Ahmet Qeriqi: Të gjitha rrugët çojnë në Krojmir (E diel 5 korrik, 1998)

Ahmet Qeriqi: Të gjitha rrugët çojnë në Krojmir (E diel 5 korrik, 1998)

Krojmiri tanimë është kthyer në një pikë kalimtare, për ku vijnë e shkojnë jo vetëm ushtarët, por edhe shumë persona të tjerë të cilët janë të interesuar të ndihmojnë luftën apo t’i bashkohen asaj. Dinamika e lëvizjeve është e papërshkrueshme. Dikush ka një punë me ndonjë ushtar, dikush do të takojë ndonjërin prej eprorëve, ndonjë tjetër interesohet për ndokënd, shok apo mik, për të cilin ka dëgjuar se është ushtar, dikush tjetër vjen vetëm për t u bindur se ekziston ushtria, disa fshatarë nga Rrafshi vijnë për të uruar që jemi bërë me ushtri, por nuk kanë dëshirë që ushtria të zgjerohet edhe nëpër fshatrat e Rrafshit. Ata arsyetohen se në fshatrat e Rrafshit të Lypjanit ushtarët nuk kanë ku të fshihen, edhe pse këtu ndër ne i shohin ushtarët që venë e vijnë pa u fshehur nga askush.

Lëvizjet dhe vajtje ardhjet e njerëzve janë bërë të papërballueshme. Sot, nga Mollapolci kanë ardhur nipat e sylës, Shaipi, Rifati, Sadiku dhe të tjerë. Ata po bëjnë përgatitje për t’ i zgjeruar radhët në fshatrat e rrethit të Shtimes.

Në orët e pas ditës këtu ka ardhur edhe Elmi Reçica, ish i burgosur politik. Ai  i ka shpëtuar arrestimit nga regjimi serb. Hilmiu tregon se policia serbe në Ferizaj ka ndërmarrë aksion nën pretekst të bastisjes për armë. Po ashtu bën me dije se, sipas disa burimeve nga anëtarët e familjeve të të burgosurve, si: Enver Topalli, Rexhep Bislimi, Ahmet Hoxha, Cen Dugolli e të tjerë, policia po i torturon mizorisht.

Nga Mollapolci kanë ardhur edhe Ruzhdi Jashari dhe Fehmi Mujota. Këta dy veprimtarë dhe atdhetarë të dalluar po insistojnë që sa më parë të zgjerohen pikat edhe në zonën e Neredimës. Ata, si duket ende nuk kanë ndonjë angazhim të veçantë dhe duket sikur presin për t’u caktuar ndonjë detyrë konkrete. Mirëpo sa u përket detyrave, tani për tani nuk është organizuar ndonjë instancë e cila do të merrej me trajtimin e çështjeve të tjera, përveç çështjeve që kanë të bëjnë me operativën.

Po sot jam takuar edhe me Fitim Selimin. Ai ka disa ditë që është angazhuar në radhët tona. Fitimi është një veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare. Është një djalosh komunikues, i zhdërvjellët në punë, i pa kursyer për çfarëdo pune dhe veprimtar shumë i besueshëm. Ai këtu nga të gjithë është pritur krahëhapur, por sot i ka ndodhë një incident me Ramiz Qeriqin,i cili, e ka fyer pa asnjë shkas, ashtu sikur ka ndodhë edhe herë tjera me këtë Ramizin, i cili herë-herë më shumë na prish punët se sa na ndihmon.

Ai ka filluar një propagandë të ligë kundër vëllezërve Buja dhe kundër të gjithë të njohurve të tyre. Shkas për këtë duket se është emërimi i Shukriut për Komandant të pikës dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Ramizi nuk e kupton dot se për një vend të tillë me përgjegjësi nuk mjafton vetëm rrahagjoksi dhe trimëria ende e padëshmuar sa duhet, por në radhë të parë duhen njohuri praktike intelektuale, por edhe ushtarake, të cilat i disponon Shukriu, më në nivel se shumë të tjerë.

Pavarësisht se e ka fyer Fitimin, madje në mesin e mjekëve të tjerë, Fitimi vazhdon të punojë. Ai, ka ardhur te unë, duke menduar se mund të ushtroj ndonjë ndikim te Ramizi. Ç është e vërteta, Ramiz shtiret  sikur më dëgjon dhe më përfillë, por këtë e bën karshi të tjerëve, duke qenë deri diku në njohuri se unë konsultohem me Jakup Krasniqin, me Ramë Bujën dhe me anëtarë të tjerë të Shtabit. Mirëpo, ai po ashtu e din se unë tani për tani nuk kam ndonjë resor të caktuar dhe pres t’i aktivizojmë institucionet informative.

Ramizi, me arrogancën e tij të egër, me sharje e fyerje pas shpine herë për njërin e herë për tjetrin, e ka devalvuar  vetveten dhe kam frikë se do ta devalvojë edhe imazhin e luftës në këto anë. Mirëpo, jo gjithherë Ramizi është në gjendje të tillë shpirtërore. Ka çaste kur ai mendon dhe vepron  me maturi dhe me kujdes. Ka  shumë raste kur pranon se ka bërë gabim dhe e ka tepruar. Pavarësisht nga këto, Ramizi është një person kontravers, të cilin duhet vënë nën kujdes të posaçëm, për ndryshe mund ta dëmtojë luftën tonë çlirimtare. Ai është trim dhe i përkushtuar në luftë.

Natën vonë, në mënyrë të organizuar kanë arritur pesë traktorë me karburante, të cilët i ka nisur nga Petrova Nazmi Iballi, i cili ilegalisht vepron në logjistikë. Traktorët kanë ardhur nëpër male, prej Petrovës nëpër Rancë në Carralevë e prej andej  në Krojmir. Ata kanë rrugëtuar afër pesë orë, dhe pasi kanë ngrënë pak bukë, i kanë zbrazë karburantet në cisterna, të cilat i kemi vendosur jo larg Shtabit tonë dhe janë nisur në rrugë për të kaluar rrugën  ende pa zbardhë dita. Shumica e tyre më njohin dhe që të gjithë dëshirojnë që sa më parë të kyçen në UÇK.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …