Ahmet Qeriqi: Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së, Bislim Zyrapi, mendon se radioja duhet të vendoset në një zonë tjetër, 6 janar, 1999

Ahmet Qeriqi: Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së, Bislim Zyrapi, mendon se radioja duhet të vendoset në një zonë tjetër, 6 janar, 1999

Në Spitalin ushtarak të Krojmirit nga Prishtina ka ardhur Zylfie Pllana, bashkëshortja e Nusret Pllanës, së bashku me vajzën e vogël, Teutën. Ali Mullini, qysh herët ka shkuar ta marrë Nusretin, ndërsa unë kam pritur derisa është  kthyer së bashku me Nusretin.

Me sukses e kemi përgatitur edhe emisionin e tretë, i cili ka zgjatur 25 minuta. Përveç lajmeve kemi transmetuar edhe një koment shumë përmbajtësor të cilin e ka shkruar Nezir Myrtaj. Komenti është shpërndarë edhe nga Agjencia Kosovapres.

Pas transmetimit të emisionit së bashku me Martin Çunin jemi nisur për në Shtab, me qëllim që të bisedojmë me Jakup Krasniqin dhe me Shefin e Shtabit lidhur me caktimin e një vendi më të përshtatshëm për transmetim, meqë aktualisht po emetojmë nga një pikë, e cila mendojmë se është identifikuar nga forca armike, meqë jemi përballë tyre, në drejtim të vendit të quhet “Smonica”.

Rrugës kemi takuar oficerin, Shaban Draga. Ai na mori me xhip dhe na çoi deri në Divjakë. në Shtab i kam dorëzuar edhe 18.000 Dm  të cilat ditë më parë i solli Fatmir Xhelili, me qëllim për blerjen e uniformave për ushtarët e Batalionit “Ruzhdi Salihu”. E di se çështja e uniformave është delikate dhe nuk dua që të hollat t`i mbaj vetë.

Më pas, me Martin Çunin kemi shkuar në zyre të  Shefit të Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, i cili na mirëpret, por na sugjeron që sa më parë të jemi të përgatitur për të kaluar në ndonjë zonë tjetër me tërë ekipin e Radios, sepse sipas tij po rrezikohet Shtabi

I kam bërë me dije  eprorit Zyrapi, se tani për tani në këto rrethana nuk ka kushte për lëvizje, duke shtuar se Radioja nuk mund të jetë e suksesshme pa Agjencinë, pasi   jemi një staf i vogël gazetarësh.

Martinit nuk i bën fare përshtypje ndërrimi i vendit, ndërsa për mua është shumë me rëndësi të qëndrojmë këtu, meqë nuk mund të shkëputem prej kësaj zone, sidomos tani në dimër. Po ashtu këtu i kam edhe familjen dhe e kam vështirë të vendos për t’ u larguar nga kjo zonë, ku kam qëndruar qysh prej fillimit të luftës.

Eprori Zyrapi na premton se në rast të ndërrimit të vendit, ai do të interesohet që tërë pajisjet dhe stafin ta sigurojë dhe ta mbrojë.

Rrugës për në Berishë mundohem ta bind Martin Çunin që të rezistojmë dhe të mos lejojmë të na largojnë nga këtu. Martinit i bëj me dije se kjo zonë ka shumë specifika dhe është më strategjike se cilado zonë tjetër në Kosovë. Ai më ka dëgjuar me kujdes, por nuk i bën fare përshtypje se nga cili vend transmetojmë. Ai është i gatshëm për t`i pranuar rekomandimet  e Shtabit. Mendoj se në rast të tillë nuk do të rezistojnë as të tjerët, e sidomos Berat Luzha, të cilit iu ka fiksuar ideja fikse se malet e Qyqavisë janë më të përshtatshme për transmetim.

Pretendimin tim për të qëndruar në Berishë e mbështes edhe me faktin se jemi në mes të Kosovës, dhe Radio nga kjo pozitë dëgjohet në tërë territorin e vendit tonë. 

Ende pa filluar mirë puna, po ballafaqohemi me pengesa.

Në orët e natës, Isë Krasniqi ka përgatitur për agjencinë Kosovapres intervistën që Adem Demaçi ia ka dhënë RTSH-së. Pjesë nga kjo intervistë do të emetojmë edhe në emisionin e radhës të radios…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …