Në rrugëtimin tim drejt lirisë, spontanisht apo me ndonjë lidhje kam takuar shumë bashkëmendimtarë e bashkëveprimtarë. I lindur dhe i rritur në një familje me traditë të rezistencës dhe atdhetarisë, si nga familja e nënës, ashtu dhe ajo e babait, qysh në rininë e hershme kam ndier në qenien time dhunën dhe brutalitetin jugosllav kundër gjyshit tim, mulla Emin Miftari, ( 1888-1980) i cili disa herë ishte burgosur nga regjimi komunist jugosllav, ishte dënuar me burg dhe e kishin maltretuar brutalisht sidomos në Aksionin për grumbullim e armëve, në vitet 1955-1956. Gjyshes sime, Ismës, ( 1900-1987) në moshën e saj 12-vjeçare, forcat vrastare serbe ia kishin vrarë babanë, Mustafë Zogiani, ( 1870-1912) nga fshati Harilaq. Regjimi jugosllav nënës sime, Xhevahires, ( 1924-2008 ) ia kishte pushkatuar babanë, Kadri Bebë Ribari ( 1878- 1948) dhe i kishte vrarë dy xhaxhallarë, Rifat Rexha ( 18950-1943) e Salih Rexha ( 1881- 1949) dhe një djalë të xhaxhait, Rexhep Salih Rexha ( 1916-1949).
Fëmijëria ime është e mbushur me kujtimet e nënës, të gjyshes, të gjyshit, përgjithësisht të familjes, me rëniet e ngritjet, me dhembjet e pikëllimet, me jetën në izolim e lëçitje. Andaj edhe orientimet e mia jetësore nuk mund të kishte qenë ndryshe, përpos takime në rrugën e lirisë, si preokupime primare, mbase edhe me një urrejtje e ligjshme kundër regjimit që i kishte shkaktuar aq shumë plagë dy familjeve të mia dhe mijëra të tjerëve.
Në fëmijërinë e hershme, sa herë shihja duke qarë gjyshen apo nënën dhe i pyesja pse po qanin, të dyja ankoheshin në qepët që i kishin përdorur dhe padashur kishin fërkuar sytë. Duke qenë se ndihesha shumë keq kur i shihja duke qarë, kurdo që u shihja qepë në duar i “qortoja” të mos i prekin sytë. Më vonë e kam kuptuar se qepa, ishte arsyetimi i kamufluar i tyre, për të mos më helmuar me urrejtje, por me kohë ajo ishte zhvilluar në qenien time dhe në moshën e rinisë e më vonë ishte manifestuar me pjesëmarrje e organizime kundër pushtetit, i cili mbante nën okupim dhunë e terror shumë shqiptarë kundërshtarë të regjimit, jo vetëm familjen time e të ndonjë të njohuri, por tërë një popull.
…
Në vjeshtë të vitit 1959, pasi paraprakisht kisha kryer katër klasat e fillores, në vendlindjen time, në Krojmir, babai më kishte bërë të ditur se me pëlqimin, por edhe insistimin e gjyshit do të më dërgonte, në Prishtinë, për të vazhduar shkollimin në Medresenë e Ulët Shqiptare të Prishtinës, ku në të njëjtën kohë do të kryeja edhe katër vitet e tjera, tetëvjeçaren e plotë.
Në Medrese, asokohe jam njohur me shumë shokë nga të gjitha trevat shqiptare nën Jugosllavi. Meqë ishte Medreseja e vetme në gjuhën shqipe, që kishte filluar punën në vjeshtë të vitit 1951, interesimi për atë shkollë fetare, ishte rikthyer pas gjashtë vitesh, kur regjimi paraprakisht kishte mbyllur të gjitha mejtepet në gjuhën shqipe, nga viti 1945, Në vitin 1951, kur ishte lejuar një shkollë e tillë fetare, por edhe laike në të njëjtën kohë. Në Medrese asokohe ishin regjistruar edhe nxënës që paraprakisht kishin kryer tetëvjeçaren e plotë. Mosha e medrsistëve ishte prej 11 deri në 16 e 17 vjet.
Në mesin e medresistëve, qysh në muajt e parë të mësimit isha shoqëruar me disa anas, me të cilët edhe pse nuk isha njohur më parë, gjatë komunikimit jam njohur me Baliun nga Belinci dhe Sylën nga Godanci i Shtimes, Ramadan Garën nga Kizhareka e të tjerë. Pastaj jam shoqëruar më shumë me, Ismail Pelën, Hasan Pelen, Hysen Gjonbalën, Ali Isufin, Hasan Ballovcin, Avdullah Dushin, Januz Hoxhën, Enver Baftiun e të tjerë. Po kështu nga muaji në muaj, nga viti në vit, kishte ndodhur edhe afrimi apo largimi me disa nga shokët. Kjo u kishte ndodhur të gjithëve.
Ndërkohë, në mesin e medresistëve shquhej një djalë serioz me qëndrim më të pjekur për moshën, i aftë në mësime, shumë korrekt dhe i afërt me të gjithë. Ishte ky, Feti Mehdiu, nga Zajasi i Kërçovës, i cili qysh në fillim iu kishte bërë përshtypje edhe hoxhallarëve dhe arsimtarëve.
Ai dallohej nga të gjithë dhe si i tillë kishte fituar edhe besimin e të gjithë mësimdhënësve, të cilët në rast se mungonin për pak kohë në orë, apo dilnin për ndonjë punë, Fetiun e caktonin kujdestar. Si i tillë ishte i pranueshëm edhe për të gjithë medresistët, edhe pse kishte në mesin tonë edhe më të moshuar se ai.
Pikërisht në atë kohë, kur Feti Mehdiu ishte dalluar dhe kishte fituar besimin e të gjithëve, gjatë komunikimit me të, ai kishte vërejtur orientimin tim militant në biseda të ndryshme, në radhë të parë nga prejardhja ime familjare, gjithnjë në konflikt me pushtetin.
Një ditë, pas një bisede pak më të gjatë, më kishte propozuar që të kontaktoja, rrobaqepësin, Sabri Novosella, i cili kishte shtëpinë afër Medresesë.
-“Shko, më tha, pasi i kam folur për ty dhe merr me vete ndonjë këmishë apo pallto, që të mendojnë se po shkon me punë”.
Duke qenë se kishim fqinj të parë, bacë Adem Demaçin dhe dinim për burgun e veprat e tij, disa prej nesh ishin edhe në rrjedha të aktiviteteve, sidomos, përhapjes së fjalëve se gjatë natës në vende të ndryshme, të Prishtinë afishohej flamuri ynë kombëtar, asokohe i ndaluar për përdorim nga regjimi i ish-RSFJ-së.
Para se të nisesha për ta vizituar “rrobaqepësin”, Fetiu më porositi të kisha kujdes dhe mos t’ i tregoja askujt, ndërkohë që pastaj do të bisedonim.
Fetiu i kishte rrëfyer Sabriut për qëndrimin tim, andaj ai në fillim më pyeti për gjyshin dhe dajallarët, të cilët kishin pësuar shumë nga regjimi.
Mbaj mend se gjatë bisedës, në një radio aparat dëgjonte programin e Radio-Tiranës.
Nuk kisha treguar asnjë rezervë ndaj Sabriut, duke pasur besim në Fetiun, i cili kishte më shumë se unë përvojë dhe ishte dy tri vjet më i moshuar.
Sabriu më kishte rrëfyer se ekzistonte një organizatë e cila quhej: “Lëvizja Revolucionare për Bashkim e Kosovës me Shqipërinë”, por as kishte treguar as e kisha pyetur se kush ishte në krye të saj. Kishte përpara Statusin e Organizatës, pjesë nga të cilat edhe m’ i kishte lexuar. Ishte ndalur veçmas në pikën 10, ku flitej për pasojat që do të pësonte personi, i cili do të tradhtonte.
Isha ndarë shumë i kënaqur nga biseda me Sabriun dhe isha pajtuar që për bisedën të mos i tregoja askujt, përveç, Feti Mehdiut. Në fund, para se të largohesha nga punëtoria ku punonte, Sabriu më kishte thënë, se kurdo që ta vizitoja të merrja ndonjë rrobë me vete, me qëllim për të mos ngjallur dyshime, për qëllimin e vizitës.
Fetiut, i kisha treguar për vizitën dhe bisedën që kisha pasur me Sabri Novosellën, ndërkohë që ai më kishte porositur të gjurmoja në mesin e shokëve edhe bashkëmendimtarë të tjerë, por gjithnjë me vigjilencë dhe maturi dhe gjithnjë në konsultim paraprak me të. Nga bisedat e tilla dhe njohja me Sabri Novosellën, kisha fituar bindjen se Fetiu ishte një përgjegjës dhe gjithsesi anëtar me rëndësi i organizatës.
Asokohe, shoqërimi me Fetiun, nuk mund të komentohej si diçka e veçantë, sepse të gjithë shoqëroheshin me të dhe për mua e disa të tjerë, ai ishte më shumë sesa një shok klase.
Mbaj mend se njëherë më kishte qortuar pse ikja tinës nga internati dhe shkoja e shikoja filmat të shfaqeshin asokohe në Kino Rinia, Kino Vllaznimi dhe Kinoja te objekti i Armatës jugosllave.
Filmi për mua asokohe ishte njëjtë me ushqimin, mbase edhe më shumë, sepse sa herë që më zbulonin se kisha ikur, vetë apo me ndonjë shok, ndëshkimi ishte me humbjen e një racioni të bukës, në kuzhinën e Medresesë.
Mirëpo kishte ndodhur edhe një befasi tjetër. Fetiu nuk shkonte në kinema, ose shkonte shumë rrallë, por përcillte me interesim pjesët teatrale në “Teatrin e Prishtinës”, ku po ashtu isha vizitor i përhershëm. Pastaj ditëve të diela shkonim edhe në Teatrin e Kukullave që ishte afër Medresesë. Më vonë u quajt, Teatri Dodona. Fetiu madje kishte luajtur edhe rolin e një mjeku në një pjesë teatrale, dhe prej atëherë e thërrisnin me nofkën, “Doktori”.
E them me bindje dhe pa asnjë rezervë se Feti Mehdiu ishte një veprimtar e shok besnik, në kuptimin më të përkushtuar, më të drejtë dhe më të sinqertë të fjalës. Ishte shumë i afërt me të gjithë, qortonte veset e shokëve, krejt hapur dhe jo si disa që na denonconin tinëzisht për veprimet e caktuara, që realisht ishin veprime që dilnin jashtë rregullores së shkollës dhe qëndrimeve në Internat, ku edhe flinim.
Vërejtja tjetër e Fetiut kishte të bënte edhe me anashkalimin që u bëja pa ndonjë arsye, faljeve të vakteve të namazit. Por edhe në këto veprime kisha shokë, ashtu sikur gjendeshin edhe të tjerë, për të ikur tinës nga Shkolla dhe për të vajtur në kinema, në ndonjë ndeshje sportive, apo në teatër.
Fetiu i qortonte edhe të tjerët, por askush dhe asnjëherë nuk iu kishte hidhëruar, sepse të gjithë e kishin kuptuar qëllimin e tij të mirë, jo denoncues e hakmarrës, por shoqërues, bindës e mbështetës.
Ai të qortonte për çdo paudhësi, por nuk denonconte tinëz te hoxhallarët, sikur bënin disa të tjerë.
Përballë Medresesë, jetonte edhe Tefik Sahiti, një nip i burrit të hallës sime, e martuar në Shtime. Asokohe më vizitonte shpesh dhe interesohej për mua. Më vonë kisha vërejtur se më fliste më me seriozitet dhe kisha krijuar bindjen sikur gjithnjë donte të më thoshte diçka, por rezervohej. Tefiku, nuk më kishte treguar se i përkiste organizatës, edhe pse më vonë, pas arrestimit kisha kuptuar se ai ishte njëri nga anëtarët e rëndësishëm të saj që kishte mbajtur lidhje me veprimtarët, në Stamboll.
