Ahmet Qeriqi: Shteti i Kosovës është ndërtuar sipas planeve dhe jo sipas parimeve të njohura ndërkombëtare

 


Zhvillimet e kohëve të fundit në vendin tonë kanë nxjerrë në sipërfaqe shumë defekte të Shtetit të Kosovës, të cilin, të këtillë sikur është, e kanë njohur 53 shtete të botës.
Shteti i Kosovës është krijuar në bazë të një plani, të cilin e ka hartuar ish-kryenegociatori për zgjidhjen e statusit, Marti Ahtisari dhe stafi i tij. Në këtë aspekt Kosova është krijuar si shtet artificial, për nga përmbajtja i ngjashëm me statutet e autonomive, të cilat në vend të kushtetutës kanë një statut ku përcaktohet mënyra e qeverisjes dhe ekzistencës së një entiteti të tillë me tipare të veçanta. Një statut të tillë e ka pasur Kosova pas Kuvendit të Prizrenit të gushtit të vitit 1945, e deri në vitin 1963.
Dallimi mes statutit të kohëve të kaluara dhe planit të Ahitsarit nuk është aq i madh sa pretendohet nga qeveritarët dhe analistët shërbëtorë të regjimit, por në disa segmente mbetet më i varfër sesa statusi i vitit 1963, kur Kosova ishte shpallur njësi e veçantë territoriale në kuadër të Republikës së Serbisë. Më vonë, me Kushtetutën e vitit 1974, Kosova do të përcaktohet si njësi në përbërje të Serbisë, por në një segment lidhej edhe me Federatën jugosllave, krijesë kjo, e cila asokohe ishte sajuar nga gjashtë republika dhe dy njësi autonome.

Pakoja, apo plani i Ahtisarit e përkufizon Kosovën si shtet shumëkombësh, me të drejta dhe liri të veçanta për entitetin serb dhe me synim për krijimin e identitet kosovar të shqiptarëve të kësaj pjese të Shqipërisë.
Plani i Ahtisarit është projektuar duke pasur për bazë të gjitha planet e mëparshme antishqiptare, qysh nga “Naçertanija” e Ilia Garashaninit e deri të Plani për dëbimin dhe asgjësimin e shqiptarëve të Kosovës, të hartuar nga historiani shovinist serb, Vasa Qubriloviq dhe shkrimtari serbo-boshnjak Ivo Andriq , i cili ka marrë çmimin “nobel” për letërsi, ashtu sikurse e ka marrë edhe Marti Ahtisari për hartimin e planit të tij. Në dukje kemi një plan që përfillë të drejtat dhe liritë universale të njeriut, por që përjashton çdo shenjë, çdo simbol të kombit shqiptar, duke sanksionuar madje edhe ngjyrat e natyrës, të kuqën dhe të zezën, të cilat janë përjashtuar nga dukja e flamurit zyrtar të Kosovës, vetëm e vetëm që në flamurin e ri të mos ketë as edhe një element të flamurit tonë kombëtar, pikërisht sepse shteti i Kosovës nuk është krijuar si rezultat i luftës shekullore kundër pushtuesit serb, edhe pse një luftë e tillë u zhvillua dhe u pranua nga një pjesë e faktorit ndërkombëtar, as u krijua si rezultat i së drejtës së kombeve për vetëvendosje. Duke përjashtuar këto dy kategori esenciale dhe të vetme të krijimit të një shteti të ri, u arrit kompromisi, që për statusin përfundimtar të Kosovës të hartohet një plan dhe në bazë të atij plani të nxirret një Kushtetutë dhe ligjet e veçanta.

