leoni

Ahmet Qeriqi: Tërheqje taktike e disa formacioneve ushtarake e policore serbe. (E shtunë 3 tetor 1998)

Ahmet Qeriqi: Tërheqje taktike e disa formacioneve ushtarake e policore serbe. (E shtunë 3 tetor 1998)

Presioni i faktorit ndërkombëtar kundër kryexhelatit Milosheviq po rritet.

Edhe pse ky despot i çmendur në dukje nuk e përfillë këtë presion, shihet se ai megjithatë ka frikë, por mendon se do të shpëtojnë në çastin e fundit, atëherë kur do të bindet se NATO-ja e ka përnjëmend. Deri atëherë ka mjaft kohë për manovrime. Kryeçetniku serb Sheshel i bën thirrje serbëve të përgatiten për kundërsulm ndaj NATOs. Serbët po e vringëllojnë retorikën e tyre luftënxitëse me qëllim që ta fusin në lojë edhe federatën ruse, në mënyrë që lufta të merr përmasa në tërë Ballkanin. Krimet e kryera kundër shqiptarëve bëhen edhe me bekimin e Kishës serbe dhe të kryepatrikut Pavle. Serbët më nuk kanë as edhe formalisht kundërshtarë të politikës militariste. Të gjithë në front për çështjen serbe, është parulla e tyre e moçme e aktualizuar tani kundër shqiptarëve liridashës në Kosovë.

Vëzhguesit tanë në Blinajë kanë bërë të ditur se forcat serbe përkohësisht janë larguar nga postblloku në Komaran por një njësit tankist është vendor te antena në Golesh. Prej asaj pike mbahen të shënjestër tërë Drenica Qendrore dhe fshtrat ku ndodhemi ne.

Tërheqja është bërë me bujë, para gazetarëve duke treguar gjoja fitoren kundër terroristëve. Serbët po taktizojnë për qëllimet e tyre të liga. Nuk besoj se tani për tani ia kanë frikën NATO-s. Ata e dinë mirëfilli se edhe nëse vie deri te vendimi definitiv, duhet kaluar muaj të tërë derisa të kalojë nëpër procedurë në Këshillin e Sigurimit, derisa të aprovohet një rezolutë të cilën përfundimisht duhet ta miratojnë Rusia dhe Kina. Gjasat për intervenim janë kurrfare, ndërsa kjo mes-kohë mund të na shërbejë për t`i konsoliduar radhët dhe për ta rritur efektivin e kundërvënies.

Gjatë natës serbët kanë demonstuar forcë duke goditur me armë artilerie në drejtim të fshatrave tona. Ata, po provokohen nga ushtarët tanë, me qëllim që t iu bëhet me dije se ne jemi këtu pranë.

Kam biseduar me Elez Durmishin lidhur me  arritjen e Ramë Bujes dhe të Berat Luzhës. Elezi e ka marrë përsipër t`i shtojë masat e sigurisë duke u zotuar se për këtë do të përkujdeset personalisht. Kam besim të fortë në Elezin, sepse ai atë që e thotë e ka bërë dhe e bën. Është me rëndësi që për fillim të mos hetohet ardhja e Jakup Krasniqit, edhe pse kjo mund të mos diktohet vetëm një apo dy ditë, meqë të gjitha hyrje daljet në pikat kaluese të fshatit janë të mbuluara me roje dhe askush nuk mund të kalojë pa u hetuar.

Jetë Hasani nuk ndalon në veprimet e tij. Ai kërkon nga unë leje për t` i sulmuar vëllezërit Peçani në Godanc, të cilët kanë qenë dhe  janë në shërbim të forcave policore serbe. Janë pikërisht këta policë që e kanë rrahur dhe maltretuar Jetën sa e sa herë. Ata kanë bërë shumë vepra të tjera kriminale kundër bashkëkombësve, por rrethimi i tyre është me rrezik, meqë janë shumë mirë të armatosur dhe në rast të sulmit mund të pësojnë edhe fëmijët e tyre. Jeta nuk  merr parasysh arsyetimet.

-Edhe ne kemi fëmijë thotë, madje fëmijëve tanë po ua hjekin kokën me thika.

I tregoj Jetës se unë nuk jam kompetent për këto punë, por ai insiston, duke kërkuar vetëm lejen nga ana ime. E di se ai do ta bëjë të veten, por e shtyj me premtime se do të bisedoj me ndonjërin nga komandantët.

Nga mënyra e shprehjes dhe e vështrimit e kuptoj se ai ka vendosur.

Në mbrëmje sërish kanë ardhur Idriz Hyseni, me një ushtar shofer, pastaj Ramë Buja, Berat Luzha dhe Agron Krasniqi. Pasi kemi ngrënë darkë Idrizi dhe Rama janë nisur ndërsa Agroni dhe Berati kanë qëndruar këtu.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …