Ahmet Qeriqi: Shqetësime nga një dezinformatë e një frikacaku (E hënë 7 shtator 1998)

Ahmet Qeriqi: Shqetësime nga një dezinformatë e një frikacaku (E hënë 7 shtator 1998)

Moti ka zënë të përmirësohet edhe pse ka zhvillime të shpejtuara resh, Një ditë me diell më tepër është një dhuratë më shumë nga natyra.

Jemi tubuar para kasolleve si rëndom. Bisedojmë për probleme të ndryshme, për qyqarinë pacifiste, për premtimet tanimë bajate të diplomatëve botërorë.

Tezja dhe mixha qysh në mëngjes janë nisur në drejtim të Krojmirit. Atje qëndrojnë tërë ditën, e ushqejnë lopën, bëjnë punë të tjera dhe në mbrëmje kthehen në tendë. Arbana punon me mjekët. Rrezja i ndihmon Zymrytes, dhe e  kujton momentin kur është përshëndetur për herë të fundit me të atin, i cili vetëm një orë më vonë ka pësuar nga pasoja e granatimeve. Epiri ka shkuar për të bartur dru. Zamiri është rreshtuar me bashkëmoshatarët të cilët improvizojnë lufuëtarët UÇK-së. Labëria kudi ku ndodhet. Meqë është  me shëndet delikat e çuam në Tiranë te daja i saj Ismet Shamolli. Ka mundësi që ka ikur nga atje dhe është kthyer në Prishtinë. Antigona me bashkëshortin Mehdiun dhe me djalin Getarbin ndodhen në Gjermani. Prindërit e mi janë në Shtime ose ndokund në malet e Mallapolcit. Gazi dhe Shpendi me motrën dhe nënën e tyre kanë shkuar në Bellanicë dhe nuk di më ku gjenden. Hasani me të gjithë të vetët ndodhet këtu afër  ndërsa vet ndodhet në vëzhgim. Të tjerë as i kam parë as di gjë për ta. Di vetëm se jemi ndarë dhe kemi marrë secili rrugën e vet në këtë kohë të kthesave dhe të rreziqeve tejet të mëdha.

Rreth mesditës te tenda ka ardhur Heset Sahiti me disa ushtarë, me të cilët bën roje dhe vëzhgon terrenin në Blinajë. Më pas janë tubuar edhe disa ushtarë të tjerë të cilët janë në pushim gjatë ditës. Secili ka hallet e veta, të familjes, brenga për anëtarët që nuk i dinë ku i kanë.

Në orën 14 e 30 minuta te tenda erdhi njëfarë, Naim Krasniqi, i cili ka dhënë alarmin në Grykë duke thënë se shumë forca të këmbësorisë serbe me kamionë kanë depërtuar në Nekovc dhe në Shalë. Popullata ka filluar të shqetësohet. Nuk dëgjohen krisma, dhe kjo do të thotë se nuk ka luftime, andaj mendoj se lajmi nuk është i vërtetë. Ky farë frikacaku ka përhapur edhe dezinformata të tjera por nuk e kemi ndëshkuar. Elezi i mllefosur e kërcënon Naimin se nëse kësaj radhe ka imropvizuar, do të ndëshkohet në sy të tërë fshatit. Ai bën be se i ka parë me sytë e vet dhe ikën në drejtim të Karaçicës. Ndërkohë ushtarët tanë në Biga lajmërojnë se forcat serbe të stacionuara te Llazet e Fushticës kanë demonstruar forcë me defilimin të kamionëve dhe pizgauerëve. Ata nuk kanë hyrë në fshatra. Për pak kohë kanë ndaluar në hyrje dhe më pas janë tërhequr në drejtim të Llazave të Fushticës.

Lëvizjet e tilla të papritura bëhen me qëllim për ta hulumtuar gjendjen. Ushtarët tanë janë treguar gjakftohtë, dhe duke qenë se serbët nuk janë afruar në rreze të veprimit të armëve të tyre, ata kanë heshtur. Si duket serbët e kanë kuptuar këtë taktikë. Mbase kanë edhe qëllime të tjera.

Në mbrëmje edhe pse serbët janë larguar te banorët e tendave vërehet shqetësimi dhe frika e arsyeshme, sepse po të na sulmojnë nga Rrafshi nuk kemi si depërtojmë në perëndim nga eskadronet e vdekjes që janë vendosur në Rrafshnaltë.

Gjithnjë në ankth të ndonjë befasie. Ç` të bëjmë? Tanimë jemi të rrethuar dhe krejt çka mund të bëjmë, është të luftojmë deri sa të shfarosemi…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Vazhdon ikja e të zhvendosurve nga frika e urisë (E enjte 10 shtator, 1998)

Ahmet Qeriqi: Vazhdon ikja e të zhvendosurve nga frika e urisë (E enjte 10 shtator, 1998)

Vazhdon ikja e disa të zhvendosurve nga Duka, Karaçica, Reçaku, Komarani e fshatra të tjera. …