Kreu qeveritar i vendit “planin” e Ahtisarit e krahason me Biblën dhe Kuranin, që do të thotë se ky plan po trajtohet si libër i shenjtë i kosovarëve që flasin shqip, edhe pse planin e ka hartuar një njeri, i cili ka treguar me vepër se shqiptarët i urren patologjikisht ashtu sikur Andriqi apo Çubriloviqi, të cilët zgjidhjen e çështjes shqiptare e shihnin në asgjësimin e elementit shqiptar, ndërsa plani i Ahtisarit parasheh vdekjen graduale të identitetit shqiptar dhe krijimin e identitetit kosovar.
Në këtë aspekt, plani i Ahtisarit është më i avancuar, madje më human në dukje dhe i përshtatet kohës dhe rrethanave mbizotëruese në botë, kur po shihet dhe po kuptohet fare qartë se në kushte dhe rrethanat e sotme, nuk është lehtë ta zhdukësh një popull, për shkak të përkatësisë, fesë apo traditës. Këtë e provoi Milosheviqi, por nuk ia doli.
Ndërsa Marti Ahtisari, ia doli, madje arriti që planin e tij, i cili nuk u pranua në OKB, as në NATO, as në BE dhe as në Serbi, ta bëjë të pranueshëm pa asnjë rezervë për klasën politike të Kosovës, e cila u lejua që në kuadër të këtij plani ta shpallë pavarësinë e Kosovës dhe të nxjerrë ligje konform këtij plani.

Prej ditës së shpalljes së kësaj pavarësie, Kosova nuk është më ashtu sikur ka qenë në të kaluarën, por nuk është as shtet me norma dhe predispozita të caktuara ndërkombëtare.
Institucionet e vendit nuk shtrihen në tërë territorin, nuk kanë sovranitet dhe nuk mund të ushtrojnë detyra të caktuara në shtetbërje. Kosova nuk ka as pritet të ketë vend në OKB, apo në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, nuk ka as nuk do të ketë ushtri, nuk ka dhe as parashihet të ketë kufij të mbrojtur, madje as dogana, në të gjitha hyrjet e daljet e saj.
Kosova sipas planit të Ahtisarit nuk është mish, as peshk. Këtë e di tërë bota, e dinë të gjithë shqiptarët në përgjithësi, por nuk janë në gjendje të bëjnë diçka më shumë, sesa të vazhdojnë ta pranojnë improvizimin e shtetit dhe të institucioneve me retorikën tashmë të njohur, por edhe të deplasuar.
Çfarë shteti është ky, kur një qytetari shqiptar i ndalohet madje edhe të hyjë në shtëpinë e tij, ashtu sikurse mijëra shqiptarëve të tjerë që iu ndalohet kthimi në shtëpitë e tyre, në veri të vendit, kurse qindra mijëra serbë, sipas planit të Ahtisarit po përgatiten të kthehen nëpër enklavat serbe, të cilat do të qeverisen vetëm nga Beogradi, nga EULEX-i dhe nga Kisha serbe?
Këto janë vetëm disa nga segmentet antishqiptare të planit të Ahtisarit. Pranimi i këtij plani është kushtëzuar me krijimin e një shteti hibrid, pa asnjë përmbajtje esenciale të shtetit të mirëfilltë, por me një performansë të shprehur retorike dhe me improvizime deri edhe naive, por të shpërfytyruar në tërësi nga identiteti kombëtar shqiptar.
Kosova është shtet invalid, i krijuar me qëllim, jo për ta zgjidhur çështjen kombëtare shqiptare në Ballkan, por me qëllim të diskreditimit të etnosit shqiptar, mu për shkak të besimit islam dhe për shkak të urrejtjes shekullore të shumë shteteve të Evropës kundër kombit tonë. Mjerisht, Evropa edhe kësaj radhe po arrin të na nënshtrojë duke keqpërdorur një kastë të politikanëve shqiptarë, lehtë të konvertueshëm, të cilët mbi të gjitha kanë prirje dhe synime që të sundojnë edhe nën EULEX-in, ashtu sikur dikur na kishin sunduar nën Jugosllavinë, ashtu sikur na kanë sunduar nën UNMIK-n.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …