E kahmotshme është urrejtja antishqiptare e shumë qarqeve evropiane dhe kjo urrejtje, në radhë të parë ka të bëjë për shkak të pranimit të islamit nga shqiptarët. Nga burimet historike mësojmë se jo vetëm shqiptarët në Ballkan kishin pranuar islamin, gjatë kohës së sundimit të Perandorisë Osmane, por fenë e re, të cilën e përfaqësonte Perandoria e kishin pranuar në mënyrë masive edhe serbët, magjarët, bullgarët, e popujt të tjerë, të cilët sapo u liruan nga Turqia u rikonveretuan, shkatërruan xhamitë, mesxhidetë, si dhe të gjitha elementet e kulturës fizike islame, ndërsa morën qëndrim armiqësor, jo vetëm kundër Turqisë, por kundër të gjithë popujve, që nuk hoqën dorë nga islami.
Burimet historike flasin për mijëra xhami të shkatërruara në Hungari, në Panoni dhe për 3400 xhami, mesxhide dhe faltore islame në Serbi prej vitit 1878 deri në vitin 1912. Qindra xhami u shkatërruan edhe në Bullgari, në Hungari, në Rumani, në Moldavi, në Greqi, në shumicën e shteteve të Ballkanit dhe të Evropës. Kjo fushatë e egër antisemite nuk është ndërprerë asnjëherë. Ajo në forma dhe metoda perfide është aktuale edhe sot, në Kosovë, në Shqipëri dhe në Bosnje e Hercegovinë, në tri këto shtete, të cilat me shumicë e tyre fetare identifikohen si myslimanë, edhe pse besimi islam në këto shtete është mjaft i përciptë dhe larg nga islami i vërtetë, burimor i kësaj feje monoteiste.
Ne ende nuk kemi studime të dokumentuara, që nxjerrin në dritë faktet lidhur me pranimin e islamit, por qëndron e vërteta se shqiptarët nuk hoqën dorë nga kjo fe, as gjatë fushatës së përgjakshëm, që u ndërmor kundër shqiptarëve në përgjithësi e veçmas kundër atyre me besim islam, sidomos me fillimin e Luftërave Ballkanike, e më pastaj edhe gjatë Luftës së Parë Botërore, kur shqiptarët, turqit, hebrenjtë u shfarosën në masë, u dëbuan dhunshëm nga trojet e tyre dhe mbi ta u ushtrua një terror dhe gjenocid sistematik. Përkujtojmë me këtë rast vetëm dëshmitë rrëqethëse që kanë sjellë lidhur me këto krime të shëmtuara: Leon Trocki, Leo Frojdlih, Dimitrije Tucoviq, Kosta Novakoviq dhe disa intelektualë të krishterë, sllavë e gjermanë, të cilët kanë lënë dëshmi historike mbi dhunë dhe brutalitetin e paparë, që është ushtruar kundër shqiptarëve në përgjithësi e në veçanti kundër shqiptarëve në rrethet e Toplicës, në Kosovë dhe në jug të Shqipërisë.
Evropa e krishterë kishte përkrahur pa rezervë serbët, bullgarët, grekët dhe të gjitha ushtritë, që shfarosnin shqiptarë, turq, boshnjakë e hebrejë. Evropa asnjëherë nuk e ngriti zërin kundër kësaj fushate, me faktin se Vatikani dhe shtete e krishtera të Evropës, këtë luftë kundër shqiptarëve islamë e trajtonin si vazhdim të kryqëzatave të krishtera kundër humbjeve të turpshme, që kishin pësuar në shekujt XI dhe XII në përpjekje për të pushtuar shtetet islame të Lindjes dhe Palestinën.
Poeti i madh shqiptar, prifti dhe kleriku në zë, Gjergj Fishta, pastaj Ndre Mjeda, ligj Gurakuqi, Pandeli Sotiri, Papa Kristo Nevogani dhe disa shqiptarë të krishterë kishin dënuar me forcë këtë dhunë që ushtronte Evropa, e cila jo vetëm mbyllte sytë në fushatën kundër shqiptarëve, por në Londër, Bukuresht, në Versajë e gjetkë kishte marrë vendime për shkatërrimin e territoreve shqiptare dhe aneksimin e tyre nga Greqia, Bullgaria, Serbia e Mali i Zi.
Lufta për shkatërrimin e entitetit shqiptar nga politka masone e Evropës nuk ka pushuar asnjëherë, as gjatë Luftës së Dytë Botërore, as gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, as tani. Kjo luftë, në kanalet diplomatike evropiane po zhvillohet edhe sot kundër Shqipërisë, kundër Kosovës dhe kundër pjesës myslimane të Bosnjës e Hercegovinës.
Të gjithë ata që nuk duan ta pranojnë këtë realitet të zi, këto dhe mijëra fakte të tjera si këto, ose janë të verbër, ose janë vënë në shërbim të politikave të tilla, të cilët kreu mason politik i Evropës i mbështet dhe iu jep favore e pushtet, me qëllim që, përmes tyre të realizojë synimet për shpërfytyrimin e identitetit të kombeve të Ballkanit, të cilat nuk po heqin dorë nga islami. Jo rastësisht shqiptarët dhe boshnjakët u anashkaluan në procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa Shqipëria u kushtëzua të miratojë ligjin mbi mbrojtjen e homoseksualëve. Ky presion rreth vizave nga kreu mason i Evropës u bë me qëllim për ta përdhosur identitetin kombëtar dhe fetar të shqiptarëve, madje edhe të shqiptarëve të krishterë.
Në kohën e luftës çlirimtare në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999, shtetet e Evropës dënonin verbalist dhunën fashiste të Milosheviqit, por nuk pranonin në asnjë mënyrë intervenimin e NATO-s kundër regjimit fashist të Milosheviqit. Ishin shtetet e Evropës ato, të cilat shtynë për një kohë të gjatë vendimin për bombardim, por edhe kur u detyruan ta nënshkruajnë atë vendim, ato asnjëherë nuk goditën forcat serbe në terren, por të gjitha bombat i zbraznin në vendet e caktuara, në Kosovë, në Shqipëri dhe në Adriatik, ndërsa jo vetëm njëherë goditen pozicionet e UÇK-së dhe popullatën civile shqiptare, e cila ishte në rrugë drejt kalvarit dhe shfarosjes, por të mos ishte qëndrimi i prerë i Amerikës dhe i Britanisë së Madhe, të cilat, së bashku me UÇK-në, e zhvilluan dhe e përfunduan luftën në Kosovë. Edhe sot, 10 vjet pas luftës, qarqet antishqiptare evropiane po bëjnë përpjekje për t i “larë mëkatet” ndaj Serbisë së Milosheviqit, për shkak të pjesëmarrjes së tyre në NATO. Edhe sot kreu i BE-së po bën përpjekje ta rikthejë sundimin serb në Kosovë, duke realizuar në përpikëri planin gjashtë pikësh të Ban Ki Munit, duke nënshkruar protokolle bashkëpunim me Serbinë pa e pyetur fare kreun e vendit tonë.
Këto dhe qindra fakte të tjera i dinë të gjithë politikanët tanë, edhe intelektualët, por heshtën këto mizori me qëllim për të mos e egërsuar Evropën, nga frika se mos po lejohet rikthimi i Serbisë në vendin tonë. Sa për shtetet e Evropës, përveç Anglisë dhe Austrisë, Kosova, në një afat të shpejtë kohor do të detyrohej të kthehej dhunshëm nën administratën e Serbisë, madje me ndihmën e EULEX-it e të UNMIK-ut, pavarësisht se shumica e shteteve të Evropës, të detyruara nga politika globale anglo-amerikane e kanë njohur verbalisht pavarësinë e cunguar të Kosovës, ndërsa policët e EULEX-it, po të intervenonte Serbia sërish në Kosovë, do të vepronin njëjtë sikur kanë vepruar me myslimanët në Srebernicë, në vitin 1995, ku i kishin marrë në mbrojtje mijëra gra e fëmijë boshnjakë dhe më vonë i kishin lejuar serbët që të kryenin mbi ta krimet më të shëmtuara dhe më antinjerëzore, që janë bërë ndonjëherë pas Luftës së Dytë botërore, në Evropë.
