Kam pushuar dhe kam fjetur mirë. Nga lodhja e ditës paraprake dhe nga gjumi i thellë nuk i kam dëgjuar shpërthimet e granatave gjatë natës. Qysh në mëngjes jam duke shkruar, në këtë kasollë të drurit të mbuluar me dushk dhe najlon. Ndodh nganjëherë që një ose dy ditë nuk arrij t`i përshkruajë ngjarjet e ditës në kronikë dhe pastaj rikthehem, për t`i sjellë ndërmend dhe për t`i shënuar në këtë fletore.
Në orët e mesditës në tendë kanë ardhur disa ushtarë e së bashku me ta edhe komandant Çerçizi, alias Isak Musliu nga fshati Reçak. Ushtarët nuk i njoh të gjithë por si duket janë nga ana e Neredimës. Nëse janë emrat e tyre të vërtetë njërin e quanin Shaban, tjetrin Zymer tjetrin Rexhë etj. Së bashku me ta ka ardhur edhe Ramiz Qeriqi, apo komandant Luani i cili gjithnjë na bën probleme, pastaj Isë Qeriqi, Syla, Elezi. Meqë bën vapë jemi futur në kasollë dhe kemi biseduar gjerë e gjatë për punët dhe problemet aktuale me të cilat po ballafaqohemi. Në dukje të parë duket sikur hallakama e përgjithshme ka filluar të qetësohet, edhe pse më tepër se 300 mijë veta janë të zhvendosur në zonat e luftimeve e sidomos në Drenicë dhe Dukagjin.
Çerçizi i takon radhëve të luftëtarëve të sprovuar. Ka një mjekër të dendur, sy të zez dhe depërtues. Nga pamja i përngjet shumë figurës së Çerçiz Topullit dhe pikërisht për këtë e quajnë Çerçiz. Është tejet i qëndrueshëm dhe i zhdërvjellët në luftë kundër armikut. Ka treguar trimëri në Betejën e Rahovecit dhe në Grykë të Llapushnikut, Tani po i bën përgatitjet që me disa ushtarë të depërtojë në Rancë, në Zonën e Neredimës. Edhe katër luftëtarët që e shoqërojnë kanë pamje impozante, me mjekra të dendura, të armatosur mirë dhe në disponim të shkëlqyeshëm luftarak. Kur shoh këso luftëtarësh më shtohet besimi në fitore. Pasi kemi drekuar nga ushqimi që e kanë përgatitur bashkëshortja ime Zymrytja dhe Mejremja, bashkëshirtja e Isë Qeriqit, ata ngritën për në rrugën e tyre. E kemi bërë zakon që kur të ndahemi në raste të tilla të përqafohemi, sepse ku di a do të takohemi më. Luftë është dhe gjendja nga çasti në çast mund të ndërrojë.
Pasi u larguan të gjithë si zakonisht i dëgjoj lajmet e radiostacioneve të huaja. Këto burime bëjnë të ditur se luftimet nuk kanë të ndalur sidomos në Drenicë dhe në Dukagjin. Ofensiva serbe e lejuar edhe nga ndërkombëtarët nuk e ka thyer rezistencën e UÇK-së. Luftime të ashpra po zhvillohen në Deçan, në Junik dhe në tërë brezin kufitar në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Serbia me propagandën e vet flet për shkatërrimin e UÇK-së. QIK-u dhe politika pacifiste e Ibrahim Rugovës luan lojën qyqare të strucit.
Nga lajmet e mbrëmjes mësojmë se Rugova e ka aktivizuar grupin prej pesë ish kuadrove titiste, të njohur edhe më parë për zhvillim të bisedimeve me xhelatin Milosheviq. Natyrisht se nuk ka të përfaqësuar nga UÇK-ja as nga partitë e tjera politike përveç LDK-së
Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, ka autorizuar Adem Demaçin përfaqësues për negociata. Ai e ka besimin e Shtabit në përpjekje për t`i krijuar institucionet e Republikës së Kosovës, edhe pse krejt këto gjëra nuk janë sa duhet të qarta.
Tani kur UÇK-ja ka pësuar dëme, kur kreaturat politike shqiptare, përmes propagandës po aq të shprehur sa edhe ajo e Beogradit po bëjnë përpjekje për ta diskredituar këtë forcë ushtarake kombëtare. Prania e Demaçit në kreun përfaqësues të UÇK-së si një autoritet kombëtar tani për tani është pazëvendësueshëm, meqë nuk kemi personalitet tjetër që do ta merrte përsipër këtë përfaqësim, në këtë kohë. Duket sikur UÇK-ja tash ka më shumë nevojë për Demaçin.
Agjencitë e huaja të lajmeve bëjnë të ditur se forcat ushtarake e policore serbe kanë vazhduar sulmet përgjatë brezit kufitar Kosovë Shqipëri, madje duke granatuar edhe në brendi të kufirit të Shqipërisë. Kosova po e përjeton një agoni të llojit të veçantë. E sulmuar nga të gjitha anët dhe e përbuzur mizorisht nga ajo që quhet elitë politike, e cila pretendon të paraqitet si e vetmja alternativë e zgjidhjes së problemit tonë kombëtar. Mjerisht ne shqiptarët ende jetojmë në shpërputhje me kohën, të ngatërruar në mosmarrëveshje, në dilema, përçarje e përçudni të tjera.
Në mbrëmje së bashku me Elezin e Selatinin kemi shkuar në Shtab. Naim Ismajli na njofton se Hilmi Ramadani ka shkuar në Shalë së bashku me mjekun Jakup Ismajli. Reshat Gashi dhe Shyqri Iballi janë kthyer nga Shtimja.