Ahmet Qeriqi: Si gjithnjë me halle e derte (E enjte 10 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Si gjithnjë me halle e derte (E enjte 10 dhjetor, 1998)

Së bashku me Reshat Gashin i cili e nget veturën e kemi përcjellë deri në Grykën e Thatë të Nekocit, Sokol Dobrunën. Pjesën tjetër të rrugës Sokoli e bën këmbë, meqë tutje nuk mund të depërtojmë me veturë.

Isë Krasniqi, dhe Nusret Pllana janë angazhuar në rregullimin e një baze emetuese me radiolidhje. Isa  me Reshatin kanë rregulluar edhe një telefon tjetër celular dhe po bëjnë përpjekje ta vendosin një antenë për valët.

Sot, nëpër dëborë dhe mot të lig nga Shtimja nëpër Blinajë ka ardhur edhe babai im, Ali Emin Miftari. Ai më tregon se deri tani nuk ka pasur ndonjë problem, por ankohet se e kanë izoluar nipat dhe miqtë, hysiqët, dhe goranët e Davidovcit, të cilët sipas tij janë pozicionuar krejtësisht kundër UÇK-së. Babai im Aliu, është në shërbim të luftës. Ai ka përvojë edhe nga NDSH-ja ku ka strehuar një pjesë të kreut dhe nuk është zbuluar kurrë nga OZN-a,  më vonë UDB-ja. Falë mençurisë tij në ndërtimin e strehëve, kam qëndruar na arrati nga prilli i vitit 1981 e deri në maj të vitit 1982.

Elez Durmishi më ka bërë me dije se Luani po bën përpjekje që sa më parë të shkojë në Shqipëri, mbase për të pushuar paksa dhe për ta parë familjen e tij, gruan dhe djalin, të cilët jetojnë në Tiranë. Mendoj se shkuarja e Luanit në këtë kohë do të jetë e mirëseardhur, meqë ai me veprimet e tij herë-herë edhe të pamatura na ka shkaktuar dëm dhe i ka kontribuar thellimit të mosmarrëveshjeve. Por është i vërtetë fakti se shumica në Shtab nuk e durojnë dot.  Mirëpo të gjithë e dinë afërinë e tij me komandantin e SHP të UÇK-së, Azem Syla.

Elez Durmishi po ashtu bën me dije se në policinë ushtarake janë emëruar Halil Olluri dhe Agron Olluri, të dy ushtarë të mirënjohur, po ashtu shokë dhe bashkëluftëtarë të Dalip Rizanit, për të cilin dikush nga radhët e Shtabit nuk ka dhënë pëlqim, edhe pse konkretisht, nuk dihet kush dhe përse.

Luani i ka humbur nervat. Ai është sensibilizuar tejmase dhe është në të mirën tonë nëse për një kohë e ndërron ambientin, edhe pse shkuarja e tij, në Shqipëri  do të komentohet dhe do të keqinterpretohet nga shumëkush

E bija e Idriz Qeriqit, Valentina, më ka sjellur 1000 Dm, të cilat i ka dërguar Salih Qeriqi, që jeton dhe punon në Amerikë. Këto të holla Salihu i ka dërguar për familjen tonë, jo për luftën. Por me sa di unë ka ndihmuar dhe e ndihmon fondin Vendlindja thërret.

Të hollat  nga 200 Dm ia kam dhënë  vëllait tim luftëtar Hasanit, babës, pastaj  Sylës dhe Elezit, të cilët nuk kanë kurrfarë të ardhurash nga asnjë burim. Dyqind i kam ndalur për nevoja të familjes sime.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në Krojmir vjen Martin Çuni. (E premte 4 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në Krojmir vjen Martin Çuni. (E premte 4 dhjetor, 1998)

Edhe gjatë tërë ditës së sotme ka rënë shi dhe dëborë. Në raste të tilla …