Disa segmente të jetës dhe krijimtarisë së Feti Mehdiut
Përveç aktivitetit hulumtues shkencor, Feti Mehdiu ka qenë edhe anëtar i “Lëvizjes Revolucionare të Bashkimit të Shqiptarëve”, në krye me Adem Demaçin qysh në vitin 1963-1964 përmes veprimtarit, Sabri Novosella, ai realisht ka përfaqësuar grupin e medresistëve të kësaj organizate. Me kohë e kishte zgjeruar veprimtarinë në mesin e medresistëve ku edhe kishte vepruar një grup i të rinjve në platformë të kësaj organizate. Nga ai grup, pasi ishim dekonspiruar, qemë dënuar me burg katër medresistë, ndërsa ishin marrë në hetime dhe ishin maltretuar disa të tjerë. Fetiu nuk ishte dekonspiruar nga Sabri Novosella as nga unë gjatë hetimeve, meqë ishte shumë i kujdesshëm dhe kishte vepruar me maturi e vetëpërmbajtje.
Feti Mehdiut i përket merita e veçantë në përthimin e plotë të Kur’anit në gjuhën shqipe, i cili ka dalë në dritë në vitin 1985 dhe është botuar në 1o.ooo ekzemplarë.
Ai është meritor për botimin e dhjetëra veprave të ndryshme shkencore publicistike, përkthimeve të shumta nga gjuha arabe, turke e të tjera.
…
Duke qenë se me Fetiun njihemi që nga vitit 1959 dhe në vazhdimësi kemi mbajtur kontakte, kemi komunikuar dhe kemi rrahur mendimet, idetë, synimet, preokupimet shoqërore e kombëtare, i jap vetes të drejtë të vlerësoj veprimtarinë e tij, gjithnjë duke u mbështetur në të arriturat hulumtuese studimore, në shumë lëmenj të gjuhës, fesë, kulturës, përkthimeve të shumta nga arabishtja e turqishtja, botimeve të shumta shkencore, pjesëmarrjes në shumë tryeza, simpoziume, konferenca shkencore, aktivitete hulumtuese e prezantuese në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Bosnje e Hercegovinë, Serbi, Turqi, Egjipt dhe në vende të tjera.
Studimet e Feti Mehdiut shquhen në radhë të parë për metodologjinë korrekte të punës shkencore, të cilën ai e njeh mjaft mirë dhe i përmbahet në çdo shkrim, studim apo hulumtim.
Duke qenë i pajisur me njohuri të lëmenjve të caktuar, veçmas të gjuhës arabe, profesor i së cilës ka qenë deri në daljen në pension, shkrimtar e publicist, përkthyes e hulumtues i shumë temave ndër më të ndryshme, Fetiu ka krijuar një opus të jashtëzakonshëm të veprave shkencore, qofshin ato publicistike e letrare, qofshin tema fetare apo shkencore me përmbajtje nga historia, kultura, aktualiteti, gjuhësia, përkthimi, qofshin studime të pavarura në lëmenj të caktuar, që kanë qenë dhe janë aktualisht objekt i studimeve të tij.
E them me përgjegjësi, duke qenë lexues dhe njohës i veprave të tij, se krijimtaria e deritanishme e Feti Mehdiut është një e arrirë e madhe shkencore në dobi të shkencës në përgjithësi, e në veçanti, në dobi të shkencës dhe literaturës shqiptare.
Feti Mehdiu, është pedant në jetë dhe në punë, është një studiues i përkushtuar tashmë i pajisur me një kredo të lartë shkencore, është një autoritet krijues, është një personalitet i përmasave kombëtare shkencore, me të arriturat e tij në orientalistikë, me mëritë të veçantë si përkthyes i parë shqiptar, i Kuranit, i cili është botuar për herë të parë, i plotë, në gjuhën shqipe, në Prishtinë në vitin 1985.
Përkthimet e shumta të Feti Mehdiut, janë përkthime besnike të librave të ndryshëm me një gjuhë të pasur me shprehje të caktuara letrare, artistike, por kurdoherë duke i qëndruar besnikë tekstit nga gjuha prej së cilës ka përkthyer e përkthen, i vetëdijshëm se nuk ka përkthim ideal, por gjithnjë iu ka përmbajtur përkthimit besnik dhe jo shqipërimit, i cili lë mundësi për kalkulime të caktuara, gjatë përkthimit në disa raste edhe adaptimit, sikur kanë bërë dhe bëjnë zakonisht disa nga përkthyesit, jo vetëm ndër ne po kudo në botë.
