Elez Durmishi ka caktuar Sejdi Elezin që me traktorin e tij të na përcjellë nëpër Grykën e Thatë deri në Divjakë. Po në këtë traktor Elezi ka ngarkuar një sasi ndihmash ushqimore të cilat ia dërgon Musë Jasharit për familjen e tij. Pasi jemi nisur te Spitali e kemi takuar edhe Besim Gashin i cili po ashtu synon të ngjitet në Rrafshnaltë. Duke qenë se ai ka traktor më të madh, pastaj edhe me zinxhirë, zbresim nga traktori i Sejdi Elezit dhe vendosemi në rimorkion e traktorit të Besim Gashit.
Unë e Berati fillimisht kemi shkuar në Fshatin e Ri, ku duhet të takohemi me dy teknikë të radios të cilët kanë ardhur nga Prishtina me qëllim që ta rregullojnë antenën për transmetim.
Vendosemi në një shtëpi afër shtabit lokal të UÇK-së. Aty takohemi me Blerim Pejën, djali i atdhetarit Sami Peja. Pas një kohe vjen edhe Musë Jashari, oficer i ndërlidhjeve dhe Fatmir Limaj. Pas konsultimit me Blerim Pejën, kuptojmë se mungojnë disa pajisje për ta kompletuar teknikën transmetuese. Po kështu kontestohet edhe vendi i montimit të antenës, meqë ajo mund të identifikohet nga forcat serbe përmes radiovalëve.
Blerimi tregon se antena duhet të jetë në një pikë të lartë dhe nuk bën të kamuflohet. Disponimi i disa anëtarëve të Shtabit e veçmas i Shefit të Shtabit Bislim Zyrapi është që radioja të vendoset në një territor tjetër dhe jo këtu, për shkak se rrezikohet Shtabi dhe Rrafshnalta.
E kuptojmë se dikush nga anëtarët e Shtabit ka menduar se puna e radios është sikur montimi i ndonjë kasetofoni në veturë. Pas bisedës më të gjatë me Blerimin, i cili na shpjegon krejt ecurinë e punëve kuptoj se duhen bërë edhe shumë parapërgatitje serioze për aktivizimin e Radios.
Në kohën kur po ktheheshim këmbë nga fshati i Ri në drejtim të Divjakës takojmë disa togje ushtarësh të armatosur të cilët sapo kishin arritur nga Shqipëria dhe po bëheshin gati për të depërtuar në Drenicën Qendrore.
Ata kanë ngarkuar mbi supe armë dhe municion. Ashtu të ngarkuar do të zbresin nëpër Grykën e Thatë dhe më vonë do të kalojnë në zonat ku janë të sistemuar. Ndërkohë, armët i ngarkojnë në traktorin e Besim Gashit i cili niset së bashku me ta.
Në Divjakë kemi takuar Jakup Krasniqin, Ramë Bujën, Sokol Dobrunën dhe disa anëtarë të tjerë të Shtabit. Sokol Dobrunën e kanë caktuar drejtor të drejtoratit për Judikaturë. Ai po qëndron në Divjakë dhe ka përgatitur një aktvendim për lirimin e dy gazetarëve serbë dhe të dy të tjerë të cilët po mbahen në arrest. Ata janë amnistuar me vendim të Shtabit dhe do të lirohen me rastin e festës kombëtare të 28 Nëntorit. Berat Luzha parashtron disa kërkesa të arsyeshme për mjete pune dhe pajisje për të kompletuar Agjencinë. Me rastin e një vjetorit të daljes publike të UÇK-së, Jakup Krasniqit ia kam dhënë një shkrim, me qëllim që t`ia dërgojë ndonjë agjencie apo gazete për botim.
Pasi është errësuar së bashku me Berat Luzhën jemi nisur nëpër Grykën e Thatë të mbuluar me dëborë. Ecim, rrëshqasim, vrapojmë, ndalojmë. Ecja natën nëpër këtë Grykë dikur ka qenë e rrezikuar nga ujq e arinj. Mirëpo tani prore depërtojnë xhipa të komandantëve dhe traktorë të logjistikës, kështu që nga egërsirat nuk ka rrezik.
Në vendin e caktuar e gjejmë Elez Durmishin i cili na pret së bashku me një ushtar tjetër. Pa vonuar vjen për të na marrë me veturë, Sejdi Elezi…