E kaluara e popullit shqiptar, veç tjerash ka një specifikë të çuditshme, të cilën më së miri e ka vërejtur eruditi dhe iluministi i famshëm, Sami Frashëri.
Ai në enciklopedinë e tij të famshme: “Shqipëria ç’ka qenë, ç’ është dhe ç’do të bëhet” ka shkruar se shqiptarët kanë marrë pjesë në ndërtimin e shumë qytetërimeve dhe kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, por më shumë kanë bërë për të tjerët, sesa për veten. Nuk ishte kjo thjesht vetëm një kritikë utilitare e tij, e cila do të ndikonte në rizgjimin, përforcimin dhe konsolidimin e vetëdijes kombëtare në shekullin 19-të, por mbi të gjitha shënonte një realitet që ashtu si në të kaluarën e largët kishte arritur deri në kohën tonë.
Shqiptarët në të kaluarën janë trajtuar si popull luftarak, më luftarakët në Ballkan gjithsesi por edhe në vende të tjera. Jo rastësisht të huajt i kanë vlerësuar si Skithët e Perandorisë Osmane.
Për trimërinë shqiptare ndër shekuj kanë folur e kanë shkruar shumë dijetarë, historianë, shkrimtarë e poetë. Në këtë vështrim kemi shkëputur mendimet e vlerësimet e shumë shkrimtarëve, gjenealogëve, filozofëve, udhëpërshkruesve, historianëve të huaj, të cilët jo gjithherë kanë qenë objektivë në përshkimin e veseve dhe vetive të shqiptarëve. Disa prej tyre kanë treguar edhe urrejtje e racizëm, sidomos për shqiptarët e besimit mysliman, disa prej tyre janë shprehur me objektivitet shoqëror dhe disa me një indiferencë shpërfillëse e injoruese.
Është me rëndësi të vërejmë faktin se si në të kaluarën ashtu edhe tani, mendimi i përgjithshëm i botës së krishterë kundër shqiptarëve nuk ka ndërruar në kuptimin pozitiv, në këto 100 vitet e fundit. Vlerësimet e tyre janë shumë paragjykuese, me një dozë të urrejtjes, me shpërfillje për besimin e tyre, sidomos kundër kulturës së tolerancës fetare, të cilën e konsiderojnë si mungesë të ndërgjegjes fetare dhe jo si bashkëjetesë dhe shembull unikat të një qytetërimi të hershëm dhe të qëndrueshëm gjatë shekujve.
Pavarësisht qëndrimi unik të politikanëve shqiptarë, për atë që ata e quajnë qytetërim evropian, shtetet e Evropës me ndonjë përjashtim, jo vetëm që janë skeptikë lidhur shqiptarët, por kanë hezituar dhe do të hezitojnë t i pranojnë në radhët e veta, në radhë të parë për shkak të paragjykimeve të tyre fetare, mbështetur në kohën e Perandorisë Osmane, së cilës shqiptarët i kishin shërbyer me hir e me pahir, me qëllim për të mbijetuar në netët sterrë të zeza e ditët e përgjakura të historisë së tyre 500-vjeçare.
Evropës nuk i mjafton një Skënderbe, i cili kishte luftuar trimërisht jo për ta mbrojtur atë nga invadimi Osman, sepse atë nuk mund ta bënte, përderisa i mungonte ndihma edhe simbolike, por për ta ruajtur vendin e të parëve.
Pretendimet antihistorike se Skëndebeu ishte atlet i Krishtit se luftoi për krishterimin, nuk i ka besuar Evropa as i beson, sepse kanë qenë 30 e më shumë komandantë të shquar ushtarakë, me origjinë shqiptare, të cilët kanë luftuar kundër tërë Evropës gjatë tërë shekujve të sundimit osman. Evropa nuk e harron dot shqiptarin Kara Mustafë Pasha, që kishte mbajtur nën rrethim Vjenën, as Qypërlinjtë të cilën, për qindra vjet nën flamurin osman kishin mbajtur nën pushtim shtetet e Evropës.
Këto fakte mund t’ i keni harruar ne, ose bëhemi sikur nuk dimë gjë për to, por të mendosh se këto nuk i di Vatikani, Roma, Parisi, Berlini Londra, Madridi Moska, kjo është miopi dhe naivitet, sidomos i disa politikanëve tanë aktualë, që kanë kryer studimet me skripte, me duar në xhepa e fletore në rrip, pa lexuar qoftë edhe një libër të historisë se lerë më ndonjë vepër nga qindra syresh sa kanë shkruar evropianët për shqiptarët.
II.
Duke u kufizuar prej kohës së Bizantit, Perandorisë Osmane e deri në ditë tona, dihet se kalorësit, komandantët shqiptarë, (vezirët) kanë luftuar në radhët e Perandorisë Osmane, por edhe kundër saj, si Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Halil Patrona, Ali Pashë Tepelena e shumë të tjerë.
Një pjesë e madhe prej tyre kanë luftuar në radhët e Perandorisë Osmane, në luftërat kundër Rusisë, kundër Napoleonit dhe kundër shteteve që konsideroheshin armike të Perandorisë.
Shqiptarë, si Mehmed Ali Pasha, Ibrahim Pasha Kanë luftuar në krijimin e shteteve të Egjiptit e të Sirisë. Ata kanë marrë pjesë aktive në luftë për çlirimin e Greqisë, por një pjesë kanë luftuar edhe kundër saj. Po ashtu shqiptarët kanë luftuar edhe në radhët e kryengritësve rumunë, në luftën e tyre për liri e pavarësi, në shekullin 19-të.
Arbëreshët, apo shqiptarët e Italisë kanë luftuar në radhët e Lëvizjes Garibaldiste, në Itali dhe kanë qenë luftëtarët më besnikë të tij.
Mijëra shqiptarë Kanë marrë pjesë në luftën e Çana-kalasë, në vitin 1915 edhe pse Turqia e ndodhur përballë humnerës për vete, i kishte braktisur përfundimisht po në vitin 1915, kur repartet e fundit turke ishin tërhequr me humbje fatale nga viset e Shqipërisë dhe të vendeve të Ballkanit.
Shumë shqiptarë kanë marrë pjesë në luftë për çlirimin e Spanjës, nga diktatori fashist, Françisko Franko.
Në Luftën e Dytë Botërore kanë luftuar bashkë me Italinë dhe kundër saj, me Gjermaninë dhe kundër saj, me Jugosllavinë dhe kundër saj.
Brigadat shqiptare në Luftën e Dytë Botërore kanë luftuar edhe në Sanxhak dhe në Bosnje në ndjekje të forcave gjermane.
Po kështu, në kohën tonë, mijëra luftëtarë shqiptarë kanë marrë pjesë në çlirimin e Kroacisë dhe të Bosnjës e Hercegovinës kundër regjimit kriminal të Serbisë së Milosheviqit.
Me rastin e shpërbërjes së Jugosllavisë, shqiptarët i kanë udhëhequr tri luftëra çlirimtare, në Kosovë, në Kosovën Lindore dhe në Maqedoni.
Sot forcat ushtarake shqiptare, anëtare të NATO-s luftojnë në Irak, Siri dhe në Afganistan.
Grupe shqiptarësh nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria që në fillim të vitit 2012 kanë luftuar kundër regjimit vrastar kriminal të Basha al Assadit, në Siri.
Po kështu shqiptarë të ideologjizuar me frymën unitariste të Kalifatit kanë luftuar edhe në radhët e ISIS-it.
Në të gjitha këto dhe shumë luftëra të tjera, që nuk shënohen dot me një vështrim si ky, shqiptarët kanë luftuar kryesisht për çlirimin e popujve të robëruar, madje duke qenë edhe vetë të shtypur e të sunduar, por një pjesë e tyre kanë qenë edhe mercenarë, ashtu sikur disa prej tyre janë edhe sot.
Mirëpo karakteri luftarak dhe shpirti kryengritës i shqiptarit është tipari, është veçoria që i dallon nga të gjithë popujt e tjerë të Evropës. Nuk ka pjesëtarë të asnjë populli tjetër të Evropës që të kenë marrë pjesë në aq shumë luftëra gjatë shekujve, sa kanë marrë shqiptarët.
Dhe shqiptarët e sotëm që dukur kanë luftuar në tërë botën, sot ende janë të ndarë në gjashtë shtete, dhe ende nuk janë të gatshëm për luftën e tyre të fundit, luftën për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm në parimin e vetëvendosjes, mbi parimin etnik dhe historik.
III
Ja si na kanë përshkruar dhe si na përshkruajnë studiuesit, etnologët, gjenealogët e filozofët evropianë e të tjerë:
Gjeneologu, Isidore Dumont: Veprimet e tyre ndikohen vetëm nga instinkti; veprojnë shpejt dhe pa i peshuar konsekuencat; janë të mirë prej natyre dhe pranojnë dhurata pa u detyruar për mirënjohje, por gjithashtu janë dorëhapur dhe nuk pretendojnë mirënjohje. Kjo pikëpamje dhe prirje që të nderojnë shpejt vendin, i jep karakterit të tyre një ngjyrë naive. Shqiptarët janë mikpritës dhe shumë sensibël; fesë i japin pak rëndësi. Urrejtja zë rrënjë të thella në shpirtin e tyre, por zhduket sapo kënaqet. Shqiptari aty qesh aty qan, aty gëzohet aty zemërohet. Pendimi ose dhimbja e vazhdueshme në qetësi, nuk janë për të. Sipas pikëpamjes shqiptar i mirë është trimi dhe i keq frikacaku, zgjuarsia për ta mundur kundërshtarin dhe aftësia e vjedhjes pa e kuptuar, sipas pikëpamjes shqiptare, janë tipare të mira.
Edith DURHAM: intelektualja angleze me famë dhe mikja më e madhe e shqiptarëve në vitin 1909 ka shkruar: Të gjithë shqiptarët në realitet nuk janë as muhamedanë as të krishterë; feja për ta është vetëm formë e jashtme. Shqiptarët e shkolluar janë tregtarë të shkathët (të zotë) dhe të gjithë kanë individualitet të theksuar. Për fiset e ndryshme mund të thuhet: Të Shkrelit janë të dashur, pa të keq; janë të qeshur, mikpritës dhe e ruajnë kodin e nderit. Të Selcës janë punëtorë dhe më të urtë (nuk kanë qejf të grinden) si malësorët e tjerë; në fisin e tyre vjedhjet janë shumë të rralla. Shaljanët kanë virtytet dhe të metat e popujve primitivë. Aty preken, aty duken të pandjeshëm. Nxehen për një vrasje dhe vazhdojnë të vrasin. Shaljanët dallohen si të egër dhe njëkohësisht si naivë, dorëhapur, besnikë. Janë të afrueshëm dhe mikpritës. Të Dushmanit janë pak seriozë, janë të qeshur e, pjesërisht, tepër të qeshur. Vrasjes nuk i japin shumë rëndësi; e çmojnë bile si të pashmangshme. Fjala që jepet, mbahet natyrisht edhe këtu. Se i shtrohen më shumë impulsit të çastit, prandaj Nikajt çmohen si njerëzit më të egër edhe primitivë të të gjithë Malësisë së Veriut. Në naivitetin e tyre gëzohen për gjëra fare pa rëndësi. Besa bashkëshortore në martesë nuk është fort e zhvilluar në Nikaj. Si në Berishë, ashtu edhe atje, janë të dhënë shumë pas besëtytnive, pas vjedhjeve dhe grindjeve midis tyre, por fjalën e mbajnë edhe atje. Feja për ta nuk ka asnjë kuptim, është diçka fare formale. Anekdotat e lehta i kanë shumë në qejf. Për mirditasit, Durhami thotë se kanë prirje për grabitje, por rregull të madh nëpër mbledhje. Ndodh, thotë, që pas një vrasjeje iu vjen keq për plumbin.
Thomas ELIOT: Edhe shqiptarëve me pozitë (ose kulturë?!) të lartë iu mungon shumë herë një mendim-bazë në veprimet e tyre. Influencohen nga motive dhe simpatia personale. Gegët janë prej natyre luftarakë. Të gjithë janë shumë të zgjuar dhe nuk e njohin urrejtjen fetare; urrejnë vjedhjen, por grabitja nuk u duket diçka çnderuese. Është popull tradhtar, me faktin se shumica ka pranuar islamin dhe padrejtësisht e mbajnë për popull besnik; janë të pa bindshëm dhe kanë një neveritje të natyrshme, kur dikush i urdhëron, qoftë klerik apo laik. E braktisin lehtë vendin e tyre. Kodi i nderit zbatohet instinktivisht dhe vetëm sepse për ndryshe jetesa do të ishte e pamundur nga shkaku i grindjeve, armiqësive të vazhdueshme.
Gibert Joseph: I quan shqiptarët të zgjuar, si fëmijë, kalorës dhe të pabesë, dorëhapur dhe hajdutë, të përshpirtshëm dhe prapë pa ndjenjë fetare. E duan vendin e tyre, por nuk kanë ndjenjë kombëtare. Në pikëpamjen fetare janë tolerantë dhe prapë marrin pjesë në luftëra të përgjakshme fetare. Janë shumë të zgjuar dhe të gjitha anomalitë e karakterit të tyre shpjegohen me vobekësinë, injorancën dhe impulsivitetin e tyre.
Gjeneologu, Hene GODIN: Shqiptari ka zgjuarsi dhe energji të pashlyeshme, çështje, interesa dhe nderi personal dalin në ballë përpara çështjeve publike. Secili është njeri partie. Shqiptarët, që nuk ndikohen janë trima dhe moralisht të dalluar, të pastër, të pazotë të thyejnë fjalën që japin; janë mikpritës, kanë iniciativë personale të plotë, më tepër praktikë dhe të matur sesa idealistë; përgjithësisht jo fort fetarë dhe shumë herë kanë pikëpamje të çuditshme për të drejtën. Në zbatimin e gjakmarrjes shqiptari është trim dhe i palëkundshëm. Grabitja është e ndershme. Amaneti është i shenjtë. Një karakter kryekëput tjetër tregojnë shqiptarët, që janë takuar me kulturën. Këta në shumicën e tyre janë njerëz që fshihen dhe nuk ecin, të cilët e kanë humbur frymën e kodit të vjetër dhe të rreptë të së drejtës dhe të nderit shqiptar, pa bërë të vetën kuptimin e së drejtës evropiane. Këta i shfrytëzojnë të tjerët pa turp, nuk kanë gjë të shenjtë, shesin nderin e tyre për arin. Me shqiptarët e tjerë nuk kanë asgjë të përbashkët përveç lakmisë. Nuk kanë nder, mohojnë të mirën, që u kanë bërë një ditë më parë, janë heronj me fjalë por burracë në realitet dhe e mbajnë veten për të vetmit përparimtarë, për të zgjuar, se nuk njohin norma morale dhe ligjin e hakmarrjes; e mbajnë veten si mbartës të kulturës evropiane.
Charles Joseph Gravier: Sa i përket fesë, shqiptari nuk është aq fanatik sa është sllavi i jugut. Ai është impulsiv dhe nuk e peshon fort, prandaj nuk është konsekuent në veprimet e tij. Shefat e shqiptarëve janë krenarë, në çështje nderi shumë sensibël dhe i ruajnë fort të drejtat e klasës, por njëkohësisht kanë ryshfet dhe e duan luksin.
Herman Wirth: Thotë për shqiptarët se janë partikularistë dhe shumë të zgjuar, dhe kujton se janë dhënë shumë pas lodrave dhe pas sportit. Kanë një ndjenjë tepër të zhvilluar të nderit. Për Wirthin janë vetëm bogasit të pabesë dhe, si duket, në pikëpamje të moralit seksual ndodhen në shkallë të ulët.
Jovan CVIJIQ: Si të gjithë popujt e ciklit patriarkal të Gadishullit Ballkanik edhe shqiptarët dallohen për kuptimin moral të qartë, të palëkundshëm, për moralitetin e tyre gati të rëndë, për mënyrat e prera, shumë herë të egra, të veprimit. Kanë një ndjenjë të fortë për bashkësinë e fisit dhe të familjes dhe, njëkohësisht, tregojnë një shpirt të sakrificës, që nuk sprapset përpara asnjë pengese.
Historiani romak Taciti: “Ilirët janë një popull i fuqishëm, me sy të errët, të matur, guximtarë, kryelartë që nxjerrin ushtarë të mirë”.
Timotheos: “Shqiptarët janë më luftarakët e botës”.
Maurico Druon, sekretar i akademisë frënge: “Shqiptarët i përkasin popujve më të vjetër se vetë historia, dhe gjyshërit e shqiptarëve merrnin pjesë në luftën e trojës, të udhëhequr nga Akili (në njërën anë) dhe Hektori (në anën tjetër)”
Lamartini: “Ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë… Kjo është toka e heronjve të të gjitha kohërave… Homeri aty gjeti Akilin, grekët Aleksandrin e Madh, turqit, Skënderbeun, njerëz këta të së njejtës racë, të të njejtit gjak”.
Nikolla Jorga: “Populli shqiptar së bashku me baskët, janë më të vjetrit në Evropë”.
Maximilian Lambertz: “Historia e Vërtetë e njerëzimit do të jetë e shkruar, vetëm kur ajo do të shkruhet me pjesëmarrjen e shqiptarëve.
Bajroni: “Shqiptarët me kostumet e tyre bëjnë një peizazh më të mrekullueshëm në botë… Shqiptarët janë raca njerëzore më e bukur që ekziston, trima më të fortë se kështjellat e tyre”. Për dy nipërit e Ali Pashë Tepelenës, ka thënë: “Janë krijesa më të bukura që më ka zënë syri… Femra shqiptare vetëm njërit ja fal trupin dhe zemrën, atij që e dashuron”.
Branisllav Nushiq: “Shqiptarët janë autoktonë, të cilët gjatë të gjitha dyndjeve të popujve, e ruajtën tipin dhe karakterin e vet në mënyrë të theksuar. Ata u bënë ballë sulmeve të romakëve, mësymjeve të dendura të sllavëve, të cilët ua pushtuan të gjitha fushat, ultësirat, dhe lumenjtë”.
Dushko Konstantinov: “Shqiptarët janë banorë më të vjetër të Gadishullit Ballkanik dhe pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve të vjetër, të cilët kishin ndërtuar shtetin më të fuqishëm në Ballkan”.
Johanes Hahni: “Shqiptarët janë pasardhës të Ilirëve, ndërsa ilirët janë pasardhës të pellazgëve. Shqiptarët janë stërnipërit e Pellazgëve”.
Haki Pasha: “Po doli në shesh historia e shqiptarëve, Perandorinë Osmane e merr lumi”.
Ami Boue: Gjeolog i shquar austriak, i cili u be i famshem ne lidhje me studimet e tij gjeologjike ne Perandorine Osmane thote per shqiptaret: “Shqiptarët janë njerëz më të bukur në Perandorinë osmane”.
Branton. Ky publicist, ka shkruar: “Shqiptarët ishin themeluesit e kalorësisë së lehtë dhe se me ushta të gjata dhe me flamurkat në majat e tyre, e nisnin betejën, duke u sulur me vrul mes rreshtave të armikut dhe jepnin goditje duke krijuar pështjellim”.
Vranisheviq: Piktor nga Vojvodina: “Është mrekulli ta shohësh popullin trim luftëtar shqiptar… Ata nuk lodhen për pasuri e luks… gjithmonë janë të armatosur, madje edhe gratë të cilat njihen nga shikimi i tyre krenar dhe të ecurit të sigurt… Lumturinë nuk e kërkojnë te bukuria, por në kënaqësinë e tyre, të burrit të vet, të fëmijëve dhe popullit të tyre”.
Eriksoni: misionar amerikan: “Nuk ka popull më shpirtmirë e më të sjellshëm në Evropë se shqiptarët. Ata, përbëjnë një element të fuqishëm burrërie. Mblidhen me besnikët më të adhe dhe japin jetën për fjalën e dhënë”.
Falmajeri “Shqiptarët me armë të vetme burrërinë dhe shpirtin luftarak, u rruajtën për 1000 vjet dhe arritën të mbijetojnë… Kryengritja greke e shek. XIX, që shpëtoi Greqinë nga zgjedha turke, qe vepër e shqiptarëve”.
Fransua Pukëveli: “Shqiptarët që mund të quhen skithët të Perandorisë së Lindjes…janë plot entuziazëm për atdheun e tyre dhe për të flasin vetëm në superlativ… Nuk ia ndajnë kurrë sytë maleve të Epirit… Mbajnë mend mirë pavarësinë që e gëzonin”.
Gerard de Nerval: “Ngado që ishin shqiptarët shiheshin si luftëtarë kryenecë që nuk e përfillnin vdekjen”.
Gligor Përliçev: “Të gjithë shqiptarët janë zemërgjërë, mendjemprehtë dhe mirënjohës të mëdhenj; janë mikpritës dhe të besës si asnjë komb tjetër, të ndershëm, thellësisht liridashës dhe të patrembur në luftime…”.
Ibn Kemali. Historian osman: “Shqiptarët e ndezën zjarrin e luftës, morën në duart e tyre ushtat, të cilat u ngjanin gjarpërinjëve helmues, dhe qëndruan në grykat e shpellave. Ata luftuan deri në kohën e mbrëmjes… Kur lufta pushoi, ata porsi lumenj vërshuan mbi ushtrinë tonë dhe e thyen atë…”.
Jovan Haxhivasileviq. Më 1918 shkruante se shqiptarët e Dibrës kurrë nuk i kanë zbatuar urdhërat dhe reformat e sulltanit, pushtetit turk aty ka qenë vetëm formalisht
Lamartini. “Nuk ka pendë as penel që mund të shprehë sakrificën heroike të banorëve (të Shqipërisë) në luftrat që kanë bërë kohëve të fundit, më shumë se askush tjetër, për çlirimin e Greqisë”. Ai për shqiptarët ka shkruar edhe këtë: “Ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë… Kjo është toka e heronjve të të gjithë kohërave… Homeri aty gjeti Akilin, Grekët Aleksandrin e Madh, Turqit Skënderbeun, njerëz këta të së njëjtës racë, të të njëjtit gjak e të së njëjtës gjini”.
Huacunthe Hecquard: “Në asnjë vend të botës femrat nuk janë më të respektuara dhe nuk ushtrojnë një veprimtari më të fuqishme se shqiptaret dhe se disa nëna shqiptare kanë përzënë prej shtëpisë bijtë e vet, pasi ata ishin larguar nga fronti i luftës, ato i kishin kthyer në fushën e betejës”.
Ritton: “Gratë arvanitase janë më të pastra se gratë greke”.
Madam Senja, një greke, nënë e një poeti francez: “Vallja e njohur “hasapikos”, që kërcehej nga arvanitasit e konkretisht nga kasapët, “përbënte një rishfaqje skenash luftëtarësh të vjetër qysh nga epoka e Aleksandrit të Madh”.
Marieta Vasilesku. Kjo rumune filoshqiptare, në një rast ka thënë se ka parë një ëmbëltor të Sharrit, shqiptar, i cili edhe pse flinte me hanxharin nën jastëk, ishte njeriu më besnik, më i ndershëm dhe më i guximshëm i Bukureshtit
Michael Attaleiates. Kronist bizantin. Në v. 1034, ka shkruar: “Arvanitët janë njëri nga popujt më të çuditshëm. Ata nuk i ka bindur Roma as katolicizmi, nuk e di se sa sukses do të kemi ne. Ata i mbahen ende origjinës së tyre pagane dhe nuk e braktisin vendin”.
Pushkini: “Vetëm gjatë një beteje në Revolucionin rumun, mernin pjesë 700 shqiptarë”.
Rozher (1922): “Shqiptarët trajtojnë mikpritjen si një rit të shenjtë. Ata nuk dinë si ta falenderojnë mikun që e ka nderuar duke kaluar pragun e shtëpisë së tyre”.
Stadtmuller: “Lufta greke për liri, nuk mund të mendohej pa elementin shqiptar”. (Sidomos, pa Ali Pashë Tepelenën, i cili e nxiti Kryengritjen e v. 1821, dhe pa të cilin edhe sikur të fillonte ajo kryengritje, “do shuhej qysh në djep” – thuhet në literaturën historike).
Vuk Karaxhiq: “Ne Serbët duhet të marrim shembullin e shqiptarëve të cilët i përkasin – tri feve e konsiderojnë njëri tjetrin bashkëkombës dhe shqiptari mysliman i vret 10 turq për një shqiptar të krishterë, ndërsa shqiptari katolik i vret 10 italianë për një shqiptar mysliman apo ortodoks dhe po ashtu shqiptari ortodoks i vret 10 grekë për një shqiptar mysliman ose katolik.
BOLLE (1891) Përshkruan mirditasit si trima, të patrembur, gjakësorë (të pamëshirshëm), me prirje për grabitje, të kënaqur me pak, të ftohtë, mikpritës, mendjelehtë, fals, lakues, hakmarrës në mënyrë qesharake të kotë, kokëfortë, kryelartë, me vetëbesim dhe liridashës; janë të lidhur pas truallit të vet, pas familjes, se vetëm atje gjejnë mbrojtje. Mirditasi punon sa është e domosdoshme; vjedhjen dhe grabitjen nuk i ka për turp.
BALDACI (1901): Të gjithë shqiptarët janë mikpritës, i vetmi ligj i kelmendasve është arma e tyre. Hotjanët janë trima, të mirë, të qetë; shaljanët më pak të egër se të gjithë malësorët e tjerë, njëkohësisht të gjallë, të shkallët prej natyre; shaljanët janë veçanërisht të egër.
BOUÉ (1840): Shqiptarët janë të gjallë, të qeshur, të shkathët, i kapin shpejt gjërat; krenarë dhe trima; punojnë sa u duket e domosdoshme. Egërsia dhe mungesa e mëshirës janë rezultati i rrethit në të cilin jetojnë. I mungon ndjenja e hakmarrjes dhe shqiptari hakmerret se është për të një detyrë shoqërore. Gegët, meqenëse nuk dinë të mposhtin gabimet e tyre, kanë diçka naive në karakterin e tyre. Veçanërisht krerët e tyre janë politikisht të lëkundshëm dhe marrin “ryshfet”; toskët e kanë këtë edhe më tepër.
BRAILSFORD (1906): Brailsfordi i quan shqiptarët të ndershëm, besnikë, njerëz që mund të mbështetesh te ta, pa frikë, që i dallon mirësjellja dhe ndjenja e pavarësisë. Sipas Brailsfordit janë të shkathët, kanë diçka agresive në krenarinë e tyre, që ndryshon nga kotësia e thjeshtë në vetëdije morale (sedër). Shqiptari e urren gënjeshtrën, dhe e mban fjalën që ka dhënë, edhe kur mund t’i sjellë ndonjë rrezik.
CALLAN (1899): Callani i quan shqiptarët racë fisnike e vjetër, besnike, e virtytshme dhe mikpritëse. Shqiptarët i kapin gjërat shpejt, si grekët, por janë më të qëndrueshëm dhe si sllavët, kanë kujdesin të thellohen, pa qenë të bezdisshëm si ata. Ata nuk çajnë kryet për ligjet.
COZEM-HARDY (1894) SHKRUAN: Malësori nuk e njeh tradhtinë. Premtimi mbahet, mikpritja vihet në zbatim, por pastaj jeta e njeriut për ta nuk vlen shumë.
CHLUMCKY (1907) Shkeljen më të vogël të nderit, grindjen më të vogël për pronë e lan pushka; hakmarrja çmohet si detyra më e shenjtë. Askush nuk do të guxonte të thyejë të drejtën e shenjtë të mikpritjes. Lirinë pa fre shqiptari e çmon përmbi të gjitha.
COZZI (1912): Malësorët janë krenarë. Hakmarrja është për ta detyrë nderi. Preken shumë lehtë; në marrëdhënie me grua janë të sjellshëm. Në shoqëri tregohen sikur nuk interesohen për tituj, ndërsa në realitet i duan fort. Morali i tyre në lidhje me femrat dhe mikpritja e tyre qëndrojnë shumë lart.
DEGRAND (1901): Malësorët pranë Shkodrës janë krenarë dhe shumë mikpritës; mirditasit veçanërisht hakmarrës, fetarë fanatikë, por besnikë të fjalës, që kanë dhënë. Vjedhin nga viset përreth, vetëm se trualli i tyre është i varfër dhe se nevojat e mikpritjes dhe të festave janë tepër të mëdha. Janë gjaknxehtë dhe sensibël; morali shoqëror në lidhje me femrat, qëndron shumë lart.
Literatura:
Hammer: Historia e Perandorisë Osmane,
RKL: Vezirët kokëprerë shqiptarë gjatë kohës së Perandorisë Osmane,
Wikipedia,
Gazeta Monitor,
Edith Durham, Brenga e Ballkanit, Tiranë 1990,
Piro Tase: Të huajt për Shqipërinë dhe Shqiptarët,
Portali: Forumi shqiptar,
Gazeta: Dita,
Lajmi. Net,
Medie e portale të ndryshme.