Toleranca dhe kultura fetare shqiptare, nuk kanë të bëjnë me “harmoninë” mes feve, sepse fetë monoteiste nuk kanë harmoni mes veti, por kanë bashkëjetesë mbi parimet e reciprocitetet e të qytetarisë njerëzore.
Toleranca dhe kultura fetare e shqiptarëve, me apo pa qëllim, mendoj më shumë nga mosdija po interpretohet si harmoni fetare e tyre. Në fakt, asnjë prej tri feve monoteiste, Hebraizmi, Krishterimi e Islami, edhe pse janë fe të besimit në një Zot, kurrë nuk kanë pasur as kanë harmoni në aspektin fetar, meqë të tri fetë janë monoteiste dhe si të tilla partikulariste. Secila thirret në Zotin e vet dhe mohon kategorikisht fenë tjetër si fe të drejtë. Shembuj të tillë ka pasur ka dhe do të ketë, sepse ndryshe mëson krishterimi, krejt ndryshe e praktikon fenë Islami e po ashtu ndryshe hebraizmi, edhe pse të tria i referohen një Zoti të vetëm.
Kultura e tolerancës fetare ndër Shqiptarë është fenomen sui generis, por ajo ekziston vetëm në mesin e shqiptarëve, të cilët me gjithë respektin që kanë secili për fenë e vet, duke respektuar gjuhën gjakun dhe traditën e kombit, ata mbi këtë bazë, mbi këtë pozicion e respektojnë fenë e secilit. Shqiptari mysliman ka respekt për shqiptarin katolik të gjakut të vet, por nuk besoj se ka respekt për katolikun francez apo spanjoll, vetëm sepse është katolik. Po ashtu shqiptari katolik ka respekt për shqiptarin mysliman, vëllanë e tij të gjakut e të gjuhës, por kjo nuk do të thotë se ai ka respekt për turkun apo arabin e fesë myslimane. Shqiptarët, sidomos në Kosovë kanë respekt të shprehur për ortodoksët shqiptarë, që përfaqëson At Nikollë Marku, por as kanë pasur as kanë aspak respekt për greko-ortodoksët shqiptarë të Janullatosit.
Kemi të bëjmë me kategori të caktuara brenda për brenda kombit dhe jo harmoni fetare, sepse ky fenomen nuk ekziston në botë. Nuk ka harmoni kategoria fetare si e tillë, përkundrazi ajo në bazament kundërshton çdo fe, çdo fe tjetër përveç fesë së vet. Megjithatë brenda parimeve bazë të feve monoteiste, feja islame, hebraizmin dhe krishterimin i pranon si fe hyjnore, fe të librave të shenjët dhe pranon Toren hebraike dhe Dhjatën e Vjetër e të re të krishterë.
Islami pranon Jezu Krishtin, por vetëm si profet, në mesin e profetëve të mëdhenj, Adem, Ibrahim, Musa, Muhamed.
Hebraizmi dhe krishterimi nuk e pranojnë Muhamedin si profet dhe Kuranin e pretendojnë si libër të devijuar.
Tradita hebraike nuk e pranon as trashëgiminë letrare të Besëlidhjes dhe as të Kuranit.
Togfjalëshi “harmonia fetare” nuk i bën ballë realitetit, sepse në fakt, qoftë për të mirë apo për të keq, nuk mund të ketë harmoni mes feve, mes mësimeve e interpretimeve, mes fondamenteve të besimit, por ka pasur dhe mund të ketë vetëm tolerancë, mirëkuptim, kulturë sjelljeje njerëzore të besimtarëve mes veti, sepse çdo besimtar para se të jetë i krishterë islam apo hebre, më së pari është njeri, i takon gjinisë njerëzore, e cila ka kompaktësinë e vet ekzistenciale, qytetëruese, mijëravjeçare.
I krishteri nuk hyn as nuk falet në xhami, por myslimani nuk e ka të ndaluar të hyjë dhe të falet në kishë, apo në sinagogë. Mirëpo kjo nuk do të thotë se kemi të bëjmë me harmoni, nëse njëra palë e toleron por tjetra e refuzon aktin e tillë. Harmonia është e dyanshme, e barasvlershme, e pranueshme njëlloj për secilën palë.
Kultura e tolerancës fetare shqiptare, ka qenë dhe po mbetet fenomen tipik shqiptar, por vetëm përbrenda etnikumit, vetëm brenda për brenda shqiptarëve, kudo ku ata ndodhen, kudo ku gjallojnë në botën e krishterë, apo në atë islame. Kjo kulturë, ky bazament nuk ka të bëjë me shpërfilljen, apo blasfeminë fetare, sikur thonë disa të vetëquajtur analistë, nuk ka të bëjë as me trashëgiminë që ka lënë në këtë mes periudha 50-vjeçare komuniste, por në radhë të parë ka të bëjë me kulturën e një kombi shumë të vjetër të një bazamenti të qytetarisë antike, që i lidh rrënjët mijëravjeçare të periudhës pagane.
Iluministi serb, Vuk Karaxhiq, del të ketë qenë njohës i mirë i jetës dhe traditës shqiptare, po aq sa ka qenë njohës i jetës, traditës, etikës dhe psikologjisë të tyre serbi tjetër, piktori i madh, Paja Jovanoviq. Karaxhiq duke shkruar për kulturën e tolerancës fetare mes shqiptarëve ka shkruar: “Ne Serbët duhet të marrim shembullin e shqiptarëve të cilët i përkasin – tri feve dhee konsiderojnë njëri tjetrin bashkëkombës. Shqiptari mysliman i vret 10 turq për një shqiptar të krishterë, ndërsa shqiptari katolik i vret 10 italianë për një shqiptar mysliman apo orthodoks dhe po ashtu shqiptari orthodoks i vret 10 grekë për një shqiptar qoftë mysliman ose katolik”. Kjo thënie iluministe pse jo edhe hipotetike, e iluministit serb Karaxhiq, dhe jo vetëm e këtij vërteton se ADN-ja e shqiptarëve ishte ndërtuar mbi principet e kombit dhe jo mbi ato të fesë. Po ashtu edhe kultura e tolerancës ka të bëjë përbrenda popullit, përbrenda kombit dhe jo jashtë tij.
Harmonia mes feve monoteiste nuk ekziston. Mjerisht, ekziston dis-harmonia, urrejtja, armiqësia, e cila për fatin tonë të keq tashmë ka dalë nga kontrolli dhe nuk dihet më a kemi të bëjmë me mes durim fetar, aspo dikush për e keqpërdor fenë, vetëm për qëllime dominimi dhe ekspansioni në botë.
4. 6. 2017
Shtime