Ahmet Qeriqi: Vajtje-ardhje dhe shqetësime të tjera (E premte 4 shtator, 1998)

Ahmet Qeriqi: Vajtje-ardhje dhe shqetësime të tjera (E premte 4 shtator, 1998)

Gjatë tri ditëve të kaluara ofensiva fashiste serbe është përqendruar sidomos në Zonën Operative të Dukagjinit, pastaj në disa pjesë të Prizrenit në fshatrat e Vërrinit, në fshatrat e Malishevës e të Rahovecit. Serbët kudo ku parakalojnë  pas veti lënë shkatërrime, plaçkitje dhe terror barbarie.

Në vend-pozicionet tona të para në Carralevë ata i kanë djegur edhe pyjet përreth. Aktualisht ata po e vënë nën rrethim edhe Zonën Operative të Neredimës, duke bërë përpjekje për të krijuar një korridor prej Kleçkës e deri në Budakovë. Synimi kryesor i ushtrisë dhe policisë serbe është paralizimi i UÇK-së, shkatërrimi i bazës logjistike, shkapërderdhja e popullatës, rrënimi dhe djegia e tërë pasurisë së shqiptarëve, në mënyrë që të  bëhet e pamundshme jetesa dhe futet përçarja në mes të forcave tona dhe popullit.

Gjendja e përgjithshme e të zhvendosurve në Drenicën jugore është në kufi të durimit, edhe pse ka raste të veçanta të agresivitetit dhe humbjes së besimit se mund t`ia dalim, sidomos tani kur serbët na kanë vënë nën rrethim sipas praktikës së tyre ushtarake të quajtur “patkoi”, rrethim në tri anë, ndërsa një korridor i hapur për të ikur popullata. Korridori ynë i vetëm ka mbetur rruga nëpër Blinajë dhe në Magurë. Disa nga banorët e Shalës janë kthyer nëpër shtëpitë e tyre të rrënuara. Fshatarët e Kleçkës e të Divjakës po qëndrojnë në Grykë të Shalës e të Nekovcit. Fshatarët e Dukës, të Karaçicës e të Javurit janë vendosur në Grykën tonë, ku ditë më parë kanë ardhur edhe shumë të tjerë, që për një kohë kanë gjetur strehim në Blinajë.

Në mbrëmje te tenda ime në Grykë ka ardhur Heset Sahiti me një ushtar.

Ushtarin e quajnë Dardan. Nuk e di është nofkë apo emri i tij i vërtetë. Heseti, Dardani dhe të tjerë tanimë janë rivendosur në Shalë. Ushtarët e tij e kanë nën vëzhgim një pjesë të territorit të Blinajes. Heseti është i qëndrueshëm, i fortë dhe i ka përballuar me sukses pasojat e ofensivës. Ai shpreh besim të patundur në fitore. Në radhët e UÇK-së që në fillim të luftës e ka aktivizuar edhe vëllain e tij Xenin, që është një ushtar i përkushtuar.

Së bashku me Elezin e kemi përcjellë Hesetin deri te Gurra e Gatë, e cila tanimë është e fortifikuar mirë.

Pasi jemi kthyer në tendë kemi dëgjuar një rafal të mitralezit të rëndë dhe jemi shqetësuar tejmase. Më vonë mësuam se njëri nga ushtarët, Bashkim Krasniqi nga Zllokuçani e ka shkrehur armën gabimisht, por nuk ka pasur kurrfarë pasojash, përveç se rafali është dëgjuar në bazën  ushtarake serbe të cilën e kemi përballë dhe me të drejtë druajmë mos po fillojnë granatimin në Grykë.

Diku ka ora 22.00 ka filluar të bjerë shi i imët vjeshtor. Qëndrimi i mëtejmë në Grykë po vështirësohet. Katastrofa humanitare nuk është me brirë. Ka rrezik që të na përfshijë ndonjë epidemi e gripit apo e ndonjë sëmundje tjetër edhe pse deri tani falë kujdesit të mjekëve: Naser Bytyçi, Jakup Ismajli dhe tërë ekipit gjendja shëndetësore e popullatës është mjaft e mirë. Kemi barëra, madje mjeku i dhëmbëve Naser Bytyçi, ka punë më shumë se të gjithë të tjerët. Të zhvendosurit më së shumti kanë probleme me dhëmbët.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Dezinformatat po e lëkundin vendosmërinë e të zhvendosurve. Ditë të rënda e të rrezikshme po na presin. (E mërkurë 9 shtator, 1998)

Ahmet Qeriqi: Dezinformatat po e lëkundin vendosmërinë e të zhvendosurve. Ditë të rënda e të rrezikshme po na presin. (E mërkurë 9 shtator, 1998)

Gjatë tërë natës ka rënë shi. Me orë të tëra qëndrojmë të strukur në tenda …