Ahmet Qeriqi: Vazhdojnë përpjekjet e forcave policore dhe ushtarake serbe për të depërtuar në Rrafshnaltë. Qindra raketa tokë-tokë dhe kaçushë godasin Rrafshnaltën. (E premte 4 qershor, 1999)

Ahmet Qeriqi: Vazhdojnë përpjekjet e forcave policore dhe ushtarake serbe për të depërtuar në Rrafshnaltë. Qindra raketa tokë-tokë dhe kaçushë godasin Rrafshnaltën. (E premte 4 qershor, 1999)

Në orën 5 të mëngjesit forcat serbe me armë të rënda të artilerisë kanë filluar të godasin pozicionet tona në Lladrovc, në Tërpezë dhe në drejtim të Divjakës. Nga gjëmimet e topave të rëndë 220 milimetra dridhet vendi.

Serbët kanë aplikuar një taktikë të re të sulmit. Ata fillojnë ofensivën sa po të zbardhë dita, meqë aeroplanët e NATO-s nuk fluturojnë herët. Ata zakonisht fillojnë  fluturimin në orën 8 e më vonë.

Si duket sot ka ndodhur një përjashtim. Mbase dikush nga oficerët tanë ka lajmëruar forcat e NATO-s për sulmin serb dhe diku rreth orës  8 e 30. Nuk kemi të dhëna se a kanë goditur në shenjë. Pak kohë më vonë, serbët kanë shkrepur  një rafal të raketave të tipit Kaçushë në drejtim të Fshatit të Ri dhe në Tërpezë. Nga vendqëndrimi ynë në Rrezen e Baliqit kemi vërejtur tymin që ngrihen si re, por nuk e kemi përcaktuar dot vend-goditjen. Rreth mesditës serbët kanë goditur  me raketa Lagjen e Munishëve, në Fshat të Ri. Shpërthimi dymbëdhjetë raketave të fuqishme krijon përshtypjen e një kataklizme. Disa raketa të tjera kanë shpërthyer në drejtim të Divjakës dhe të Kleçkës. Më vonë kemi mësuar se një raketë ka goditur në mesin e popullatës në Grykën e Thatë të Nekocit. Thuhet se janë lënduar 14 veta por nuk ka të dhëna për ndonjë të vdekur.

Rreth orës 17.30 minuta, forcat serbe të pozicionuara në anën e Gjergjicës, në Llapushnik, në Komaran dhe në Lagjen e Janova kanë goditur  në të gjitha anët. Sulmi ishte aq i rrufeshëm sa  në çast dukej sikur ka filluar një kataklizmë e përgjithshme. Jemi strukur në bunker dhe nuk dimë se ç po ngjet.

Qysh prej fillimit të luftës asnjëherë deri tani nuk është vënë në veprim një forcë e tillë raketore. Serbët duket sikur janë çartur fare. Ata po bëjnë përpjekje që sa më parë dhe me çdo kusht të hapin një korridor për të depërtuar në Rrafshnaltë.

Edhe sot nën këtë breshëri të paparë ndonjëherë deri tani kemi arritur të transmetojmë programin ditor.

Shpërthimi i raketave nuk ka të ndalur. Ato godasin pa ndërprerë dhe nuk kemi asnjë lajm për pasojat e mundshme. Sot serbët kanë shkrepur ndoshta edhe me qindra raketa dhe krejt kjo tregon se ata po bëjnë përpjekje mbinjerëzore për të na gjunjëzuar apo për të krijuar panik fatal te popullata.

Në mbrëmje Martin Çuni është kthyer nga Tërpeza. Ai gjendjen e përshkruan shumë të rënë meqë  armiku ka mësyrë me të gjitha mjetet për të depërtuar në Rrafshnaltë. Ushtarët tanë po qëndrojnë të patundur. Një njësit ushtarët si duket ka rënë në luftime te Vneshta e Senikut, por nuk dihet numri u të rënëve. Thuhet se ka shpëtuar vetëm njëri prej tyre dhe ashtu i plagosur është tërhqur deri në Kleçkë. Nuk dihet për humbjet nga radhët tona në pika të tjera, meqë  shpërthimet e pandërprera të arsenalit më të fuqishëm ushtarak që disponon armiku, kanë paralizuar lëvizjet.

Ka lajme se është goditur edhe popullata e zhvendosur.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Luani duhet sa më parë të shkojë në Shqipëri (E enjte 19 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Luani duhet sa më parë të shkojë në Shqipëri (E enjte 19 nëntor, 1998)

Moti duket sikur është përmirësuar por ka filluar era e dimrit. Fryma e ftohtë që …