Ahmet Qeriqi: Të vendosur për të qëndruar në Grykën e Shpëtimit (E hënë 3 gusht, 1998)

Ahmet Qeriqi: Të vendosur për të qëndruar në Grykën e Shpëtimit (E hënë 3 gusht, 1998)

Naim Ymeri, një tezak  imi nga Gllogoci i Lipjanit, me ndihmën e të gjithë atyre që i ka angazhuar në tubimin e ndihmave për zonat e përfshira në luftë, ka grumbulluar 8500 kilogramë miell, vaj dhe artikuj të tjerë ushqimorë.

Meqë dje nuk ka pasur granatime drejt pozicioneve dhe fshatrave tona, Elez Durmishi ka angazhuar Ramadan Rizanin, Idriz Qeriqin, Heset Hamdiun e të tjerë, që të marrin traktorët, të depërtojnë me kujdes në Ribar të Madh dhe të tërheqin sa më parë miellin e artikujt e tjerë.

Pa humbur kohë ata janë nisur në drejtim të Blinajes, me shpresë se do të kalojnë pa probleme edhe kësaj radhe.

Në shtëpinë e Heset Hamdiut është vendosur shtabi lokal i UÇK-së, ndërsa në shtëpinë e Aziz Hamdiut do të vendoset së shpejti ekipi i mjekëve, meqë atje janë më të nevojshëm  dhe në rast të ndonjë sulmi të papritur ata duhet të jenë pranë ushtarëve.

Ushtarët venë e vijnë pa ndërprerë. Me siguri se forcat serbe kanë marrë informacione se ku ndodhet pikë-qëndrimi i tanishëm. Janë të shumtë njerëzit që për një arsye ose tjetër kalojnë nëpër postblloqet e policisë dhe sipas informatave të vëzhguesve tanë shumica e tyre ndalohen dhe pyeten për vendqëndrimet e ushtarëve. Ka në mesin e tyre edhe të atillë që bashkëpunojnë dhe japin informacione lidhur me lëvizjet tona. Disa nga ata i kanë marrë edhe lejet speciale për të kaluar pa pengesa nëpër postblloqe.

Nëse serbët e kanë identifikuar vendin ka rrezik që të na sulmojnë papritur. Pikërisht për këtë kam biseduar me Sylë Qeriqin dhe me Ramiz Qeriqin, duke  porositur që të mos e lejojnë grumbullimin e ushtarëve me shumë se pesë deri në dhjetë veta. Mirëpo ndodh që në raste të veçanta të kthehen ushtarë nga zonat e ndryshme dhe ata pushojnë, ushqehen dhe ndërkohë marrin rrugë.

Në orët e pas ditës, katër nga traktoristët që ishin nisur në mëngjes për në Ribar të Madh, kanë ardhur shëndosh e mirë.

Ata kanë sjellë 4500 kilogram miell, 15 thasë kripë, najlon për tenda dhe artikuj të tjerë ushqimorë.

Po sot janë kthyer nga Shtimja, ku ditë më parë kanë shkuar ilegalisht Reshat Gashi dhe  Shyqri Iballi. Edhe ata kanë kaluar pa pasoja dhe kanë sjellë informacione.

-E kam çelur rrugën për në Shtime, thotë Reshati me qesëndi. Edhe kësaj radhe jam i pari, madje më trimi. Reshati vazhdimisht është me humor të lehtë dhe asnjëherë nuk i dramatizon situatat. Është tejet inteligjent dhe shumë i arsyeshëm. Në situata më të rënda gjen shkas për disponim, duke mos lejuar depresion dhe fatalizëm.

Me veprimet e tij hokatare, është bërë objekt i humorit. Ai merr dhe jep, por kurdoherë me masë dhe me një çiltëri të jashtëzakonshme, pa ironizime, pa teprime. Veprimet e tij janë tejet të natyrshme dhe vazhdimisht ngjallin disponim më së të nevojshëm në çdo situatë. Është pikërisht si ushtar Pirelli, i Petro Markos në romanin Hasta la vista. Ka një qasje origjinal në komunikim me të gjithë.

Sot i kam dëgjuar lajmet e të gjitha radiostacioneve të huaja. Kam fituar përshtypjen se krimineli Milosheviq ka marrë dritë jeshille për ofensivat kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Analistët e huaj, sidomos Patrik Mur, Art Çaims e të tjerë  shfaqin rezervat e tyre ndaj mposhtjes së lehtë të UÇK-së. Megjithatë ata mendojnë se ne nuk jemi të mundur. Kështu nuk mendon sidomos lideri pacifist Ibrahim Rugova. Ky njeri qeshet dhe krekoset për politikën e tij, duke treguar haptas disponimin e tij kundër luftës çlirimtare dhe duke rikonfirmuar si të vetme alternativën e tij qyqare pacifiste.

Ne, ç është e vërteta kemi marrë goditje të fortë, por jo fatale. Përkrahësit e Rugovës i kemi futur në ilegalitet dhe kjo është më se e domosdoshme për të ruajtur unitetin dhe besimin në fitore, Në mesin e ushtarëve tanë nuk ka përkrahës të Rugovës. Edhe nëse është ndonjë ai nuk tregohet, ndërsa puna jonë propanguese në këtë drejtim nuk ka munguar.

Më brengos pa masë fakti i defilimit të aeroplanëve dhe i helikopterëve të cilët na incizojnë nga lartë dhe mund t`i identifikojnë lëvizjet dhe vendqëndrimet tona. Në këtë drejtim nuk kemi forcë për të ndërmarrë asgjë.

Natën vonë nga Kleçka është kthyer Faruk Gashi. Ai nuk e ka takuar Azem Sylën. Si duket nuk i kanë treguar ku ndodhet. Faruku është në shënjestër të disa ushtarëve tanë, të cilët ndoshta me të drejtë dyshojnë, meqë jo vetëm një herë e kanë parë në Shtime në mesin e policëve. Është folur shumë keq dhe  ata nuk i dinë raportet e tij me Azem Sylën. Duhet ta mbaj afër dhe t`ia lë në përkujdesje sidomos Sylës dhe Elezit, përndryshe është i rrezikuar. Tani për tani ai do të bëjë roje në Lezhë, së bashku me Hasanin dhe Naim Rizanin.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …