Ahmet Qeriqi: Takim në rrugën e lirisë: Shaban Ajet (Godeni) Krasniqi (1938-2020)

Ahmet Qeriqi: Takim në rrugën e lirisë: Shaban Ajet (Godeni) Krasniqi (1938-2020)

Shaban Krasniqi lindi në vitin 1938  në fshatin Krenajë (ish-Karaçicë). Ishte djali i Ajet Godenit, një burrë me besë, trimëri dhe mikpritje. Në odën e tij, në Rrafshnaltën e Drenicës,  strehoi të përndjekurit e regjimit okupator jugosllav si  Shefqet Bylykbashin, Islam Domanekun, luftëtarë të NDSH-së dhe luftëtarë të çetës së Ukë Sadikut.

Shabani, shkollën fillore e kreu në fshatin Pjetërshticë, ndërsa tetëvjeçaren e filloi në shkollën shqipe të Shtimes, por nuk e kreu për shkak të largësisë  për të udhëtuar dhe kushteve të pavolitshme ekonomike të familjes. Për shkak se ishte më i madhi i vëllezërve,  i ra barra t’i ndihmonte babait në punët e fushës. Gjatë verës, së bashku me kushëririn, Osmanin, punonte  punë krahu në Maqedoni e vende të tjera të ish-Jugosllavisë, me qëllim për t’ i ndihmuar familjes.

Netëve të gjata të dimrit së bashku me vëllanë,  Ramadanin në odë këndonin këngë historike e këngë  kreshnike  të përcjella  me sharki e çifteli, vegla këto që i punonte me dorën e vet. Ishte iniciatori kryesor së bashku me Imer Muharremin për hapjen e parë të shkollës fillore katër-klasë në fshatin e tij të lindjes- në Karaçicë.

Shabani ka qenë lexues i përkushtuar. Ka lexuar vepra të shumta dhe ka përcjellë me shumë vëmendje të gjitha zhvillimet në vend. Për nga natyra ishte i heshtur, i qetë, shumë i përmbajtur, miqësor dhe tejet solidar jo vetëm me familjen e farefisin, por me të gjithë ata që kërkonin ndihmën e tij.

Në vitet shtatëdhjetë, shkoi për punë të përkohshme në Gjermani. Punoi  si murator dhe mbante lidhje me veprimtarët e çështjes kombëtare, në mërgim. Kohën e lirë nuk e kalonte nëpër kafene e kazino,  as në aktivitetet  politike që organizonin ambasadat jugosllave për punëtorët e përkohshëm, por lexonte libra, të cilat atdhetarët shqiptarë i merrnin nëpër ambasadat e Shqipërisë. Veprat e tilla ishin të ndaluara për punëtorët nga Kosova dhe nga vendet e tjera të ish-Jugosllavisë. Duke rrezikuar arrestimin, burgun por edhe  maltretimin, librat i sillte në Kosovë,  vëllait të tij Sheremetit, atëbotë student  dhe Ahmet Qeriqit, profesor i gjuhës shqipe, tani drejtor i Radios Kosova e Lirë, e këta pastaj ato ua shpërndanin ilegalisht shokëve të tyre.

Shabani ishte një atdhetar i flakët dhe  ka marrë pjesë në shumë nga  protestat e demonstratat kundër regjimit okupator serb gjatë kohës  sa ishte duke punuar në mërgim, por edhe në Kosovë.

Ai krijoi një familje të shëndoshë, dy djem e shtatë vajza, që të gjithë të shkolluar e të arsimuar. Pasi e braktisi punën në Gjermani, gjeti punë roje nate në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, ku punoi  njëzet vjet deri kur edhe doli në pension. Derisa punonte si roje, një natë ishte djegur Rektorati, në kohën kur rektor ishte fashisti,  Papoviq. E burgosen dhe e mbajtën tri ditë në burgun e Prishtinës, për ta liruar pas tri ditësh, sepse kishte alibi të plotë, atë natë nuk kishte ndodhur në Prishtinë.  Shaban Krasniqi  ka  lexuar shumë. Ai ishte vet-arsimuar  dhe ishte i pajisur me ideale të larta patriotike.

Shabani, përshëndetje atdhetare vëllezërve në Kosovë.
Shabani, përshëndetje atdhetare vëllezërve në Kosovë.

Familja ime, e njohur si familja e Emin Miftar Shemës së Krojmirit dhe ajo e Ajet Godenit të Karaçicës, kanë pasur raporte komunikimi dhe respekti të ndërsjellë, qysh nga fillimi i shekullit 20-të e më herët. Shoqërimin dhe komunikim e kanë filluar qysh herët, Ajet Godeni dhe mulla Emin Miftari, e kanë vazhduar bijtë e tyre, Haki Godeni dhe Ali Emin Miftari dhe brezi i bijëve të tyre, Shaban e Sheremet Krasniqi dhe unë, Ahmet Ali Emini (Qeriqi) me vëllezër e familjarë.

Lidhjet kanë qenë thjesht shoqërore, të cilat në radhë të parë i ka karakterizuar mikpritja, besa, ndihma reciproke në kohë të caktuar e mbi të gjitha preokupimet për kombin e atdheun.

 Pa u thelluar në të kaluarën, takimi im më i shpeshtë  me Shaban Krasniqin dhe Sheremet Krasniqin daton nga gjysma e dytë e viteve 70-të, të shekullit të kaluar, kur unë ma familje jetonin në Shtime, ku edhe punoja. Asokohe edhe familja e Shaban Krasniqit me vëllezër, ( të cilët po ashtu ishin shpërngulur në Shtime),  jetonim në të njëjtën lagje, si fqinj që ishim njohur kaherë edhe kur të parët kishin gjalluar në Karaçicë e në Krojmir.

Shabani me kohë kishte shkuar në Gjermani ku kishte punuar me qëllim për ta ndihmuar familjen. Atje, kishte punuar pa ndërprerë edhe pas orarit të punës, meqë kishte krijuar familje dhe iu kishin shtuar obligimet. Edhe pse formalisht bënte pjesë në klubet për punëtorë,  që i kishte aktivizuar pushteti i RSFJ-së, ai me kohë kishte vënë kontakt me Lëvizjen ilegale dhe nën ndikimin e ideve për çlirim dhe bashkim kombëtar, kishte marrë përsipër, që kur të vinte në Kosovë, të sillte libra, revista e literaturë nga Shqipëria, të cilën e merrte në ambasadën e Shqipërisë, ose nga të njohur të tij, literaturë e cila  me ligjet e pushtetit jugosllav, ishte e ndaluar të lexohej e të shpërndahej.

Duke qenë se unë kisha qenë i dënuar politik qysh në vitin 1965, Shabani ma kishte falë besimin  pa asnjë rezervë, pasi ishim njohur edhe familjarisht, ndërsa  asokohe ishim edhe fqinj.

Një ditë vjeshte të vitit 1978, kishte ardhur për vizitë dhe kishim biseduar gjerë e gjatë për gjendjen në Kosovë, për veprimtarinë e organizatave, për literaturën që ai e sillte, nën maskën e të angazhuarit në klubet zyrtare të Kosovës. Me kohë e më herët isha njohur edhe me  vëllanë e tij, Sheremet Krasniqin, profesor i gjuhës, i orientuar kombëtarisht, veprimtar dhe propagandues i çlirimit dhe i bashkimit kombëtar.

Shabani dhe Sheremeti kishin rrezikuar shumë në shpërndarjen e literaturës, madje kishin kaluar edhe nëpër raste, kur për pak dhe për fat, kishin shpëtuar edhe gjatë kontrollit në kohën kur literaturën e kishin bartur edhe nëpër autobusë.

Ndërkohë prej vitit 1981 e deri në vitin 1988, i kishim ndërprerë komunikimin, meqë në atë kohë kam qenë në arrati dhe në burg, ndërsa Shaban Krasniqi nuk e kishte ndërprerë aktivitetin e tij, në Gjermani.

Ishim parë pas tetë vitesh, kur isha kthyer nga burgu.

Për dallim nga fqinjët e tjerë disa të afërm që vinin për të më parë, pasi errësohej, me qëllim që të mos binin në sy të denoncuesve të UDB-së, Shabani, me babanë e tij, Ajetin, vëllanë,  Sheremetin e të afërm kishte ardhur ditën dhe nuk ishin merakosur fare  se kush po i shihte dhe do të tregonte te Hasim Milici dhe Bozha, në Stacionin e Milicisë, në Shtime  se kush po e vizitonte “irredentistin” dhe armikun e Jugosllavisë që ishte kthyer nga burgu.

Meqë nuk ishte askush në odë, përveç babait tim Aliut dhe xhaxhait, Mehdiut, biseda ishte zhvilluar e hapur, me urime për lirimin tim nga burgu dhe me shpresë për ditë më të mira.

Sheremeti, i cili asokohe punonte lektor në të përditshmen, “Rilindja”  më kishte njoftuar për punën, që disa krerë politikë të Kosovës po bënin në ashpërsimin e diferencimit ideo-politik, në mesin e shqiptarëve si dhe për rastin se sa në mënyrë armiqësore e antishqiptare kishin marrë qëndrim kundër familjes së Aziz Kelmendit nga Kaçaçica, i cili kishte vrarë katër ushtarë jugosllav më 3 shtator të vitit 1987. Kishte përmendur drejtorin, Rexhep Zogaj dhe kishte ruajtur një shkrim të tij, akuzues, fyes e denigrues për Azizin e familjen e tij. Ai më kishte sjellë edhe një faqe të shkrimit fyes e diskreditues të Veton Surroit, për Aziz Kelmendin.

 Në vitet 90-të Shaban Krasniqin e kishin përjashtuar nga puna, rojtar në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, në kohën kur rektor ishte emëruar, serbi antishqiptar, Radivoje Papoviq. Shabani ishte akuzuar se e kishte djegur Rektoratin, edhe pse ai kishte alibi dhe në kohën kur kishte ndodhur djegia, nuk kishte qenë në punë,  por në pushim. Shprehte mllefin për disa profesorë servilë e pro serbë dhe disa të tjerë që kishin punuar edhe në zyrën e Papoviqit, në kohën e masave të dhunshme, që kishte aplikuar regjimi i Milosheviqit.

Në ato vite, kisha filluar punën e marangozit në Punëtorinë e babait tim, Aliut, në Shtime, ku kam punuar deri në vitin 1997. Ajo ka qenë koha kur me Shabanin, meqë ishin afër,  kemi mbajtur kontakte intensive, pasi edhe ai si murator profesionist ishte edhe zdrukthëtar i mirë, pastaj shpeshherë edhe bashkëpunonim.

Mbaj mend kohën kur shkoja për të ndenjur në odën e madhe të shtëpisë,  të cilën e kishte rregulluar e dekoruar vetë me elemente artistike, tradicionale. Bisedonin shtruar deri në orët e vona të natës. Kujtimet që lidhshin me aktivitetin atdhetar ishin tema të përhershme, po ashtu edhe komentimet e pjesëve të historisë dhe atdhetarëve të njohur.

Shabani ka pasur dy xhaxhallarë bashkëluftëtarë të Azem Galicës, me të cilët krenohej dhe për të cilët tregonte rrëfime me interes. Po ashtu nga dajallarët  ishte edhe nip i Hasan Hysen Budakovës, trimit të kryengritjeve të njohura shqiptare kundër Turqisë por edhe kundër Serbisë.

Kishte një natyrë të qetë, të përmbajtur e shumë të sinqertë. Vitet e zëna me punë të rëndë e kishin bërë të veten.

Vuante nga reuma por nuk jepej, madje as donte të bisedonte për to.

Edhe pse nuk e kishte kryer as tetëvjeçaren e plotë, Shabani gjatë tërë jetës ka pasur pasion leximin e veprave të ndryshme, sidomos të monografive dhe romaneve të shkrimtarëve nga Shqipëria. Me të, kemi komentuar sa e sa vepra dhe kisha fituar bindjen se Shabani kishte lexuar më shumë vepra, sesa një arsimtar, profesor i gjuhës, apo i historisë,  nga ata që i njihja. Shpeshherë i thosha Sheremetit  se Shabani ka lexuar më shumë vepra se do kolegë të tij gazetarë e profesorë. Ai e pranonte konstatimin tim, dhe tregonte  respekt të veçantë, jo vetëm sepse e kishte vëlla më të moshuar,  por ishin edhe shokë të idealit dhe duheshin e respektoheshin pa masë.

Ditën e largimit nga Karaçica për në kurbet. Shabani me vëllanë, Sheremet Krasniqin.
Shabani me vëllanë, Sheremet Krasniqin.

I kishte bërë përshtypje sidomos romani, “Mërgata e Qyqeve” e Nasho Jorgaqit, meqë edhe vetë kishte jetuar shumë kohë në mërgim dhe kishte njohuri konkrete për shkapërderdhjen e “zogjve të qyqeve” kudo në vendet e Evropës. Po ashtu kishte dashuri dhe simpati të veçantë për Shqipërinë socialiste dhe brengosej e shqetësohej për përmbysjen e marrëzishme që kishte ndodhur në vitet 90-të.

Bijat e bijtë i kishte edukuar kombëtarisht me valët e Radio-Tiranës, Radio-Kuksit,  duke u dhënë për lexim edhe literaturë tjetër shtesë, nga ato me të cilat ishte frymëzuar edhe vetë. Për me shumë, disa nga bijtë e bijat kishin krijuar edhe një ansambël folklorik, në stilin e këngëve të Fatime Sokolit, Sali Manit e të tjerëve. Djali Berati dhe bija Fahrija ishin dhe janë këngëtarë shumë entuziastë.

Familja e Shaban Ajet Godenit, është familje tipike e arsimuar dhe  atdhetare e kohës, në radhë të parë me angazhimin e tij dhe me kushtet që u kishte krijuar  për një jetë mesatare të thjeshtë por të dinjitetshme e të arsimuar, kombëtarisht të orientuar…

E kishte pritur si toka që pret rrezet e diellit,  luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me besimin e patundur se liria nuk do të vononte pavarësisht sakrificave e mundimeve fizike, që kishin shkaktuar vrastarët serbë. Pjesë e torturave  kishte qenë edhe vetë gjatë asaj kohe.

Në takimin e parë pas luftës, më kishte përqafuar fortë, ia kishim uruar lirinë njëri-tjetrit. Me atë  më kishte thënë.

-Ahmet, tash ke detyra edhe më të mëdha, sepse lirinë e fituar me gjak duhet mbrojtur me çdo çmim. Krenohem me ty dhe shokët e mi, sepse mundi nuk na shkoi kot. Pasi e kam arritur këtë ditë, sado të jetoj e kam qelepir. Edhe nesër po të vdes nuk merakosëm sepse e përjetova çlirimin e Kosovës, ëndrrën  time më të dashur e më të përkushtuar…

Takimet e mia me Shaban Ajet Godenin pas luftës, kanë qenë më të rralla për shkak të angazhimit tim dhe udhëtimit për çdo ditë nga Shtimja në Prishtinë dhe anasjelltas. Në disa vitet e fundit, Shabanit iu përkeqësua shëndeti fizik, por shëndeti shpirtëror e mbante bashkë me besimin se liria e fituar me gjak, rezultoi me pavarësinë e Kosovës. I kam dërguar sa e sa herë libra përmes Sheremetit, i cili më tregonte se po lexon shumë dhe brengosej kur nuk kishte çka të lexonte.

Vitet e fundit të jetës i ka kaluar me vuajtje fizike, por i vetëdijshëm se jeta e gjatë nën robëri i ka edhe do çmime, që duhet të paguhen, por shumica janë shpaguar me çlirimin e Kosovës nga robëria serbe.

Ditën e largimit nga Karaçica për në kurbet.
Ditën e largimit nga Karaçica për në kurbet.

 

Shaban Krasniqi ka vdekur më 14 maj të vitit 2020, në Shtime, në moshën 82-vjeçare.

Atë ditë, në kushte dhe rrethana të pandemisë, familja kishte bërë me dije se në varrim do të merrnin pjesë vetëm familjarët. Ishim mjaftuar me ngushëllime, përmes  telefonit.

Shaban Ajet Krasniqi më ka mbetur në kujtesë si njeri me tipare të veçanta të njerëzisë, vetëpërmbajtjes, sinqeritetit, dashurisë për të vetët, të afërmit dhe atdhetarët  përgjithësisht. Po aq sa ishte i urtë, besnik  e mikpritës, aq ishte edhe  i zjarrtë kundër padrejtësisë, sidomos kundër pushtuesit serb por edhe kundër argatëve të tij, cilët do qofshin ata.

Ishte shqiptari që e kishte krijuar koha nën robëri, ishte njeri i thjeshtë i traditës dhe i moralit afirmativ,  patriarkal, që e kishte trashëguar në familje, ishte vetë arsimuar edhe pse nuk iu kishte dhënë mundësia të studionte në Universitet. E donte arsimin  dhe iu kishte përkushtuar dhe edukimit atdhetar  të bijve dhe bijave.  Ai dispononte një shpirt solidar, human, me një frymë të pastër njerëzore e kombëtare.

Jeta dhe Vepra e Shaban Ajet Godenit, janë një tërësi e lidhur ngushtë me njerëzinë, lirinë, drejtësinë e barazinë. Ishte i heshtur kur e kërkonte nevoja dhe i gatshëm për tu rreshtuar kurdoherë, aty ku duhej.

Ky shkrim jetëshkrues e përkushtues për Shaban Krasniqin, i bashkohet edicionit tim në dorëshkrim:  “Takim në rrugën e lirisë”,  me një ngushëllim për tërë familjen e tij,  vëllezërit, bijtë e bijat, nipat e mbesat, miqtë e të afërmit, në pamundësi për të marrë pjesë në varrimin e tij, por as në ditët tradicionale të pamjes, për shkaqe objektive.

Ahmet Qeriqi

4 korrik 2020

 

Edhe disa të dhëna për jetën e Shaban Ajet Godenit dhe të familjes së tij

 

Shabani kishte edhe pesë vëllezër : Hakiu, Hamdiu dhe Ramadani ( nga babai) dhe Sheremeti e Jahiri.

Hakiu, më 1944, është mobilizuar  SS-së i nazizmit gjerman dhe gjatë kësaj kohe ka shërbyer në Kampin e Përqendrimit në Prishtinë. Siç dihet, në Kampin e Përqendrimit në Prishtinë, më 1944, qenë pushkatuar 104 partizanë shqiptarë. Madje, poeti i njohur Risto Siliqi kësaj ngjarje ja ka kushtuar poemën e njohur “ Prishtina “. Një varg nga kjo poemë thotë :

“ Se gjaku i derdhur në Prishtinë kërkon me u shpague “.

 Gjatë qëndrimit në këtë Kamp, si roje e të burgosurve, ai ka kryer një vepër të madhe atdhetare , por edhe shumë të rrezikshme : Gjatë rojës së të zënëve robër të partizanëve shqiptarë , siç rrëfente shpesh Hakiu , ai ishte marrë vesh me dy të zënë robër nga Shqipëria që t’i lironte këta nga ky Kamp. Këta ishin : Kapetan, Januz Topi  dhe Smajl Mati nga Mati.

