdo lexues, është gjuhë e pasur me vokabular dhe figuracion artistik, prej diskursit publicistik deri te ai artistik e stilistik, një stil tashmë origjinal i të rrëfyerit dhe i pasqyrimet me kujdes në përshkrimin e fenomeneve të jetës.