Mirëpo pavarësisht urrejtjes antishqiptare dhe anti islame të shumë qarqeve evropiane, shqiptarët dhe boshnjakët e Ballkanit e kanë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të forcave të pakta përparimtare e demokratike të disa qeverive të Evropës së sotme.
Edhe “dashuria” e shumë politikanëve tanë për BE-në përgjithësisht është dashuri e zorit dhe jo e sinqertë. I dinë ata të gjitha këto fakte, por kanë pranuar të bashkëpunojnë me BE-në, me qëllim për të vjelë favoret që sjellë qeverisja nën protektorat dhe me qëllim të “vetëqeverisjes” nën sundimin e të huajve, ashtu sikur janë mësuar nga paraardhësit e tyre. Evropa ka qenë dhe po mbetet njerkë djallëzore për shqiptarët, e tillë sikur e kishte përshkruar Gjergj Fishta ynë i madh, pastaj Ibrahim Dalliu e shumë intelektualë të tjerë në të kaluarën.
Rruga për në BE e shqiptarëve është e mbuluar me thera e driza dhe me shumë pengesa të tjera. Dhe përderisa është kështu, çka dreqin na duhet tërë ajo propagandë hipokrite për integrimin në Evropë, për Evropën si parajsë, si qëllim final, edhe pse e dimë mirëfilli se cila është Evropa dhe kontradiktat që ka brenda vetës Unioni Evropian, i dimë të gjitha sepse edhe ne, kemi qenë dhe jemi pjesë e këtij kontinenti që mburret për përparim, demokraci, liri të lëvizjes, liri të shprehjes dhe të gjitha këto i respekton dhe i pranon në mënyrë selektive, sipas interesit të vet fetar, politik dhe shoqëror.
Prejardhja dhe përmbajtja politike e forcave të djathta e të majta në Kosovë
E vetmja forcë e djathtë historike, autentike, në Kosovë, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, ka qenë Lëvizja nacional-Demokratike Shqiptare. Si e djathta, balliste, monarkiste, zogiste, e cila bashkëpunoi me forcat fashiste italiane e gjermane, ashtu edhe e majta komuniste në Kosovë, e cila ishte vënë kryesisht në shërbim të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, po ashtu ishte komprometuar në luftë kundër forcave liridashëse nacionaliste shqiptare në Kosovë dhe në Iliridë, troje shqiptare që mbeten nën okupimin jugosllav, edhe me “meritën” e kreut komunist të Kosovës, i cili fillimisht kishte miratuar platformën nacionalçlirimtare për bashkim të Kosovës dhe të trojeve të tjera me Shqipërinë, në Kuvendin e njohur të Bujanit ( 31 dhjetor 1943- 1 dhe 2 janar 1944), por në gusht të vitit 1945, po këta komunistë, në Kuvendin e Prizrenit, zhvlerësuan Bujanin dhe iu bashkuan Partisë Komuniste Jugosllave duke i lënë nën okupim trojet shqiptare të Kosovës të Maqedonisë dhe të Malit të Zi.
Fitorja tejet e ngushtë në zgjedhjet e 28 nëntorit në Shqipëri e PD-së dhe liderit “demokrat”, Sali Berisha, 35 vjet anëtar i zellshëm i Partisë së Punës së Shqipërisë, tashmë i konvertuar dhe i rreshtuar po kështu zellshëm e vrullshëm në të “djathtën” shqiptare, bëri që edhe në Kosovë të ngrehin kokë zërat, që veten e konsiderojnë të djathtë. Shumica dërrmuese e këtyre të vetë deklaruar të djathtëve, të sotëm, kanë qenë kuadro të lartë dhe besnikë deri në neveritje të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, që kanë luftuar me mish e shpirt kundër forcave nacionaliste demokratike duke i trajtuar si e djathta shqiptare, si forca reaksionare dhe duke i kualifikuar si nacionalistë, nacional-demokratë, irredentistë, separatistë, enveristë etj.
Historiku i shkurtër i të djathtëve dhe të majtëve
Historiku i të djathtëve dhe të majtëve në trojet shqiptare fillon qysh nga koha e Baba Dovletit. Turqit dhe shqiptarët që ishin vënë në shërbim të Perandorisë Osmane ishin të djathtë, me faktin se ishin pozicionuar kundër lëvizjeve çlirimtare, borgjeze, kudo në vendet ku ata sundonin.
E majta në Shqipëri, zë fill me Ali Kelmendin, Halim Xhelon, Zai Fundon, Koço Tashkon, Sejfullah Maleshovën, e të tjerë.I pari shqiptar që përmendet si komunist në kronikën e komunistit bullgar, Georgi Dimitrov, është Ali Kelmendi. Komunistët e parë shqiptarë filluan veprimtarinë e tyre aktive në Francë, ku ishin vendosur si emigrantë ekonomikë ose ku kishin shkuar për studime, nën ndikimin e komunistëve francezë. Ndërmjet tyre ishte dhe Ali Kelmendi, i cili bëri çmos që, nëpërmjet Partisë Komuniste Franceze, të lidhej me Kominternin për ta informuar mbi gjendjen në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë mbi veprimtarinë e grupeve komuniste, që porsa kishin filluar të lëshonin filiza në Shqipëri. Dhe ia arriti qëllimit. Në fillim të dhjetorit të vitit 1936, Ali Kelmendin e njoftuan se Kominterni do të organizonte një mbledhje për të shqyrtuar gjendjen e lëvizjes komuniste në Shqipëri.( Artan Gambeta, Ditari i Dimitrovit “Vitet e Moskës (1934-1945)”, ).
E majta në Shqipëri u konsolidua gjatë Luftës së Dytë Botërore, 1941-1945, kur forcat komuniste të Shqipërisë, në krye me Enver Hoxhën u organizuan dhe u hodhën në luftë kundër forcave pushtuese fashiste, italiane e gjermane.
E djathta në Shqipëri, zë fill qysh me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, edhe pse atdhetarët shqiptarë të asaj kohe nuk kishin pozicione të mirëfillta politike, por identifikoheshin me ideologjinë nacionaliste më vonë demokratike borgjeze, sidomos në Revolucionin demokratik të Qershorit të vitit 1924, ku ishin bashkuar forcat më përparimtare dhe demokratike të kohës. Ishte ky i vetmi revolucion demokratik borgjez, në krye me Fan Nolin, i njohur në tërë historinë e Ballkanit të asaj kohe. Më vonë forcat e djathta u identifikuan me regjimin monarkik e despotik të Ahmet Zogut, ndërkohë që në Shqipëri, ishte intensifikuar edhe Lëvizja komuniste e forcave të majta.
Pas pushtimit të Shqipërisë nga fashistët, Mit’hat Frashëri, më 13 prill 1939, gjashtë ditë pas agresionit italian, hodhi në Tiranë themelet e një organizate nacionaliste të rezistencës me emrin”Balli Kombëtar”, me një program prej 8 pikash, titulluar “ Nacionalizma shqipëtare”. Këshilli inciues i Ballit Kombëtar u mbledh në shtëpinë e Mit’hat Frashërit, pasi ai vendosi t’i rikthehet aktivitetit politik. Në vitin 1941, Mit;hati ishte ideologu kryesor dhe një nga themeluesit e Partisë Nacionaliste, e njohur më shumë me emrin Partia e Ballit Kombëtar.
Përderisa e majta shqiptare ka një histori të vërtetë të lëvizjes revolucionare, e djathta, në shumë raste ka qenë nën tutelë të pushtuesve të trojeve shqiptare, si gjatë kohës së regjimit të Zogut, pastaj gjatë Luftës së Dytë botërore, kur e djathta bëri koalicion me forcat fashiste italiane e gjermane.
Sundimi rreth 50 vjeçar komunist në Shqipëri dhe në trojet etnike shqiptare të mbetura nën okupimin e Jugosllavisë, me shpalljen e luftës së klasave dhe ndjekjes së forcave kundërshtare, u manifestua me një luftë pa kompromis kundër kundërshtarëve politikë, që kryesisht trajtoheshin si të djathtë. Kjo bëri që e djathta e satananizuar për shumë kohë, të ripozicionohet në vitet 90 të shekullit të kaluar, por jo nga pjesëtarët e së djathtës së vërtetë, por nga pinjollët e tyre dhe nga forcat e tjera të deridjeshme socialiste, të cilat me rastin e fillimit të shembjes së Perandorisë komuniste, u kthyen në skenën politike, jo vetëm në Shqipëri por edhe në shumë vende të Evropës Lindore etj.
E vetmja forcë, historikisht e qendrës së djathë, në Kosovë, ishte Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, më vonë Partia Nacional Demokratike Shqiptare, e cila më 25 korrik të vitit 1946, në Kongresin e Lypovicës, ndërtoi një platformë, në të cilën kundërshtonte forcën njëpartiake komuniste dhe vendosjen e pushtetit jugosllav në Kosovë, duke kundërshtuar edhe partinë e Ballit Kombëtar, e cila ishte komprometuar skajshëm në bashkëpunim me forcat okupatore fashiste, italiane dhe gjermane.
Ideologu i këtij rirreshtimi politik dhe historik të shqiptarëve të djathtë, intelektuali dhe atdhetari, Gjon Serreçi më 10 prill të vitit 1947, në zyrën e hetuesisë së OZN-ës në Prishtinë, i pyetur për qëllimin e organizmit të Lëvizjes së rezistencës ka deklaruar: Kam thënë se duhet të formohet organizata dhe se kjo nuk është organizatë balliste, por është organizatë Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ka për qëllim luftën kundër rendit ekzistues shoqëror në Jugosllavinë e sotme dhe në Shqipërinë e sotme, për krijimin e Shqipërisë etnike duke e bashkuar Kosovën në kufijtë e saj etnikë, që do t’i bashkoheshin Shqipërisë së tillë, me rendin që do ta krijonin ne. Ndërrimin e rendit shtetëror e kemi planifikuar ta zbatojmë me intervenimin e fuqive të mëdha, të jashtme siç janë Anglia dhe Amerika dhe me ndihmën e fuqive të armatosura, që ishin në male, të cilat do të ngriheshin për ta marrë pushtetin në duart e veta. Dr. Ismet Dërmaku, Gjon Serreqi dhe NDSH-ja (dokumente arkivore), Prishtinë, 1996. f. 15).
Kjo platformë, e cila u përkrah nga forcat e vërteta demokratike shqiptare në Kosovë, në Kosovën Lindore dhe në trojet shqiptare të Maqedonisë, shënon edhe fillin e një lëvizje të re, e cila edhe pse ishte pozicionuar në të djathtë, nuk pranonte platformën balliste ndërsa kundërshtonte ashpër ngulfatjen e pluralizmit nga forcat komuniste. Nën këtë platformë, por në kushte dhe rrethana të tjera, kanë vepruar në Kosovë, prej vitit 1945 e deri në qershor të vitit 1999, të gjitha organizatat, të cilat kanë zhvilluar veprimtari antijugosllave, me qëllim të bashkimit të trojeve shqiptare me shtetin e Shqipërisë, ose për krijimin e Republikës së Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, nga regjimi janë identifikuar si organizata ilegale nacionaliste dhe irredentiste, të cilat kanë vepruar nën platformën e Lëvizjes Nacional-demokratike shqiptare, madje edhe kur emrat e organizatave janë kamufluar nën petkun e marksizëm leninizmit. E tillë ka qenë “Organizata Revolucionare për Bashkimin e Trojeve Shqiptare” e Adem Demaçit e vitit 1964, pastaj “Grupi Marksist Leninist i Kosovës”, themeluar qysh në vitin 1974 dhe që esencën e platformës e mbështeste në të drejtën e “Vetëvendosjes se popujve” dhe të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, platformë kjo që nuk i korrespondonte marksizmit si ideologji mbinacionale dhe internacionaliste.
Në periudhën kohore prej vitit 1945 e deri në çlirimin e Kosovës nga robëria serbe, në qershor të vitit 1999, janë identifikuar dy klasë politike, të kualifikuara si pozitë dhe opozitë e fshehtë, ( ilegale ). Përderisa pozita, e cila përfaqësonte shqiptarët e rreshtuar në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, vepronte si klasë vasale e pushtetit jugosllav, opozita ilegale, në kushte dhe rrethana të caktuara, gjithnjë përmes veprimtarisë ilegale ishte orientuar në platformën e Lëvizjes për çlirim dhe bashkim kombëtar, ose për barazi të plotë të shqiptarëve në kuadër të federatës jugosllave.
Pozita, e përbërë nga klasa komuniste e shqiptarëve kërkonte realizimin dhe avancimin e të drejtave nën regjimin jugosllav, opozita ilegale i qëndronte besnike konceptit historik të lëvizjeve çlirimtare, qysh prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke kërkuar realizimin e të drejtave të natyrshme të bashkimit të trojeve shqiptare, që kishin mbetur nën okupimin e Greqisë dhe të shteteve sllave të Ballkanit.
LNDSH-ja, prej vitit 1944, LBRSHJ-ja nga viti 1964, GMLK-ja, në vitin1974, PKMLSHJ prej vitit 1978 dhe organizata të tjera të shqiptarëve të Kosovës përshkoheshin nga ideja e bashkimit kombëtar, duke synuar realizimin e kësaj aspirate me moton “O me hatër e me luftë”, moto e cila kishte rrethuar rreth vetes, nga viti në vit, të gjitha forcat e vërteta nacionaliste të Kosovës, të cilat ndonjëherë përshkoheshin edhe me rrymime ideologjike, si të djathta apo të majta, por që mbështetnin fuqishëm aspiratën e barazisë, çlirimit dhe bashkimit kombëtar. Oscilimet majtas djathtas vareshin nga ndikimet e skenës politike në Shqipëri, në Jugosllavi dhe në mërgatë, ku ishin pozicionuar dhe vepronin nën platforma të ndryshme forcat nacionaliste kundërshtare të regjimit komunist.
Profilizimet e mundshme ideologjike të partive politike të Kosovës
Përpjekjet e ish komunistëve jugosllavë shqiptarë, të rreshtuar në LDK për t’ u konvertuar në parti me përmbajtje të djathtë, kur merren në konsideratë faktet lidhur me përmbajtjen e saj politike të deridjeshme, janë më shumë se qesharake, edhe pse nuk ka diçka të keqe në këtë drejtim. Shumë kuadro të sotme të LDK-së, dhe partiakë, që kanë dalë nga kjo parti dhe janë rreshtuar në parti të tjera, nga komunistë të zellshëm të dikurshëm të Titos e të Rankoviqit, në vitin 1989 u rreshtuan në LDK-në pacifiste, duke pranuar ardhmërinë e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, e cila kishte filluar të shembej e të shpërbëhej. LDK-ja ishte regjistruar në Beograd si parti politike, e cila pranonte sovranitetin e Jugosllavisë mbi vendin tonë, por kërkonte barazi kushtetuese të njëjtë me republikat e tjera, pa kërkesë për vetëvendosje dhe shkëputje nga shteti jugosllav, i cili kishte filluar rrugën pa kthim drejt humnerës.
LDK-ja e themeluar nga ish anëtarë të komitetit komunist jugosllav dhe nga strukturat e shërbimeve të ndryshme të ish Jugosllavisë, ishte parti tipike vasale e regjimit dhe nuk kishte asgjë në programin e saj, që mund të identifikohej si parti e djathtë, edhe me vetë faktin se në popull u shtri dhe u zgjerua si Lëvizje, pa profilizim zyrtar majtist apo djathtist dhe pa program të qartë, militant, lidhur me çlirimin nga regjimi okupator i Beogradit.
Pretendimet për ta orientuar këtë parti në të djathtë, njëzet vjet pas themelimit, nëse duhet të bëhet, do të duhej të bërë nga të rinjtë në radhët e kësaj force politike, e kurrsesi nga pleqtë, ish- sekretarët e LKJ-së, të cilët çuditërisht, as pas çlirimit të Kosovës nga robëria serbe nuk kanë hequr dorë nga trashëgimia komuniste, politike e kulturore jugosllave.
Partia Demokratike e Kosovës, e themeluar përnjëherë pas luftës çlirimtare dhe fitimtare të UÇK-së, në përbërje me shumicën dërrmuese nga kuadro të SHP të UÇK-së, në mesin e tyre edhe shumë kuadro të larta, që ishin larguar vetë, apo që ishin përjashtuar nga LDK-ja, në fillim të vitit 1998, edhe pse ende e pa profilizuar, ( mbase edhe e pa deklaruar politikisht), me disa përjashtime, ka prejardhje dhe përmbajtje nga forcat e rezistencës, që nga LNDSH-ja, LBRSH-ja, GMLK-ja dhe parti të tjera të etiketuara si të majta, por me program dhe veprimtari kombëtare, pa ndonjë orientim të caktuar apo të deklaruar në aspektin ideologjik, majtas apo djathtas.
PDK-ja, realisht mbështetet në konceptin e qendrës së djathtë, por me një përmbajtje mjaft heterogjene, meqë në kreun politik të kësaj partie ka edhe forca, që anojnë nga e majta, duke u bazuar në prejardhjen e dikurshme ideologjike, por pa pretendime kryeneçe për t’u profilizuar në të majtë. Ashtu si LDK-ja, e cila gjatë një kohë të gjatë ka bërë përpjekje për ta ruajtur pozitën, as djathtas as majtas, me qëllim të ruajtjes së elektoratit, sot PDK-ja po ashtu ndodhet në të njëjtin pozicion, po pa u deklaruar lidhur me profilizimin dhe ngjyrimet politike për të ardhmen, ashtu sikur ka paralajmëruar, me rezervë, LDK-ja.
AAK-ja ka paralajmëruar se do të pozicionohet krejtësisht djathtas, ashtu sikur PD-ja e Sali Berishës, e cila prejardhjen e vet politike e ka trashëguar nga Partia e Punës së Shqipërisë. Për dallim nga LDK-ja dhe PDK-ja, të cilat në përpjekje për ta ruajtur elektoratin ndodhen në pat-pozicion dhe hezitojnë të marrin qëndrim të prerë, majtas apo djathtas, AAK-ja , nuk ka frikë nga dyndja e elektoratit, meqë nuk ka ndonjë elektorat që premton shumë. Në këtë parti, në kohët e fundit janë rreshtuar disa ish kuadro të LDK-së, të LDD-së e të partive të tjera, të cilët në partitë “mëmë” kishin mbetur në margjina, ose ishin treguar të pakënaqur me postet. Pretendimet e AAK-së për t’ u ofruar me LDK-në në pikëpamje të profilizimit politik, janë më tepër veprime taktike politike për një koalicion të mundshëm lidhur me zgjedhjet.
LDD-ja dhe AKR-ja nuk kanë paralajmëruar profilizim të qartë, edhe pse orientimi i tyre politik është i dukshëm dhe nuk dallon nga partitë e tjera. Përderisa LDD-ja pretendon të profilizohet si parti autentike me prejardhje burimore, rugoviane, AKR-ja është e vetmja nga partitë politike të Kosovës, e cila fare lehtë do të mund të profilizohej në të majtë, duke u bazuar në prejardhjen me përmbajtje nga ish LKJ dhe LDK.
Partia e Drejtësisë është parti e qendrës së djathtë, me orientim fetar islam dhe e profilizuar në aspektin politik, por pa ndonjë përkrahje të dukshme të elektoratit, me faktin se edhe kjo pari pretendon të fshihet pas emrit, për qëllime që vetëkuptohen. PSHDK-ja e ndarë, tani e bashkuar, është parti tipike fetare e ngjashme me partitë simotra në Evropën perëndimore, por me orientim të qartë dhe të profilizuar në të djathtë. Kjo parti përgjithësisht tubon anëtarët e besimit katolik të Kosovës, por edhe ka anëtarë edhe nga radhët e shqiptarëve të besimit islam(!).
PSDK-ja ka orientim të qartë dhe të profilizuar politik drejt qendrës së majtë, por pikërisht për shkak të këtij profili dhe korrektësisë në orientim, ajo mund të mbledh vetëm pak ithtarë, edhe pse realisht është parti që i përshtatet nivelit të zhvillimit ekonomik e social të vendit. Po kështu e profilizuar në të majtë është edhe Partia reformiste ORA, e cila për nga koncepti politik dhe nga programi është e afërt me PSD-në.
Partitë e tjera politike si Partia Liberale dhe disa parti balliste, NDSH-iste, me kohë janë rreshtuar në të djathtë, por nuk kanë shënuar rritje të elektoratit, përkundrazi e ardhmja e tyre është krejt e zymtë.
Nga kjo pasqyrë e orientimit ideologjik të partive politike të vendit tonë mund të nxjerrim këto përfundime:
Partitë më të mëdha politike të Kosovës janë të pa profilizuara në aspektin ideologjik dhe kanë frikë nga profilizimi, për shkak të mundësisë së dyndjes së elektoratit, edhe pse një frikë e tillë realisht nuk ekziston, meqë ithtarët dhe militantët e partive zakonisht mbështesin forcat që marrin pushtetin, me qëllim të përfitimit të favoreve, që rrjedhin nga ky pushtet.
Mungesa e vizionit të qartë politik dhe mungesa e guximit për ta deklaruar orientimin ideologjik, buron edhe nga pikëpamja tejet heterogjene e prejardhjes politike dhe nga mungesa e kulturës dhe e traditës në këtë aspekt.
Shumica e politikanëve të Kosovës, mosha e të cilëve kalon mbi 50 vjet kanë prejardhje politike komuniste jugosllave, andaj ky hendikep i bën të jenë të pa përcaktuar për motive të njohura dhe të tejdukshme.
Politikanët e guximshëm, që nuk vuajnë nga ky kompleks kanë mbetur në margjina, meqë vetë elektorati në Kosovë është heterogjen dhe i papjekur politikisht, për të mos thënë edhe i pamoralshëm në përcaktimin e orientimit politik. Kjo ilustrohet me faktin se një kryetar partie, ose një kuadër i lartë, ka ndërruar deri katër apo pesë parti, madje ka edhe të tillë që kanë ndërruar disa parti dhe më pas janë kthyer te partia”mëmë”.
Kjo dyndje e kuadrove dhe koalicionet e panatyrshme mes partive politike, të kundërta për nga orientimi, bëjnë që të thyhet tehu i dallimeve në pikëpamje të profilizimit të qartë dhe krejt kjo degradon seriozitetin e koncepteve të orientimit dhe profilizimit.
Kontrolloni gjithashtu
Fatmir Limaj: Nuk i frikësohemi zgjedhjeve, institucionet duhet të formohen përmes marrëveshjeve politike
Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se vendi ka nevojë urgjente për formimin …