Përveç veprave të shumta që i ka botuar dhe të tjera në dorëshkrim, është autor i qindra shkrimeve publicistike, që janë botuar në gazeta, revista shkencore, në medie e portale të ndryshme.
Për punën e tij të avansuar shkencore është intervistuar sa e sa herë nga drejtues mediesh, nga gazetarë e veprimtarë, me ç rast ka zbuluar segmente të rëndësishme të jetës dhe krijimtarisë.
Ai ka lënë gjurmë edhe me studime të ndryshme që kanë të bëjnë me tema të caktuara nga vendlindja e tij, nga Kërçova, nga Maqedonia përgjithësisht, duke trajtuar tema ndër më të ndryshmet, me qëllim për të zbuluar të dhëna e dëshmi që i ka ngrënë, apo i ka kafshuar keq koha e robërisë dhe e paditurisë në të kaluarën e largët, por jo edhe aq të moçme sa për t’i konsideruar si tema të humbura e të degdisura.
Kredoja krijuese e dr. Feti Mehdiut është origjinale, e pasur me invencion, fakte e dëshmi, argumente e kundër argumente, gjithnjë e mbështetur në metodën dialektike të studimit, me analizë, tezë, sintezë, që kanë thënë rezultate në ndriçimin e sa e sa fenomeneve krijuese, të cilat lexohen, vlerësohen, cilësohen dhe e radhisin atë në mesin e krijuesve shkencorë, realistë, të angazhuar dhe të përkushtuar për të vjelë dituri kudo ku ndodhet ajo, duke iu përmbajtur maksimës, “Kërko diturinë edhe në qoftë, në Kinë”.
Krijimtaria e deritanishme e Feti Mehdiut, përshkohet me një realizëm korrekt shkencor, me gjuhë të pasur e të pastër gjatë shkrimit, me invencion të begatë në zgjedhjen, hulumtimin dhe trajtimin e temave ndër më të ndryshme, mbi të gjitha me mbështetje në fakte, dëshmi e argumente shkencore, të cilat ia rrisin vlerën publikimeve të tij.
Disa të dhëna për jetën dhe veprat e Feti Mehdiut të prezantuar në portalin, Kërçova. net
Feti Lazam Mehdiu u lind më 20 janar 1944, në fshatin Zajaz të Kërçovës. Aty kreu katër klasë të shkollës fillore, kurse tetëvjeçaren dhe Medresenë e ulët i kreu në Prishtinë, në vitin 1962. Vazhdoi Medresenë e mesme Alauddin dhe kreu maturën në vitin 1967. Studimet i ka kryer në Fakultetin e Filologjisë, në Beograd, Degën e Filologjisë Orientale, në vitin 1971, ku merr titullin profesor i filologjisë orientale (për gjuhën arabe dhe gjuhën turke).
Këtu ka vazhduar edhe studimet pasuniversitare – dega e gjuhësisë dhe në vitin 1977 mbrojti punimin e magjistraturës me temën: Srpskohrvatski prevodi Kur’ana (Përkthimet e Kur’anit në gjuhën serbo-kroate), kurse doktoratën e ka mbrojtur në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, në vitin 1990, me temën: Përkthimet e letërsisë arabe në gjuhën shqipe, 1922-1982. Në vitin shkollor 1975-76 ka specializuar gjuhën arabe në Universitetin e Kajros në Egjipt.
Punën e filloi në Institutin e Historisë, më 1 mars 1973, në Prishtinë, kurse nga tetori i vitit 1974 punon në Degën e Orientalistikës – Fakulteti i Filologjisë, në Prishtinë, si asistent, ligjërues, docent, profesor inordinar dhe tani profesor ordinar për gjuhën arabe, fonetikë-morfologji. Në fillim të vitit 1995 ka mbajtur ligjërata të gjuhës arabe në Universitetin e Tetovës, kurse në vitin 2002-2004 ka ligjëruar lëndën Orientalistika dhe orientalistët, në Fakultetin e Shkencave islame në Shkup.
Ka marrë pjesë në më shumë se tridhjetë simpoziume shkencore brenda dhe jashtë vendit si në: Prishtinë, Sarajevë, Zagreb, Shkup, Tetovë, Tiranë, Stamboll, Amman, Teheran, Lahorë, Ankara etj.
Ka botuar këto vepra:
Poezi arabe, 1983, Shkup, Shtëpia Botuese “Flaka”,
- Frashëri, Vepra 7, 1984, Prishtinë, Shtëpia Botuese “Rilindja”,
Kur’an-i, 1985, Prishtinë, B.I.K. (Bashkësia Islame e Kosovës),
Kur’ani, mrekullia më e përsosur, Shkup, B.I.M. (Bashkësia Islame e Maqedonisë),
Flasim arabisht, 1987, Prishtinë, Enti i TMM të Kosovës,
Rexhep Vokë Tetova, MENDIME, 1991, Tetovë, KBI,
Gjuhë arabe: fonetikë – morfologji, 1991, Prishtinë, Enti i TMM të Kosovës,
Salih Gjuka, Shkrolaria e shqypes, 1991, Prishtinë, BIK,
Jasin-i me 20 sure të tjera shqip, 1992, Prishtinë,
Kur’ani kryevepër, 1992, Prishtinë,
Hafiz Ali Korça, MEVLUDI, 1992, Prishtinë,
Nga tematika e Kur’anit, 1993, Shkup, Logos-A,
Sahihu-l-Buhari në gjuhën shqipe, libri 3, 1994, Prishtinë,
Sahihu-l-Buhari në gjuhën shqipe, libri 4, 1995, Prishtinë,
Nga Kërçova për Kërçovën, 1995, Kërçovë,
Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe, 1996, Shkup, Logos-A,
Xhuz’i 30 (Amme), 1997, Prishtinë,
Nedimu-l-Xhisr, Besimi në All-llahun në dritën e Kur’anit, 1997, Prishtinë,
Kur’ani dhe hija e tij shqip, 1999, Shkup-Stamboll, Logos-A – IHH,
Sahihu-l-Buhari në gjuhën shqipe, libri 6, 2000, Prishtinë,
Kur’ani mrekullia më e përsosur, 2001, (bot. i dytë), Prishtinë,
Hafiz Ali Korça, Bolshevizmi është shkatërrim i njerëzimit, 2001, Prishtinë,
Hyrje në filologjinë orientale, 2004, Prishtinë, SHORK,
Për letërsinë arabe, 2005, Prishtinë, SHORK,
Maturantët e parë të medresesë Alauddin, Prishtinë, 2007,
Sulejman Mashoviç, Pikëpamje islame, Prishtinë, 2007,
Sahihu-l-Buhari në gjuhën shqipe, libri 9, Prishtinë, 2008,
Përkthimet e letërsisë arabe në gjuhën shqipe, Prishtinë, 2008,
Kërçovarët për Kërçovën, Shkup, 2009.
Dr. Feti Mehdiu ka nxjerrë në dritë edhe shumë vepra të tjera, të cilat do t i radhisim në një shkrim më të plotë. (A.Q.)
Anëtar: 1964 – Organizata ilegale LRBSH; 1969 – anëtar i redaksisë “El-Emel”, Beograd; anëtar i grupit letrar “Përpjekja” në Beograd; anëtar i Kuvendit Suprem të B.I. të Jugosllavisë, Sarajevë; anëtar i K.B.I., Prishtinë; anëtar i redaksisë “Dituria Islame”, Prishtinë; anëtar i redaksisë “Bashkimi Paqësor” (redaktor i rubrikës islame), Prishtinë; anëtar i redaksisë “Filologji”, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë; anëtar i redaksisë “Përmbledhje punimesh të F.Sh.I., Shkup; anëtar i Akademisë Arabe të Shkencave, Damask; anëtar i Shoqatës për Hulumtime të Kur’anit dhe Hadithit, Kairo; anëtar i Kryesisë së shoqatës kulturore-humanitare “Urtësia”, Prishtinë.