Jetë Hasani me grupin e tij diversant vëzhgues është kthyer në Krojmir. Ai me luftëtarët e tij gjatë natës kanë hyrë fshehtas në dy fshatra të Rrafshit me ç rast kanë ndëshkuar fizikisht disa bashkëpunëtorë shqipfolës të regjimit, të cilët më pas janë zotuar se nuk do të bëjnë vepra të tilla. Aksioni ka kaluar pa pasoja, ndërsa unë brengosem me këto veprime të Jetës. Kam frikë se mos po bie në ndonjë kurthë pabesie.
Rreth mesditës kanë ardhur në Krojmir, luftëtari nga Abria, Idriz Hyseni pastaj Ilir Dugolli, Gafurr Dugolli dhe një ushtar tjetër.
Me Idrizin kemi biseduar për vendosjen e disa anëtarëve të Shtabit në lagjen tonë. Ai, po ashtu porositë që krejt kjo të mbahet fshehtas, për arsye të kuptueshme.
Pasi janë larguar Idrizi me luftëtarët e tij kanë ardhur edhe Fatmir Limaj dhe Shaban Draga. Fatmiri ka kërkuar që të lajmërohet edhe Luani mirëpo tani për tani nuk ia di kush adresën. Duke qenë se e kanë qortuar shpeshherë, ai takohet me anëtarë të Shtabit vetëm kur nuk ka kah ia mban, edhe kur është i thirrur nergut.
Ndërkohë kemi biseduar për situatën e përgjithshme, ndërsa Fatmiri e prezanton Shaban Dragën si oficer me shkollë, të cilit duhet caktuar vendi që e meriton.
Në mënyrë indirekte Fatmiri pranon se deri tani luftimet janë bërë pa ndonjë vijë të fortë organizative, duke përfunduar se gjatë kësaj kohe janë krijuar kushte për konsolidimin dhe ristrukturimin e radhëve, dhe tani janë të nevojshëm oficerët për të demonstruar dijen dhe strategjinë e tyre. Famir Limaj është shumë inteligjent dhe mënyra si komunikon terrthoras me Shaban Dragën më bën shumë përshtypje, por nuk jam i sigurt se a e ka kuptuar (oficeri deri dje i Bukoshit) mirëfilli një dozë të ironizimit që bën Fatmiri. Shabani pranon se lufta që është bërë deri tani ka qenë vetëmohuese por shtron nevojën e ristrukturimit dhe të përforcimit të operativës. Deri sa ata po bisedonin me mixhën Mehë dhe me Elez Durmishin e vërej me kureshtje Fatmirin dhe mendoj se çfarë qëndrimi do të kishte mbajtur ndaj këtij oficeri, po të kishte ardhur para ofensivave të verës. Edhe pse Shabanin po e shoh për herë të dytë dhe më duket shumë i sinqertë, madje më trimëron fakti se është nga Drenica, prapë se prapë është krijuar një hendek me këta oficerë, të cilët më duket se qëllimisht janë vetë kursyer deri tani. Tani kur për Kosovën ka interesime të njëmendëta të ndërkombëtarëve dhe kur po shihet vendosmëria e ushtarëve dhe e popullatës liridashëse për të luftuar me çdo çmim deri në fitore, këta po vijnë dhe kërkojnë ta marrin situatën nën kontroll.
Këta oficerë i kanë siguruar familjet e tyre në Tiranë apo në qytete të ndryshme të Evropës, ndërsa ne me të gjitha familjet dhe të afërmit tanë ndodhemi nën rrethim të hekurt të forcave okupatore jugosllave.
Kam frikë të arsyeshme mos po infiltrohet krejtësisht vija e ashtuquajtur qeveritare institucionale, në kreun drejtues të luftës. Kjo varet nga komandantët tanë. Varet në radhë të parë nga Fatmir Limaj, Rexhep Selimi, nga Jakup Krasniqi e të tjerë. Nëse këta lëshojnë pe, ne nuk kemi ç bëjmë por në një rast të tillë, mendoj se do të bëhej gabim.
Përpjekjet e kontrabandimit të këtyre oficerëve në vendet udhëheqëse, më duken me rreziqe, ndërsa nga biseda me Fatmirin fitoj përshtypjen se puna e tyre do të jetë organizimi struktural dhe funkcionalizimi i operativës.
Në orët e vona Fatmir Limaj dhe Shaban Draga janë larguar në drejtim të Shalës.
Lajmet që kam dëgjuar sot më japin disa shkëndijëza shprese. Duket sikur diplomacia amerikane ka lëvizur pak nga vendi. Masakrimi i fëmijëve në Abri ka prekur paksa ndërgjegjen e atyre që kanë ndërgjegje njerëzore. Pamja tmerruese e fëmijëve të masakruar, tregon më së miri barbarinë më të shëmtuar, që ka ndodhur ndonjëherë gjatë luftërave.