Kanë kaluar dy mileniume nga shqiptimi për herë të parë, (me sa dimë ne) i fjalisë me domethënie historike: Të gjitha rrugët e botës qojnë në Romë. Prej atëherë e deri sot, mbase edhe më herët, datat e shënuara të historisë njerëzore, na sjellim në kujtesë të kaluarën, dhe, në një ditë të caktuar, na mobilizojmë të takohemi në vendet ku janë shkruar faqe të historisë, faqe të përbotshme heroike e tragjike, por edhe ngjarje nga historitë kombëtare.
Njëra ndër këto data të rëndësishme të historisë sonë më të re, është edhe 15 janari i vitit 1999, që shënon ditën kur në Reçak, pas përballjes së togës së Reçakut të UÇK-së, me kohortat vrastare të Sllobodan Milosheviqit, pas rënies heroike të nëntë luftëtarëve të lirisë dhe plagosjes së shumë të tjerëve, vrastarët serbë kishin depërtuar te popullata civile, e cila nuk kishte arritur të tërhiqej me kohë dhe mbi kokat e tyre kishte filluar ploja e llahtarshme, vrasja masive, vrasja mizore, masakrimi barbar i kufomave i të gjithë atyre banorëve të fshatit, që kishin bërë përpjekje të iknin nga duart e barbarisë së “Mabusit” të asaj kohe.
Dhe sot, qysh në orët e mëngjesit, mijëra liridashës nga mbarë Kosova e më gjerë ishin nisur rrugëve për të Reçak, me qëllim për të përkujtuar të rënët, martirët, familjet e të afërmit e tyre.
Para orës 9.00, ashtu sikur isha marrë vesh paraprakisht me luftëtarin e lirisë, ish-reporterin e luftës, tani mësimdhënësin dhe veprimtarin e paepur, Ruzhdi Jashari, isha nisur këmbë drejt qendrës së Shtimes kur me veturën e tij erdhi, Arsimi, djali i një bashkëluftëtari të Ruzhdiut dhe pasi hipa në veturë, u nisëm për në Reçak.
Rrugët ishin të ngarkuara nga lëvizjet në të gjitha hyrjet. Policia vendore kontrollonte komunikacionin me qëllim të mbarëvajtjes, duke marrë masa paraprake.
Sapo arrijmë në kodër nga ku shihet fshati, ngadalësohet lëvizja e veturave, meqë rrugicat janë të ngushta dhe nuk ka vende për parkim. Ruzhdiu ankohet dhe tregon se ishte një projekt për një parking të veçantë, por nuk është marrë seriozisht dhe është anashkaluar nga organet e komunës.
Në vendin përballë Kompleksit, ku tashmë kishin arritur mijëra veta, zbresim unë dhe Ruzhdiu, ndërsa Arsimi bën tutje me veturë, me qëllim për të gjetur një vend të lirë.
Në vendin përballë përshëndetemi me të njohur e të panjohur. Shumica e atyre që i njoh janë aktivistë dhe veprimtarë të Vetëvendosjes. Ruzhdiu është veprimtar i Degës, në Shtime. Ata prisnin të vinte kryetari, Albin Kurti dhe të organizuar të merrnin pjesë në homazhe. Në atë mes dalloj: Ali Lajçin, Ismail Kurteshin, pas pak vjen Avni Dehari, Hydajet Hyseni, si dhe disa veprimtarë e veprimtare të shumtë nga qendrat e Lëvizjes, të cilët nuk i njoh as më njohim, por për përshëndetem me të gjithë.
Rrugës takoj Mehdi Salihun, Ali Gashin nga Pjetërshtica me disa të afërm, dhe shumë të tjerë, që më përshëndesin, po nuk më kujtohen emrat.
Homazhet, tashmë tradicionalisht, filluan me kohë. Ngjitja nëpër shkallë fillon me duzinë njerëzish, të cilët me ritmin e zakonshëm e dinjitoz, depërtojnë për të varrezat, ku prehen në përjetësi dëshmorët e martirët. Në kënde të caktuara, roje nderi bëjnë gardistët e Forcave Mbrojtës e të Kosovës. Te çdo varr qëndrojnë familjarët, të cilët kanë vendosur edhe kurora lulesh. Në mesin e tyre hetohen shumë banorë nga gjenerata e re, por nuk mungojnë as nënat dhe baballarët pleq. Ata qëndrojnë këmbë, duke lidhur fijet e kujtesës për ato ditë të mizorive. Mbishkrimet në varreza më kthejnë në kujtesë të kaluarën e para njëzet viteve. Dimrin e përgjakur të Reçakut, krimet e shëmtuara serbe.
Nga emrat e mbiemrat e tyre më reflektojnë edhe biografitë e të gjithëve, të dëshmorëve dhe të martirëve, të cilët i kemi publikuar në monografinë: “Masakra e Reçakut krim kundër njerëzimit” . Biografitë e dëshmorëve të Reçakut i kemi kompletuar edhe në Edicionin: “Feniksët e lirisë”. Biografitë për martirët i ka hartuar mjeku i luftës së UÇK-së, ish nxënësi im i gjimnazit, ndër më të zellshmit, Vezir Bajrami, i vrarë pas luftës, mizorisht, në pritë, në përpjekje për të vendosur rendin dhe ligjin në komunën e Shtimes, ku ishte në pozitën e nënkryetarit.
Sot Reçakut i mungon prania fizike e birit të tij, luftëtarit të lirisë, Vezir Bajrami, mjekut, i cili 20-vjet më parë, i pari me ekipin e tij mjekësor kishte depërtuar te të masakruarit dhe nën breshërinë e armëve armike, kishte arritur të identifikonte kufomat e bashkëfshatarëve të tij, kishte bërë obduksionin e të gjithëve. Nga mënyra e masakrimit dhe përdhosjes së kufomave të tyre, kishte konstatuar se serbët, në Reçak, kishin kryer një trajtë të gjenocidit dhe krim kundër njerëzimit…
Sot në Reçak, ashtu sikur për vjet, ndodhej edhe “banori i nderit”, “biri” i Reçakut dhe i të gjithë shqiptarëve, z. Viliam Voker, njeriu i cili pa marrë para sysh pasojat për veten dhe misionin e tij, 20-vjet më parë ngriti zërin e ndërgjegjes dhe pasi kishte parë krimin nga afër, me plot gojën kishte kumtuar botërisht, “në Reçak është kryer një krim kundër njerëzimit”. Ishte ky zëri që grisi gjumin e rëndë të diplomacisë evropiane e botërore dhe më në fund ajo filloi të veprojë.
Në Reçak takoj edhe Ibrahim Demirin, ish nxënës, një veprimtar i përkushtuar si shumë të tjerë nga ky fshat, që 20-vjet më parë, me dhembje të madhe por edhe me dinjitet të pashoq hynë në faqet e lavdishme të historisë sonë më të re.
Meqë duke u ndalur për pak çaste me të njohur sa për përshëndetje, humba kontaktin me Ruzhdiun e të tjerët, u nisa këmbë për të Shtime. Edhe ashtu kisha vendosur të kthehesha këmbë, meqë doja të rrugëtoja nëpër rrugët, ku për 20 vjet nuk janë ndalur hapat e liridashësve dhe çlirimtarëve, hapat e atyre që mizorisht u ndanë nga jeta, hapat njerëzorë që shprehin dhembje e dinjitet, që përkujtojnë të afërmit, të njohur, por edhe të panjohur, hapat përjetësorë të këmbësorëve, që kurrë nuk kanë ndaluar, as ndalojnë…
Në kohën kur arrita në Shtime, në qendrën e qytetit u dha alarmi i parakalimit të eskortave qeveritare, që po ktheheshin nga Reçaku. Xhipi i policisë në krye, kërkonte nga veturat e këmbësorët të largoheshin nga rruga, ndërsa eskortat me xhipa të zinj marshonin si trup i vetëm, me një shpejtësi relative, drejt vendit ku ndodhet “Shtëpia e Kulturës”, ku në orën 11.oo do të fillonte, “Ora përkujtimore”.
Meqë nuk kisha ftesë për të marrë pjesë në këto aktivitete, u nisa drejt shtëpisë, ku veç tjerësh më pret mbesa ime, Parga, dhe përnjëherë më pyet ku kam qenë, përse kam shkuar vetë atje dhe pyetje të tjera sfiduese, në të cilat duhet të përgjigjem me kujdes, sepse ajo, edhe pse vetëm katër vjeçe, jo vetëm që komunikon lirshëm por edhe komenton, qorton, të inkuadron në bisedë dhe nuk të lëshon dot…
Një vit më parë, aktivitetet në 19-vjetorin e Masakrës së Reçakut i ka përcjellë, bija ime, Arbana Qeriqi-Gashi, kryeredaktorja e Radio-Kosova e Lirë, ndërsa TV-Dielli ka shfaqur filmin dokumentar, “Saga e Reçakut”, të cilin e kishte pëlqyer pa masë sidomos, miku i madh i Kosovës dhe i shqiptarëve, Viliam Voker. Ai madje, në fjalën e tij para të pranishmëve i kishte porositur zyrtarët, që filmin ta përkthenin në disa gjuhë dhe ta shfaqnin kudo, meqë sipas tij ishte një e arritur dhe një dëshmi e veçantë në prezantimin e realitetit të Masakrës së Reçakut. Natyrisht se porosia e Vokerit edhe pse publike dhe e kumtuar para autoriteteve më të larta të vendit, që merrnin pjesë në akademi, kishte hasur të vesh të shurdhër, si gjithnjë…
Reçaku nuk është vetëm një atitudë, por është një histori në vete, histori që shpalos dhembje e kujtime, por edhe dinjitet e qëndresë.
Reçaku, Prekazi, Meja, Izbica, Theranda, Krusha, Burimi, Rezalla, Studimja dhe shumë vende të tjera në Kosovë, janë themelet e forta të lirisë dhe pavarësisë, që nuk zhbëhen dot…
Reçak-Shtime
15 janar 2019