Kaloi edhe një natë e gjatë me shqetësime, të cilat u shumëfishuan si rezultat i granatimeve dhe shiut të rrëmbyeshëm. Popullata e zhvendosur po iu adaptohet rrethanave. Askush më nuk ankohet, edhe pse në fytyrat e tyre hetohet zemërimi, urrejtja për armikun por edhe për ndonjërin nga ne, që mund ta konsiderojnë fajtor për këtë katandisje.
Sot në orën 10.00 ekipi i mjekëve tanë në përbërje: Jakup Ismajli, Naser Bytyqi, Reshat Gashi dhe disa motra medicinale kanë shkuar në Karaçicë për t`i bërë kontrollime popullatës e cila ndodhet e strehuar atje. Reshati ka marrë me vete edhe kamerën, me qëllim të incizimit. Me ta ka shkuar edhe ushtari Hasan Avdyli nga Carraleva. Hasani është arsimtar i historisë. Atij i kam dhënë mësim në shkollë të mesme. Qysh në fillim së bashku me Naim Ismajlin dhe shumë të rinj nga Caraleva është futur në radhët e UÇK-së.
Sot i lexova dy të përditshmet, Koha ditore dhe Bujku, të cilat i ka sjellë një fshatar yni që ka ardhur nga Lipjani.
Bujku, bën politikën e bujkrobërisë feudale politike. Sintagma UÇK, gati se nuk hetohet. Shquhet në këtë mes shkrimi i UDB-ashit Jusuf Buxhovi, i cili vazhdimisht e ka atakuar luftën tonë të drejtë. Ai, qysh moti ka kërkuar nga Ibrahim Rugova pacifikimin e “malokëve” të Drenicës, të cilët dinë çka bëjnë por nuk dinë çka duan. Një shkrim tjetër të pështirë dhe të ndotur e ka shkruar edhe njëfarë Nexhmedin Spahiu, ku di çfarë politike mund ta ketë pjellë, këtë farë skribi të djallëzuar. Këta horra të idiotizmit gazetaresk ma sjellin në kujtesë atë fjalën e urtë, Stambolli digjet e kurva krihet.
Këto faqe të horllëkut e të qyqarisë shtazarake, duhet ruajtur si dëshmi për kohën, për të ardhmen. Dëshmi për të parë se deri në ç masë ka pësuar ky pleh njerëzor, i ngritur në hallakamë ogurzeze kundër vëllezërve të një gjuhe e të një gjaku, vetëm sepse këta nuk duan të jetojnë nën robëri dhe nuk i besojnë skllavërisë, pritjes e durimit të paskajshëm.
Punën e kujt e bën ky horllëk njerëzor?
A thua sa i paguan Serbia okupatore të tillët?
Apo ndoshta nuk i paguan fare, sepse shqipfolës të tillë ka pasur në çdo periudhë të historisë sonë jo edhe aq të lavdishme sa e kemi zakon ta përshkruajmë.
Si duket tetëdhjetë e pesë vjet të robërisë nën Serbinë okupatore e kanë bërë të vetën. Nuk janë pak ata shqiptarë që janë kurorëzuar politikisht dhe intelektualisht me serbët dhe përgjithësisht me racën sllave. Nuk janë pak as gjakpërzierët, as kumbarët e pobratimët, as ata që edhe aktualisht i shërbejnë në front dhe në zonat e luftës. Kam frikë se kështu sikur kanë filluar të rrokullisen punët, mund të ndodh edhe ndonjë përplasje e brendshme, e kobshme, sikurse në Liban.
Dita ka kaluar nën zhurmërimin e aeroplanëve ushtarakë serbë.
Vëmendja e faktorit ndërkombëtar u zhvendos nga Kosova në Najrobi, me rastin e shpërthimit të një lënde ekspoloduese në një godinë amerikane, me ç`rast kanë pësuar shumë qytetarë amerikanë dhe vendës.
Pas dite ka ardhur Faruk Gashi. Ai ushtron roje vëzhgimi në Lezhë, së bashku me Hasan Qeriqin dhe Naim Rizanin. Ai rrëfen për gjëra që i kam dëgjuar sa e sa herë. Është i mllefosur përse nuk i kanë dhënë rast të takohet me Azem Sylën. Është fare i sigurt se këtë dikush e ka bërë me qëllim por nuk është në gjendje t`i thotë hapur askujt. Mundohet me çdo kusht të më bind se gjatë mungesës së tij gjashtëditëshe nuk ka bërë manovrime. Unë i besoj vetëm falë Kadrie Gashit dhe Azem Sylës. Azemit i kam thënë se do të mundohem ta kem nën kujdes, por nuk jam fare i sigurt se ç mund të ndodh me të. Ai në këtë mes është një dele e zezë, të cilën nuk e durojnë shumica, jo sepse mund të kenë fakte të qëndrueshme për ndonjë gabim të mundshëm, por sepse e kanë parë sa e sa herë në prani dhe shoqëri të policisë vendore në Shtime.
Në mbrëmje me Heset Hamdiun dhe Elez Durmishin kemi zbritur në shtëpinë ambulancë, e cila është vendosur afër Shtabit vendor, në shtëpinë e Aziz Hamdiut. Me Elezin kemi biseduar lidhur me ikjen paparalajmëruar të Xhevat Ollurit, i cili ka marrë me vete edhe 12.000 Dm, që i kemi grumbulluar nga popullata e fshatit, gjatë muajit korrik për ta rregulluar shkollën, e cila duhej të na shërbente edhe për kazermë.
Në orët e vona të natës, derisa të gjithë në tendë kanë fjetur, unë në dritë të qiririt po mundohem t`i përshkruajë të gjitha zhvillimet e ditës. Ende pa mbaruar u dëgjuan tri detonime të fuqishme në drejtim të Javurit. Goditjet kanë qenë krejt afër. Disa nga banorët e tendave janë zgjuar dhe kanë dalë jashtë për të parë se ku kanë goditur mortajat e armikut. Pak më vonë dy raketa tokë tokë na kanë fishkëlluar përmbi Grykë dhe janë zbrazur në drejtim të Berishës. Më vonë sërish është dëgjuar zhurmërima mbytëse e aeroplanëve vëzhgues. Edhe kjo natë po kalon me shqetësime, frikë e pasiguri….