Ahmet Qeriqi: Turqia, në tri kthesa epokash, jo perandorake

(Me rastin e 101-vjetorit të shpalljes së Republikës së Turqisë)

 Turqia, në historinë e përgjithshme, njihet si njëra nga perandoritë më të mëdha të botës,  e cila  në epokën e re, për më shumë se 600 vjet u shtri në tri kontinentet më të mëdha të rruzullit, sikur kanë qenë dhe janë; Azia, Afrika dhe Evropa.

Për këtë vështrim kemi veçuar tri personalitete, jo perandorake por shumë vendimtare, në historinë e saj të lindjes në shekullin 11-të, dhe mbijetesës epokale në dy shekujt e fundit. Këta janë; Ertugruli, Ataturku dhe Erdogani.

Turqia ka qenë dhe po mbetet njëra ndër shtetet më të fuqishme të botës në 700 vitet e fundit. Nga këta qindvjeçarë, më shumë se gjashtë shekuj ka qenë njëra ndër shtatë Perandoritë më të mëdha të botës, për disa shekuj edhe Perandoria më e madhe dhe më e fuqishme.

Sot Turqia radhitet në 15 shtetet më të fuqishme të botës,  ushtarakisht dhe ekonomikisht. Pavarësisht urrejtjes e dashurisë që kanë shqiptarët kundër Turqisë, nuk mohohen faktet se për pesëqind vjet fati ynë i mirë, apo i keq, na ka lidhur me Turqinë në të gjitha segmentet e jetës  sonë historike, prej vitit 1389 e deri në vitin 1912 e më pas, deri në ditët tona.

Përveç 33 sulltanëve të njohur të Perandorisë Osmane, Turqia ka tri personalitete të tjera të cilët e kanë themeluar dhe e kanë mbrojtur këtë shtet në periudhat më kritike të saj, gjatë tërë historisë 700-vjeçare.

 Ertugruli (1198-1281) është heroi legjendar i Turqisë, djali i Shah Sylejmanit i cili kishte vënë themelet e para ushtarake, shoqërore, politike dhe ekonomike të shtetit,  duke bashkuar fiset turke në një shtet të vetëm. Djali i Etrugrulit ishte Osmani i Parë, nga ku edhe fillon Dinastia e madhe e Sulltanëve-osmanlinj, e cila me kohë ishte shtrirë gjerë e gjatë në tri kontinentet më të mëdha dhe më të fuqishme të botës: Azi, Afrikë dhe Evropë.

Në bazë të burimeve islame dhe atyre bizantine të publikuara deri më tani, mund të kuptohet se për Ertugrulin, për të parën herë është shkruar nga fundi i shekullit XV. Emri i tij përmendet në një letër të Bajazitit  dërguar Tamerlanit. Të dhënat më vonshme kryesisht kanë karakter mitologjikë. Si do që të jetë, nga këto të dhëna nxirren përfundime se ai  ishte një prijës fisi turkmen, i cili duket që nëpërmjet dyndjeve mongole në Azinë e Vogël kishte ardhur aty dhe kishte zënë vend rreth viteve 1234-1235 në Anadolli. Më vonë, u vu në krye të një sulltanati të Selxhukëve në kufi me Perandorin Bizantine. Nga aty nën hijen e kryesuesit të Selxhukëve mori pjesë në përleshje me Tartarët dhe ndërkohë edhe plaçkiste nëpër trojet e Perandorisë Bizantine. Drejtonte emiratin e Sullatanit selxhuk ku me vone u forcua dhe u fuqizua (nga djali i tije Sulltan Osmani)  deri kur u formua  Perandoria Osmane. Wikipidia

Në kohën kur Perandoria Osmane ishte sulmuar nga tërë bota dhe prej vitit 1912 e deri në vitin 1924 kishte luftuar për ekzistencë, duke qenë e sulmuar nga Koalicioni botëror i krishterë, nga Evropa Azia, Rusia, Amerika e Australia, Turqia kishte nxjerrë në sipërfaqe Ataturkun, ( 1881- 1938)  personalitetin më të fuqishëm të kohës, i cili falë mençurisë, forcës morale dhe atdhedashurisë, arriti ta ruajë dhe më vonë ta konsolidojë shtetin, që kishte qenë buzë shpërbërjes totale dhe buzë zhdukjes së përbotshme. Ai, me turqit që e kishin pasuar, duke qenë i ballafaquar me tërë botën dhe duke e piketuar si shkaktare Perandorinë e pa reformuar Osmane, arriti që me ndihmën e një klase të re politike të Turqisë, të bëjë një kthesë të jashtëzakonshme, duke mbyllur përgjithmonë pretendimet pushtuese të Perandorisë dhe duke hartuar,  më vonë edhe duke miratuar një Kushtetutë, e cila ndalonte Sulltanatin, ndalonte përzierjen e fesë në punët e Shtetit, duke krijuar një shtet laik, modern, i cili i përballoi me sukses tronditjet e dy luftërave të fundit botërore.

Roli që ka luajtur Ataturku me rimëkëmbjen e Turqisë, pa dyshim se është i njëjtë me rolin e Ertugrulit në formimin e shtet të parë turk. Në të gjitha krizat e brendshme që i ka përjetuar Turqia, që nga koha e Ataturkut e deri në ditët tona, shpëtimin e ka gjetur te Kushtetuta,  dhe te autoriteti i pakontestueshëm, atdhetar e moral i Mustafa Qemal Ataturkut.

Në rrugë për ta fuqizuar Turqinë, për ta përparuar, modernizuar dhe për ta lidhur edhe me demokracinë perëndimore kanë qenë të  angazhuar shumica e kryetarëve të Turqisë nga Ataturku e deri te Erdogani. Krahasimi i Ergodanit me Ataturkun dhe Ertugrulin puqet më së shumti edhe në luftë të ashpër dhe pa kompromis kundër kundërshtarëve, kundër atyre që janë quajtur dhe quhen tradhtarë të kombit e Atdheut.

Historia e jetës dhe luftërave të Ertugrulit rrëfehet të ketë qenë  e mbushur me shembuj tradhtie, e cila kishte shtrirë rrënjët   deri edhe në  familjen e  ngushtë e Shah Sylejmanit.

E njëjta ka ndodhur edhe me Ataturkun, i cili luftën më të ashpër e zhvilloi kundër klerit mysliman, që kishte përvetësuar islamin arab, që kishte mbisunduar Perandorinë për afër gjashtë qind vjet. Përpjekja e tij për ta reformuar islamin dhe për t’ i dhënë ngjyrë kombëtare turke nga kundërshtarët ishte trajtuar si tradhti ndaj kombit e fesë. Në krijimin e një Turqie moderne, të shkëputur totalisht nga trashëgimia e Sheriatit dhe globalizmi fetar  islam, Ataturku kishte habitur botën në perëndim, e cila duket se nuk i ka besuar kurrë filozofisë dhe sinqeritetit politik të tij, por qëndrimin e tij të reformuar  e ka interpretuar si mjet për ta shpëtuar vendin nga përballja e pamundshme me  botën e krishterë. Realisht, reformatori më i madh i  Turqisë, Qemal Ataturk, mund të krahasohet me reformatorët më të mëdhenj të botës, si Martin Luteri, Zhan Kalvini, Jan Husi, dhe personalitetet e shquara ushtarake  si: Robin Hudi, Skënderbeu, Xhuzepe Garibaldi, Xhorxh Uashingtoni e të tjerë.

Rexhep Tajip Erdogani, kryetari aktual i Turqisë, jo vetëm kohëve të fundit është ballafaquar me kundërshtarët politikë, të cilët i quan armiq dhe tradhtarë të kombit. Ai në vitet e qeverisjes së deritanishme ka arritur më shumë suksese, sesa të gjithë kryetarët apo kryeministrat e tjerë, që nga Koha e Ataturkut. Natyrisht se ndërtimi i Turqisë moderne dhe demokratike, nuk i përket vetëm atij, por në radhë të parë shumicës së popullit turk dhe udhëheqësve të tjerë, të cilët në vazhdimësi janë thirrur  dhe thirren në traditën historike, shtetformuese të Ataturkut, por jo të gjithë e kanë pasuar apo e pasojnë rrugën e tij. Erdoganit i përshkruhet tendenca për autoritarizëm, për çlirim deri në një nivel të kontrolluar të fesë, nga vargonjtë  ku konsiderohet se  kishte “prangosur” Ataturku. Të tjerët e lavdërojnë për reforma të suksesshme në politikat e jashtme, për zhvillim rapid të ekonomisë kombëtare  dhe për lidhje të veçanta miqësore, sidomos me Amerikën deri më 15 korrik 2016, me rastin e përpjekjeve për grushtet nga një segment i Ushtrisë së Shtetit.

Turqia në përpjekje për të përballuar sfidat e rënda dhe shumë të rrezikshme

Turqia aktualisht është e ballafaquar me kriza të rënda, madje në disa segmente me përmasa të njëjta, sikur ishte ballafaquar Turqia e Ataturkut, prej vitit 1912 deri në vitin 1924. Përpjekjet për grusht-shtet, më 15 korrik të vitit  2016, ishin përpjekje për ta përmbysur pushtetin dhe demokracinë turke në vend, një demokraci karakteristike me mjaft elemente të veçanta mes Lindjes autoritare dhe Perëndimit në dukje demokratik, por në esencë super-autoritar.

Në këtë kazan ideologjish, politikash e filozofisë politike, Turqia dashur pa dashur është pjesë e rendit botëror, para së gjithash për faktin se është liderja më  e fuqishme e botës islame, por edhe mikja e Amerikës, me gjithë luhatjet që solli përpjekja për grusht-shtet, më 15 korrik 2016.  Në kohën kur Turqia uli nivelin e armiqësisë historike  me Rusinë dhe Iranin, kryetari amerikan, Barak Obama,  e kishte kuptuar vonesën pa arsye për ta përkrahur Erdoganin dhe për ta dënuar meritorisht përpjekjen për grusht-shtet.

Në një eksperiment  të tillë të lëvizjeve politike e strategjike të Turqisë, BE-ja mbeti jo vetëm indiferente, por edhe përkrahëse e heshtur e përpjekjeve për grusht-shtet, sepse Evropa nuk mund ta pranojë kurrë një Turqi të fortë, qoftë edhe të reformuar, në nivelin e tanishëm. Disa shtete të BE-së në vazhdimësi kanë mbajtur qëndrim armiqësor kundër Turqisë, qëndrim i cili lidhet me frikën nga përhapja e islamit në Evropë. Lufta e hapur e Turqisë kundër ISIS-it, duke qenë pjesa më e rëndësishme e koalicionit botëror kundër Shtetit Islamik, Siri-Irak (Levant), nuk i mjaftoi Bashkimit Evropian, i cili do të dëshironte që Turqia të identifikohej me ISIS-in dhe të sulmohej nga tërë bota.

Pavarësisht paragjykimeve, në radhë të parë të atyre paragjykimeve që i krijojnë mediet e shitura te politikat dhe servile, Erdogani është lideri më popullor në Turqinë e sotme. Me rastin e përpjekjeve për grusht-shtet, ai mori edhe përkrahjen unanime të opozitës dhe përgjithësisht të botës islame, por edhe të qeverive demokratike të botës. Përpjekjet që bën një klan gazetarësh mafiozë në Kosovë për ta paraqitur Ergodanin si Sulltan apo si diktator autoritar, janë përpjekje të një mase prej dhjetëra gazetarësh.

Populli shqiptar në përgjithësi dhe ai në Kosovë në veçanti e ka fare të qartë se Turqia e sotme e kohës së Erdoganit, nuk ka pretendime të kthimit të Sulltanatit. Ai e di po ashtu fare mirë, që armiqtë më të mëdhenj dhe më brutalë të shqiptarëve në Ballkan janë serbët e  grekët. Ata po ashtu  janë po aq armiq të Turqisë e të turqve.

Ato koka me erë të jugo-shqiptarëve, që mendojnë se më i dobishëm është rreshtimi strategjik gjeopolitik i shqiptarëve në Ballkan me Greqinë, Serbinë e Rusinë, sesa me Turqinë, janë thjesht koka të çoroditura, me prejardhje politike të mbetjeve  ideologjike,  jugosllave.

Ka nga ky mes ka  edhe analistë, që nuk e njohin realitetin politik e aq më pak atë historik, të cilët kanë prirje paniku dhe pretendime për t’u marrë me personalitete botërore, në mënyrë për ta kompensuar shpirtvogëlsinë dhe kompleksin e  çoroditur të tyre.    Kuptohet fare lehtë dhe nuk ka pikë dyshimi se vetëm një Turqi e fortë dhe stabile prodhon paqe e siguri në Ballkan. Duhet pasur parasysh edhe faktin se disa shtete të Ballkanit sikur është Maqedonia, Bullgaria, Kroacia kanë marrëdhënie fort të mira me Turqinë, madje mbase të nivelit që ka Shqipëria, Kosova, Sanxhaku, Bosnja e Hercegovina.

 

Ahmet Qeriqi

Përditësuar 

më 30. 10. 2024

Prishtinë

 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …