Filmi “Bordel Ballkan”, i autorit Jeton Neziraj me regji të hungarezit nga Vojvodina Andrash Urban, nuk është filmi i vetëm që fyen dhe përdhos vlerat morale, ato kombëtare, veçmas vlerat e luftës së UÇK-së, tani në prag të fillimit të punës Gjykatës Speciale kundër saj. Nuk është filmi i vetëm i tillë, për nga përmbajtja dhe porosia, i cili financohet nga buxheti i Kosovës. Ky, ta quajmë film, është gjysmak si për nga përmbajtja dhe ndërtimi konceptual, as mish as peshk, ashtu edhe nga realizimi skematik, madje vetë regjisori ka pranuar se ka realizuar një temë të errët…
“Kjo që do të jetë një shfaqje shumë e mirë pa marrë parasysh që merret me një temë të errët. Më të vërtetë në disa momente të caktuara është shumë e vështirë që njeriu të përballet me këto emocioni por gjithsesi arti është një storie ku duhet me u përballë, por mendoj që do të jetë një shfaqje e cila në mënyrë të vet e intrigon publiku, edhe publikun standard të teatrit edhe njerëzit e përditshëm”. (KultPlus.com)
Ndërsa, autori, Neziraj ka shkruar se “ Shfaqja do të sjellë një histori tragjike që ndodhë pas luftës, tragjedi e cila është tipike për familjet në Ballkan, ( për të gjitha familjet e popujve të Ballkanit, nënvizim A.Q.) për shoqëritë që janë në tranzicion, duke krijuar kështu ndërlidhje edhe me realitetin, duke sjellë vrasje, dashuri, urrejtje e shpresë… (po aty) sipas mendjes së tipike si për kriminelët ashtu edhe për viktimat…
Bordel Ballkan është një prodhim i mendjeve “të lindura dhe të rritura” nëpër bordele ideologjike të së kaluarës eunuke të “jugoviçëve”, sepse njeriun nëse e zhvesh nga vlerat morale, shoqërore, njerëzore, kombëtare, çlirimtare, ai nuk është asgjë më shumë se një mostrum, i cili botën e sheh nga pozita e vet dhe gjithçka përreth i duket bordel…
Të tillë janë jo vetëm këta dy prezantues të bordelit të tyre shpirtëror, degjenerik, pervers, sepse njeriu nuk del dot nga lëkura e tij, në të cilën është krijuar të jetojë dhe jeton. Ai është pjellë e përzierjes gjenetike nga e cila del në këtë botë dhe zhvillohet, arsimohet pastaj prezanton botën e tij, në këtë rast noprane dhe të neveritshme.
Bota kurdoherë ka pasur degjenerikë e perversë, ashtu sikur ka pasur Agamamnonë guximtarë, sedërtarë e vrastarë, ashtu sikur ka pasur mujsharë si Akil këmbëshpejtë, ashtu sikur ka pasur njerëz me integritet moral, njerëzor sikur Hektori, lakmitarë dhe epshtarë sikur Paridi, nënë vrasës sikur Oresti, vrastar monstruoz sikur Neroni dhe mostra të tilla sikur: Milosheviqi, Karaxhiqi, Mlladiqi e shumë si këta. Është e pafund bota e mostrave të tilla, por a mund të jenë të njëjtë si ata mujsharët që nuk njohin zot as vlerë morale e njerëzore, të njëjtë me viktimat e tyre, për faktin se këta të dytët kanë guxuar t’ iu kundërvihen, jo vetëm me rastin tonë konkret me luftë çlirimtare, por edhe raste të tilla të përhershme në tërë historinë dhe qytetërimin njerëzor.
Këtu qëndron esenca e “Jugo-bordelit” të Jetonit dhe Urbanit. Ajo përkufizohet me përfundimin alogjik, reaksionar “se të gjithë ata që luftojnë, pavarësisht pse luftojnë janë të njëjtë, si komandantët serbë që kanë vrarë njëqind shqiptarë për një serb, ashtu edhe çlirimtarët shqiptarët, që kanë vrarë ushtarë dhe policë serbë, por nuk kanë kursyer edhe ndonjë gjak përzier, të dalë nga Jugo-bordelet. A Mund të trajtohen njëjtë forcat serbe që kanë vrarë e masakruar shqiptarët, boshnjakët myslimanë e kroatët, ashtu edhe forcat e NATO-s që kanë intervenuar ushtarakisht, nga ajri për ta ndaluar spastrimin etnik dhe katastrofën humanitare të shqiptarëve të Kosovës? Nga bordel filmi del së të gjithë qenkan të njëjtë.
Bordel Ballkan ka vetëm dhe vetëm këto porosi. Të gjithë ata që luftojnë pavarësisht pse luftojnë, të gjithë janë njësoj…
Le të mundohen analistët, kritikët e teatrit e të filmit, ta shpjegojnë ndryshe, këtë film fyes e pervers, por me gjuhën e fakteve nuk e shpjegojnë dot, me gjuhën analizës së veprës letrare, të dramës, romanit, filmit, të kritikes, cila do qoftë ajo, ky bordel nuk shpjegohet dot, pos me arketipin e vet, me vetë pjellën dhe mendjen bordel që buron nga soji i vet, nga ADN-ja e vetë.
I tillë është Jugo-bordeli i një jugo-kosovari dhe jugo-veri-vojvodinasi.
Është për keqardhje që mendjet e tilla apatride, të cilët pretendojnë të jetë qytetarët të paanshëm dhe “vizionarë”, të lejohen të nëpërkëmbin, të shajnë dhe të fyejnë vlerat kombëtare, morale, njerëzore të cilitdo popull, i cili ka luftuar dhe lufton kundër tiranisë, kundër shfrytëzimit, robërisë e shfarosjes.
A kanë fare kuptim për Jetonin dhe Urbanin emrat: Srebrenicë, Reçak, Vukovar, Meje, Izbicë, dhe qindra emra të tjera të vendeve që shënojnë tragjeditë e kohës sonë? A kanë fare kuptim këta emra për të gjithë ata që i mbështesin dhe madje pretendojnë t i arsyetojnë duke shkuar edhe një hap më tej. Është fat që këta janë pak në numër, por janë sikur virusi që bën pëpjekje ta shkatërrojë një organ të një qenie, cilado qoftë ajo.
Vetëm një rast është për keqardhje lidhur me këtë film pervers. Janë krerët e shoqatave, ata që reaguan, madje edhe u zotuan se do ta ndalojnë shfaqjen, pa e kuptuar se shfaqjet e tilla, që i financon “mendja bordel e qeveritarëve tanë”, nuk mund të pengohen, sepse porosia e këtij bordeli, arsyeton nismën e punës së Gjykatës Speciale. Dikush po mendon se duhet t’u mbushet mendja shqiptarëve dhe jo vetëm atyre, që e kanë mendjen bordel, por edhe veteranëve të mjerë që gjatë luftës ishin 18.000 e sot janë 50.000, se çlirimtarët e Kosovës, paskan trafikuar organe të serbëve, se ata njëjtë paskan qenë vrastarë ashtu sikur edhe vrasësit e tyre, se komandantët cilët do qofshin ata, të cilit do komb race e feje qenkan të njëjtë. Deri tani, kjo as ështe vërtetuar as ëdhtë verifikuar, as ka fakte, por ka “fakte” të imagjinuara, të montuara dhe paragjykime virtuale të pjellave të bordeleve…
Është për keqardhje edhe një diçka tjetër në këtë mes. Vlerat e luftës së UÇK-së nuk i mbrojnë dot shoqatat, OJQ-të, as ata që rrahin gjoks para kamerave dhe pastaj ulin kokën deri poshte, sepse edhe nuk dinë si t’ i ruajnë e t’ i mbrojnë ato, as kanë forcë reale për t’ i ruajtur ato, përveç nëse “ruajtje” konsiderohet ndonjë fjale apo britme e lëshuar në shkretëtirë, dhe pastaj një “shukatje” mjerane. Ato vlera duhet t’ i ruajë Shteti, nëse kemi Shtet. Vlerat kombëtare, morale, njerëzore, po ashtu duhet t’ i ruajë Shteti, të cilin nuk e kemi, sepse ky Shtet e kjo Qeveri që e kemi i ka hapur rrugë degradimit të vlerave kombëtare e çlirimtare, sepse ka votuar pakon e Ahtisarit, që e mban peng ardhmërinë e Kosovës, sepse ka votuar gjykatën fashiste, raciste, një etnike kundër UÇK-së, sikur është e ashtuquajtura “Gjykatë speciale”. Jo rastësisht vetë kryegjyqtarja, kreinkuizitorja e kohës sonë, me origjinë bullgare, Trandafilova tha se vetë UÇK-ja e ka kërkuar gjykatën për ta larë vetveten. Asnjë veteran, asnjë ministër, asnjë deputet, asnjë regjisor, asnjë intelektual nga ata që janë, apo pretendojnë të jenë të tillë, nuk reagoi në vlerësimin e saj. Asnjë nga këta, apo kryetar partish, që mburren me prejardhje nga lufta e UÇK-së, nuk e pa të arsyeshme të reagojë kundër një filmi fyes e poshtërues për luftën, në mos për tjetër, atëherë për faktin se me paranë publike nuk duhet të lejohet financimi i filmave të tillë, sepse fyen dëshmorët, martirët, invalidët, fyen të gjitha forcat liridashëse të vendit.
Të lindurit e të rriturit nëpër bordele mendojnë se tërë Bota është bordel. Por, është ngushëllues fakti se një dele e keqe, as e ka prishur as e prish dot kopenë, qoftë edhe dele e zezë në mes deleve të bardha. Por, është fatkeqësi kur një bari i keq i le delet në gojë të ujkut duke u përpjekur ta gjejë delen e sëmurë e të zgjebosur, e cila është ndarë nga kopeja.