Në mëngjes ka ardhur Jetë Hasani dhe më ka treguar për aksionet që ka kryer gjatë natës me dhjetë ushtarët e tij në fshatin, Ribar i Madh. Pasi paraprakisht ka tubuar shënime të sigurta lidhur me disa bashkëpunëtorë, Jeta ka trokitur në shtëpitë e tyre dhe fillimisht ua ka marrë revolet me leje, pastaj disa prej tyre i ka ndëshkuar, nga disa të tjerë ka marrë edhe informata shtesë për disa bashkëpunëtorë të tjerë. Jeta është shend e verë. Ai tregon se po shumohet numri i bashkëpunëtorëve sidomos në Ribar të Madh, ku tani për tani ka identifikuar dhjetëra veta, të cilët i kanë marrë armët me leje. Ai më tregon edhe ndonjë revolver të ri dhe bashkë me te edhe pronarin, pa harrur të tregojë se asnjëri prej tyre nuk ka rezistuar. Disa madje kanë shfaqur gatishmëri për t iu bashkuar radhëve tona.
E di se Jeta i ka ndëshkuar fizikisht, kam frikë mos i ka kaluar kompetencat, të cilat ia ka caktuar vetvetes. Jetën më nuk e mbajmë dot nën kontroll. Ai ka vendosur të veprojë energjikisht dhe nuk ka forcë që e ndalon.
Idriz Hyseni me ushtar Dalipin e ka sjellë një gjenerator 5 kilovat i cili do të na shërbejë për të mbushur bateritë e telefonit celular, për të punuar me kompjuter dhe për të përcjellë televizorin.
Pak më vonë ka ardhur edhe Nusret Gashi nga Shtimja. Ai ka sjellur 200 litra naftë dhe na treguar se së shpejti do të sjellë edhe 60 palë këpucë dimri për ushtarët. Ndërkohë ka ardhur edhe Sejdi Elezi, sapo ka dëgjuar për Beratin me të cilin njihet qysh prej kohës së burgut, ku në vitet e tetëdhjeta kanë qenë të ngujuar së bashku në Burgun e Nishit. Sejdiu e konfirmon lajmin se gjatë ofensivës në Jezerc kanë rënë dëshmorë dhjetë ushtarë, në mesin e tyre edhe vëllezërit, Gyrsel dhe Bajram Sylejmani si dhe Kemajl Hetemi. Këto lajme i ka konformuar edhe Nusret Gashi.
Ramadan Rizani, Heset Hamdiu dhe Shyqri Iballi kanë shtruar edhe kërkesa të tjera për finalizimin e punëve në kuzhinë, ku është rregulluar edhe furra e bukës me kapacitet për pjekjen e treqind bukëve në ditë.
Në mbrëmje ka ardhur edhe Fatmir Limaj me dy ushtarë. Ndërkohë ka ardhur edhe Luani me Ali Durmishin, vëllai i Elezit
Është biseduar për çështje të ndryshme, për gjendjen e popullatës civile, për ristrukturimin dhe për çështje të tjera.
Më vonë më kanë bërë me dije se një ushtar nga pika e Rancës duhet të depërtojë me detyrë ushtarake, në Godanc, por nuk di të orientohet vetë. Faruku ka treguar gatishmëri që të shkojë së bashku me ushtarin e Rancës. Edhe pse nuk i kam dhënë leje, meqë kam për detyrë ta mbajë nën kontroll, ai megjithatë e ka bërë të vetën. Nëse e merr vesh Luani apo Jeta se ka shkuar pa leje, Faruku nuk do t`i ketë punët në rregull.
Pasi janë larguar Fatmir Limaj me ushtarët, së bashku me Ramë Bujën, Jakup Krasniqin dhe Berat Luzhën kemi biseduar rreth kërcënimeve të NATO-s, drejtuar regjimit kriminal të Beogradit. Të gjithë jemi skeptikë në këtë drejtim. Diplomacia ndërkombëtare po e përdor NATO-n si gogol për ta frikësuar Jugosllavinë. Tani për tani nuk ka kurrfarë gjasash për ndonjë intervenim, por kurrë nuk hihet çka mund të ndodh…
Serbia po vazhdon realizimin e aspiratave fashiste për spastrimin etnik të Kosovës, ashtu sikurse ka vepruar edhe në Bosnje. Ajo po mundohet që çështjen e Kosovës ta trajtojë si problem të vetin të brendshëm, meqë ka shpallur se lufta po zhvillohet kundër terroristëve dhe jo kundër qytetarëve lojalë, as kundër organizimit të shqiptarëve në pikëpamje politike.