Një ditë, gjatë përcjelljes së të zënëve robër , gjatë shëtitjes së shkurtër të tyre në Kodrën e Diellit në Prishtinë, iu thotë : “ A po e shihni atë kodër atje, përtej Kodrës së Goleshit, atje është shtëpia ime. Ai vend quhet Zabeli i Vorreve ku ka edhe varre të vjetra, por që nuk dihet se cilës periudhë kohore i përkasin. Aty janë 40 lisa të mëdhenj, që shihen nga Kalaja e Prizrenit, nga Peja dhe prej këtu nga Kodra e Diellit e Prishtinës, kur nuk është gjeq ( kur moti është i kthjellët ).  Hakiu merret vesh me këta dy nga Shqipëria që të iknin gjatë shëtitjes dhe t’ia mësynin kullës-shtëpisë së Ajet Godenit në fshatin Karaçicë të komunës së Lypjanit ( tash të Shtimes ). Atje të futeshin në sojak ( ku ishin 5-6 stogj sane) dhe të thirrnin babanë e Hakiut, Ajet Godenin, e t’i tregonin se ata i kishte çuar djali i tij, Hakiu, me qëllim që një ditë Ajeti t’i përcillte për në Shqipëri. Një ditë në mbrëmje, Kapetan Sata dhe Smajl Mati shfrytëzojnë rastin dhe iu ikin rojave. Natën arrijnë në Lagjen e Godenëve në sojak të Ajet Godenit. Siç rrëfente shpesh nëna e Shabanit, Zarifja, bijë e Hasan Hysen Budakovës, një mëngjes herët, kur ishte futur në sojak për t’iu marrë ushqim kafshëve, këta dy ngritën dhe i thonë : “ Oj nënëloke, mos u frikëso, se na njerëz jemi. A është kjo shtëpia e Ajet Godenit ? Hakiu na ka çuar te ju “ . Me atë moment, nëna e Shabanit ishte frikësuar shumë, sepse thoshte se ata kishin qenë të parruar në fytyrë, si të  ! Ashtu, si me gjysmë fryme, Zarifja shkon lart në kullë dhe i thotë Ajetit :  “ Ç ou, se po të thirrin nja dy gjinë, si të egër ! Po thonë “ Na ka çue Hakia ! “

Ajeti, shkon në sojak , merret vesh me ta dhe i fut në odë. Ata, sipas rrëfimeve të Ajetit, i kishte strehuar nja 2-3 muaj e pastaj i përcjell deri te miku i tij Smajl Grikoci ( Kicaj ) i komunës së Suharekës e ai i përcjell përtej kufirit në Shqipëri. Para se të largoheshin , Ajetit ia kishin pas lënë një letër dhe i kishin thënë : “ Ruaje këtë letër , se nëse fitojmë ne , herdokur ka me t’u gjet’ kjo letër “!

Vëllai tjetër i Shabanit, Hamdiu,ka qenë partizan në Brigadën e Shtatë të Shaban Haxhisë, komandant e ka pasur Qamil Brovinën, babanë e Flora Brovinës. Ka marrë pjesë në ndjekje të gjermanëve deri në Srem… Nuk ka gëzuar kurrfarë pensioni për shkak se i përkiste një familjeje antijugosllave. Ka qenë gjuetar i njohur në këto anë, saqë thoshin se “ Sa ka vra kafshë të egra Hamdi Godeni, nuk kanë vra krejt gjuetarët e kësaj ane !”

Ramadani së bashku me Shabanin, netëve të gjata të dimrit, këndonin këngë historike të përcjella me karadyzen, të cilit i binte Shabani.

Vëllai  tjetër , Sheremeti, të cilin e ka pasur edhe më tepër se vëlla, vëlla të idealit, ka qenë pjesëmarrës aktiv i demonstratave të 68-s . Ai është magjistër i shkencave filologjike. Përveç shkrimeve nga fusha e gjuhësisë, ka shkruar edhe nja dy-tri vepra shkencore e publicistike. Vëllai më i vogël, Jahiri, që nga mosha madhore ka punuar në Gjermani ku edhe është pensionuar.

(Sh. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …