(Me rastin e ndarjes nga jeta)
Instrumentisti, artisti popullor dhe mjeshtri i rrallë i etnomuzikologjisë shqiptare, Shaqir Hoti, është emër i njohur në vendin tonë, por jo sa duhet i prezantuar, i gjurmuar dhe i studiuar. Atë, shumica e njohin si instrumentist, si mjeshtër që prodhon instrumente muzikore dhe ekzekuton me to. Por janë paktë ata që e njohin botën e tij të pasur të artistit krijues, të talentit të realizuar me përkushtim dhe këmbëngulje, si dhe tërësisë krijuese që ai ka manifestuar dhe manifeston.
Te Shaqir Hoti janë njëzuar, në radhë të parë talenti i lindur i artistit, pasioni, shkollimi që i ka hapur diapazon vrojtimit artistik, dashuria për kulturën dhe traditën e popullit nga i cili rrjedhë, përkushtimi i veçantë për etnomuzikologjinë shqiptare, e cila është me e pasura mes popujve të Ballkanit, meqë si arkaike dhe autentike, ajo ka sintetizuar në vete vlerat muzikore që nga Iliria e lashtë, muzika ballkanike dhe ajo muzikë e cila gjatë shekujve ka dhënë dhe ma marrë, është ndikuar dhe ka ndikuar te popujt e këtij nën-qielli.
Duke qenë se tërë jetën ia ka kushtuar artit të popullit, në radhë të parë si artist në perceptimin e vlerave krijuese, pastaj instrumentist dhe sajues i veglave muzikore, talent i rrallë dhe ekzekutues i të gjitha instrumenteve muzikore, gjurmues i pashoq i të gjitha instrumenteve, që nga Okarina e lashtësisë për “rikthimin” e së cilës mbanë meritën historike e deri te instrumentet tradicionale, artisti i popullit, Shaqir Hoti me plot të drejt është personalitet autentik muzikor, ndër të rrallët që do të mbesin përgjithmonë në arealin e trashëgimisë folklorike gjithë shqiptare.
Të rrallë janë krijuesit, artistët të cilës do lëmi qofshin, që arrijnë ta zotërojnë talentin, intuitën, mjeshtërinë, kredon krijuese, afinitetin, vullnetin, përkushtimin për ta shprehur botën e brendshme shpirtërore, sikur e ka shprehur dhe e shpreh në krijimtarinë e tij etnomuzikologjike Baca Shaqë, i cili edhe sot e kësaj dite, kur po rrugëton në të tetëdhjetat nuk i ndahet instrumenteve, interpretimit tashmë të përkryer dhe dashurisë së lindur e të kalitur në jetë për muzikën, këtë art që i referohet shpirtit, buron nga shpirti dhe kënaq atë, gjithnjë duke e mbajtur të gjallë motivin e dashurisë për jetën, me tingujt që burojnë nga nëna natyrë, me zërin e saj magjeps të lloj-llojshëm, të gjithanshëm dhe të pashtershëm, ashtu sikur është universi i pa fund.
Në traditën folklorike të etnomuzikologjisë shqiptare ka pasur emra të njohur si instrumentistë, duke qenë në radhë të parë mjeshtër artizanalë, por edhe ekzekutues virtuozë. Pa gjurmuar më tej, do të ndalesha të dy instrumentistë shumë të njohur dhe të pasionuar të kësaj tradite, në Kosovë, Beqir Prelezi dhe në Shqipëri, Ndue Shyti. Kam veçuar me këtë rast këta dy emra shumë të njohur të interpretimit të muzikës folklorike, sepse të dy janë në nivelin e lartë të talentit për sajimin e instrumentit dhe ekzekutimit me të, duke qenë prodhues dhe konsumues të këtij arti. Përderisa këta të dy janë specializuar sidomos në çifteli, por afinitetin e talentin e tyre e kanë shprehur edhe në instrumente të tjera, Baca Shaqë ka shkuar më tej, duke mos u ndalur në dy e tri instrumente, por duke gjurmuar me ngulmë çdo instrument, duke i sistemuar në akordet e tonalitetet e pakufishme që i mundëson instrumentologjia në përgjithësi.
Te ai radhiten instrumentet që nga okarina, fyelli i shkurtë i mesëm i gjatë, kavalli me variacione, gajdja apo “mishnica” jonë tradicionale me derivatet e saj, pipëza, zumarja, përgjithësisht instrumentet frymore por edhe ato me tela, pastaj defi daullja, violina dhe instrumentet e tjera të shumta.
Krejt kjo botë e angazhimit muzikor të tij, mbi të gjitha dhe para së gjithash është projeksion dhe prodhimtari e nivelit të lartë të shpirtit të artistit, që ka prekur kulimin në këtë krijimtari dhe që i ka hapur dimension artit autentik shqiptar, duke e begatuar në shumë segmente.
Punëtoria private e Bacës Shaqë është muze i llojit të veçantë, është fabrika e vetme autentike e vegëltarisë artizanale muzikore në nivel kombëtar, për nga shumëllojshmëria e varieteteve që prodhon dhe manifeston në botën e tij të pasur krijuese, në talentin e rrallë, një krijues i vetëm pa ndihmën dhe mbështetjen institucionale.
Po të kishte Ministri të Kulturës, Kosova apo Shqipëria dhe që nuk e ka në perceptimin për të cilin po shkruaj dhe po e dëshmoj, do të duhej që ajo punëtori e thjeshtë në dukje, por tejet e begatshme në brendësi, të merrej në mbrojtje si vlerë autentike kombëtare, do të restaurohej dhe do të mbetej si opus i çmuar i trashëgimisë autentike popullore.
Mjerisht e fatkeqësisht zyrtarët tanë të kulturës nuk kanë interesim për vlerat e vërteta të krijimtarisë autentike kombëtare, nuk e njohin atë, e them me përgjegjësi dhe mund ta dëshmoj me sa e sa argumente këtë që po e shkruaj, madje për më kaq, ka prej tyre të cilët edhe e injorojnë, duke e etiketuar si “folklorike”, si diçka të perënduar, ka të tillë që kanë lindur, janë rritur e edukuar me tallava, rok, hok, mok dhe këngë majmune hungërima të çoroditjes njerëzore, e cila pretendon të jetë art, pra art i veçantë i çoroditjes, sepse të tillë e ha pazari… (Për një muzikë të tillë të çoroditur, me skena e përmbajtje geje, Qeveria e Kosovës në dhjetëvjetorin e pavarësisë ka shpenzuar dhjetëra mijëra euro për tri orë program në qendër të Prishtinës ).
Megjithatë deri sa të rrojë fjala e kësaj gjuhe të zjarrtë të Naimit, Fishtës e shumë të tjerëve, derisa të rrojë fryma e kombit, ashtu si ka jetuar shekujt okarina, sikur është muzika e vërtetë shqiptare, do të jetojë tok me ne, tok me artistët që kanë lindur në gjirin e këtij populli, tok me idealistët, me ata që krijojnë artin e vërtetë që nuk vdes kurrë, ashtu sikur nuk vdesin as veprat e tyre, por kanë mbetur e mbesin trashëgim nëpër shekuj…
Vepra dhe trashëgimia e Shaqir Hotit duhet të merren në mbrojtje insitucionale, në radhë të parë sepse është shumë meritore, por edhe për faktin se nga kjo trashëgimi duhet të mësohet, të gjurmohet dhe të studiohet…
Ahmet Qeriqi
- 4. 2019