Ahmet Qeriqi: Ukshin Hoti kishte kërkuar një qëndrim të prerë për veprim politik, me kushtin: “Bëje ose vdis!”

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Në korrik të vitit 1993, Ukshin Hoti, i burgosur politik dhe njëri ndër politikologët më të njohur të kohës sonë, fati i të cilit ende nuk dihet, opinionit shqiptar, apo inteligjencies së kohës i kishte dërguar një letër të gjatë, ku kishte shprehur mendimet dhe gjykimin e tij politik, shoqëror, duke i ndërlidhur edhe disa raporte familjare, në mënyrë që letra të ishte paksa e tërthortë dhe të mos bëhej  shkak për ndjekje penale nga pushtuesi, i cili e mbante nën vëzhgim të pandërprerë. Ishte i vetëdijshëm për të gjitha, andaj  asokohe  e kishte shfaqur krejt hapur qëndrimin e tij kritik, realist, të cilin nuk e përfillte  klasa intelektuale, apo inteligjencia e Kosovës, LDK-ja, por as partitë e tjera politike. Megjithatë, Ukshin Hoti, së bashku me simbolin e Rezistencës Kombëtare, Adem Demaçi dhe profesor, doktor Rexhep Qosen ishin tri  personalitete me shumë ndikim, të cilët politika pacifiste e Rugovës, i mbante në distancë dhe  nuk i honepste, për shkaqe, atëherë dhe tash, jo edhe aq të panjohura.

Konceptet e qarta politike, kalitja nëpër burgje, vizioni real dhe i mirëfilltë për ardhmërinë, diskurset realiste dhe pa ekuivoke, që shprehnin publikisht, Adem Demaçi Ukshin Hoti, Rexhep Qosja ishin larg më të emancipuara, më të përparuara, shumë më të stisura politikisht e kombëtarisht,  sesa ajo që dinte apo shprehte i pari i LDK-së, Ibrahim Rugova dhe  intelektualët-partiakë, që ishin tubuar rreth tij.

Ukshin Hoti kishte formuluar një gjykim të prerë për veprim politik, i cili përmblidhej me formulimin: “Bëje ose vdis!”.  “Nëse e kemi shpallur Republikën, nëse i besojmë veprimit tonë, atëherë duhet të bëjmë atë, ose të vdesim!”. Rruga tjetër nuk shkon në favorin tonë, por vetëm e zgjatë agoninë tonë. Ky konstatim i pjekur politik, të cilin kanë pasur rast ta dëgjojnë të gjithë ata që kanë biseduar dhe kanë mbajtur kontakt me Ukshin Hotin, ishte tejet decidiv dhe atakonte, në radhë të parë pushtuesin serb dhe kreun politik të LDK-së, parti kjo që në opinion paraqitej si Lëvizje e përgjithshme shqiptare, por në esencë ishte parti politike, legale,  e regjistruar në Beograd, sipas ligjeve të ish-Jugosllavisë komuniste, në procesin e shpërbërjes definitive.

Letra e gjatë e Ukshin Hotit drejtuar inteligjencies së Kosovës është një vepër e veçantë, është një manifest i mendimeve dhe  veprimeve politike të kohës, e cila duhet të studiohet me shumë kujdes, për ta ndriçuar në tërësi gjendjen politike të viteve ’90, por edhe jetën e tij në raport me familjen, shokët e burgut dhe intelektualët e Kosovës.

Veprën dhe jetën e  Ukshin Hotin ende nuk e njohim sa duhet. Pavarësisht se mos ndriçimi i fatit të tij, po na mbanë peng gjatë tërë kohës së pas luftës, vepra e tij është dhe do të jetë me ne dhe ajo është burim i shumë të dhënave dhe duhet të na shërbejnë sidomos tani kur Kosova po kalon përmes një presioni virulent ndërkombëtar, me qëllim të rehabilitimit të Serbisë dhe pranimit të saj në BE, duke diskredituar luftën e UÇK-së, madje edhe vetë intervenimin e NATO-s kundër Serbisë kriminale, jo vetëm të Milosheviqit.

Ai përveç shkollimit, arsimimit të lartë, i burgosur politik, politikan realist dhe i kalitur në të gjitha segmentet e jetës, është edhe një shkrimtar me një invencion shumë të pasur  dhe me një imagjinatë jashtëzakonisht të fuqishme krijuese e artistike.  Skicat e tij janë të lidhura përbrenda një tërësie të fuqishme meditative, gjithnjë realiste dhe gjithnjë të faktuara e të argumentuara. Ato janë krejtësisht origjinale, ndërsa  për nga përmbajtja e tematike krejtësisht të veçanta, të pashoqe në letërsinë tonë.

Si të tilla këto skica të shkruara në formë letre, përbëjnë një tërësi trajtimi të problemeve dhe shqetësimeve  të tij personale, si prind, në raport me familjen, djalin dhe bijat, bashkëshortet, familjen, kolegët e punës, ish dhe atëherë e tani,  partiakët, që nuk i shkuleshin pretendimeve për pushtet, madje as në podrume, ku i kishte futur regjimi kriminal i Serbisë së Milosheviqit.

Vrojtimi kompleks i realitetit nga autori i letrës, nuk ka si të mos na përkujtojë nganjëherë madje edhe rrëfimet fantazmagorike të Franc Kafkës. Letrat e Ukshin Hotit, janë krijimtari e veçantë në letërsinë tonë, aq më tepër, sepse  janë letra që i ka shkruar vetë realiteti i kohës, dhembja, shqetësimi, malli dhe mbi të gjitha dashuria e zjarrtë për trashëgimtarët, për fëmijët e vetë e të tërë Kosovës, për jetën, lirinë e pavarësinë e vendit.

Në këto skica të thella artistike, në radhë të parë shprehet një nivel i lartë i humanizmit por edhe i intelektualit të përgjegjshëm, të vetëdijshëm për veprimet e tij. Ai nuk kishte qëndruar duarkryq, për të pritur se çka do të sjellë e nesërmja. Nuk ishte pajtuar me gjendjen ekzistuese, nuk ishte nënshtruar, ashtu sikur ishte nënshkruar klasa pacifiste e kohës. Ukshin Hoti Kurrë nuk ishte pajtuar me padrejtësitë, qofshin ato kolektive, që iu bëheshin shqiptarëve,  apo individuale, që iu bënë atij nga klane të caktuara pacifiste. Kishte mbajtur qëndrimin e fortë dhe të palëkundur si qëndrimi burrëror i Sokratit, simboli unikat njerëzor i flijimit për drejtësi, për njerëzi, për mirëkuptim reciprok.

I ndeshur me botën tjetër, me logjikën dhe rezonin ndryshe, atij nuk i kishte mbetur tjetër por rezistencës, fjalës së lirë, shprehjes së kundërshtimit, pavarësisht pasojave, të cilat nuk e kursyen prej vitit 1981 e deri tani kur ende fati i jetës së tij ka mbetur pezull, ka mbetur peng i ish-regjimit okupator dhe i politikanëve  të mefshtë e të mjerë të Kosovës e të Shqipërisë, që nuk janë në gjendje, apo nuk kanë vullnet, natyrisht se nuk kanë as dobi materiale, që çështjen “Ukshin Hoti” ta trajtojnë në nivelet botërore, meqë kemi të bëjmë me një personalitet me përmasa kombëtare e botërore…

Prishtinë

16. 5. 2023

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …