Ahmet Qeriqi: Vazhdojnë ardhjet e pandërprera në ngushëllime për Jetë Hasanin (E diel 18 tetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Vazhdojnë ardhjet e pandërprera në ngushëllime për Jetë Hasanin (E diel 18 tetor, 1998)

Zgjohem i lodhur dhe dërrmuar nga përjetimet dhe rravgimet e ditës paraprake. Ndihem tmerrësisht i shqetësuar. Kam do parandjenja të liga nga të cilat frikësohem, sepse zakonisht në raste të tilla, ndodhin befasi. Mirëpo duhet përballuar, meqë i kemi hyrë kësaj pune të madhe, nëse e lëmë në gjysmë nuk do të na falin brezat.

Edhe Berati ndihet i lodhur.

Në mëngjes shkojmë në odë te Sylë Qeriqi, ku pandërprerë vijnë ushtarë për ta ngushëlluar familjen e dëshmorit Jetë Hasani. Xha Azizi po qëndron i fortë edhe pse dikush i ka bërë të ditur rrethanat e vrasjes së Jetës. I shpjegoj atij se Jeta ka rënë në krye të detyrës ushtarake, dhe në krye të detyrës bihet jo vetëm nga plumbi i armikut por edhe në rrethana të tjera. I them që të ketë kurajo sepse çështja do të zbardhet nga Shtabi, vendimet e të cilit të gjithë  i respektojmë.

Në orët e paditës kam biseduar me Naim Imerin dhe Vehbi Zeqirin të cilët po bëjnë përpjekje që sasinë e rezevuar të artikujve ushqimorë ta depërtojnë sapo të krijohen kushtet. Më vonë kanë ardhur edhe Nazmi Iballi, i cili ka treguar për rrethanat e arrestimit. Nazmiu thotë se para policëve ka pranuar që ka qenë në Pjetërshitcë për t iu dhënë rrogat arsimtarëve, meqë formalisht ai punon edhe në Këshillin e Financimit.

Nazmiu, të cilin fillimisht e kanë arrestuar së bashku me bashkëshorten e tij, tregon se policët e kanë kërcënuar përse ai është larguar nga radhat e LDK-së. Ata i kanë bërë me dije se do të jetë nën kontroll. Nazmiu ka dorëzuar edhe 5000 DM për nevojat e shtabit, ndërsa ka shpjeguar se dega e LDK-së në Shtime nga fondi i Bukoshit në emër të luftës ka marrë 100 mijë DM. Nazmiu thotë se ka mundësi që një të treten e të hollave nga një anëtar i degës së LDK-së ta tërheqë për ne.

I tregoj Nazmiut se për çështje të tilla duhet të pyeten përgjegjësit për furnizim në Shtab.

Nazmiu prej fillimit të luftës në vazhdimësi ka ndihmuar me të holla dhe mjete materiale. Është me rëndësi edhe fakti se mbanë shënime të cilat për shkaqe sigurie i lë këtu, ndërsa kohë pas kohe i merr dhe i shënon hyrjet e daljet. Nazmiu e ka zgjeruar rrethin e donatorëve deri në Pozharan dhe në Gjilan. Ai ndër të tjera tregon edhe për propagandën që po zhvillohet nga kreu i LDK-së sidomos kundër meje. Përmend emrin e një njeriu  i cili ka trilluar se gjoja unë takohem me policinë serbe, në Zborc. E marr me mend se kush dhe për ç` arsye i fabrikon të gjitha këto, ndërsa nga Nazmiu kërkoj që të mos brengoset as të mos përfolë fjalë të tilla. E di se kjo është propagandë e zezë e atyre të cilët tanimë kanë arritur marrëveshje me policinë serbe për të kontribuar në zbulimin e veprimeve të UÇK-së.

Nëntë rreshta të koduar

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …