Themelimi i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, ndodhi si rezultat i një kompromisi mes demilitarizimit të plotë të UÇK-së, që për kohën, në verë të vitit 1999 konsiderohej se do ishte veprim i rrezikshëm, dhe formimit sa për sy e faqe të një organizate civile për raste emergjente dhe deminimin e territorit të vendit pas luftës, e cila u quajt TMK. Në aktin e demilitarizimit të UÇK-së, që parashihej edhe nga vendimet e Konferencës së Rambujesë, mori pjesë kreu i luftës së UÇK-së dhe pikërisht për këtë mijëra luftëtarë të lirisë iu binden verbërisht këtij veprimi, meqë shpërbërja e UÇK-së ishte nënshkruar nga kreu politik dhe ushtarak i luftës, nga Hashim Thaçi dhe Agim Çeku.
Nëntë vjet e më shumë pas krijimit të kësaj force, po vjen edhe fundi i saj i pashmangshëm, apo, sikur thuhet, shpërbërja e plotë e kësaj force, e cila gjatë 9 viteve të kaluara, në mënyrën më të pamoralshme e më të panjerëzishme u sulmua nga të gjitha anët, ndërsa edhe u keqpërdor për pasivizimin e faktorit të brendshëm me prirje për bashkim kombëtar.
9 vjet nuk reshti lufta brenda TMK-së. U godit kjo forcë nga të gjitha anët sepse ishte trashëgimtare e UÇK-së. U godit nga brenda e nga jashtë, por çuditërisht ajo po qëndronte falë respektit dhe besimit të kishte krijuar në popull, si forcë e armatosur apo si ushtri e Kosovës, edhe pse dihej mirëfilli se nuk ishte e tillë. Në hulumtimet e ndryshme të opinionit, jo vetëm njëherë personaliteti më i besueshëm në Kosovë u shpall kreu i TMK-së dhe kjo forcë në përgjithësi. Goditjet nga jashtë vinin nga Kreu i UNMIK-ut, nga Qeveria e Beogradit, nga Ministria e Drejtësisë e Serbisë, e cila lëshoi akuza për krime lufte dhe nga një segment i policisë ndërkombëtare, e cila jo vetëm njëherë u soll dhunshëm dhe tejet egërsisht me rastin e arrestimit të disa eprorëve të lartë të TMK-së. Fillimisht nga kjo Trupë u larguan disa oficerë nga Shqipëria të cilët kishin luftuar në radhët e UÇK-së. Disa syresh u degraduan dhe u përzunë nga radhët me motive ndër më të ndryshmet.
TMK-ja pati edhe goditje nga brenda, meqë gjatë pazarit politik me rastin e themelimit, brenda saj qenë futur edhe disa eprorë të FARK-ut, dhe një segment i ish-oficerëve jugosllavë, të cilët nuk e kishin ndihmuar luftën, por ishin futur brenda kësaj Trupe, si Kali i Trojës me qëllim që ta shkatërronin nga brenda. Edhe pse e sulmuar nga brenda e nga jashtë, bërthama komanduese e kësaj force, e dalë nga ideali i rezistencës popullore, Ademajasharjane, rezistoi me të gjitha format e mjetet, por nuk arriti të mbijetojë. Arsyet për këtë dështim janë të shumta dhe “fajin” kryesor për tërë çfarë ka ngjarë në TMK, e mbart, në radhë të parë kreu i saj së bashku me një segment të kreut politik dhe institucional të Kosovës.
Aktiviteti dhe prania në jetën shoqërore e politike të vendit e TMK-së, përbënin një kapitull me rëndësi në vitet e pas luftës në Kosovë
TMK-ja u themelua në kohën e fillimit të organizmit institucional të vendit, në shtator të vitit 1999, në kohën e thyerjeve të mëdha, që po ndodhnin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, si rezultat u luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare. Krijimi i kësaj force pati rol shumë të rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend, meqë po të mos krijohej kjo forcë, dhe por të mos inkuadroheshin në të eprorët dhe shumë luftëtarë të lirisë, fare lehtë do të mund të krijoheshin grupe të fshehta të armatosura, të cilat nuk do të mund të kontrolloheshin dhe për pasojë do të shpërthente revolta në drejtim të padëshirueshëm për faktorin vendimmarrës ndërkombëtar dhe politikanët e vendit.
Duke u ballafaquar me sulme dhe shantazhe, duke qenë vazhdimisht e keqtrajtuar në aspektin financiar, e ballafaquar me mungesën madje edhe elementare të pajisjeve dhe të trajtimit gjithnjë nën mbikëqyrje, TMK-ja po zhvillohej si një forcë mbrojtëse në rezervë, e cila në anën a saj të jashtme improvizonte ushtrinë e Kosovës, ndërsa përbrenda mundohej ta ruante të fortë strukturën komanduese, që doli nga lufta e UÇK-së. Prania në këtë forcë e disa bashkëluftëtarëve besnikë të Legjendarit Adem Jashari, prania e shumë pjesëtarëve të familjeve të dëshmorëve, madje edhe e një segmenti të invalidëve dhe veteranëve të luftës, bëri që TMK-ja të marrë një formë dhe përmbajtje të vërtetë të një ushtrie në kohë paqeje, e cila po aftësohej për të qenë e gatshme në kryerjen edhe të detyrave më të ndërlikuara, në rast të nevojës…
Këtë rol dhe respekt që kishte populli i Kosovës për TMK-së, e kishin vërejtur me kohë komandantët e KFOR-it dhe zyrtarët e UNMIK-ut. Duke qenë të sigurt se ky “improvizim” po sillte paqe dhe stabilitet në Kosovë, ata kaluan heshtazi, mirëpo në raste të caktuara, zyrtarët e UNMIK-ut dhe komandantët e KFOR-it, deklaronin se TMK-ja është organizatë civile. Pretendimet e tilla të kreut të TMK-së, i shkonin për shtati sidomos kreut politik dhe institucional të vendit në drejtim të ruajtjes së status-quosë, sidomos gjatë procesit të negociatave me Beogradin dhe faktorin ndërkombëtar lidhur me përcaktimin e statusit të Kosovës.
Me rastin e shpërthimit të revoltave më 17 dhe 18 mars të vitit 2004, TMK-ja ishte tejet aktive dhe në disa qendra të Kosovës arriti ta mbajë nën kontroll gjendjen. Pavarësisht nga ky sukses, forcat e KFOR-it ndaluan aktivitetin e saj gjatë protestave, për të dhënë të kuptohej se TMK-ja nuk ishte forcë e sigurisë dhe nuk i takonte të merrej me stabilizimin e gjendjes së krijuar në vendin tonë, pas mbytjes së dhunshme në lumin Ibër të tre fëmijëve të mitur shqiptarë nga fshati Qabër i Mitrovicës. Ku akt kriminal i kryer nga serbët, u bë shkak për shpërthimin e revoltave kundër okupimit të pjesës veriore të Mitrovicës nga Beogradi.
TMK-ja po rritej dhe po forcohej falë idealizmit të luftëtarëve të lirisë, eprorë dhe ushtarë, të cilët kurrë nuk do të ankoheshin për shkak të kushteve të rënda dhe pagave tejet të ulëta, por ishin tejet të vullnetshëm dhe përplot dinjitet në drejtim të realizimit të aspiratës, për të krijuar një forcë autentike me fizionomi dhe komandë ushtarake, duke ruajtur konturat dhe fizionominë e organizimit struktural të UÇK-së.
Pikërisht në kohën kur po rritej uniteti brenda këtyre radhëve, fillonte edhe sulmi i akorduar i qarqeve antishqiptare kundër TMK-së, që manifestohej me arrestimin e kuadrove më të larta e deri te pjesëtarët e saj, me akuzat e mbështetura në të dhënat paragjykuese e gënjeshtare të Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe të disa qarqeve të tjera. Edhe në raste të tilla TMK-ja e merrte veten dhe nuk lejonte të shpërthente revolta e ligjshme qytetare në mbrojtje të vlerave, që kishte në gjirin e vet kjo forcë e re edhe pse e brishtë e vendit tonë.
TMK-ja nuk kishte strategji autentike të veprimit, meqë ishte e varur nga politika
Kreu i kësaj Trupe, mjerisht nuk dispononte strategji autentike të veprimit, meqë ishte nën diktat të KFOR-it, të policisë ndërkombëtare dhe të kreut institucional të vendit. Kreu i TMK-së, në konsultim të vazhdueshëm me kreun institucional, filloi të vepronte sipas udhëzimeve nga lartë, duke qenë vazhdimisht nën kontroll rigoroz, por edhe nën një presion intensiv. Me qëllim për t’ iu nënshtruar në tërësi institucioneve të vendit, shumë emra të njohur të eprorëve të kësaj trupe janë shantazhuar se do të ndiqen penalisht dhe do t’ i dorëzohen Hagës, nëse nuk bashkëpunojnë pikë për pikë me kreun qeveritar. Në raste të rezistencave individuale apo grupore, pasonin degradimet, lëvizjet nga një vend në tjetrin, burgosjet serike dhe përjashtimi nga TMK-ja, duke kurdisur paraprakisht ndonjë aferë, madje edhe tejet të ulët. Në këtë rrugë drejt Kalvarit të saj, kreu i TMK-së u dorëzua, duke pranuar se dorëzimi po vinte si shkak i presionit ndërkombëtar mbi kreun politik dhe mbi Kosovën përgjithësisht. Kreu i kësaj force nuk reagoi as edhe kur u shpall plani i Ahtisarit, i cili parashihte që kjo forcë të shpërbëhej dhe të shkatërrohej në tërësi.
Në planin e Ahtisarit lidhur me shpërbërjen e TMK-në shkruan: Do të krijohet një forcë e re, profesionale dhe shumë-etnike për sigurinë e Kosovës, e cila do të jetë e armatosur lehtë dhe do të jetë e aftë të mbulojë nevoja të caktuara të sigurisë sipas Shtesës VII të kësaj marrëveshje. Trupat Mbrojtëse të Kosovës, pasi e arritën qëllimin e tyre, duke përfshirë këtu lehtësimin e rindërtimit pas lufte të Kosovës. Ato do të shpërndahen 1 vit pas miratimit të kësaj marrëveshjeje.
Improvizimet e politikës ditore lidhur me rolin dhe statusin e TMK-së
Qysh prej krijimit të kësaj force politikanët e Kosovë, me qëllim për të përfituar elektoratin, në mënyrë krejt të papërgjegjshme do të deklarojnë se TMK-ja është ushtria e ardhshme e Kosovës, duke mbjellë iluzione dhe duke ndikuar në pasivitetin e faktorit rezistues. Edhe pse deklaratat e tilla përdoreshin për konsum ditor politik, kjo mënyrë komunikimi me qytetarët e painformuar po krijonte bindjen se me zgjidhjen e statusit të Kosovës, që pritej të rezultonte me pavarësi të plotë, TMK-ja doemos se do të shndërrohej në ushtri të Kosovës.
Po sjellim disa shembuj të cilët janë shumë kontradiktorë lidhur me rolin statusin shpërbërjen e TMK-së dhe themelimin e FSK-së.
1. Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, i shoqëruar edhe nga disa ministra vizitoi Shtabin e Përgjithshëm të TMK së dhe Komandën e Trajnimit dhe Doktrinës dhe bisedoi me komandantin e TMK së, gjeneralin Agim Çeku, duke i shprehur përkrahjen e qeverisë. Kosumi u shpreh se në të ardhmen Kosova do të ketë një ushtri dhe TMK-ja do të jetë bërthamë e kësaj ushtrie. (Agjencia e Lajmeve “Kosova”).
2. Pas një vizite në Shtabin e Përgjithshëm të TMK-së , kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi deklaroi se mandati i Ekipit të Unitetit është bërja e shtetit të Kosovës. “Këtij ekipi do t’i shtohet edhe një pikë e që kjo është se TMK do të bëhet ushtri e ardhshme e Kosovës”, ka theksuar Thaçi. Kosova është e gatshme për pavarësi ashtu siç është e gatshme edhe TMK-ja që të bëhet ushtri, tha ndër të tjera Thaçi, duke shtuar se ushtria e Kosovës garanton paqe dhe stabilitet, si dhe garanton dhe mbron integritetin territorial dhe sovranitetin e saj. RTK 19 janar 2007.
3. Presidenti Fatmir Sejdiu e përshkroi të më 13 gusht 2008 Forcën e Sigurisë së Kosovës, si ushtrinë e elitës të Kosovës mbas takimit me drejtuesin e Forcës të shpërndarë të Mbrojtjes të Kosovës, Sylejman Selimi. FSK pret të ketë 2,500 anëtarë aktivë dhe 800 rezervistë. Ndërsa TMK ishte zyrtarisht një organizatë civile, kushtetuta e re e përshkruan FSK si një “forcë kombëtare sigurie. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për dallimin që do të kenë Forcat e Sigurisë së Kosovës nga Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, Presidenti Sejdiu rikujtoi dispozitat kushtetuese edhe për njërën dhe tjetrën dhe theksoi se trajtimi i deritashëm i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës ka qenë trajtim i një organizata civile, pavarësisht pjesën e historikut të saj dhe një përkushtim të jashtëzakonshëm në situatë shumë të ndjeshme për Kosovën, ndërsa Forca e Re e Sigurisë së Kosovës do të jetë realisht një Ushtri e Kosovës.
4. Komandanti i TMK-së, Sylejman Selimi në një intervistë për një të përjavshme të Prishtinës ka thënë: TMK-ja do të shuhet. Tash do të flasim për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
FSK-ja do të ketë simbolet shtetërore të Kosovës. Ne jemi shtet i ri dhe ne i kemi pranuar ato simbole.
Ato simbole do të ekzistojnë edhe në Forcën e Sigurisë. Nuk do të ketë lidhshmëri mes UÇK-së, TMK-së dhe FSK-së. FSK-ja nuk do të merret me këto data historike, por do të merret me vetveten dhe profesionalizmin e saj. Ne jemi duke krijuar një identitet të ri dhe jemi duke u ballafaquar me shumë ndryshime, jo vetëm me emrat,( është fjala për Legjendarin Adem Jashari) por, po ashtu edhe ndryshimin e simboleve, pastaj edhe duke anashkaluar historinë (!) gjë që çdo ndryshim do të jetë i vështirë dhe do të jetë pak i rëndë. Por, është një realitet i ri. (Petrit Musolli, 9. 6. 2008, Java).
TMK-ja do të shpërbëhet dhe Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të jetë ushtri, por një lloj xhandarmërie
Krijimi i një force të re të sigurisë në Kosovë do të jetë në interes të qëndrueshmërisë në rajon, por edhe në interesin e vetë serbëve, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, për BBC-në në gjuhën shqipe, duke sqaruar se kjo forcë do të mund të ishte më e përafërt me forcën franceze “xhandarmeri”. Mirëpo, “dikush duhet ta bëjë këtë, dikush duhet ta mbikëqyrë shpërbërjen e TMK-së dhe ngritjen e kësaj force të re“, ka thënë Scheffer. ( 15. 7. 2008 )
Marnak: Forca e re e Sigurisë në Kosovë, pas transformimit të TMK-së do të jetë një njësi për mbrojtje civile
Komandanti i trupave paqeruajtëse ne Kosove, gjenerali Xavier Bout de Marnhac, u shpreh ne nje interviste per BBC-se se forca e re e sigurise ne Kosove, pas transformimit te TMK-se do te jete nje njesi per mbrojtje civile. Ai tha se kjo force do te kete pergjegjesi qe te perballet me katastrofat e renda, sic jane termetet, vershimet ose zjarret qe mund te kercenojne Kosoven. NATO-ja ka marre vendim qe ta ndihmoje kete proces, qe perfshin shuarjen e TMK-se. (E Enjte, 21 Gusht 2008 ( Koha jonë).
Mujota: Ngritjen e FSK-së duhet trajtuar si proces më vete, i ndarë nga procesi i shpërbërjes së TMK –së.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota dhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Emilio Gaj, kanë biseduar lidhur me ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe shpërbërjen e TMK-së. Ministri Mujota ka deklaruar me këtë rast se seleksionimi i pjesëtarëve për krijimin e forcës së sigurisë tashmë ka filluar. Mujota dhe gjenerali Gaj kanë biseduar për bashkërendim të punëve lidhur me përzgjedhjen e komandantit të FSK-së, liderëve kyç dhe uniformat. Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për dinamikën e shpërbërjes së TMK-së, çështjen e lirimit të objekteve, pajisjeve, pronës dhe çështjen e dokumentacionit. Po ashtu u theksua se ngritjen e FSK-së duhet trajtuar si proces më vete dhe i ndarë nga procesi i shpërbërjes së TMK-së. ( 21. 10. 2008)
Kompromisi për shpërbërjen e TMK-së
Në kohën e nënshkrimit të planit të Ahtisarit, kreu nënshkrues kishte pranuar se kishte bërë kompromise “të dhembshme”, duke vënë në spikamë edhe faktin lidhur me shpërbërjen e TMK-së, edhe pse u thanë sa e sa arsyetime se nga TMK-ja do të ndërtohej Forca e re e Sigurisë, e cila nuk është ushtri por njëlloj xhandarmërie, pa asnjë segment të ushtrisë apo armatës. Shpërbërja e TMK-së është bërë me pajtimin e të gjithë faktorëve relevantë vendorë dhe të huaj. Shpërbërjen nuk e ka kundërshtuar kreu i TMK-së, as Presidenca, as Qeveria dhe as Kuvendi i Kosovës.
Nuk ka pasur fare rezistenca në këtë drejtim, madje as nga oficerët e tjerë të kësaj trupe. Pakënaqësitë kanë qenë vetëm individuale, meqë procesi i shpërbërjes ka vazhduar me vite të tëra, në rrugë për degradimin e plotë dhe sistematik, që i është bërë kësaj Trupe, qysh prej ditës së parë të themelimit.
Gjatë këtyre viteve janë burgosur dhe janë dënuar qindra pjesëtarë të kësaj trupe. Disa janë vrarë pas shpine në rrethana ende të pasqaruara. Disa kanë pësuar aksidentalisht në krye të detyrës. Disa nga eprorët janë arrestuar dhe dënuar. Shumë të tjerë janë dëbuar apo janë trajtuar si pjesë rezervë, e cila nuk ka qenë as është trajtuar asnjëherë në aspektin financiar.
Duke folur për planin e Ahtisarit dhe shpërbërjen e TMK-së, analisti, Robert Ostin më 21 maj 2007 ka nënvizuar se cilido që sugjeron se Kosova është caktuar të bëhet një shtet tjetër shqiptar në Ballkan, nuk e ka lexuar mirë këtë plan. Propozimi i Ahtisarit është para së gjithash një dokument i ndërtuar për ta bërë Kosovën një shoqëri shumëetnike. Kjo do të thotë se komuniteteve jo shqiptare u është dhënë pushtet vendimtar. Me mbi 90% të Kosovës të përbërë nga shqiptarë, pakicave serbe, rome, ashkali, goranë, egjiptianë, turq e boshnjakë u janë dhënë pushtet i madh në të gjithë sektorët.
Pas një analize të thellë që i ka bërë këtij plani, i cili parasheh që Kosova të mos ketë ushtri as sovranitet të plotë, këshilltarja e Çështjeve ballkanike, zonja Shirli Diogardi nga Lidhja Shqiptare-Amerikane ka shtruar pyetjen: si mund të mendohet që propozimi i Planit të Ahtisarit i cili dobëson kapacitetin e qeverisë qendrore të Kosovës, për qeverisjen e territorit të saj dhe në të njëjtën kohë lehtëson të gjitha llojet e marrëveshjeve ligjore dhe ekstra-ligjore midis Beogradit dhe komunave serbe, do të shpjerë në paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe në Evropën juglindore?
Mospranimi i propozimit të Ahtisarit nga Beogradi, është po ashtu një dredhi mashtruese, një dredhi e llojit që synon të krijojë iluzionin e Serbisë viktimë. Kjo është e vërtetë e pamohueshme, meqë plani i Ahtisarit i jep Serbisë pikërisht atë që ka kërkuar: Një Kosovë me “më shumë autonomi dhe më pak pavarësi” nëpërmjet planit të decentralizimit, i cili do t’i mundësojë Beogradit të ruajë kontrollin mbi serbët e Kosovës dhe nëpërmjet kësaj do t’i mundësojë asaj ta mbajë Kosovën të destabilizuar me qëllim që, në fund të fundit, të rivendosë kontrollin e saj mbi një pjesë apo mbi tërë territorin e Kosovës.
Këto konstatime të drejta dhe realiste të zonjës Diogardi dita ditës po bëhen realitet.
TMK-ja realisht është shpërbërë, pasi më në fund gjatë procesit të aplikimit janë fyer, përbuzur e keqtrajtuar shumica e pjesëmarrësve që kanë aplikuar për të qenë pjesëtarë të FSK-së.
FSK-ja nuk do të jetë ushtri e Kosovës, madje as trupë mbrojtëse e vendit, sikur ishte TMK-ja.
Sërish do të nisin bisedimet për statusin e Kosovës mes Prishtinës dhe Beogradit, për çështje që kanë të bëjnë veçanërisht me pozitën shumë të privilegjuar të serbëve,
Pjesa e veriut të Kosovës, tashmë po legjitimohet si pjesë e Serbisë edhe nga UNMIK-u.
EULEX-i ka garantuar se do të jetë i pa anshëm sa i përket statusit.
Kryepari i fesë në Serbi thërret për luftë të shenjtë në Kosovë.
Tadiq kërcënon me ndarje të Kosovës, nëse gjithçka nuk shkon sipas pretendimeve të Beogradit.
Me nismën e Serbisë drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, sikur është ndërprerë procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Do të ishte fatkeqësi e madhe, madje me përmasa kombëtare dhe rajonale, po të përfundonte edhe e ardhmja e Kosovës, ashtu sikur përfundoi TMK-ja.
Kontrolloni gjithashtu
Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …