Zbardhi edhe një ditë e re me halle e derte të vjetra të përditshmërisë gjithnjë e më kaotike. Jemi strukur brenda tendave të mbuluar me batanie. Nga shiu që bie nuk mund ta ndezim zjarrin në stufë për ta përgatitur ushqimin. Epiri me Zamirin dhe me Rrezen po bëjnë përpjekje për ta rregulluar një mbulojë përmbi stufë me qëllim që nga ana e sipërme të ngrohet sadopak edhe brendësia e tendës, të cilën e kemi thurur nga ana e jashtme dhe e kemi përforcuar mirë. Ndërkohë ka ardhur, Isë Rexhep Idrizi, i cili është këtu afër me afër 20 anëtarë të familjes së gjerë dhe më propozon që mbulojën e stufës ta bëjë nga ana e epërme, duke e zgjeruar paksa edhe tendën. Ai i ka ndihmuar Epirit për një kohë të shkurtër e kemi rregulluar edhe këtë punë.
Në lajmet e paditës, bëhet e ditur se në Shqipëri kanë filluar trazirat. Si duket edhe kësaj radhe po ripërsëriten vitet 1991 dhe 1997. Shqiptarët më duket se janë i vetmi komb në Ballkan që nuk mëson gjë na pësimet andaj edhe i ripërsërit të ligat. Thuhet se është vrarë Azem Hajdari, se forcat e Salih Berishës e kanë marrë televizionin, se në rrugë ka filluar kaosi, kundërvënia e turmave ndaj forcave të rendit. Vëmendja e bashkësisë ndërkombëtare po përqendrohet rreth zhvillimeve në Shqipëri. Tanimë po shihet qëllimi i atyre që e kanë zgjedhur kohën e krizës në Kosovë për ta marrë pushtetin me forcë.
Sa turpe dhe sa ligësi din t`i bëjë shqiptari i zi, Sali Berisha.
Në orët e paditës, pasi jemi ngrohur dhe jemi ushqyer mirë kam shkruar një apel drejtuar organizatave humanitare që ta ndihmojnë popullatën e zhvendosur në luginat e maleve të Drenicës jugore. Apelin ia kam dërguar në Shalë Fitim Selimit, i cili ka telefon celular dhe mund t`ia dërgojë ndonjë agjencie apo ndonjë gazetari.
Në orët e mbrëmjes vëzhguesit tanë në Biga kanë njoftuar se një njësit tankist i përqendruar në Fushticë, qysh prej fillimit të ofensivave ka filluar të tërhiqet në drejtim të Komaranit. Duket të jetë ndonjë taktizim i ri ose ndonjë përgatitje për sulm në ndonjë fshat apo në ndonjë prej grykave ku është e zhvendosur popullata civile.